Vullnet SKËNDAJ*/ Arsimi përpëlitet ende në kthetrat e politikës

525
Sigal

Edhe një vit i ri arsimor po çel siparin e tij për nxënësit e sistemit të arsimit parauniversitar. Me ardhjen në pushtet të koalicionit të majtë socialist, ky është viti i dytë që fillon ndryshe. Është ndryshe, jo vetëm me ato premtime që u bënë gjatë fushatës elektorale, por edhe me shpalljen e programit të ri qeverisës gjatë fillimit të punës nga kabineti i ri i zotit Rama. Ata u shprehën të vendosur për të bërë ndryshime rrënjësore në gjithë sistemin arsimor, si në atë parauniversitar ashtu dhe në atë universitar. Edhe Ministria e re e Arsimit dhe e Sporteve, Zonja Lindita Nikolla me vendosmërinë dhe energjinë karakteristike, që e ka shoqëruar, e filloi punën e vet duke ndërmarrë veprime të menjëhershme në vendosjen e normalitetit në të gjitha hallkat dhe për funksionimin e procesit mësimor-edukativ.

Ajo ndërmori gjatë kësaj periudhe një seri masash për t’i dhënë fund njëherë e mirë degradimit dhe injorancës në të gjitha hallkat e arsimit dhe kryesorja; politizimit të tejskajshëm të shkollave tona. Tashmë morëm fund njëherë e mirë kohët e mitingjeve, të fushatave, të pritjes dhe përcjelljes të pambaruara të udhëheqësve partiakë. Morën fund rreshtimet e fëmijëve, të mësuesve dhe apelet e detyruara të tyre në veprimtaritë partiake. Mësuesit dhe nxënësit fituan dinjitetin e tyre duke kryer me përkushtim atë për të cilën kishin ardhur në shkollë, mësimdhënien dhe mësimnxënien. U kryen veprime energjike për ndërrim në eficencë të shkollave që nuk plotësonin kushtet për zhvillimin me normalitet të mësimit. U ndryshuan, u riparuan dhe u ndërtuan edhe shumë shkolla të reja me kushte bashkëkohore. U bë zëvendësimi i drejtuesve të DAR-ve si dhe drejtuesve të shkollave prej militantëve dhe veprimtarëve partiakë. Teoria e “një mijë e një luleve kineze” u zëvendësua me tekste të rinj të unifikuar.

Risi ishte konceptimi dhe zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore, ku po hidhen themelet e kalueshmërisë sipas meritës, aftësisë dhe zotësisë. Tashmë nuk do të ketë më kalueshmëri 100% dhe në mënyrë fiktive. Një drejtim tjetër i rëndësishëm ishte dhe është reforma që po ndërmerret për ristrukturimin e Arsimit të Lartë. Këtu po vazhdohet paralelisht me rinovimin e sistemeve të drejtimit të administrimit dhe funksionimit të hallkave drejtuese, të grupeve të akademikëve, të profesorëve dhe lektorëve në katedrat, në dekanate dhe rektorate. Një përkrahje të madhe dhe miratim të jashtëzakonshëm kanë gjetur në opinionin publik, në gjithë masën arsimdashëse të qytetarëve vendimet e fundit për t’i dhënë fund njëherë e mirë kancerit të diturisë në Shqipëri, të arsimit privat. Mbyllja e menjëhershme e 18 prej tyre nga 48 dhe heqja e licencave është mirëpritur dhe mbështetur nga të gjithë ne njerëzit e thjeshtë, qytetarë të këtij vendi që duan diturinë dhe jo blerjen e diplomave të injorancës, territ, të padijes. Shpresojmë se në të ardhmen duke u nisur edhe nga publikimet e bëra si nga Ministria e Arsimit por edhe nga Kryeministri, kjo luftë për vënien në binarët të diturisë dhe shkatërrimin e piramidave të diturisë të thellohet e të çohet më tej, deri në çdo institucion arsimor shtetëror apo privat të mësohet të punojë me ligje, me rregulla, me norma, ku të jetë bazë vlerësimi për studentët në dijet e konsoliduara, njohuritë bashkëkohore.

Problematikat në arsim

Por, duke u nisur nga problemet e mëdha të mbartura, të keqpërdorura, të deformuara mund të themi me bindje se arsimi shqiptar është ende larg, shumë larg arritjeve dhe standardeve nga të cilat udhëhiqen hallkat arsimore në vendet perëndimore, duke përfshirë edhe fqinjët tanë. Tashmë kërkohet kthjelltësi, qartësi, transparencë dhe një strategji e mirëmenduar për të kryer e për të ndërmarrë veprime afat gjata, afta mesme dhe afat shkurtra në sistemin arsimor. Duhen përcaktuar drejt dhe saktë se çfarë duhet bërë tani, ku duhet ndërhyrë e si duhet vepruar, sepse shpesh disa nga masat e deritanishme janë ende larg pritshmërisë dhe atyre që mendohej se duheshin bërë më mirë e në mënyrë më të vendosur e energjike.

