Xheladin Çelmeta/ Miqësisht për tre gjeneralët

76

Të tre gjeneralët e sapo liruar, i njoh. Dhe le ta them qysh në fillim: më pëlqeu performanca civile e tyre, me daljen publike përpara kamerave televizive. Them gjithashtu, se opinioni publik ka nevojë për sqarimet e tyre, ashtu sikurse ka nevojë edhe për sqarimet e institucionit të tyre të vartësisë, lidhur me shkaqet e lirimit. Madje, kjo praktikë sqaruese e dikasterit, them se duhet të jetë absolutisht e njëjtë për të gjithë ushtarakët, por sidomos për ata me grada madhore, siç janë gjeneralët. Kjo është mese e domosdoshme. Këmbëngul se kjo duhet të jetë normë elementare në demokraci. Nuk e diskutoj, që të tre gjeneralët; zotërinjtë Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi, janë kapacitete intelektuale, janë vlerë dhe pjesë e elitës cilësore të lidershipit ushtarak shqiptar. Nuk e di, në do ta pranojnë ata konfidencën time, teksa po shkruaj sot enkas për ta. Po hedh këto radhë, për t’i vlerësuar, për t’i përshëndetur ata për gjestin e tyre qytetar, por edhe për “t’u dhënë” ndonjë sugjerim, apo për “t’i kritikuar” ndopak. Le të mos m’i pranojnë po deshën, e them sinqerisht se nuk më mbetet qejfi. Gjer dje, ata ishin të ndryshëm nga ne, masa tjetër e madhe e ushtarakëve shqiptarë të dalë në rezervë. Ishin gjeneralë, tani nuk janë më. Viktor Hygoi, shkrimtari i madh francez, thotë në një nga shënimet e tij historike të vitit 1878: “Ai që ka kapur majën dhe jeton parajsën, nuk e di, dhe as që ka mundësi ta dijë se ç’mendon dhe ç’ndjen tjetri, ai që ka prekur ferrin”. Ashtu si Tom Xhim Xheku (i pasur dhe krenar), nuk mundi ta kuptojë dot kurrë Guinplenin (e varfër dhe të përulur)… Të tre gjeneralët, tani mund t’i takosh lehtë kudo; në rrugë, në një kafene, në një mjedis publik, etj., etj. Deri dje, ishte e vështirë të komunikoje me ta. Personalisht, si ushtarak në rezervë, kam përvojën time të freskët të ditëve më të fundit. Kisha një hall timin; dhe një ish-koleg i dikurshëm i Ushtrisë, nuk denjonte të më takonte më. Nuk më dilte më në postbllok. Përmes ushtarakut të shërbimit, më thoshte në telefon se “kishte shumë punë dhe nuk mund të më priste dot(!!)”… Për dreq, më duhet të dal sërish tek ajo pjesë e jetës sime në Ushtri. Druaj se shokët i mi, do m’i marrin këto fraza, si “vetëlëvdata”, si mungesë modestie, por jam i detyruar t’i them këto. Nuk kam se ç’bëj: Unë pata fatin të punoja gjatë në shtypin ushtarak, nga viti 1992, deri në 2008. Punova me tetë ministra; që nga ministri i parë i Mbrojtjes në demokraci, z. Safet Zhulali, e deri tek Fatmir Mediu. Kështu, pra, personazhet e reportazheve të mia në këto 16 vite punë në shtypin ushtarak, janë nga më “të larmishmit”: ushtarë, punëtorë civilë të ushtrisë, nënoficerë, shoferë, gjeneralë, kolonelë, majorë, ushtarakë të huaj; amerikanë, britanikë, maqedonë, grekë, kroatë, sllovenë, gjermanë, e deri dhe izraelitë e moldavë. Por mes tyre, dua “të seleksionoj” vetëm dy kategori: Ushtarakët e dalë “me reformë” si unë, dhe të tjerët që janë ende në ushtri, e që kanë arritur të marrin poste të rëndësishme aty (natyrisht me meritë). Të parët; ata që dikur patën poste të rëndësishme në Ushtri, pra, që ishin “dikushi”, por që tani, njëlloj si unë janë në listën e “pensionistëve të parakohshëm”, më rrokin në qafë, e “shkrihen në muhabet” me mua. Kurse ata që ende janë në funksione të larta në ushtri, bëjnë sikur s’më venë re rrugës. Absolutisht. Sikur nuk më kanë njohur kurrë(!)… E bëra këtë parantezë të shkurtër dhe paksa groteske, për të dalë tek një fakt: Të tre gjeneralët do jenë tani e tutje qytetarë të thjeshtë të këtij vendi; njerëz të zakonshëm, si unë e si ti. Shpirtërisht, uroj të kundërtën për ta, që t’i rifitojnë sërish postet që kishin dje. Po gjithsesi, po flasim për momentin, për atë që po shohim, për atë që po ngjet realisht me ta. Ata, sot e nesër do jenë si unë e si ti. Nuk do kenë më pagat e mira. Nuk do kenë më makina personale, që u rrinin në dispozicion orë e çast. Nuk do kenë më numra telefonikë “ekstra”. Nuk do kenë më dieta të lakmueshme. Shkurt, do jenë tre “të zbritur nga parajsa”, për t’u përshtatur me terrenin “e ashpër” të së përditshmes tone monotone, shpesh me shumë telashe e ngacmime nervash. Si të gjithë ne, edhe ata do të turfullojnë nëpër sportelet e institucioneve shtetërore; apo të minibashkive të tyre, për një shërbim që nuk do t’iu ofrohet. Thomëni, a nuk ndodh kështu përditë me të gjithë ne? Edhe ata, si gjithë ne ish ushtarakët e tjerë, do përtypin zemërimin me dhëmbë në postobllokun e dikasterit të mbrojtjes, kur oficeri i shërbimit do t’u thotë se “x” drejtor që ju kërkoni, nuk mund t’ju takojë dot sot, sepse… është shumë i zënë me punë(!!)”. Ndoshta, atyre iu ka ndodhur kjo, qysh të nesërmen e lirimit të tyre. Ashtu sikurse më ka ndodhur realisht edhe mua… E pikërisht, këtu them se mua më lind e drejta që t’u drejtohem (me respekt, sigurisht, sepse e meritojnë këtë), se “përse kjo punë e tyre erdhi kështu deri në këtë pikë?”. Përse ata nuk e lajmëruan që më parë opinionin, për padrejtësinë që po iu bëhej?. E kishin “me pash” të drejtën e deklarimit në publik. Askush nuk mund t’i ndalonte. Ndoshta, kjo do kishte krijuar me kohë edhe kulturën e frenimit të politikës, përballë argumentit të zgjuar të elitës ushtarake. Të asaj elite që mban në këmbë kolonat, shtyllat e profesionalizmit ushtarak në çdo ushtri demokratike të Botës. Duhet gjetur një mënyrë sjelljeje, mendoj, që politika të mos nëpërkëmbë më si deri tani; as argumentin ushtarak, që është strumbullari i artit në “radhët e blerta”, as karrierën e ushtarakëve shqiptarë. Posti i lartë i gjeneralit, ka brenda vetes edhe përfitimet, edhe sfidën, natyrisht. Dhe kjo sfidë duhet përballuar.