Vladimir SHYTI/Gjendet vallë hekurudha shqiptare në programin e Ramës?

723
Sigal

“Ai që kapërcen dhimbjen e tij, ngjitet më lart”, citonte dikur Hiperoni. Dhe hekurudha shqiptare hodhi hapa vendimtare, duke kaluar shumë e shumë pengesa e vështirësi, por që s’mundi të bëjë asnjë hap para, ajo mbeti prapa, përmbi jetën e saj, përmbi dhimbjen vetjake dhe përjetoi fatin e saj të zi. Ajo çka krijoi në vetmi, gjatë viteve ishte pasiguria mes ekstazës dhe humnerës, pa ndonjë vepër madhështore, si lëvozhgat dhe guaskat, që mbanin kyçur brenda thelbin e zjarrtë të qenies të cilët u thërrmuan, duke i mbetur vetëm imazhi.

  Shumë qeveri kaluan para saj, por asnjëra s’ia hodhi sytë. E mbetur jetime si fëmija e njerkës, hekurudha, duke ndjerë fundin e afërm u ngrit heroikisht mbi gjithë telashet e përditshme dhe mbijetoi me kockat që i hidhnin pushtetarët.

 Rilindje! Një shprehje e goditur nga të majtët, por si  mund të rilindë dhe hekurudha shqiptare? Në programin e saj është disi e errët perspektiva hekurudhore, qofsha i gabuar, por Rama në ato mitingje madhështore, që ka zhvilluar në tërë vendin, as dhe një herë të vetme s’e ka përmendur në leksionet e tij. Ndoshta mund të ketë edhe të drejtë se, qysh nga rënia e monizmit dhe deri më sot, leksionet për hekurudhën kanë pësuar shumë ndryshime, në kuptime e interpretime, ose janë lënë mënjanë, kështu që punonjësve u lind e nevojshme të kërkojnë shpjegime.

  Mbijetesa e asaj ndërmarrje të tejndjeshme kërkon rikthimin e trysnisë së pasionit për punën. Harresa përfaqëson brenda tyre atë shkëndijë, atë tharm, i cili duke vluar sipër, të sfilit, të drithëron dhe sidomos qenia e tyre në fund të gjithçkaje e shtyn drejt çdo lloj rreziku, drejt vetëmohimit, drejt shkatërrimit të vetvetes. Punonjësit dhe stafi drejtues shohin një të ardhme me perspektivë në hekurudhën e tyre shqiptare, ndaj jo se mohojnë qenien e tyre, ata mbizotërojnë virtytet e larta qytetare, që deri tani pronari shtet ua ka marrë për dobësi, ata janë të matur e mbytin brenda vetes impulsin faustian, e fashitin me moralin, e ndrydhin duke punuar, e kontrollojnë duke vënë rregull mbi të. Ajo nuk është një ndërmarrje e rëndomtë, paçka se në themel ka mbetur e vazhdon të mbetet armik i kaosit, jo vetëm për transportin në tërësi, por edhe brenda vetes. Ata kanë grumbulluar energji krijuese, ndoshta në trajtën e pakënaqësisë ndaj punës së përditshme, por që është krijuar ndër ta, ajo zemër e madhe që drithërohet, ai shpirt kërshërie, i cili duke ngritur krye edhe mbi veten, nderet në nostalgji, ku ishin njerëzit më të nderuar, sidomos kolektivi makinist.

  Pronarët shtet, s’i ndenjën besnik metodës së ballafaqimeve, për të vendosur rindërtimin e hekurudhës dhe kur shumë kompani të huaja u afruan të financonin në forma të ndryshme, ndoshta ka ndikuar transporti automobilistik, këtë gjë e dinë vetëm ata. Pra mungesa e plotë e lidhjeve me botën, solli kaosin në hekurudhë, e nxori jashtë realitetit atë që punonjësit e mbanin në duart e tyre, duke shkelur mbi vlerat e atij transporti masiv. Është marrëzi të përbuzësh një punë shekullore, ku Europa i jep një rëndësi të veçantë, të nxjerrësh jashtë erës një transport fitimprurës. Këtu marrëzia qëllon drejt atje, ku arsyeja dhe mendja e shëndoshë nuk shtien atje ku duhet goditur.

  Pjesa dërrmuese e popullsisë tonë jeton në varfëri, ndaj treni për ta është lëvizja primare, ndaj duhet të shqetësohemi për jetën e tyre private, për ekzistencën e thjeshtë qytetare e fshatare, të cilët këta të fundit bëjnë edhe tregti me anë të hekurudhës shqiptare. Ndoshta ata s’e duan trenin të përshkojë Azinë e të kërkojmë Kinën e largët, por duan të lëvizim shpejt dhe me luks brenda vendit të vet, pse jo edhe me fqinjët. Ata s’e duan zymtësinë e purpurt dhe as vezullime në terr nga shëmbëllesa të lulëzuara, por duan të jetojmë në botën e realitetit, e një hekurudhe simotra europiane, tek e fundit ballkanike.

  Së shpejti përsëri hekurudha do të ndërrojë pronarë, megjithëse vullneti dhe shpresa janë dobësuar e lodhur, ata ende shpresojnë në ëndrrën e tyre për ta parë hekurudhën në ballë të punës, duke i shërbyer popullit e shtetit të vet.

  E dimë që kjo qeveri që do të vijë në pushtet do ta ketë tepër të vështirë ta rilindë këtë vend. Çfarë fshihet, në të vërtetë, poshtë shkëmbit të ftohtë e të padepërtueshëm, që mbulohet nga ngurtësia e jashtme, vetëm ata do e zbulojnë, por punëtorët e hekurudhës do të jenë të vëmendshëm në shndërrimin e vet. Ku pikon çatia e di vetëm i zoti shtëpisë, ndaj është detyrë e shtetit të zërë vrimat që rrjedhin prej kohësh në çatinë hekurudhore.

  Punonjësit dhe stafi i saj drejtues do të dinë të lartësojnë vuajtjet e tërë këtyre viteve, duke i dhënë edhe një herë formën e mbijetesës dhe do të presin fundin e sfilitjes. Se vetëm ata,që janë krejtësisht të sfilitur, mund të kuptojnë dëshirën e mprehtë për gjithanshmëri. Vetëm ata që kanë duruar peshën e rëndë të përbuzjes dhe kërcënimit, mund të arrijnë lartësinë e ekzistencës të lumtur. Ndaj i kërkojnë Ramës dhe shtetit që do të krijohet së shpejti, të mos përsërisin ndjenjat e rënies, por të hedhin vështrimin në brendësi të sekreteve hekurudhore dhe së bashku të ecim me hapin e teknikës kohore. Ky apel vjen nga të gjithë, kolektivi i rrënuar hekurudhor, që i mbijetojë kaosit dhe shpërbërjes, përbuzjes dhe shkatërrimit.