Xheladin ÇELMETA/ Një “rrugëtim” me Resul Bedon

659
Sigal

Ky biograf i 28 mijë dëshmorëve të Kombit shqiptar, që nuk pushon edhe sot e kësaj dite së shkruari për ta

 Këto ditë, pata fatin ta takoja përsëri Resul Bedon, shkrimtarin 88 vjeçar. Prej dekadash, njihet nga shqiptarët si autori i “Yje-ve të Pashuar”, gjithsej 22 vëllime. “Një monument i gjallë njerëzor”, do të shprehej për të këto ditë, një kolegu ynë i shtypit. Unë, ndërkaq do të shtoja: “Një shkrimtar i palodhur, që gjithë jetën ja kushtoi veprës së dëshmorëve të Kombit, duke qenë ndërkohë edhe vetë një simbol, një imazh real, një legjendë e heroizmit partizan”. Qysh kur ishte 13 vjeç, ai, si shumë të tjerë, “mori malet për lirinë e vendit”, dhe u rrek monopateve… Me dyfekun në krahë dhe me bllokun e gazetarit në xhep. ..

1. Dje, gati jam “grindur” me të. Përse? Për një fotografi… Le ta them troç: Për t’i bërë një fotografi shkrimtarit Resul Bedo, më janë dashur dy ditë “negociata”. Se nuk donte të fotografohej me dekoratat e luftës në gjoks; ashtu siç ma kërkonte drejtori i revistës. Për një fotografi të thjeshtë, e dija që s’do të kisha hezitime, sepse e kisha provuar herë tjetër. Por me gjithë dekoratat në gjoks… më është dashur punë. Lodhje për t’i mbushur mendjen atij, se fotografia duhet me gjithë dekoratat. Përpara kemi festat; të Pavarësisë, të çlirimit të Tiranës, të çlirimit të Shqipërisë, etj., dhe duhet siguruar një cikël foto-portretesh të ish partizanëve, mes të cilëve edhe shkrimtari Bedo. Por ai, përsërit të njëjtat fjalë: “E mo, le ta bëjmë të thjeshtë foton, pa dekoratat…”. “Jo”, këmbëngul unë, “duhet me dekorata, patjetër”. Ndërkohë lus Zotin, që të mos më zemërohet; më ikën, dhe pastaj…gjithçka djalloset. Pas shumë “argumentesh”, ai bindet. Dhe e lemë për t’u takuar të nesërmen. …I përpiktë, vjen aty ku e caktuam; në një lokal të qetë, te “Shallvaret”. Madje, vjen një gjysmë ore më përpara. Me një kostum të zi, dhe me dekoratat e medaljet në një qese. Me bastunin që e troket përgjatë asfaltit, si të ishte Al Paçino. Shoh që qesja me dekoratat duket e mbushur plot. “Paska pasur të drejtë që më refuzonte”, them me vete. Bo, booo, vërtetë; ku t’i vëmë të gjitha ato?”. Gjithsesi, nuk tërhiqem. Nisim t’i “qepim” në xhaketë një e nga një dekoratat. Torturuese. Për afro një gjysmë ore, arrijmë të vëmë vetëm gjysmën e tyre. Xhaketa “dopio-pet” mbushet e gjitha me dekorata. Rrëzëllen e tëra. Dhe kanë mbetur akoma dhe shumë medalje. Janë aq tepër, sa për të kompletuar edhe një xhaketë tjetër… Bëj gati aparatin. Por…e pamundur. Resul Bedo kundërshton prerë: “Jo! Kjo nuk shkon”, thotë. “Gjella me kripë dhe kripa me karar…. Nuk kam luftuar vetëm unë… M’i hiq gjithë këto xhingla”, nervozohet. Unë nis angarinë e heqjes së dekoratave… “T’i lemë kaq? …Kaq?”, e pyes herë pas here. “Jo, jo, hiq akoma”, thotë. Vjen një çast dhe më thotë: “Kaq, po…Le ta bëjmë foton”. Dhe ja, është kjo fotoja që shihni. Dhe që paraqet shumë më pak se çerekun e dekoratave e medaljeve që ka Resul Bedo, kjo “përmendore” e gjallë njerëzore, ky ish partizan i dikurshëm 13 vjeçar i brigadës së 6-të Sulmuese, ky reporter lufte i revistës “Flaka”, dhe më pas, oficer pjesëmarrës edhe në luftimet për mbrojtjen e kufirit gjatë provokacioneve greke të gushtit ‘49. Ky biograf i 28 mijë dëshmorëve të Kombit shqiptar… Që nuk pushon edhe sot e kësaj dite së shkruari për ta… Edhe pse e di që çdo ditë e më shumë, ai po iu “afrohet” atyre.

 2. Pas angarisë për fotografinë, Resul Bedo më “urdhëron”: “Tani do më shoqërosh për tek shtypshkronja. Do më shpiesh atje dhe do më kthesh përsëri në shtëpi… Jo për gjë, se unë shkoj edhe vetë, por… kam pak problem ekuilibrin dhe… hallin e makinave.. I ngasin si të çmendur”. Ai ka në botim librin më të fundit për dëshmorët e rënë në luftën për çlirimin e Tiranës, me titull “Ballëndriturit”. Është libri i 123-të që ka shkruar në gjithë jetën e tij. Një rast vërtetë unikal: Po t’i vendosësh vetëm titujt e librave të tij njeri mbi tjetrin, ashtu si tullat në një mur, ato me siguri do të arrinin në baras-lartësinë e trupit të tij.

