Vlorës i ikën mendja, 25 milionë për një stol inteligjent, i gjithë projekti i Bashkisë së Lelit kushton 529 milionë

920
Ndërkohë që qindra shqiptarë janë dyndur në dyert e zyrave të punësimit dhe azit në vendet e BE si dhe mijëra të tjerë janë bërë gati për aplikimet e lotarive amerikane, australiane etj, bashkia e Vlorës ka luksin për të shpenzuar miliona lekë për stolat inteligjentë në zonën e Lungomares. Këtë siguri bregdetare me stola dhe kamera do ta kishin zili edhe ish-ushtarakët që po dergjen në dyert e gjykatave, të cilëve shteti po u mban qindarkën e fundit të bukës së gojës. Kjo shpenzime marramendëse ia kalojnë edhe bunkerëve që na bënë të famshëm kudo në botë. Po ç’është kjo marrëzi dhe ky projekt i iniciuar nga Bashkia Vlorë që quhet “Sistemi Multifunksional ‘Smart City’,, dhe ka një vlerë prej 529 milionë lekësh?! Po me këtë vlerë, fare mirë mund të ndërtoheshin shtëpi për të pastrehët, t’u jepej asistencë qindra qytetarëve që mbetën rrugëve duke lypur në kazanët e plehrave, t’u bliheshin libra fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë, se nuk kanë mundësi ekonomike, të rriteshin pensioni, të furnizoheshin spitalet me ilaçe, të shtoheshin disa psikologë në spitalin neuropsikiatrik apo në shkolla, të bliheshin zjarrfikëse për të shuar zjarret që bënë kërdinë gjatë verës, të ulej çmimi i energjisë, të bëheshin depo për të furnizuar Vlorën me ujë etj, etj. Të blesh një stol 25 milionë lekë dhe ta quash inteligjent, pasi aty do ngrohen menderet e njerëzve apo do karrikohen dy celularë, kjo është më shumë se marrëzi dhe papërgjegjshmëri në këtë kohë krize. Jo pa ironi në rrjetet sociale qindra qytetarë ironizonin, se Vlora dhe gjithë vendi ynë nuk kanë nevojë të shpenzojnë miliona për të “ngrohur menderen” por për të ndriçuar mendjen. Gazeta “Telegraf” do organizojë në ditët në vijim forume të zgjeruara me qytetarë dhe njerëz hallexhinj në lidhje me këto shpërdorime të pajustifikueshme për kushtet e Shqipërisë dhe se këto miliona do t’i kishin zili edhe vendet më të përparuara në Europë dhe në botë. Sot po botojmë materialin e publikuar në “Dritare.net”, për t’u treguar shqiptarëve se si lekët e taksapaguesve janë shpërdoruar në bregun e detit të Lungomares. 
Sigal