Xheladin ÇELMETA/Pse e përshëndes përfshirjen e ish- ushtarakëve në politikë

633
Sigal

Në intervistën e para pak ditëve në “Telegraf” me kryetarin e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë (ShKURSh), z. Medi Pogaçe mësuam se, më në fund, në një takim bashkërendues me kryetarin e AKUSh, z. Kujtim Çako është nënshkruar një marrëveshje e përbashkët lidhur me përfshirjen e ish ushtarakëve në politikë. Është ky një akt mëse normal, i cili mbështetet në ligjin nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të RSh”, “neni 42”, “pika 1”, “Të drejtat e ushtarakëve në rezervë, në lirim dhe në pension”, ku thuhet se “Ushtarakët (oficer dhe nënoficer) në rezervë, lirim dhe pension, përveç të drejtave të përcaktuara në nenet e tjera të këtij ligji, gëzojnë edhe këto të drejta: “a) të anëtarësohen në shoqata ose në parti politike dhe të marrin pjesë në veprimtaritë e tyre”. Dihet tashmë, që ky është një vit elektoral i ethshëm. Pikërisht pse është i tillë, e përshëndes nismën e ish ushtarakëve për t’u përfshirë aktivisht në politikë, që ata të dinë të bëjnë zgjedhjen e tyre, në interes të të drejtave që duhet të gëzojnë me ligj. Gjendja e “Status-Quo”-së së deritanishme, gjendja e apatisë dhe e “mbylljes” së tyre brenda halleve individuale, pa qenë në gjendje të ndikojnë sadopak në përmirësimin e situatës së tyre ekonomike, financiare dhe të të drejtave të tjera që iu takojnë me ligj, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka krijuar terren të përshtatshëm për politikën që ajo t’i shpërfillë, t’i anashkalojë, sikur të mos ekzistonin fare. Deri në përbuzje. Për të qenë i sinqertë, edhe tani që po hedh këto radhë, jam paksa skeptik për frytet e këtij angazhimi të ri të ish- ushtarakëve, por gjithsesi, brenda vetes dua të jem optimist. Dua të flas këtë herë për “gjysmën e gotës plot”. Nga një sondazh personal timin, (jo detyrimisht i besueshëm), kam arritur në konkluzionin se ish- ushtarakët, deri në këto momente janë bërë kryesisht pjesë e elektoratit të majtë, të Aleancës Kuq e Zi dhe një pjesë fare e vogël, marrin pjesë në aktivitetet e PD-së, të LSI-së, e të ndonjë partie tjetër të vogël. Ish- ushtarakët dhe sidomos ushtarakët në rezervë janë kontingjenti që bën pjesë në shtresën e popullatës me jo pak probleme të aspektit social e ekonomik në vend. Madje këta të fundit, (ushtarakët në rezervë) akoma edhe më keq, pasi ekzekutivi shqiptar i varfëroi “më urdhër”, përmes Aktit Normativ. Menjëherë pas nxjerrjes në rezervë (“me reformë”!!), ky kontingjent u trajtua fillimisht me asistencë

