Vullneti i zotërisë Volontè, për propagandë pushteti…

60

Në kuadrin e fushatës zgjedhore të nisur aq herët nga frika e humbjes në zgjedhjet e radhës, pushteti aktual i Tiranës thirri këto ditë në ndihmë një nga figurat e Partive Popullore Europiane, zotërinë e nderuar Luka Volonte’. Dhe zotëria i nderuar i popullorëve të Europës, në takimin e përzemërt me kreun luftarak të antipopullorëve shqiptarë, lëshoi një deklaratë nga ato që kemi dëgjuar të lëshojnë tifozët europianë të pushtetit të Tiranës e të propagandës bolshevike të këtij lloj pushteti, sa herë që kjo skotë pushtetarësh të sëmurë kanë nevojë të keqpërdorin edhe miqtë e tyre  europianë të tipit Grosruk, Pak, Doll e co.  Zotëria i nderuar Volonte’ në deklaratën e tij të djeshme na bëri zbulimin e madh që kreu i opozitës aktuale shqiptare na qenka kundër integrimit të Shqipërisë. Zotëria e tij aq i nderur, Volonte’, na tha shkoqur se është Edi Rama ai që nuk i lejon deputetët e opozitës shqiptare të votojnë heqjen e imunitetit ashtu siç e do pushteti e në datën e caktuar nga pushteti aktual i Tiranës. Zotëria e tij aq i nderuar Volonte, na tregoi se është kreu i opozitës aktuale shqiptare ai që pengon Shqipërinë të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Dhe këtë deklaratë, zotëria e tij i nderuar Volonte’, nuk e quajti të nevojshme ta mbështesë në ndonjë argument tjetër, veç kambanës së vjetër e të çjerrë të pushtetit aktual të Tiranës, që të gjitha dështimet e veta ka vite të tëra që ia vesh opozitës, duke qenë se ajo është një parti ish-komuniste që ka në krye një antikomunist të hershëm, si Edi Rama. Nuk besoj që këto gjëra të mos i dijë një eksponent i të Djathtës europiane si zotëria i nderuar Volonte. Se nuk vjen kot i biri i botës në Tiranë për të ndihmuar të djathtën tonë të drejtuar nga bolshevikët e Gërdecit, që rrinë në pushtet me ndihmën vëllazërore të partisë së Gradecit…  Deri këtu del qartë vetëm vullneti i zjarrtë i zotërisë Volonte’ për të mbështetur fushatën e parakohshme zgjedhore të partisë në pushtet, parti shqiptare që zotëria e tij aq i nderuar i popullorëve europianë  nuk dihet pse harron që kryesohet  prej 22 vjetësh nga një komunist fanatik i Partisë së Punës. Ca e vështirë për t’u kuptuar ky vullnet i zjarrtë i zotërisë së nderuar Volonte’,si popullor e antikomunist i thekur i Europës, që të bëjë sikur  nuk e di apo sikur ka harruar që në krye të partisë homologe të popullorëve europianë në Tiranë, ka 22 vjet që kukulon i vetëm një sekretar fanatik i Partisë së Punës dhe një besnik i diktaturës së saj komuniste(!) Edhe po të mos e dinte vetë zotëria e tij Volonte’, një gjë kaq të thjeshtë, duhet t’ia kenë thënë me kohë miqtë e tjerë po aq të zjarrtë të pushtetit aktual të Tiranës. Nuk beson kush se miqtë aq të besnikë të pushtetit aktual të Tiranës, të tipit Grosruk, Pak e Doll me kompani, të mos e kenë vënë në dijeni zotërinë Volonte’ se kush e drejton me dorë të hekurt prej 22 vjetësh partinë shqiptare homologe të populloreve të Europës. Prandaj dhe jam i bindur që zotëria Volonte’, do të m’i mirëpresë disa pyetje, që më dalin përpara pasi dëgjova deklaratën e tij të djeshme lidhur me pengesën e Shqipërisë për të marrë , të paktën në përpjekjen e tretë, statusin e vendit kandidat për në BE. Dhe besoj se zotëria i nderuar Volonte’ do të më kuptojë si popullori i madh europian një popullor të thjeshtë shqiptar.

 

Ca pyetje miqësore zotërisë së nderuar, popullorit europian Volontè:

 

A e dini ju zotëri i nderuar popullori i madh europian, se pushteti për të cilin po bëni tifo verbërisht -edhe sikur të bëjmë sikur i arrijmë të gjitha të tjerat- vetëm para një viti ka hapur zjarr kundër qytetarëve të vet demonstrues të zemëruar nga korrupsioni i pushtetit dhe nga ai zjarr i armëve të Gardës Republikës janë vrarë katër qytetarë të pafajshëm në mes të ditës e në mes të bulevardit të Tiranës? A e dini ju, zotëria popullor i nderuar i Parlamentit Europian se pushteti , të cilit ju i bëni tifo me vullnet aq të zjarrtë, nuk ka lejuar as zbatimin e ligjit për atë krim shtetëror dhe as sot e këtë ditë nuk është dënuar njeri për atë krim të rëndë e të shëmtuar të këtij lloj pushteti?

