Sigal



Prof. Dr. Zamira Cavo

Nuk arrij ta kuptoj se si edhe 29 vite në demokraci sërish e kemi të njëjtin problem: Në krye të institucioneve tona, në administratën publike vendosim njerëz, të cilët nuk e duan punën, nuk e duan vendin e, aq më tepër, as që ua ndjen për publiken. Vazhdon po ai këndvështrim i një shekulli më parë: Mjafton të jetë besnik ndaj “njëshit”, pa punë e madhe, se nuk ka as arsim, as edukim e as vizion

Shteti ka një fytyrë të vetën: Administratën Publike! Kjo fytyrë është ballafaqimi i qytetarëve me shtetin por edhe i ndërkombëtarëve me vendin dhe qytetarët e saj. Ndaj nuk është e anashkalueshme rëndësia e një administrate të denjë publike.

Për vite me radhë kam shkruar në lidhje me këtë problem. Dhe jo vetëm unë. Them me bindje që prej 100 vitesh ky problem na ka përndjekur dhe na ka bërë të “marshojmë në vend numëro”! Që nga Fishta , Konica e Noli e deri më sot problemi i një administrate të denjë publike vazhdon të jetë shqetësim, me po ato shkaqe si 100 vite më parë.

Administratë gjysmake – thoshte Konica. Ashtu ka mbetur edhe sot. Njerëz gjysmakë në shkollim në vizion e në veprim. Nuk arrij ta kuptoj se si edhe 29 vite në demokraci sërish e kemi të njëjtin problem: në krye të institucioneve tona në administratën publike vendosim njerëz të cilët nuk e duan punën, nuk e duan vendin e aq më tepër as që ua ndjen për publiken. Vazhdon po ai këndvështrim i një shekulli më parë: Mjafton të jetë besnik ndaj “njëshit”, pa punë e madhe, se nuk ka as arsim, as edukim e as vizion! Nga këta gjysmakë po i vjen e keqja edhe kësaj qeverisje. Arroganca që karakterizon sot drejtuesit e lartë në shtet është pamja më e qartë e injorancës së tyre. Më ka rastisur shumë herë të dëgjoj ankesa nga specialistët e thjeshtë në administratë në lidhje me fjalorin banal e të paedukatë që shpesh përdoret nga drejtuesit e institucioneve. Kjo arrogancë duket në qasjen primitive që ata kanë ndaj atyre që drejtojnë. Kjo arrogancë shpesh shfaqet në fjalorin me të cilin u drejtohen vartësve, me mendjemadhësinë që shfaqin në takimet me publikun, në mungesën e respektit ndaj qytetarit.. e deri në hapjen e dyerve të institucioneve më këmbë…! Dhe e gjithë kjo panoramë në Administratën Publike përkthehet në mungesë shërbimesh ndaj qytetarit, por edhe ndaj vendit. Ndaj nëse dëgjon qytetarët në programet e mëngjesit në televizione nga eksperiencat që kanë në dyert e institucioneve, shajnë shtetin dhe institucionet e tij!

Sikur të mos mjaftonte kjo pamje ë brendshme e administratës sonë, na duhet të vërejmë se si dhe përfaqësuesit tanë diplomatikë qenkan po aq gjysmakë sa dikur thoshte Konica: “Më erdhi turp kur dëgjova që një diplomat i yni i paskësh thënë një diplomati grek në mes të të tjerëve, se Greqinë e lashtë e paskej prishur bolshevizma ruse”. Sot teksa shikoj z. Cakaj që liston emrat e disa konsujve të nderit apo edhe të disa emrave që janë në fytyrën e shtetit shqiptar nëpër botë, them pa mëdyshje: Zot na ndihmo, të gjejmë njerëzit e duhur!

Administratë e korruptuar: Prej 100 vitesh po i njëjti avaz: korrupsioni! Dhe kjo është logjike. Për aq kohë sa ve në drejtim njerëz që nuk kanë integritet dhe kur e mendon shtetin si një autoshkollë për të mësuar timonin nga timonierët që njohin vetëm një drejtim, është e qartë se kjo plagë do na shtojë dhimbjet edhe në të ardhmen. Dhe po jua tregoj me fakte:

Roli i gruas në Administratën Publike: Nëse do i referoheshim shifrave rezulton se në vitet e qeverisjes së Rilindjes numri i grave në Administratën Publike është i admirueshëm. Dhe nëse vazhdojmë me idenë se, “nëse do një punë të mbaruar jepja një gruaje”, do të përfundonim në konkluzionin se: Qeverisja e rilindjes të paktën në Administratën Publike është e realizuar pozitivisht! Por fatkeqësisht nuk është kështu! Dhe ka një arsye: Angazhimi i femrave kaq gjerësisht në AP, është i lidhur jo me rolin e tyre të veçantë, por me vizionin që ka lideri i qeverisë për femrën: Një qenie e brishtë, të cilën mund ta komandosh, fyesh e drejtosh sipas qejfit! Sa për punën askush nuk do t’ia dijë për të. Dhe çfarë ka ndodhur realisht në një pjesë të madhe të sferave që drejtojnë institucione publike? Janë shembulli më i keq përfaqësues i femrës së vërtetë, i femrës me personalitet e integritet. Janë arrogante në sjellje e fjalor, në veprime e në profesionalizmin e tyre. Duke u ndjerë të frustuara para atij që kanë mbi krye, ato bëhen kopjace të liga të modelit që e vuajnë mbi shpinë. Dhe kjo i bën të pabesueshme, të parespektueshme dhe, mbi të gjitha, të pavlefshme për institucionet që kanë në dorë!

Ndaj ne do vazhdojmë ta shikojmë shtetin si të huaj, si të largët e si një lopë që milet nga ata që e drejtojnë.

Ndaj nuk pres që edhe të huajt të na vlerësojnë më tepër. Me këtë fytyrë që kemi, zor se ruajmë dot dinjitetin tonë!