Vladimir Mustaqi/ Dako mund Dumën edhe me “ndihmën” e Bashës

609
Një sociologu me njohuri nga politologjia, fushatat elektorale i shërbejnë për të përgjithësuar aspektet teorike të studimit të shoqërisë në një moment kyç. Por kur vet sociologu me formim dhe në komunikim publik hyn në beteja elektorale, nis e kupton se nuk ka asgjë në terezi kur prek “sociumin” dhe e udhëzojnë me formula politike, që janë si mish i huaj në vlerësimin shkencor sociologjik të shoqërisë. Kjo po ndodh me një figurë me staturë më tepër akademike se politike, sikurse është kandidatja e opozitës në Durrës Grida Guma. Kjo e fundit e kupton më mirë se kushdo se tjetër gjë është fitorja në debatet, madje ndërkombëtare, nëpër aula, dhe tjetër gjë janë dhjetëra mikro-debatet në terren me vetveten, të pazëshme, dhe të zëshme përballë njerëzve e problemeve vendore të pafundme.
A mjafton performanca mediatike? 
Në pamje të parë, e aftë të vendosë kontakte vetjake me mediet, të cilat e parapëlqejnë së tepërmi për shkak se mban me gojëtari talk-shoë-t, Grida Duma është më e favorizuar se rivali i saj Vangjush Dako. Duma ka prapa një shpurë të kualifikuar në marrëdhëniet me publikun, që zbatojnë teknologji moderne spin-doktoringu, si dhe strategë cilësorë fushatash (mjafton të përmendet nënkryetari i PDSH-së, ekonomisti Edmond Spaho). Dumën e mbështesin edhe media private të majta të moderuara, madje dhe media publike. Por, me sa duket, Duma me shpurën e saj po fetishizojnë perfomancën mediatike, që në fakt, po bëhet dhe një nga faktorët e “fundosjes” në ato studio ku analistët janë konsumuar. Nëse para disa vitesh talk-shoë-t njohën lulëzim, tani kanë një rënie të dukshme audience. Po ashtu kronikat elektorale, të minutizuara dhe të përgatitura nga spindoktorët, zor se mund të ngrenë kuotat të kandidatëve, përfshirë dhe ato të Dumës. 
Të marrësh kompetencat e arkeologjisë
E keqja është se po Dumës dhe kandidatëve të tjerë të opozitës po u kërkohet nga selia qendrore dhe kreu i saj Lulzim Basha të bëjnë premtime, sikurse është vënë në dukje nga opinioni publik, që u takojnë zgjedhjeve të përgjithshme. Defekti kryesor është se kandidatja nuk njeh legjislacionin për kompetencat e pushtetit vendor. Pa u ndalur në dhjetëra raste gafash në premtime, le të përmendet zotimi për muzeun arkeologjik dhe amfiteatrin. Ato nuk varen nga bashkia, por nga Ministria e Kulturës (MK) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA). Thjesht, bashkia mund të ndihmojë me punë krahu, makineri, ndonjë fond modest me projekte të paraqitura nga MK-ja apo IA-ja. Duma merr përsipër punët e tjetër kujt: “Rehabilitimi, evidentimi dhe ndriçim i të gjitha siteve arkeologjike”. Fantazia e shpurës së saj, tejet e paditur në punët e administratës, shkon deri në “rehabilitimin e kalasë së [Kepit] të Rodonit dhe kthimin e saj në muze”. Madje, në rubrikën e turizmit (?!) të programit të saj premton “rehabilitimin e kalave, pastrimi dhe mobilimi me infrastrukturë për t’i kthyer në muze si pika të rëndësishme dhe se sitet arkeologjike do të mirëmbahen dhe ndriçohen gjatë natës”. 
Premtime për ato që egzistojnë
Në programin e saj Duma ka gjëra të përgjithshme apo premton për ato ekzistuese: “shkolla si epiqendra e komunitetit”, “rivitalizimi i sportit, duke u mbështetur në përvojën e sportistëve më të mirë të qytetit”; “ndërtimi i pishinës për të rikthyer traditën e notit në qytet” (po përfundon nga kryetari në detyrë, rivali i saj!), “mbështetje e plotë për rikthimin e teatrit të Durrësit në nivelin më të mirë kombëtar” (ndërkohë aktualisht, ka shumë premiera dhe se trupa është vlerësuar me çmime kombëtare). “nxitje e bashkëpunimit në formën publik-privat për ndërtimin e tre kinemave dimërore dhe 5 verore” (dhe një moderne private, ku sot është “Conad”-i, u mbyll, pasi nuk kishte shikues”; “ndërtimi i bibliotekës së qytetit në godinën ekzistuese të Drejtorisë së Hekurudhës” (po kjo e fundit që e ka hipotekuar, ku do të shkojë?!). “Durrësi një destinacion festivalesh: Festivali i filmit” (ka disa vjet që zhvillohet, madje, në gusht janë edhe disa të tjera që janë kthyer në traditë). Ndonëse sociologe, Duma nuk ka haber dhe nga çështjet sociale kur premton ato që i jep ligji: “të gjitha familjet në nevojë do të përfitojnë ndihmën ekonomike”; “integrim i komuniteteve rom dhe egjiptian duke ofruar çdo lehtësi për akses të tyre në shërbime”; “qendër rehabilitimi dhe infrastrukturë e plotë për personat me aftësi të kufizuara (PAK), për fëmijët e shfrytëzuar dhe të abuzuar në rrugë, sistem pikëzimi me bonus për strehim të personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve jetimë etj.”.
