Xheladin ÇELMETA/5 arsyet për të besuar në një përmirësim të shpejtë të Statusit të Ushtarakut

509
Sigal

Mes arsyes për të besuar dhe dilemës për të votuar, ish- ushtarakët kanë zgjedhur të parën. Dihet që ushtarakët janë; jo vetëm pjesa më elitare e shoqërisë shqiptare, por edhe më pragmatistja. Të tillë ata i ka bërë misioni, përkushtimi konstant ndaj detyrës e Atdheut, shpirti i sakrificës, i patriotizmit e dinjiteti profesional. Edhe më evidente bëhet kjo, tani që ata ndjejnë së brendshmi, se janë pjesë e NATO-s, njësoj si kolegët e tyre me uniformë. Historia e ushtarakëve shqiptarë nëpër dekada, ka të njëjtën “rezultante” në të gjitha kohët. Që nga koha e Skënderbeut e deri më sot. Kanë ndryshuar qeveritë, politikat, regjimet, uniformat, ceremonialet, ndërsa esenca është po ajo. Në “ADN”-në e ushtarakëve, Atdhedashuria ka qenë e mbetet “proteina” që i dallon nga të tjerët, si njerëz në shërbim të Shqipërisë dhe Kombit. Politikat momentale në këtë vend, sikurse kemi dëgjuar herë-herë, “harrojnë” ta theksojnë këtë tipar të tyre nëpër ligjëratat parlamentare. Shkojnë deri aty, sa gati e quajnë “pjesë të një leksiku rudimentar(!!)” veprimtarinë e tyre prej dekadash në mbrojtje të Atdheut. Dhe arrijnë të thonë me nënvleftësim: “Epo çfarë kanë bërë ushtarakët, xhanëm…?”. E vërteta është se ushtarakët kanë qenë gjithmonë në koherencë të plotë me zhvillimet në vend. Në vitet 1992-‘93-‘94 ata i përqafuan reformat demokratike për hir të Shqipërisë. Shqipërinë e vunë të parën. Por, edhe pse kështu, efekti qe i dhimbshëm. Në vend që të trajtoheshin me dinjitetin që  meritonin, mijëra oficerë u flakën në rrugë, pa asnjë trajtim financiar. Ky ishte “shpërblimi” që iu jepte atyre politika në demokraci. Gjithsesi, edhe pse në këtë gjendje, ushtarakët patën moralin dhe kurajon të njihnin e vlerësonin anët pozitive të reformave qysh në kohën e ish ministrit të Mbrojtjes të atëhershëm, z. Safet Zhulali, siç ishin; rritja e pagës për kolegët e tyre me uniformë në radhët e Ushtrisë, si dhe futja e trajtimit ushqimor për ta. Ndërkohë protestuan në mënyrë demokratike për moszbatimin e Statusit, që sapo ishte miratuar në Parlamentin e parë Pluralist. Këta njerëz fisnikë, këta kryefamiljarë, në pikun e halleve, u lanë pa asnjë përkrahje nga viti 1992, e deri në kohën kur në pushtet erdhën socialistët, mbas 1997-s; madje edhe shumë e shumë vite më pas. Kështu, protestat e ish ushtarakëve u bënë më masive. Pas këtij presioni, nisën të hartohen listat e para të pensioneve. Jo sipas Statusit, por sipas një skeme të thjeshtëzuar. Pandeli Majko qe edhe Kryeministër, edhe ministër Mbrojtje, por Statusi sërish nuk u zbatua gjatë 8 vjetëve 1997-2005 të qeverisjes së të majtëve. Me përjashtim të disa specialiteteve të veçanta si, pilotët dhe nënujësit, masa tjetër e madhe e ish ushtarakëve, mbetën viktimë e një skeme skeletike pensionesh të ISSH-së. Përfundimisht dhe qëllimisht, trajtimi financiar i ish ushtarakëve, u zhvendos; nga Ministria e Mbrojtjes, tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kalvari i zhvendosjes së dosjeve të punës, nga një zyrë në tjetrën ishte një tjetër telash i ri për ta. Në gjithë këtë maratonë sfilitëse, në fakt pati një dritë jeshile, (që duket se po feks edhe në këto momente që po flasim): Qeveria Nano, formuloi “Projektligjin nr. 9418, datë 20.5.2005, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FARSH”, i cili pritej të niste nga zbatimi në fillimet e vitit 2006. “Neni 14” i tij parashikonte një trajtim të përshkallëzuar sipas gradave, gjë që ishte dhe më e logjikshmja në hierarkinë ushtarake. Sipas tij, “masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se: a) Gjashtëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradën gjeneral. b) Pesëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “për Sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradën kolonel. c) Katërfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “për Sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradat major dhe nënkolonel. ç)   trefishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për të gjithë ushtarakët e tjerë”. Kaq.Poç’ndodhi më pas? Erdhën zgjedhjet e reja dhe kjo skemë nuk u zbatua dot nga qeverisja e re e