“një gjysmë page mujore” për dy vjet dhe më pas nisi trajtimi me “lëmoshën” e aktit normativ. Asnjë opsion tjetër ripunësimi të tyre si gjithë ushtarakët e tjerë të vendeve të NATO-s. Asnjë kthim vëmendje për kushtet e jetesës në të cilët ndodheshin (ka plot nga ata që ende nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit). Injorim i plotë nga instancat qeveritare për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mbrojti të drejtën e tyre për t’i trajtuar me Status. Pikërisht pse është një vit i ethshëm elektoral, ish -ushtarakët duhet të demonstrojnë si gjithmonë kulturën e tyre demokratike për ta shfrytëzuar këtë moment, në interes të alternativës që ata mendojnë se vërtetë do ua përmirësojë jetesën për veten dhe familjet e tyre. Ish ushtarakët kanë njëmijë e një arsye që të dinë ta përdorin këtë vit votimesh për ta bërë të efektshëm “zërin e tyre” në politikë. “Shoqatat e ushtarakëve të mos bien në grackat e politikës”, kam shkruar para pak kohësh. Nuk i heq as pikën, as presjen këtij gjykimi. Duke parë se në njëzet vjet e ca, asnjë forcë politike parlamentare në pushtet nuk qe në gjendje ta bëjë të efektshëm Statusin e Ushtarakut të vitit 1991, i miratuar atëherë me votat e dy palëve “të të djathtëve dhe të të majtëve”, ish -ushtarakët kanë plotësisht të drejtë të jenë dyshues në përdorimin e tyre për interesa thjeshtë elektorale. Nga përvoja kemi parë se kryesisht politika, është e prirur t’u  “ngrejë kurthe” shoqatave të ushtarakëve, të synojë përdorimin e tyre nëpër fushata, pasi e dinë që ata janë realisht një “potencial intelektual” i dobishëm në këtë vend, janë realisht pjesa e vyer e moralit shoqëror. Si të tillë, cilado forcë politike do të dëshironte t’i kishte nga pas vetes, ish ushtarakët. Në intervistën e kryetarit të SHKURSH, më duket e drejtë logjika, sipas së cilës do të funksionojë bashkërendimi me AKUSH në këtë kohë fushate. Do të shihet me përparësi se si do të lobohet për të drejtat e ushtarakëve. Madje synohet të lobohet fort. Kjo është gjë e mirë. Fundja, kjo është thënë e stërthënë kushedi sa herë: Ish -ushtarakët duan që në Parlament të shkojë zëri i tyre. Dhe jo vetëm kaq: Të dëgjohet realisht zëri i tyre. Ish ushtarakët kanë përshëndetur deputetë të tillë, si Piro Lutaj, Arben Çuko, e ndonjë tjetër, që dikur profesionin e tyre të origjinës kanë patur Ushtrinë. Arsyeja dihet; se ata kanë ngritur në Palament me kompetencë probleme të sigurisë kombëtare në përgjithësi, si dhe të të drejtave të ish- ushtarakëve në veçanti. Por edhe kaq nuk mjafton. Në Parlament duhet që ky zë i tyre të përfaqësohet më fort, më bindshëm. Shkurt, ky zë aty duhet të jetë imponues. Ky është edhe qëllimi i bashkëkordinimit të dy shoqatave të ushtarakëve. Ogur i mirë është që ish ushtarakët këtë herë do të shfrytëzojnë më mirë se deri tani faktorët e politikës në interes të Statusit të tyre ligjor. Ish ushtarakët janë lodhur jo vetëm nga politika e ditës, po edhe nga debatet mes vetë shoqatave të ushtarakëve. “Të urojmë që këtë herë kjo, (mbledhja e përbashkët e dy krerëve të shoqatave) të mos jetë si deri tani, një…takim për “kafe e llafe ish ushtarakësh”, më shkruante një ditë në “Facebook” një koleg. Nuk e nënçmoj aspak mikun tim të dikurshëm ish oficer.  Është një pesimizëm, që natyrshëm për një moment, mund të kuptohet vetëm nga ata, ish ushtarakët, nga brezi i bashkëmoshatarëve të mi, të lodhur nëpër salla gjyqesh pa fund… E përse? Për të fituar një të drejtë, që atyre vetë ligji ua ka dhënë me kohë, por që ky shtet, kjo qeveri, këto institucione, nuk janë në gjendje t’ua garantojnë. Dhe përtej kësaj, edhe i tallin, me pensione qesharake. Më tej akoma; nuk denjojnë as të shpjegojnë se përse nuk zbatohet Statusi, që është një e drejtë legjitime. Ish ushtarakët sot, po synojnë të japin kontributin e tyre qytetar, në një terren “të kreshpëruar” politik. Me një plan konkret, me një program objektivash. Jam i prirur të besoj, se këtë herë ata do të dinë të jenë të efektshëm në këtë përfshirje aktive në politikë. Në këtë nismë të mirë, mbetem dyshues ndaj ndonjë orvatjeje të ndonjë partie politike për t’i “viktimizuar” ish- ushtarakët. Për t’i kthyer ata thjeshtë në numra. Kjo do të ishte tërësisht e pamoralshme. Do të ishte fatale. Urojmë të mos ndodhë.