Vizita në Evropën Lindore e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe çështja e punëtorëve të shkëputur brenda BE-së

770
Diana SKRAPARI
Emmanuel Macron filloi një turne tre ditor në Evropën Lindore të mërkurën (23 gusht) në Austri, Rumani dhe Bullgari. Tre vende që konsideroheshin “bashkëpunuese” për çështjen e mprehtë të punëtorëve të shkëputur në filialet evropiane në firmave brenda BE-së. Emmanuel Macron nuk shkoi në Poloni dhe Hungari, dy nga shtetet më të kritikuara të këtij sistemi që lejon kompanitë të dërgojnë punonjës brenda Bashkimit Evropian. Kontributet sociale paguhen në vendet e origjinës, ku ato janë shumë më të ulëta se në Francë. Direktiva e Punësimit të Punonjësve të BE-së daton në vitin 1996 dhe supozohet të kontribuojë në zhvillimin e tregut të brendshëm të BE-së duke lehtësuar lëvizjen e krahut të punës. Neni 2 i tekstit përcakton një punonjës të shkëputur si “çdo punonjës që kryen punën e tij për një periudhë të kufizuar në territorin e një Shteti Anëtar, përveç shtetit në territorin e të cilit ai punon zakonisht”. Duhet bërë kujdes për të mos ngatërruar këta punonjës me shtetasit e një Shteti Anëtar që vendosen përgjithmonë në një vend tjetër dhe kërkojnë punësim pa qenë një punonjës i një ndërmarrjeje në vendin e tyre të origjinës. Bashkimi Evropian hapi dosjen para një viti për këtë çështje. Që nga pranvera e vitit 2016, rinegociimi i direktivës së punëtorëve të shkëputur ndan 27 vendet anëtare. Gjatë fushatës presidenciale, Emmanuel Macron ishte një nga mbrojtësit kryesorë, duke argumentuar se rreth 150.000 punonjës francezë punojnë jashtë vendit me këtë sistem. Nëse ky sistem do të hiqej, kjo do t’i vinte në vështirësi, përsëriste ai shpesh. Megjithatë, Presidenti i Republikës nuk dëshiron status quo-në që ndihmon në krijimin e mosbesimit ndaj Bashkimit Evropian. “Unë do të kryej një reformë të direktivës së punëtorëve të shkëputur, në mënyrë që të mos ketë më konkurrencë të padrejtë në Evropë,” tha ai në një takim në mes të dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale. Që nga viti 1996, direktiva ka bërë të mundur që një punëtor që punon në një vend evropian të mbajë kontratën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të vendit të origjinës, i cili barazohet me “dumping social” nga ana e kritikuesve të sistemit. Në Francë, rreth 300.000 evropianë punojnë me këtë status, kryesisht në industrinë e ndërtimit. Që nga zgjedhja e tij, Emmanuel Macron e ka vendosur veten si udhëheqës evropian i cili dëshiron të shkojë më larg në rinegociimin e tekstit. Në qershor, ai refuzoi të nënshkruante një tekst fillestar të paraqitur nga autoritetet evropiane. “Ne do të arrijmë domosdoshmërish një kompromis, por ne nuk mund të pranojmë një marrëveshje të keqe si ajo e paraqitur në qershor,” shtoi ai në Elysee ku shtroi katër propozime. Megjithëse këto nuk i pëlqyen Polonisë dhe Hungarisë.

1. Kontroll më të mirë gjatë kohëzgjatjes së shkëputjes
Sot, një kompani mund të dërgojë një punëtor të shkëputur deri në 36 muaj. Teksti i paraqitur nga Komisioni Evropian donte ta zvogëlonte atë në 24 muaj. Ende është shumë për Emmanuel Macron, i cili mendon se “një punëtor i shkëputur angazhohet për të kryer një mision të përpiktë”.
Elysee dëshiron që një punëtor nuk mund të lihet më shumë se 12 muaj për një periudhë prej dy vjetësh, përndryshe punëtori varet nga sistemi social i vendit pritës siç është tani rasti pas tre vjetësh. Veçanërisht Franca dëshiron që të merren parasysh të gjitha periudhat e shkëputjes. “Vetëm periudhat gjashtëmujore merren parasysh sot, ndërsa kohëzgjatja mesatare e dërgimit është 50 ditë”, thotë një këshilltar i Presidentit.

