Xheladin ÇELMETA/ Sa na mungon, Mehdi Pogaçe…

816
Sigal

  U bëmë disa muaj, pa Mehdi Pogaçen, Presidentin e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Ai, u nda nga jeta, krejt papritur dhe tani pas kaq kohësh, sidomos ne komuniteti i ushtarakëve; të gjithë pa përjashtim; aktivë dhe në rezervë; të liruar apo në pension, ndjejmë thellë vetes mungesën e tij. Se Mehdi Pogaçe nuk ishte thjeshtë një ushtarak madhor, nuk ishte thjeshtë një president shoqate dhe vetëm aq. Ai ishte një personalitet ushtarak, ishte një intelektual që i përkiste elitës së Ushtrisë shqiptare. Ndodh, që nekrologjitë për rastet e ikjes së njerëzve nga kjo Botë, kanë efektin e tyre drithërues në momentin që lexohen, kur ata përcillen për në banesën e fundit. Pastaj, ndodh ajo që ndodh gjithmonë: koha kalon; ngjarjet mbulojnë njëra- tjetrën dhe pastaj, mblidhemi në përkujtimore për të risjellë kujtimet për njeriun që kemi humbur. Por, ja që kjo, nuk ndodhka me një figurë si Mehdi Pogaçe. Kolonel Pogaçe na mungon përditë. Familjes, po e po, por edhe të gjithë neve, miqve e kolegëve të tij, që po ashtu, përditë jemi lutur e lutemi që “Zoti t’i japë kurajo familjarëve, për të përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut të tyre të dashur”. Mehdiu iku në një moshë vitale dhe në fakt mua nuk ma nxë goja të them se sa vjeç ishte ai, kur u nda nga jeta. Se për njeriun nuk kanë rëndësi vitet që ka jetuar, por se sa dinjitoze ishte jeta e tij. E në këtë kuptim, Mehdi Pogaçe ishte ndër më dinjitozët mes intelektualëve të brezit të tij, por edhe të atyre të mëparshëm. Ai ishte qytetari i thjeshtë, ashtu si edhe filozofi, që në bisedë e sipër me shumëkënd, dinte të shtjellonte ide për të civilizuar mentalitete e mendësi, aty; në grupimin shoqëror, ku ai aderonte, në Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë apo edhe në tryeza debatesh, sa herë që flitej për cilësinë e ligjeve për ushtarakët shqiptarë. Të gjithë e ndjejmë  se sa na mungon sot Medi Pogaçe. Jo se në krye të kësaj shoqate nuk ka njeri tjetër për t’u zgjedhur, jo. Por se vetë Pogaçe, me punën e tij të përkushtuar, pati krijuar “piedestalin” e vet, plotësisht të merituar, përmes frymës së debatit, përmes replikës kurajoze dhe me sens, përmes mendimit të tij elitar, të denjë për një lider të kohës. Të gjithë e dimë se fusha e preferuar e këtij intelektuali ishte kryesisht ajo e ligjshmërisë për ushtarakët aktivë dhe ato në rezervë e lirim. Shtypi i përditshëm, sidomos ai i 5-6 viteve të fundit, disponon një arkivë të tërë, me shkrimet e Mehdi Pogaçes, ku shtjellohen ide e projekte për ecurinë e ligjeve për ushtrinë, për të drejtat e ushtarakëve që iu takojnë kur ata janë në shërbim aktiv, apo në rezervë, etj.. Forca e logjikës, argumenti dhe arsyetimi gjithë shpirt toleranca e mirëkuptimi, ishin tiparet që karakterizonin kolonel Medi Pogaçen. Duke bashkë koordinuar ide e mendime edhe me ushtarakë të tjerë, që në media të ndryshme kanë sensibilizuar çështje e problematika të ditës për ish -ushtarakët, të tillë si; Myslym Pasha, Pëllumb Zaimi, Gani Elezi, Zaim Kuçi, etj., Mehdi Pogaçe synonte që zgjidhjet ligjore të vinin përmes gjithëpërfshirjes. Ai ishte mëse i bindur se më së pari, institucioni që duhet respektuar më shumë është “institucioni i vetvetes, pastaj të kërkojmë nga shteti e qeveria”. Kjo ishte motoja e tij. Kjo sintezë e tij, m’u ngulit gjatë një bisede konfidenciale që pata bërë me të një vit më parë. Ndoshta fjalë për fjalë, këtë perifrazim unë nuk e gjeta më pas nëpër shkrimet e tij, por në fakt, herë pas here, vija re me kujdes se zbërthimi i kësaj “aksiome”, ka qenë totalisht e shkrirë në përmbajtjen e çdo artikulli që ai ka publikuar. Presidenti Pogaçe kishte një vizion perëndimor lidhur me protestat e ish- ushtarakëve. “Jo protesta, sa për të kaluar radhën”, thoshte ai, “por me logjikë bashkëkohore, me arsye konkrete dhe me qytetari”. Shpeshherë tregonte edhe rrugët që duhet të na çojnë drejt lobimit, për një ligjshmëri sa më të përputhur mes të drejtave dhe detyrave që kanë ushtarakët. Mehdi Pogaçe ishte njeriu që nuk kërkonte medoemos “të fliste nga podiumi”. Ai dinte “ta ndërtonte” tryezën e debatit, kudo: në një takim rastësor, në kafene, në rrugë, apo gjatë një udhëtimi me autobus për diku, kudo, kudo… Ishte kjo, cilësia më tipike e tij, ku gërshetohej njerëzorja me racionalen; tendenca për t’u bërë pjesë e hallit të tjetrit dhe për ta zgjidhur atë. Figura e Mehdi Pogaçes është ajo intelektualit perëndimor, por edhe e njeriut shqiptar, e njeriut që i jep vlerë komunitetit, shoqërisë shqiptare, por edhe katedrave, ku përpunohen idetë e kohës dhe strategjitë e zhvillimit. Ai ishte kontribuues direkt, por edhe indirekt në zhvillimin në vite të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare në FA. Ushtarakët tanë me modesti dhe profesionalizëm, mendoj se do të dinë ta bëjnë pjesë të dijes së tyre, kontributin teorik, por edhe praktik të presidenti të shoqatës Kombëtare të  Ushtarakëve të Rezervë të Shqipërisë, kolonel Mehdi Pogaçe.