Amullia brendapartiake
Dumës do t’i duhet të përballojë edhe amullinë brendapartiake të degës, pasojë kjo e mënjanimit të shumë figurave me kontribute pozitive apo negative. Përfaqësuesja eminente e selisë qendrore ka betejë për të marrë në kontroll partinë vendore në shërbim të fushatës. Nuk dihet nëse ajo po nxjerr përfundime për 4 disfatat në zgjedhjet vendore, pse humbën figura jo pa peshë dhe merita në PD si Arqile Gorea, Avni Hoxha, Armand Teliti dhe Ferdinand Xhaferaj. “Heqja qafe” e Agron Dukës nga kandidimi nga kundërshtimi i një pjese të elektoratit durrsak, por edhe ri-rreshtimi i tij bri Dumës ka shumë pikëpyetje: Duka do t’i sjellë ca vota nga fshati dhe qyteti. Por nuk përjashtohet të nxehë sërish “gjakrat” në klanet dhe elektorat dhe se firoja që mund të rezultojë në këtë rast, mund të jetë më e madhe se votat që mund të sigurojë deputeti republikan ish-socialist. A është bërë llogaria që të kompensohet diferenca mbi 3 mijë vota minus që pati Xhaferaj kundrejt Dakos dhe kur kishte përbri LSI-në, PDIU-në etj.? Janë shumë probleme që përkeqësojnë gjendjen e kandidates së opozitës, së cilës po ia vështirëson fushatën dhe gjuha e “drunjtë” e Bashës. 
ME VIZION “GUGGENHEIM”
Ndonëse me konsumimin e kuptueshëm nga dy mandate, Vangjush Dako po bën një fushatë më të kuptueshme, pa shkëlqim mediatik. Ai nuk ka nevojë për premtime të mëdha “futuriste” me “do të”. Realizimi i një sërë projektesh madhështore si rikualifikimi i sheshit “Liria”, mbikalimeve në Plepa e Ura e Dajlanit, fasadave, shkollave, ndërtimi i rrugës paralel me murin e portit, rruga e Kodër Vilës, “Sfinksi” te Bërryli, punimet në vazhdim për pishinën, asfaltimi i qindra kilometrave rrugë në ish-kënetë, brenda qytetit, sigurimi i kredisë së Bankës Botërore për ujësjellësin e ri etj., e bëjnë fushatën më konkrete. Dakoja tani ka fituar tiparet e një vizionari, që mendon dhe për vitin 2030, natyrisht kur nuk do jetë më ai kreu i pushtetit vendor. Po ndjek një model të ish-kryetarit të bashkisë së Bilbaos në Spanjë, kur, në vitin 1997, në kulmin e problematikave sociale e politike, kërkoi të ndërtohej muzeu Guggenheim, që i ka dhënë aq zhvillim qytetit, tani nga më të famshmit në botë për turizëm kulturor. Planet për sheshin në hyrje të portit, pallatin e Drejtësisë afër Mauzoleut të Dëshmorëve etj, po forcojnë pozitat e kandidatit që lufton për mandat të tretë. Po ashtu, Dakoja po merret seriozisht me zonën rurale, ku përveç komunës së Ishmit, ku ka drejtuar PS-ja, në të tjerat kanë lënë përshtypje jo të mirë përfaqësuesit e PD-së (Rashbull, Katundi i Ri, Sukth Manëz). Dakoja është interesuar për të gjithë rrjetin kullues-vaditës, kapacitetin e ujëmbledhësve, sigurimin e rrugëve në parcela etj. Është një 30-përqindësh elektorati që Duma e ka neglizhuar disi. Nga programi del se Duma e ka mendjen vetëm në pjesën e qytetit, duke harruar zonën rurale dhe problematikat e mprehta që janë sot si sistemi i kullimit dhe vaditjes, gjendja e ujëmbledhësve, aksesi në shëndetësi, infrastrukturë etj. Strategët dhe PR- të /marrëdhëniet me publikun nuk kanë marrë mundimin as të lexojnë projektet e posaçme për Durrësin nga qeveria zvicerane, për të kuptuar diçka për nevojat e pjesës rurale të bashkisë. Ajo vazhdon me avazin e premtimeve dhe sulmeve tip “Basha”. Qar i Dakos, që mund Dumën dhe me “ndihmën” e kreut të opozitës. 
Sigal