Dëshiroj në mënyrë shumë dashamirëse të ndalem në disa prej tyre.

Shkollat, ambientet, mjetet mësimore dhe kurrikulat

Së pari, mendoj se reforma në arsim nuk duhej filluar nga arsimi i lartë, por nga arsimi parauniversitar. Pse e them këtë? Imagjinata ime shkon në projektimin dhe ndërtimin e një shtëpie. Askush nuk mund të ndërtojë një shtëpi, duke filluar nga çatia. Ndërtimi fillon nga themelet e pastaj me radhë pjesët e tjera, deri në mbërritjen në çati. E thënë më qartë, reforma duhej të fillonte që nga arsimi parashkollor, nga kopshtet e fëmijëve që deri tani, sidomos në zonat rurale, fëmijët “ngujohen” akoma në ca stola e karrige të rreshtuar pranë njëri-tjetrit. Duhet filluar që këtu për t’u krijuar atyre mjedise çlodhëse, argëtuese me mjete mësimore, me minikënde lodrash, zbavitëse, mjete formuese, krijuese, lëvizore etj.. Kur flasim për reformë në arsim, sidomos ato parauniversitar, duhet filluar me përmbajtjen e tij dhe këtu duhej të ishte filluar qysh vjet me krijimin e kurrikulave të reja mësimore. Shumica e atyre ekzistuese janë tepër të mbingarkuara me informacione të vështira shkencore dhe me paramendim aplikative jo vetëm nga mungesa e mjeteve mësimore edukative, por edhe nga pamundësia e mungesa e mësuesve të kualifikuar, profesionistë dhe mungesa e eksperiencës dhe përvojës së tyre mësimdhënëse. Pra, pa rinovuar e përshtatur kurikula të reja në çdo lëndë, nuk mund të hartohen tekste të rinj ashtu siç është propaganduar deri tani. Mbi ç’bazë janë hartuar këto tekste? Kurikulat e deritanishme janë shumë e shumë të mbingarkuara dhe me mundësi të pakta asimiluese. Shtojmë këtu edhe praktikën e deritanishme që është ndjekur e ndiqet në shkollat tona, atë të kalueshmërisë 100% të nxënësve. Parim ka qenë: arsim i detyruar, kalueshmëri e garantuar. Kuptohet se me këtë praktikë të ndjekur deri më tani interesi i nxënësve për të mësuar, për t’u aktivizuar ka qenë i paktë. Atëherë, kemi mbërritur në analfabetizmin funksional, të vënë në dukje nga organizma të rëndësishme ndërkombëtare, që do të thotë se nxënësit tanë mësojnë në mënyrë abstrakte, përmendësh, pa u thelluar në anën kuptimore e logjike të njohurive.

Ne përgatitim e nxjerrim papagaj. Pra përmbajtja e arsimit, sistemi i rinovuar kurikular, tekste të rinj të zbërthyeshëm të kuptueshëm me një aparat pedagogjik tepër funksional (e jo me rebuset e Shvejkut), do të rritnin interesimin e nxënësve dhe përvetësimin e mirë të njohurive. Më bëri përshtypje një informacion i dhënë në një nga gazetat e përditshme. Bënte fjalë për arsimin në Itali, ku 17% e nxënësve nuk e vazhdonin fare shkollën e mesme në vitin e parë dhe 63% mbeteshin gjatë vazhdimit të saj. Po këtu tek ne, çfarë ndodh? Duke e përdorur shkollën një fushë të madhe për konsum politik, fëmijët kalojnë 100% nga klasa e parë, pavarësisht se nuk kanë mësuar të shkruajnë e të lexojnë e kështu nga viti në vit deri sa mbarojnë maturën. Edhe kur mbeten në vjeshtë kanë të drejtë të plotësojnë formularët e të vazhdojnë shkollën e lartë.

Në shkollat tona mungojnë mjetet mësimore-didaktike për konkretizimin e mësimit. Kryesisht mungojnë në lëndët bazë shkencore, sidomos në fizikë, matematikë, kimi, biologji. Mungojnë laboratorët, sepse edhe atje ku janë kanë shumë mangësi. Është folur e flitet për pajisjen e shkollave me bibliotekë, me libra artistikë e shkencorë, por sa është inventari? Sa shfrytëzohen? A kanë salla studimi? Janë bërë e bëhen shkolla të reja, por sa prej tyre plotësojnë 100% kushtet mësimdhënëse? Sa kanë laboratorë funksionale? Sa kanë sallat për veprimtari dhe aktivitete jashtëkurrikulare? Sa kanë palestra, terrene sportive?