Për parantezë: Nga “Shallvaret”, ku e ka shtëpinë Resul Bedo, e deri tek “Rruga e Kavajës” ku ndodhet shtypshkronja, është rreth 900 metra. Dhe e bëmë këtë rrugë vajtje-ardhje për afro…dy orë. Një moment, kur shkrimtari hip në ashensor e shkon ne banesë për të marrë ca dorëshkrime, rastis të më takojë bashkëshortja e tij, e cila nuk ma kursen kritikën: “Dëgjo!, thotë. Resuli nuk është mirë, ndaj mos e merr me vete”. “ Po më ka urdhëruar vetë që ta shoqëroj…”, i them. “Mirë, mirë, bëj si të duash, unë kështu po të të them”, ma kthen ajo. Pak minuta më pas, shkrimtari Bedo zbret nga ashensori. “Tani eja të nisemi, thotë, …dhe më mbaj nga krahu”. “Dëgjo, xha Resul! Jot shoqe më tha që ti të mos shkosh sot në shtypshkronjë…”. “Ashtu? E ku është ajo?”, më pyet. “Ja, atje tek ai dyqani”, i them. “Atëherë, …eja, të ecim këndej”, ma pret duke u kthyer në drejtim të kundërt. Duket, nuk ka qejf të “grindet” me të. Me intuitë, kuptoj që ata shpesh “shamatohen” për këtë gjë… Nejse…Nisemi. Ecim. Aq ngadalë, sa duket sikur matim rrugën me pëllëmbë. E mbaj nga krahu. Herë-herë, në ije dora ime prek padashur në ca pjesë të forta nën xhaketën e tij. Më tregon: “Një ditë, rrugës për në shtypshkronjë, u rrëzova dhe theva brinjët.. Dhe u operova. Tani jam me tre operacione në trup.. Këto listela të drunjta që më kanë vënë mjekët për fiksimin e kockave, më sikletosin shumë”. “E di”, i them sa për t’i dhënë një përgjigje. “Jo”,  më thotë, “nuk e di…duhet ta provosh që ta dish, se sa vuan tjetri…”. “Ma lësho pak krahun…se duhet të çlodhem… Dhe dëgjo, kur të hyjmë në shtypshkronjë, nuk do të më mbash më për krahu. Dakord? Do eci vetë… Tani, më fol: Çfarë kishte ndonjë gjë të re dje televizori? Se nuk e kam ndjekur dot, nuk kam qenë mirë…”. “Po ja, i them, për shembull u miratua buxheti”. “Buxheti? Hëm…E si t’u duk?”. Ja kthej: “Nuk marr vesh shumë nga shifrat, por m’u duk i vogël… S’di se si mund të përballohen gjithë ato kërkesa të qytetarëve”. Ndalet një çast: “I vogël the?… S’ka gjë… çdo vështirësi përballohet… Rëndësi ka të zbatohet ligji”, thotë. “E di pse të mora sot?”, më drejtohet. “Kam lënë pa pasqyruar në atë libër që kam për botim, shkrimin për djalin e Heroinës Mine Peza. Do më ndihmosh pak se nuk më bindet dora. Unë do flas, kurse ti do të shkruash… Do ta vë tek “Ballëndriturit”, vëllimi i dytë”.  Pas kësaj, thotë, do jem i qetë”.

 … Dora ime, teksa e mbaj për krahu, ndjen rrahjet e zemrës së Resul Bedos. Ajo rreh për dëshmorët e këtij Kombi. Si një orë që nuk do të pushojë kurrë. Sikur nuk do të ndalet, pa i bërë edhe shërbimet e fundit…

3. E di…! Nesër do dalë dikush dhe do më thotë: “Eeeh, sa gjatë i ke rënë me këtë përshkrim….”.  Unë do t’i përgjigjesha: “Jo, i kam rënë fare shkurt. Se për Resul Bedon, (por edhe për të tjerë si ai, sigurisht), ka aq shumë gjëra për të shkruar e fiksuar në memorien e këtij Kombi, sa nuk tregohet. Se kemi nevojë të ndërgjegjësojmë një shoqëri të tërë, për të vlerësuar realisht ish luftëtarët e LANÇ-it. Se për Resul Bedon nuk u kujtua kush as t’i festojë 87 vjetorin e lindjes. Dhe imagjinojeni, është shkrimtari që ka dhuruar falas (për shokët e tij veteranë, por edhe për lexues të tjerë) mbi 320 libra, baras me rreth 4 milionë lekë (të vjetra). Me lekët e xhepit, ka botuar dje në kohën e monizmit dhe po kështu ka vazhduar edhe sot në demokraci. Kurrë nuk mendoi që të vinte mënjanë qindarkat e fituara nga shitja e tyre… Gishtërinjtë po më djegin mbi tastierën e kompjuterit, teksa hedh këto rreshta “dekonspirues” për historinë afro 60 vjeçare të krijimeve të këtij shkrimtari. Se e di që kjo është gjëja më personale, më ndjesore e tij. Është “zona e ndaluar” ku nuk kam të drejtë të hyj. Aq më shumë që për këto gjëra, ai nuk ka folur kurrë. Dhe as do flasë ndonjëherë. Kam frikë se do më zemërohet në mënyrë të pandreqshme Resul Bedo. Gjëja më e urrejtshme për të është “tjerrja e llafeve”. Unë i kam marrë vesh nga të tjerë këto “llafe”, ndaj dhe s’më mban vendi pa i thënë. Në Shqipëri ka shkrimtarë, poetë, skenaristë që kanë shkruar për dëshmorët, domosdo, por askush prej tyre nuk është treguar aq shërbenjës i rrallë, aq i zellshëm, aq biograf pasionant, sa Resul Bedo.