  A e dini ju, zotëria aq i nderuar i popullorëve të Europës, se ky lloj pushteti, të cilit po i viheni në shërbim aq verbërisht dhe po lejoni t’u keqpërdorë në një mënyrë aq bolshevike, ka vjedhur votat e ka manipuluar zgjedhjet  dhe ka djegur dhe Rezolutën e Parlamentit Europian tok me dokumentacionin e atyre vjedhjeve e manipulimeve?…

  A e dini ju zotëria aq i nderuar i popullorëve europianë se ky lloj pushteti, që po i mbani iso me aq vullnet të zjarrtë, ka mbi dy dekada që ka rrënuar drejtësinë shqiptare dhe e ka kthyer në një repart special, që merr urdhra nga pushteti për të shkelur ligjet e jo për të dhënë drejtësi? Ju që e dini aq mirë se pa drejtësi nuk ka liri, ku e gjeni tërë atë vullnet të zjarrtë për të bërë propagandistin europian të këtij lloj pushteti të sëmurë shqiptar?

  A e dini ju i nderuari zotëri i Parlamentit Europian se ky lloj pushteti e ka kthyer dhe Parlamentin shqiptar në një drejtori speciale të shërbimeve qeveritare? Pse nuk kujtoheni për Reformën Parlamentare, që ka vite e kërkuar nga opozita dhe nga vetë Parlamenti Europian, po mbani iso propagandës elektorale të këtij pushteti  të marrë me vota të vjedhura, e të mbajtur më këmbë me korrupsion e me imunitet e me shpërfillje ndaj ligjeve dhe vetë Kushtetutës së vendit?

  A e dini ju, zotëria i nderuar i popullorëve të Parlamentit Europian, se ky lloj pushteti  është kthyer në një trust që ka hedhur në dorë të gjitha pushtetet dhe tani i ka mbetur të hedhë në dorë edhe opozitën e të caktojë pushteti dhe vetë kryetarin e opozitës?

  A e dini ju zotëria i nderuar i parlamentit Europian se ky lloj pushteti i sëmurë e ka krijuar trustin e vet ekonomiko-politik me pasurinë kombëtare dhe me pronat e pronarëve të shpronësuar nga diktatura komuniste?

  A e dini ju se shqiptarët e thjeshtë  me këtë lloj pushteti të sëmurë nga korrupsioni  do të duhet të paguajnë edhe për pronat e vjedhura nga pushtetarët , prona që pronarëve të ligjshëm ka nisur më në fund t’ua njohë Gjykata e Strasburgut?

  A e dini ju, i nderuari popullor i Europës, se ky lloj pushteti që mbështetni ju dhe të ngjashmit tuaj në Shqipërinë e varfër, e ka kthyer dhe Televizionin Publik Shqiptar në një shërbyes të verbër të propagandës pushtetare? Besoj e dini që ai Televizion paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptarë dhe duhet të jetë në shërbim të informimit të saktë të tyre e jo në shërbim të propagandës bolshevike të këtij lloj pushteti?

  A e dini, zotëri Volonte, se shumica dërrmuese e mediave shqiptare janë kthyer  në mercenarë të pushtetit dhe po i shërbejnë jo informimit të saktë të publikut, por deformimit të së vërtetës në kuadrin e deformimit të demokracisë në këtë vend të Europës?

 A e dini, z.Volonte, se kur ky lloj pushteti , të cilit nuk përtoni t’i shërbeni e t’i viheni në dispozicion të plotë për t’u keqpërdorur prej tij, flet tërë ditën për “miliarderët e opozitës” që “nuk pranojnë heqjen e imunitetit” , në një kohë që  ai që paska “zënë rrugën e integrimit të Shqipërisë në Europë” edhe sipas jush, nuk ka pasur ndonjëherë e nuk ka imunitet? A e dini se ai që shtypi e paraqet si më të pasurin e atyre “miliarderëve të opozitës” është prej mjaft kohe pa imunitet? Keni pyetur gjë miqtë tuaj të Tiranës , pushtetarët tanë aq të dëshiruar për ta integruar vendin ne BE, se përse,  edhe kur BE-ja dhe Amerika bashkë u kërkojnë të zgjedhin një president konsensual, caktojnë në atë post të lartë një roje të  partisë në pushtet, apo më saktë të partisë-shtet?

  A e dini, zotëria mik europian i këtij  pushtetit të Tiranës, se kush po bërtet sot më shumë për heqjen e imunitetit tek ne? Po bërtasin më shumë për heqjen e imunitetit ata pushtetarë të Tiranës, që i kanë shpëtuar me anën e imunitetit edhe kësaj drejtësisë sonë të kthyer në dyqan-shtëpie të pushtetit .Ata , i nderuari zotëri Volonte’, bërtasin për zhveshjen nga imuniteti parlamentar sepse janë të mbrojtur nga huduti pushtetar. Ata bërtasin aq shumë për heqjen e imunitetit, sepse u duhet të fajësojnë opozitën edhe për zullumet e veta, sepse u duhet një top propagande me predha mësimore në prag të zgjedhjeve të vitit që vjen e sepse nuk duan të lëshojnë pushtetin me zgjedhje. Sepse nuk e kanë marrë me zgjedhje.

  Për të mos e lodhur më tej lexuesin e për të besuar se një popullor i shquar europian nuk do ta marrë për keq padijeninë e një popullori të thjeshtë shqiptar, padijeni që e shfaqa si popullori me popullorin në pyetjet e mia, ju siguroj i nderuar zotëri, se Shqipëria  ka me të tepër karagjozë politikë vendas dhe nuk është aq keq për ta, sa të marrë me qira edhe nga miqtë europianë të pushtetit.

 Sikurse ju siguroj edhe për konsideratën time më të lartë për miqtë e europianë të lirisë e të demokracisë funksionale edhe për Shqipërinë tonë të varfër. Gjithnjë me besimin se atë konsideratë e keni dhe ju, edhe kur ju keqpërdor pushteti i sëmurë i Tiranës.