të djathtëve. Në korrik 2009, qeveria Berisha e përkeqësoi ekstremisht situatën ekonomike të ish ushtarakëve përmes nxjerrjes së një Akti Normativ, që ligjërisht, sipas konstitucionalistëve, duhej të ishte shfuqizuar 45 ditë pas daljes së tij. Por…kanë kaluar 4 vjet dhe… hiçgjë s’po ndodh. “Morsa” e Aktit Normativ po i sfilit keq e më keq ish- ushtarakët. Më keq akoma, moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bëri që ish ushtarakët të humbin shpresën dhe të vithisen në zhgënjimin më të madh, sikurse vazhdojnë të jenë edhe tani. Një hall më vete ishte procesi i rillogaritjes, që krijoi “debi” të paqena, nga prishja e balancës ligjore pas daljes së aktit. Këto ditë, deputetja Vasilika Hysi, risolli edhe një herë në vëmendjen e ish- ushtarakëve premtimin për zbatimin e Statusit të Ushtarakut, duke komentuar projektligjin nr. 9418 datë 20.5.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FARSH”, që mbahet i kyçur në sirtarët e politikës e të pushtetit qysh prej tetë vjetësh. Pas gjithë kësaj rezymeje shtrohet pyetja: A ka arsye që ish- ushtarakët të besojnë se ky projektligj më në fund do të zbatohet? Ç’ka treguar në fakt përvoja e deritanishme me zbatimin e Aktit Normativ? Ai i ka trajtuar ish ushtarakët si lypsarë. Me një skemë qesharake “barazitizmi”, minimalisht e përfillshme. Si gjenerali, koloneli, nënkoloneli e majori, marrin gati të njëjtën “lëmoshë”(përjashto pilotët e nënujësit). Të gjithë në një thes, si lëvozhga arre. Kjo është e vërteta. Tani, pavarësisht nga disa rezerva, mendoj se ka arsye për të besuar. Është kohë fushate zgjedhore. Ish ushtarakët tani janë shumë më të organizuar e të përfaqësuar nëpër shoqatat e tyre, të cilat kanë edhe programe bashkëpunimi me politikën, janë të përfshirë në të, me synim për të konkretizuar zbatimin e Statusit të Ushtarakut. E ka konfirmuar këtë presidenti i ShKURSH, z. Medi Pogaçe, por edhe shoqatat e tjera të ushtarakëve. Arsyeja pse duhet të besojmë në një përmirësim të mundshëm të Statusit të Ushtarakut është vetë nxjerrja nga sirtarët e “ligjit nr. 9418”, që dikur Qeveria Nano, nuk arriti ta zbatojë dot për shkak të përfundimit të mandatit në 2005-n. Kurse maxhoranca aktuale, ç’bëri? E asgjësoi fare. Kështu, në këtë rast; pyetja se “kush është fajtori?” e ka përgjigjen brenda: Pushteti aktual.  Arsyeja e dytë pse duhet të besojmë në përmirësimin e Statusit të Ushtarakut është se për herë të parë shoqatat e ushtarakëve përfshihen në politikë me synime “agresive”, me marrëveshje konkrete me  partitë politike tek të cilat ato shohin se mund të arrijnë synimin final, Statusin. Arsyeja e tretë, është se tani ish ushtarakët kanë si “faktor plus” edhe presionin e Gjykatës së Strasburgut për dhjetëra procese gjyqësore, në të cilët atyre iu njihet e drejta për të marrë atë që iu takon me ligj. Arsyeja e katërt se përse ish ushtarakët  duhet të besojnë është se vetë NATO në të cilën Ushtria Shqiptare është pjesëtare dinjitoze me misionet dhe kontributet ndërkombëtare ka në strategjinë e saj nxitjen ndaj liderëve për realizimin e standardeve. Mos harrojmë që pak vite më parë, kur të majtët ishin në pushtet në konferencën e tij për shtyp në vitin 2003, në ministrinë e Mbrojtjes ish- sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, lordi Xhorxh Robertson “i vuri notë pakaluese” drejtuesve të atëhershëm të dikasterit, lidhur me standardet jetësore të ushtarakëve shqiptarë. Sot paketa e përfitimeve për pensionet e parakohshme të ushtarakëve shqiptarë është pak të thuhet në nivele mjerane. Edhe Maqedonia, që nuk është në NATO, por në Partneritet për Paqe (PpP) me të, pensionin minimal (me monedhën tonë) e ka rreth 600 mijë lekë të vjetra. Kurse këtu, një nënkolonel shqiptar me 28 vite vjetërsi shërbimi ushtarak, merr 180 mijë lekë të vjetra(!). Arsyeja e pestë pse duhet të besojnë ish ushtarakët te perspektiva, mendoj se është se pas këtij rrotacioni të pritshëm në Shqipëri, cilado forcë politike që do qeverisë vendin, nuk do mund ta krijojë vetë “efektin bomerang”, duke përkeqësuar edhe më shumë situatën financiare të ish ushtarakëve. Të gjitha politikat perëndimore që lidhen me Shqipërinë në kuadrin e anëtarësimit në BE  synojnë përmirësim standardesh dhe jo të kundërtën.