Vitore STEFA (LEKA)/ Ulje-ngritjet e pozitës shoqërore të gruas shqiptare

602
Sigal

Në Kosovën e postluftës ka qarkulluar për një kohë kjo ngjarje në formë historie apo ndodhie. Gruaja e një luftëtari të UCK-sw, rënë për liri, kishte mbetur në rrugë të madhe me të tre jetimët. Për të siguruar bukën e gojës për vete dhe për fëmijët kërkoi punë. Ku? Te njëri nga “presidentët” e firmave private. Dhe ky, bëri atë që përflitet se e bëjnë tërë kategoria e privatëve shqiptarë – a le të themi një pjesë – i kërkoi seks dhe nëna e re pranoi. Kur presidenti i tha, ndërsa ajo po zhvishej nudo, qw të mbyllte më parë dritaret dhe perdet, gruaja e heroit iu përgjigj: “Gjersa po më shikon zoti se çfarw po bëj për tre fëmijët e mi, le të më shohin të gjithë!!!”

Nga të gjitha etapat e këtyre 200 viteve që ka kaluar populli shqiptar, dy kanë qenë më të rëndat për gruan. Ajo nën sundimin otoman e postotoman dhe tani, nën shoqërinë e ashtuquajtur demokratike dhe që mbahet me paratë e presidentëve, si ai që përmendëm në fillim të shkrimit. Dhuna femërore e periudhës së parë ka qenë e hapur, totalisht e motivuar nga mentaliteti anadollak dhe antik kundër gruas dhe nganjëherë mbështetur në ligj, kurse sot, kamufluar nën poshtërsi, të ashtuquajtura “revolucioni seksual”, apo ndër hashashe grash të pacipa që nën pretekstin e “rebelimeve” duan të flakin çdo cipë njerëzore të femrës, që ajo e ka arritur me aq mundim. Poshtërimi i gruas ka lindur që kur burri nisi të kapardisej si gjeli majë plehut në shtëpi duke sjellë të ardhura ndërsa e shoqja mbante familjen e lindte e rriste fëmijët në mënyrë egërsisht jo prodhuese. Mjafton të sjellim shembullin e një mendimtari universal, si Aristoteli, që thotë: “Për tri gjëra e falënderoj Zotin: Që më lindi njeri e jo kafshë; që më bëri burrë e jo grua; që më bëri grek dhe jo tjetër”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore gruaja shqiptare në disa zona të vendit u emancipua në mënyrë fantastike dhe, nga e shtypur që ishte në familje, shoqëri e ligjet e shtetit, rrëmbeu armët për lirinë e atdheut. 6000 vajza të reja u rreshtuan me armë në dorë. Nga 7 femra të varura prej nazistëve në gjithë Evropën, 5 janë shqiptare. Shikojeni se çfarë furie mori femra shqiptare. Njerëz të goditur me burgje të sistemit komunist, por ama, të ndershëm, kanë pohuar edhe në ditët e sotme kur “emancipimi i sotëm i gruas” i ngjet rrobave të atyre dy gënjeshtarëve për mbretin në përrallën e Andersenit, se, po. Në aksionet e rinisë vinin vajza nga zona verilindore – bir i këtyre zonave është edhe ish kryeministri ynë z Berisha – nuk kishin parë det kurrë dhe që, nuk donin të dilnin me rroba banje dhe, asesi nuk donin të laheshin dhe, sidomos, nuk kishte njeri t’i nxirrte pastaj nga deti. Gruaja shqiptare i ka kaluar fazat e mbylljes me perçe, mbyllje osmane, e cila për disa teoricienë myslimanë nuk motivohet sipas Kur’anit. Poshtërimet e gruas nën natën osmane me lejimin e poligamisë sot janë zëvendësuar me “dashnore”, me lidhje masive të paligjshme të burrave ndaj grave. Sot sapo përmend emrin femër a grua, mëndja u shkon të gjithëve te marrëdhëniet intime. Një ushtari fashist të Duçes, që të shtune e të dielw shkonte në bordellon e repartit, dhe kjo gjë përcaktohej me rregullore, do t’i dukej jashtë përfytyrimit se si, kundërshtarët e tyre të mos kishin bordello dhe, për më shumë, dikush mund të vritej në vend nëse kishte relata intime me ndonjërën nga të 6000 vajzat partizane.

Ne mendojmë se është një maskë luksoze që mbulon skllavërinë moderne të gruas.

Nuk flasim për vrasjen e grave për “nder”. Nuk flasim për poshtërimet seksuale të “presidentëve” privatë, nga raca më e paskrupullt e shqiptarëve postkomunistë, dhe shërimi i shoqërisë shqiptare kërkohet nga “privatizimi i gjithçkaje”. Nuk flasim që nën të ashtuquajturin “revolucion seksual” po jemi përditë dëshmitarë të sa e sa aventurave seksuale që nga fëmijët e deri te pleqtë…janë shumë shëmtira, që ne nuk po i përmendim.

Kemi dikund tjetër. Sigurisht që shoqëria e sotme njerëzore, dhe ajo shqiptare, përpiqet të bëjë hapa të emancipimit të gruas. Me këta gjëra mburren. Në vendin tim, në Shqipëri, partitë janë vënë në garë të vënë për dekoracion gra në pozita drejtuese. Kërkohen edhe përqindje për të treguar avantazhet e tyre. Por çfarë ngjet? Skllavëria e gruas ndaj ambientit maskilist, që e vë deri në krye të kuvendit popullor, deri në zv.minister etj., duket diku tjetër. Gratë nisin dhe imitojnë burrat duke u bërë të dhunshme si ata, të egra si ata, të pamëshirë si ata dhe dalin jashtë natyrës së tyre. Thoshte shumw bukur një gazetare italiane: “Shoqëria shqiptare do të bëjë përpara kur nw krye të saj të jetë një grua. Por jo grua që sillet si burrë, por që sillet me njerëzit si ndaj djalit të saj apo ndaj te dashurit  të saj”