2. Të garantojmë pagesën minimale të vendit pritës
Punonjësi i shkëputur normalisht paguhet me pagën minimale të vendit pritës. Teksti i paraqitur nga Komisioni Evropian shkoi në këtë drejtim, por kjo pikë mbetet e hapur për diskutime mes 27 vendeve të BE-së.
Për sa i përket pikave të ndjeshme të kontributeve shoqërore, ajo u shty për më vonë. Nuk ka më ndonjë çështje të vendosjes së një detyrimi ndaj punëdhënësit për të paguar detyrimet e vendit pritës për të zvogëluar “dumping social”. “Francezët që punojnë jashtë vendit janë të lidhur me sigurimet shoqërore franceze”, thuhet në Elysee.

3. Të përfshihet transporti rrugor
Në tekstin e tij origjinal, Komisioni Evropian propozoi të zbatojë rregulla të posaçme për transportin rrugor. Kjo është një nga shqetësimet e Spanjës dhe Portugalisë të cilat dëshirojnë të kenë gjithmonë mundësinë për të dërguar shoferët e tyre në të gjithë Evropën. “Ne duhet të përfshijmë këtë çështje në Direktivë përndryshe do të ketë shumë dallavere”, thuhet në Pallatin Elysee ku nuk përjashtohen negociata të veçanta për të pasqyruar veçoritë e këtij sektori aktivitetesh.

4. Lufta kundër mashtrimit dhe abuzimit
Një raport i Senatit i vitit 2013 vlerësoi mashtrimin me 220.000 dhe 300.000 punëtorë të paligjshëm të vendosur në Francë. Bëhet fjalë për mosdeklarim të pagave edhe të paguarit nën pagën minimale, tejkalim i kohës maksimale të punës apo strehim të padenjë … Emmanuel Macron dëshiron të forcojë bashkëpunimin me administratat e tjera evropiane. Kjo do të thotë, për shembull, për t’i dhënë fund sistemit që lejon kompanitë për të krijuar biznese “kuti poste” në një vend ku kontributet e sigurimeve shoqërore janë më të ulëta për të shkëputur punëtorët e saj në një vend tjetër. “Ideja e një forcimi të Direktivës nuk pëlqehet në Poloni, sepse kjo do të minonte konkurrencën e shoqërive dhe do të godiste tregun e punës”, shprehej e përditshmja konservatore polake “Rzeczpospolita” më 25 maj pas zgjedhjes së Emmanuel Macron si President. Gjithashtu kjo gazetë u mbështet nga gazeta e qendrës polake “Dziennik”, e cila ka deklaruar se Evropa Perëndimore nuk kishte pritur për ardhjen e Emmanuel Macron për të frenuar punëtorët e shkëputur: “Kontrollet e vazhdueshme, burokracia e tepërt, ankesat: Tregjet perëndimore kanë mësuar se si të dekurajojnë në mënyrë efektive kompanitë polake nga shkëputja e punëtorëve të tyre”. Tani shihet me sy kritik zgjedhja e Emmanuel Macron për të mos vizituar as Poloninë, as Hungarinë. Të martën, më 22 gusht, website-i i gazetës polake “Rzeczpospolita” e quante të kuptueshme këtë zgjedhje pasi Varshava “, është kryeqyteti që ka më shumë probleme me Brukselin”, por para se të pyesin në lidhje me “mungesën e vullnetit për dialog të Macron “. Kjo mund “të thotë se, ai nuk do të kërkojë të bashkohet me Poloninë”.

