Vullnet Mato: Kur qesh para popullit

623
Kur sheh pushtetarët që qeshin e zgërdhihen nëpër ekrane, s’ke si të mos ndjesh neveri, me atë lloj gazi të shtirë para popullit, i cili ka 9 plagët e Gjergj Elez Alisë në trup: Varfërinë, papunësinë, korrupsionin, narkotrafikun, kriminalitetin, prostitucionin, emigrimin, çmimet e larta, pensionet e ulëta. E si mund të qeshësh para Gjergj Elez Alisë- popull, kur këto plagë i pikojnë gjak? E si mund të pajtohet sovrani i plagosur kaq rëndë, me bajlozët, të cilët ngazëllehen, duke jetuar parajsën e parave të zhvatura nga pasuria e shqiptarëve të mbetur “me kryet në hi”, siç thotë Pashko Vasa në poemën “O Moj Shqypni”? Si mund të dëgjojë atë lloj të qeshure sarkastike, nëna, në çastin kur s’ka ç’t’i japë fëmijës të hajë, pensionisti që s’ka para të paguajë faturat ose operimin e spitalit, plaka 90 vjeçare që i kanë prerë llambën e vetme për dritën e syrit, familjari që u ka mbetur borxh listave të dyqaneve?… Si nuk i shikon këto nëntë plagë të tmerrshme, miopi pushtetar, që qesh e zgërdhihet para tyre?!… Shohim pushtetarët evropianë dhe botërorë, dalin tepër seriozë para popullit, flasin me gjuhën që ai e kupton fare mirë, dhe nuk tregojnë përralla premtimesh e krekosje auto-lëvdatash. Ndonëse në vendet e tyre ata kanë nivel jetese, që ua lejon buzëqeshjen e natyrshme. Por personaliteti dhe pesha e detyrës, i bën ata të ruajnë seriozitetin dhe maturinë, si në të folur edhe në paraqitje. Si mund t’i thuash Gjergj Elez Alisë popull, i ke të gjitha, kur ti e bën edhe të verbër, duke i thënë, je i lumtur, se ke punë ku të duash, ke rritje ekonomike, ke mirëqenie, të kam legalizuar ndërtimin pa laje, kur ke shembur disa mijëra ndërtime me leje dhe ke lënë pa punë disa mijëra të tjerë që ua zure vendet e punës me militantë? Vallë për këto qeshni e zgërdhiheni ju, o bajlozë, duke kërkuar përsëri votën popullore?… Qofshi ju që jeni, se njeriu normal, me pesë para mend në kokë, nëse nuk qan bashkë me popullin e tij, për këtë gjendje mjerane, të paktën nuk qesh si bajlozi para Gjergj Elez Alisë së plagosur rëndë, që motrën e vetme ia kanë grabitur tutorët, e tridhjetëmijë femrave shqiptare, nëpër semaforët e botës.
Sigal