Meqenëse jemi këtu, para disa kohësh Kryeministri premtoi rritjen e orëve të fizkulturës nga 2 në 3. Dhe Ministria e Arsimit nuk e bëri fjalën dysh, por menjëherë e futi në programin e ri mësimor duke shtuar 1 orë fizkulturë. Por para se të shtonim këtë orë, pse nuk u mendua për të shtuar më parë 1 orë gjuhë shqipe? Pse? Ndiqni titrat e televizioneve, ku të rinjtë përshëndesin njëri-tjetrin. Është për të venë duart në kokë! Shkruajnë tamam si analfabetë. Nuk dinë të lidhin dy fjalë, të shprehin një mendim, të arsyetojnë dhe të kenë rrjedhimisht. Bëjnë gabime në ndërtimin e fjalive, në përshtatjen e foljeve, emrave, mbiemrave, përemrave. Problem i rëndësishëm për këtë vetë qenka fizkultura, kur në masën 60-70 të shkollave mungojnë fare terrenet sportive, palestrat. Në dimër orët e fizkulturës kthehen në tregime barcaletash. Mungojnë mjetet sportive dhe shpesh katandisen në ndonjë kaluç të deformuar, në ndonjë rrjetë të grisur apo top të shqyer si tullumbacet e Lulit. Gjuha shqipe është katandisur me 2 orë. Në shkollë të mesme nuk zhvillohet as 1 orë në javë. Mbi çfarë baze u bë ky ndryshim? Kujt i vlen?

Dinjiteti i mësuesit

Së dyti, është problemi i kuadrit mësues. Zonja Nikolla, kur erdhi si Ministre e re e Arsimit, midis shumë deklarimeve mediatike, vuri theksin edhe dalloi qëndrimin dhe vlerësimin që do të mbante ndaj mësuesit. Ajo as më pak e as më shumë ka thënë se “do t’i kthente mësuesit dinjitetin e munguar”. Unë qytetari, mësues i vjetër i hedhur padrejtësisht në rrugë, 2 herë dhe i pavlerësuar prej saj, pyes: “Për cilin dinjitet e keni fjalën zonja Ministre? Për atë që ju vetë nuk e keni zbatuar në pritjen dhe zgjidhjen e halleve të mësuesve, apo në atë të vartësve të tu drejtoresha që tallën me mësuesit dhe i heqin zvarrë në zyrat e tyre duke i sorollatur, gënjyer dhe mashtruar? Dinjiteti ngihet duke vlerësuar punën. Duhet miratuar edhe një rregullore për arsimin në Shqipëri, ku të jenë të sanksionuara detyrat, të drejtat e detyrimit e gjithëkujt, duke përfshirë edhe ju punonjësit e tjerë arsimor. Kur preken nxënës, fyhen, keqtrajtohen, ngrihet një tymnajë goxha e madhe dhe është e drejtë. Por kur preket mësuesi, kur fyhet, shahet, kërcënohet dhe përdoret dhunë ndaj tij, kush duhet t’ia mbrojë dinjitetin? Por rroga e trembëdhjetë, ku është? Po Sindikatat ku janë? Kush duhet t’i mbrojë mësuesit e pushuar nga puna, Xhafer Dobrusha, Gëzim Kalaja, apo ndonjë kukull tjetër? Ju deklaruat se në arsimin shqiptar ka me qindra mësues me diploma të falsifikuara e pa arsimin përkatës. Çfarë keni bërë deri tani për zbulimin dhe flakjen e tyre nga radhët e arsimit? Sa janë hequr? Apo ato vazhdojnë të bëjnë “shkencë” në arsim kurse dhjetëra e qindra mësues të kualifikuar enden dyerve të drejtoreshave të DAR-ve? Qysh vjet, kur filluat punën, ju erdhën sugjerime që DAR-ve dhe sidomos Drejtorëve e Drejtoreshave t’u hiqej monopoli për emërimet në shkolla. Na thoni, ju lutem, sa konkurse keni bërë për vendet vakante? Të gjithë emërimet janë bërë mbi shkresa komandimi. Pjesa më e madhe e tyre janë vendosur mbi baza urdhrash nga lart, mbi baza nepotike e klienteliste.

Është momenti që këtë vit arsimor të zëvendësohet koha e humbur, të merren masa energjike për ta rivendosur arsimin në Shqipëri mbi baza e kritere të shëndosha. Mirë është, që edhe ky vit mësimor të jetë sa më i mirë, me arritje dhe rezultate. Mirë është, që edhe ato qindra mijëra fëmijë që janë ulur në bankat e shkollës sot të marrin njohuritë e duhura shkencore për t’u bërë nesër njerëz të zotë e të aftë për të mirën e Shqipërisë. Unë, mësuesi i vjetër, ju uroj të gjithëve suksese dhe qoftë ky vit i mbarë me shumë dije!

*Mësues në pension