Xheladin ÇELMETA/ “Luga bosh” që qeveria iu ofron ushtarakëve

568
Sigal

Që nga momenti kur pak kohë më parë, qeveria mbështeti nismën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale e Rinisë, për të hartuar dhe miratuar draftin e projektligjit që bën fjalë për ndërprerjen e debive të akumuluara për shkak të rillogaritjes sipas aktit normativ të korrikut 2009-të, ekspertë dhe juristë brenda vetë strukturave të shoqatave të ushtarakëve, kanë arritur të zbulojnë kotësinë e këtij ligji. Dhe kanë dalë në përfundimin, se ai në fakt, nuk është gjë tjetër, veçse një farsë, një manovër qeveritare e radhës. Personalisht, nuk jam në gjendje të hyj në detaje nenesh e paragrafësh konkretë të këtij (projekt)ligji, pasi më mirë se kushdo, këto “kleçka” juridike e ligjore i kanë shpjeguar shumë qartë kolegët tanë: Kadri Muka, Hysni Mullali, e ndonjë tjetër, përmes shkrimeve të tyre të botuara ditët e fundit. Por një konstatim, ama, dua ta bëj publik, për të qenë i drejtpërdrejtë me lexuesin. Dhe po marr një shembull: Nëse një ushtarak “debitor”, me ligjin e ri, do të “gëzohet”, sepse në “x” apo “y” ditë, kjo “debi” atij do t’i ndërpritet (le ta marrim të mirëqenë), pra, nuk do t’i figurojë më debia në evidencat e ISSH, në fakt, po në atë çast ai do të trishtohet, pasi masa e pensionit të tij, do jetë më e vogël se e mëparshmja, për shkak të rillogaritjes që do t’i bëhet; tashmë konformë formulës së aktit normativ (ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009) dhe jo sipas statusit. Pra, ku ishim? Hiçgjëkundi (!). Ndaj ju drejtohem: Zotërinj qeveritarë dhe shtetarë të këtij vendi; na e thoni ndershmërisht, ku është këtu “zgjidhja”, që ne po kërkojmë prej kaq e kaq vitesh? A nuk po e shikoni se kështu nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse “po xhirojmë bosh”, në një debat shterpë, ku ne ushtarakët kërkojmë të drejtën tonë ligjore, ndërsa ju preferoni ose heshtjen ose kalkulimin mashtrues të radhës? Unë nuk jam në gjendje të them se kur ju do ta kuptoni se ushtarakët janë një vlerë potenciale e kombit, me histori mbi supe, me mjaft kontribute për Atdheun e tyre ndër vite, e po ashtu, janë vlerë e moralit tonë shoqëror në përgjithësi. Dhe se si të tillë ata edhe duhen trajtuar, siç bëjnë të gjitha shtetet demokratike të botës. Kam referenca të sakta, se në vendet e NATO-s, jo e jo, por as në vetë vendet e rajonit tonë, madje as ne vendet afrikane, nuk ka një rast të vetëm, ku ushtarakët të trajtohen kaq keq (lidhur me pensionet), sa këtu tek ne. Ndaj mbetem konsistent në atë, që akti normativ duhet “shkulur” që nga rrënjët. Ai, që në fillim është stisur si një ligj vandal, që nëpërkëmb pa mëshirë ushtarakët. Se, e kam thënë dhe vazhdoj ta them me plot gojën: 

