Vladimir SHYTI / Makinist treni apo karrocier!

621
Sigal

Vetëm harmonia natyrore e pjesëve të veçanta nuk i mposhti makinistët e hekurudhës shqiptare nga shkatërrimi i brendshëm, që ndodhën në shndërrimet e sistemit në vendin tonë. Ata qëndruan ashtu, me vendosmëri, besnikë të profesionit, nën qiellin e fatit të tyre. Janë thellësisht të bindur e të vetëdijshëm se puna e tyre është fisnike dhe e dobishme për njerëzit, cilado qoftë frytshmëria apo ndikimi i hekurudhës sot në Shqipëri. Heroizmi tyre nuk është heroizëm luftëtari, heroizëm force, megjithatë, janë një forcë punëtore që tregojnë gatishmëri dhe vetëmohim në punën e tyre të përditshme, duke u lejuar vetes të përulen me zemërbutësi para fatit të trishtuar, i cili u përgatit nga kushtet e mjerueshme që u krijuan në vendin tonë.

Megjithëse në vështirësi trenistët vijojnë të punojnë në ato kushte që u ka diktuar bordi drejtues dhe pronari shtet. Por përgjatë viteve të shkuara dhe në vazhdim u bën një sërë gabimesh, ku krenaria e të qenit makinist u kthye në përbuzje e në makth. Natyra e tyre u rrëmbye nga sulmet e herë pas hershme, që iu bën nga kompanitë e kamionëve, autobusëve dhe furgonave, të cilët kërkonin eliminimin e hekurudhës shqiptare. Zënia e linjave hekurudhore nga kalesa të palejueshme u bën madje edhe vatra të aksidenteve, që makinistët po e vuajnë këtë shthurje dhe s’po gjejnë qetësi as tek abstragimi dhe as tek realiteti. Por falë punës së tyre të durueshme, bordit drejtues që e bëri hekurudhën të mbijetojë, ata ndjehen disi mirë, paçka se e fusin veten një me karrocierët.

Unë jam midis tyre, jetoj e punojë me ta. Mundohemi të bëhemi më të fortë në luftë me fatin, paga që marrim nuk plotëson nevojat tona personale dhe jo më të mbajmë familjen. Të gjithë punonjëseve shqiptarë iu ngritën pesë vjet masa e pensionit, ndërsa makinistët u ndëshkuan mjaftë rëndë, duke u rritur deri në dhjet vjet. Të gjithë ankohen sipas mënyrës së tyre në mes të zhgënjimit e ndjenjave të stuhishme, për padrejtësinë që u është bërë.

Sindikata është përpjekur me aq sa u lejon ligji të mbrojë personalitetin, hallet dhe problemet e tyre, por kanë hasur shumë vështirësi në organet kompetente. Madje kanë nisur peticione të ndryshme edhe në parlamentin shqiptarë, por as dhe një here të vetme s’kanë marrë përgjigje. Një heshtje e shurdhët, sa që për ata; hekurudha nuk ekziston, ose s’kanë interes, pasi nuk kanë ç’të përfitojnë nga vijat e hekurt tejet të harmotizuar. Këtë vit i është dorëzuar edhe një kërkesë për ulje pensioni vet kryetares së parlamentit zonjës Topalli, por ajo si një borgjeze e moderuar s’ka se si të merret me karrocierët e hekurudhës, që qetësinë e tyre e kanë të lidhur në pranga.

Lokomotivat e rrënuara, që mbahen me mundim e sforco punojnë në saj të tyre, makinistët janë kthyer në xhenerik, motorist dhe pastrues. Pagat e ulëta kanë humbur interesin e punës pothuajse në të gjithë sektorët hekurudhore. Ndaj natyrshëm ata pyesin: Vallë, a u duhet hekurudha shqiptarëve? Në rast se po, atëherë përse hakmerret ashpër realiteti ndaj tyre dhe i përçmon? Ose në të kundërt, ejani t’i vëmë kazmën përfundimtare të shkatërrimit. Por, ata e dinë mjaft mirë se dikur puna e tyre do të marrë lartësitë, madje në të ardhmen brezit që do të vijë, puna e tyre do t’u duket si një përrallë nga e shkuara. Ndaj, ata qëndrojnë e lëvizin një makinë të hekurt prej njëqind e njëzet tonësh, përballen me orë të tëra me një fushë elektromagnetike të fuqisë lartë që i godet prej dhjetëra vitesh qenien e tyre. Hasin çdo ditë vështirësi e pengesa të panumërta në linjat si kunja shkrepëse të ndezura dhe, goditen pa mëshirë në zemër nga kalimtarë e drejtues mjetesh automobilistike, që shkelin në mënyrë të papërgjegjshme rregullat rrugore dhe hekurudhore.

Ata nuk kërkojnë mëshirë, paçka se po provojnë pafuqinë e shpirtit përballë realitetit të hekurt, dhe po fusin nën zgjedhë shpinën e lodhur. Por, ne jemi njerëz me të drejta dhe detyra, me rregulla dhe ligje, ku fjala mëshirë tretet e humbet si kripa në ujë. Por unë do të kërkoja mëshirë, jo në emër të tyre. Ata zbresin madhështor në linjat e hekurt të mbështjellur në zymti të purpurt dhe lartohen si flakadan fuqishëm drejt së ardhmes.

Drejtuesit hekurudhor, si ajo nëna në veprat e Migjenit, që fëmija i kërkon të ushqehet dhe ajo rrudh supet e derdh lot me kokën mënjanë. Patologjia e tyre rëndohet nga thellësitë e dëshpërimit, dhe si një i mbytur shtrin duart drejt pronarit shtet që u ka formësuar fatin. Trenistët nuk duan shpërblime, as dekorata që festohen me shampanjë. Ata duan një zgjidhje përfundimtare ku të ndihen entuziast dhe fisnik në punën që bëjnë, ndoshta jo shumë fitimprurëse. Ku trishtimi t’i shndërrohet në njohje, nevoja në mirëkuptim dhe jeta në motiv. Ata tashmë testojnë forcën e punës ende të pa shpërblyer, hapësirat e saj relative, thellësinë e ndjesive dhe kuptimin e asaj ç’po ndodh në pasionin e tyre. Dhe vetëm tek ata, tek të cilët puna dhe pasioni s’njeh kufijtë, njeriu dallon mundësit e tyre më të mëdha.