Vladimir Shyti/ Hekurudha, jo preh e politikës shqiptare

638
Sigal

Është e domosdoshme largimi i politikave të vjetra, ku qeveritë e përdornin hekurudhën për nevojat e tyre

 Është e dukshme se hekurudha shqiptare s’po jep frytet e saj në transportin e hekurt pasi është e lënë pas dore nga të gjithë qeveritë e mëparshme. Por si do të jetë pas disa viteve? Vallë do e ndryshojë koha e rilindjes shqiptare? Ç’është ajo që po lëviz e të transformojë mendime të tjera, që ta bëj hekurudhën të ecë më para përkrah simotrave evropiane? Pra, duhet të jepemi me gjithë shpirt pas diçkaje të dukshme, të prekshme, të zhvillojmë këtë  apo atë prirje dhe të ëndërrojmë më pak a shumë për gjëra që më parë s’na kishin shkuar ndërmend.

  Ne formohemi pranë njeri-tjetrit, ndikohemi nga gjërat e bukura që kanë fqinjët tanë dhe bëhemi më të përgjegjshëm për punën dhe jetën e përditshme. Duhet filluar me zgjedhjen e njerëzve të devotshëm, specialistëve të mirëfilltë, të cilën e ka bërë tashmë bordi drejtues hekurudhor. Të kërkojmë më shumë nga vetja dhe shteti. Të jemi të vetëdijshëm për këtë kufizim të vullnetshëm më të mirat e të këqijat që sjell mospranimi dhe pranimi i të prekshmes.

  Përse vallë baza mekanike të mos kthehet në një vend pune ku të shërbejë edhe  për riparimin e kamionëve, autoveturave, lokomotivave dhe mjeteve të tjera hekurudhore. Pse jo, të mos ndërtojë edhe një lokal shplodhës, lavazh për të gjithë mjetet e të tjera institucione që i përkasin një servisi gjigand. Stacionet hekurudhore, ato që janë të mundshme mund të shërbejnë edhe për magazinim të mallrave të ndryshëm, gjithashtu edhe për godina sociale, që mund të rrisë disi financat ndërmarrjes. Së shpejti treni do të hyjë edhe në kryeqytet, ndaj janë marrë dhe po merren masa për një stacionim të këndshëm e disi komod. Ka edhe vende të tjera që mund të shfrytëzohen, por unë s’po i hyj studimit, kjo pritet nga njerëz kompetent të hekurudhës.

  Ministri komunikacionit, në fjalën e tij para punëtorëve u shpreh i gatshëm në përparimin e udhës së hekurt, tha se; do të shtojë edhe fuqinë punëtore… Ja këtu ngec karkaleci…E di vallë zoti ministër pagën qesharake që merr një hekurudhor, sidomos makinistët që paguhen as dhe me një punëtor lavazhi? Le pastaj diskriminimi që iu bë para disa vjetëve me pensionet: nga pesëdhjetë e pesë vjet që e kishim makinistët u vajti në gjashtëdhjetë e pesë vjet. Ne jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që hasen sot në realitetin shqiptar, por dhe jemi solidarë me optimizmin e zotit Haxhinasto. Le të shpresojmë, se këto fjalëformime, të lehta si flladi, të mos u mungojë ai elementi kapshëm formësues, plasti ndijor, por të kenë peshën e ngjyrën, të mundësoj perceptimin tek çdo punonjës, dhe të hedhë bazën e së ardhmes. Dhe, mbi të gjitha politika të mos ngatërrohet me punët e hekurudhës. Kemi shumë përvoja negative nga qeveritë e shkuara, ku hekurudha është prekur në masa të ndryshme politike. Duhet një çlirim i plotë nga çdo lloj ndërfutje, të mendohet si korridori tetë, ku rruga e hekurt të prekë sa më shpejt fqinjët tanë.

  Por, edhe klasat shoqërore të shtyrë nga nevojat e tyre ekonomike i janë ngjitur hekurudhës si miza kalit. Sulmojnë vagonët e mallrave, sidomos ata të skrapit, dëmtojnë linjat e hekurt duke u grabitur pllakat lidhëse me traversën, vagonët e stacionuar e copa shinash të shkëputura nga linjat anësore. Këtu duhet treguar një vëmendje e veçantë, me pak kurajo, insistim e këmbëngulje mund të parandalohen këto vjedhje. Vjedhësi diku do t’i dërgoje ato materiale të dallueshme që i përkasin hekurudhës. Atëherë, duhet bashkëpunim me njerëzit e grumbullimit të skrapit: të mos i pranojnë këto materiale të dukshme, ose të njoftojnë organet përkatëse. Ky bashkëpunim me ta do të ishte efikas në mosprekjen e lëndëve hekurudhore. Sigurisht, që edhe organi ligjor të bëjë me vendosmëri punën e vet.

  Është e domosdoshme largimi i politikave të vjetra, ku qeveritë e përdornin hekurudhën për nevojat e tyre, që solli dhe shkatërrimin e saj. Tashmë i bie mbi shpatulla kësaj qeverie ta rilindë, jemi të bindur, këtë e shohim në projektet e diskutuara nga zoti Haxhinasto edhe në optimizmin e qeverisë Rama, se hekurudha shqiptare do të jetë në lartësinë e duhur. Hapësirat janë për të investuar edhe nga investitorët shqiptarë, gjithashtu edhe nga të huajt. Ejani të punojmë së bashku!