Profesioni i ushtarakut, krejt i ndryshëm nga profesionet e tjera 
Ky akt legjitimon hapur diskriminimin. Se ai paradoksalisht fut “në një thes”, kategori sociale që nuk janë të barabarta për nga kontributet që kanë dhënë në jetë. Se gjithkush në këtë vend, e di mirë se si profesion ushtaraku është krejt i ndryshëm nga profesionet e tjera. Që ushtarakët nuk kanë asgjë të përbashkët me rojet e pyllit, me zjarrfikësit, me gardianët e burgut, me punonjësit e shërbimit të brendshëm, etj, etj; ndaj të cilëve, normalisht, nuk kemi asnjë lloj përbuzjeje, përkundrazi vetëm respekt. Por, duhet të mirëkuptohemi; edhe vetë ata (gardianët, rojet e pyllit, zjarrfikësit, etj, etj), kur i pyet lidhur me këtë fakt, shprehen me habi: “çudi, vërtetë; si na kanë përfshirë në të njëjtin ligj me ju ushtarakët(?!)”. Dhe në këtë rast, e vërteta “ulërin”; se asnjë nga këta, nuk ka punuar ndonjëherë në struktura të tilla si ushtria, i vetmi sektor në vend që ka qenë gjithnjë me praninë e rreziqeve, me armë, municione e teknikë luftarake, si ushtarakët. Më vjen keq, por jam i detyruara t’i përmend këto gjëra deri në mërzi… Më tej akoma; vetëm ne ushtarakët, e asnjë tjetër, qëndruam me shërbime të gjata që zgjasnin me muaj të tërë, dhe me orë pune të papaguara. Se asnjë nga këto kategori profesionesh që specifikova më lart, nuk është betuar ndonjëherë se “për detyrën, punën që do bëj, do jap edhe jetën, po ta lypë nevoja”. Jo. Dhe njoh plot nga këta persona të nderuar të këtyre kategorive që sapo citova, që dikur, kur drejtoja repartin ushtarak, mezi zvarrisnin këmbët në zborin dyjavor që kryhej me detyrim çdo vit. I mbaj mend se si harliseshin këta burra, ditën e fundit, kur ky zbor mbaronte dhe ata duhej të dorëzonin uniformat. Po jua them troç: gati sa nuk fluturonin kur iknin drejt shtëpive të tyre, ndërsa unë, oficeri i trupës, qëndroja aty në repart, në “shtëpinë time të dytë” siç e quanim, i “burgosur” në detyrën time luftarake. E kjo ka vazhduar për mua dhe mijëra kolegë të tjerë si unë, jo me një vit e dy, por edhe me dekada. E si mund të trajtohemi, pra, njëlloj sot, si këta civilë të dikurshëm? 
Akti Normativ i viti 2009, duhet shkulur që nga rrënjët
Kështu, mua për vete, sa më shumë kalon koha, aq më shumë më mbushet mendja, se pse ky ligj (Akti Normativ i viti 2009) duhet shkulur që nga rrënjët. Dhe të realizohet zgjidhja reale; të zbatohet Statusi i Ushtarakut. Ushtarakët kanë plotësisht të drejtë që ta quajnë projektin e ri për “ndalimin e debive”, një manovër të re qeveritare për të mos e zgjidhur më kurrë problemin e pensioneve te tyre, sipas të drejtës kushtetuese. Se po të kishte qëllim të mirë qeveria, të paktën do kish bërë qoftë edhe një gjest simbolik, që vërtetë të lëvizte diçka nga vendi: ta zëmë, të bënte ndryshimin e koeficientit; nga 1.5%, (siç e katandisi qeveria e mëparshme me aktin normativ të korrikut 2009); në 2%. Por kjo nuk ndodhi. E si mund të kënaqemi në këtë rast, me lugën bosh që na ofron qeveria? Një gjë duhet ta dinë mirë shtetarët dhe pushtetarët tanë: ushtarakët nuk mund të përdoren si një turmë elektorale. Ta dinë mirë se në këtë pikë, nuk ka dhe nuk ka për të patur kurrë më dilema. Ushtarakët, ndoshta mund të jenë lodhur e dërmuar vërtetë nga përpjekjet e tyre të pandërprera gjatë këtyre viteve demokraci për të normalizuar pensionet e tyre, sipas ligjit kushtetues, statusit të tyre, por kjo s’do të thotë aspak se ata do vazhdojnë të pranojnë diskriminim pa fund. Ndoshta, për çastin, mund të pranojnë marrëveshje të përkohshme me qeverinë, nisur nga logjika se për momentin shteti nuk i ka mundësitë financiare. Por, ama, shteti ka mundësi të bëjë diçka. Nëse e ka vullnetin. Ai mund t’i akumulojë në bankë paratë që iu takojnë ushtarakëve sipas statusit, për t’ua dhënë më pas gradualisht, sapo situata financiare në vend të përmirësohet. Por, mjerisht, e vërteta është se asnjë instancë e këtij shteti nuk jep shenja që kjo gjë do të ndodhë sot apo nesër. Asnjë! Të gjithë heshtin! Hesht Qeveria, hesht Parlamenti, hesht Presidenca, hesht ministria e Mbrojtjes… Kurse ISSH vazhdon gjithë zell, ritualin e grabitjes së ushtarakëve. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu, zotërinj qeveritarë! Ushtarakët nuk mund të lejojnë që shteti i tyre, tamam si një bankomat i prishur, të vazhdojë t’i vjedhë pafundësisht. Ata do të reagojnë e protestojnë në mënyrë demokratike, në të drejtën që iu jep ligji e Kushtetuta, cep më cep të Shqipërisë, për të marrë atë që iu takon me status. E kjo do të vazhdojë deri në momentin që ky problem i madh i tyre të zgjidhet. Se kjo është përpjekje për mbijetesë.