Në anën e shtypit të vendeve pritëse të mini-turneut të Emmanuel Macron, nuk kishte asnjë kritikë. Ardhja e kreut francez të shtetit shihet vetëm si një mundësi për të avancuar në një dosje që tashmë është zvarritur për një vit që Christian Kern, Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPO) e ka konsideruar “tepër të pakënaqshme “.Website-i i gazetës austriake “Der Standard Austria”i ka bërë jehonë fjalëve të SPO, të martën më 22 gusht : “Partia pret që samiti (…) në Salzburg të jetë” një hap përpara “për të përfunduar Reformën e punëtorëve të shkëputur. ” Qëllimi i Emmanuel Macron ishte të rilanconte çështjet kryesore evropiane. Presidenti dëshiron të bashkojë në luftën e tij shumë liderë evropianë, por ai do të zhvillojë diskutime edhe të avancojë mbi çështje të tjera si mbrojtja evropiane, lufta kundër terrorizmit, kriza e emigracionit apo politika e azilit. Ka shumë subjekte të ndjeshme që jo të gjithë partnerët evropianë i trajtojnë në të njëjtën mënyrë. Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte shkuan në Bullgari të premten, faza e tretë dhe e fundit e turneut të tyre në Evropën Lindore. Ata u pritën në aeroportin e Varnës me një avion që vinte nga Bukureshti dhe çifti presidencial u mirëprit ditën e premte rreth orës 10:00 në një ceremoni zyrtare në Pallatin Euxinograd, një nga rezidencat presidenciale, të vendosura në Varna. Të dy çiftet presidenciale (Emmanuel Macron, Brigitte Macron dhe Ruman Radev, Desislava Radeva) kanë folur për një kohë të shkurtër në mëngjes, para një takimi pune midis presidentit francez dhe homologut të tij bullgar Ruman Radev, të ndjekur nga një konference e përbashkët për shtyp të dy udhëheqësve. Sipas programit të Elysee, Emmanuel Macron duhet të takohej edhe me Kryeministrin bullgar Bojko Borisov. Në pasdite, Emmanuel Macron takoi krerët francezë të biznesit në Bullgari dhe pastaj vizitoi Akademinë Detare Nikola Vaptsarov në Varna. Kreu francez i shtetit i dha fund atje turneut të tij në Evropën Lindore me objektivin kryesor që ishte të shtyjë për një rishikim të shpejtë të direktivës evropiane për punëtorët e shkëputur, burim i shumë abuzimeve, duke u mbështetur në vende që konsiderohen bashkëpunues “për këtë çështje”. Takime të tjera diplomatike e presin Presidentin francez, duke përfshirë një vizitë në Luksemburg më 29 gusht dhe në Greqi (7 dhe 8 shtator) dhe një samit franko-italian në Lion më 27 shtator. Problemi i punëtorëve të shkëputur në Evropë është një çështje pak e vështirë pasi të gjitha shtetet e BE-së duan të kenë përfitimet e tyre, por harrojnë diçka që duhet menduar edhe për punëtorët e shkëputur dhe kushtet e tyre të jetesës pasi siç shprehej Bernie Sanders (politikan amerikan); “Një punë duhet t’i nxjerrë punëtorët nga varfëria dhe jo t’i mbajë brenda saj” dhe shpesh herë punëtorët e shkëputur evropianë gjenden përballë abuzimeve si nga shoqëritë që i punësojnë por edhe administratat e vendeve pritëse në BE. Richard Branson shrehej se: “Nëse kujdeseni për punëtorët tuaj, ata do të kujdesen për biznesin tuaj” dhe këtu janë të përfshirë jo vetëm punëtorët e shkëputur polak, rumun apo bullgar por edhe ata francez. Çështja e punëtorëve të shkëputur është çështje me rëndësi brenda BE-së ku të gjithë duan të mbrojnë interesat e tyre shtetërore dhe Henry Ford (industrialist amerikan) shprehej kështu: “Mos shikoni gabimet, por gjeni një zgjidhje”. Shumë gabime janë bërë në lidhje me Direktivën evropiane të të 1996 të punëtorëve të shkëputur, por tani ka ardhur koha që këto gabime të rregullohen duke pasur parasysh në fillim potencialin njerëzor dhe jo fitimet e shoqërive të mëdha që veprojnë brenda BE-së…
Sigal