Vullnet Mato/ Gazeta “TELEGRAF” u shit!…

54
Banoj në një apartament, prapa britmave natësore të çmendurisë psikiatrike numër 5. Përqark perimetrit tim, ndodhen pesë pikashitje gazetash, ku nuk është e mundur të mos e gjesh gazetën “Telegraf” të cilën e adhuroj pas gruas, si të ishte dashnorja ime. Sidomos ditën e parë të javës, këtë mikeshë të domosdoshme dua ta kem pranë patjetër. Në mëngjesin e një të hëne, gruaja më ngarkoi disa punë të ngutshme familjare dhe dola vonë për te gazetashitja para spitalit, ku zakonisht marr të dashurën time. –“Telegraf-i” yt u shit ! – më tha shitësi, një jugor nga Çamëria, që më njeh prej kohësh. 
-Si ore burrë i dheut, nuk të bëra dot mik ty prej kaq kohësh, të ma kishe ruajtur?- i thashë me pezmin tim ironik. 
-Unë nuk hedh fall, të di ku je ti gjithë të hënave të kësaj vere… – ma ktheu ai pasi i mungova një muaj pushimesh në Sarandë. Pa e zgjatur më tej, gjurmova shpejt drejt cepit të rrugës “Bardhyl”, ku ndodhej pikëshitja tjetër. 
“U shit!” më tha edhe ai gazetashitës brenda kornizës së dritares së dyqanit. Atëherë vijova drejt segmentit lindor të rrugës “Bardhyl”, ku gjenden edhe tre pika të tjera shitjeje. Por për çudi edhe në to “Telegrafi” ishte shitur. U ktheva majtas drejt sheshit të Xhamllëkut, ku ndodhej pika e pestë, më e madhja gazetashitje në tezgë. Mendova se aty do ta gjeja patjetër, pasi shitësi, një burrë i gjatë, me shpinë paksa të kërrusur, merrte çdo ditë gazeta me shumicë. Kur arrita aty, pashë një arkë plastike me disa gazeta të mbledhura e të fiksuara mbi biçikletë. Shitësi nuk ishte atë çast aty dhe unë nuk mund të kontrolloja arkën e tij, ndaj prita sa të kthehej, nga vendi ku kishte shkuar për të shpënë plaçkat e tezgës, siç më tha një shitëse zarzavatesh aty pranë. Nuk vonoi dhe gazetashitësi erdhi krejt i pavëmendshëm që më gjeti pranë biçikletës, ndoshta duke qenë pa merak, se një i moshuar si unë nuk mund të ishte vjedhës biçikletash. -Mos të ka tepruar ndonjë “Telegraf” ? Ai me kundroi tani me vëmendje, nga nënvetullat e trasha. -Kam vetëm një timen. – tha duke mos m’i ndarë sytë me kureshtje.
-Ç’ të duhet ty, ma jep mua!- i thashë butësisht. -Jo ore, pse të duhet ty, e nuk më duhet mua?- tha ai me habi. 
-Sepse kam një tregim aty dhe dua ta kem patjetër… Ai më pyeti për emrin, me vështrim të ngulitur dhe kur ia tregova, buzëqeshi. Pastaj zgjidhi me kujdes gazetat e arkës, duke vijuar bisedën: 
-Ta kam dëgjuar emrin, qëkur shkruaja vetë poezi në rininë time. Meqë je autor i njohur do të ta jap, – tha buzagaz dhe më zgjati gazetën e vetme. Nxora i dhashë njëmijë lekë të vjetra, si shpërblim që më dha gazetën e rezervuar për vete.
-Jo, – tha – me që je autor i brezit tim, nuk të marr asnjë lekë, vetëm eja ta blesh “Telegrafin” kurdoherë tek unë. -Merri!- ngulmova t’i jap paratë, – nuk më bën dot skllavin tënd, se nuk e tradhtoj çamin që më pret çdo mëngjes para psikiatrisë… Megjithatë, ai ma fali bujarisht të “dashurën” time prej letre.