VIT I MADH RILINDËS

974
Sigal

Vitet 2011-2012 na kujtojnë dy ngjarje historike nga më të rëndësishmet të jetës së kombit italian, që po kremton 150- vjetorin e Unitetit të tij shtetëror (“Risorgimento”)– ashtu si kombi ynë shqiptar po përkujton 100- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë (1912-2012). Konica ynë i mençur pati thënë një herë se përkujtimi i ngjarjeve të mëdha mund të kremtohet në dy mënyra: Ose si aheng, karnavale e komedi qesharake ose me dinjitet e madhështi dramatike e tragjike.

Të dy këto ngjarjet që i kremtojmë, kanë pasur e kanë rëndësi vendimtare për historinë e popujve tanë. Uniteti i Italisë ishte një arritje e madhe historike, që kurorëzoi përpjekjet dhe aspiratën shekullore të popullit italian; Uniteti e shndërroi Italinë në një nga fuqitë e mëdha të Europës, siç vazhdon të jetë edhe tani, pavarësisht pasojave të krizës globale. Po rëndësi historike ka pasur e ka edhe 100 -vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, në kushtet, kur edhe gati gjysma tjetër e kombit tonë, Kosova tashmë ka fituar edhe ajo Pavarësinë. Të dy këto data të shënuara janë të shtrenjta edhe për Bashkësinë Arbëreshe, por edhe për gati një milion emigrantë të rinj shqiptarë në Itali, Greqi, Gjermani, SHBA e gjetkë.
Po kalojmë një kohë që na kujton vitin e Madh të kohës së Skënderbeut. Një akt të rëndësishëm e quajmë edhe zhvillimin e aktivitetit të përbashkët të Institutit “MeMe” dhe Shoqatës “Lisi i Arbërit” për kremtimin e dy “Rilindjeve” të shënuara historike. Një kuptim të rëndësishëm ka edhe vizita në Shqipëri e në takimin e sotëm të Antonio Gramshit, Junior, që nderon kujtesën dhe origjinën arbëreshe të gjeniut të Italisë, mendimtarit e personalitetit të shquar të Europës së shek.XX – Antonio Gramshit.
Kur morëm nismën për të themeluar shoqatën me emrin deradian “Lisi i Arbërit” jemi nisur nga dëshira e shqetësimi për atë situatë, disi paradoksale, që ka karakterizuar historikisht marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh të Italisë:”Edhe pranë, edhe larg!”. Duke e pranuar këtë shprehje si një realitet të hidhur të së kaluarës, ne nuk synojmë ta korrigjojmë ose ta redaktojmë Historinë, sepse ajo, pavarësisht se sa, na pëlqen ose jo, është bërë dhe i përket së kaluarës, por ne kemi të drejtën e dëshirën të ndikojmë pozitivisht që të jemi sa më pranë e gjithnjë me njëri-tjetrin. Ne nuk synojmë, gjithashtu, t’u vëmë nota gjithë faktorëve shqiptarë, italianë, europianë e botërorë, që, me ndikimin e ndërhyrjet e tyre, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, të vetëdijshme e spontane,, për mirë apo për keq, kanë përcjellë e ndikuar gjithë rrjedhën e historisë sonë, vetëm duam të përfitojmë nga rrethanat e sotme të mbara për të qenë sa më pranë me njëri- tjetrin.
I them këto, sepse vërej që në diskutimet që bëhen tani për këto dy rilindje, zotërojnë shpesh dy prirje të skajshme: njëra e mbulon Pavarësinë dhe Unitetin vetëm me dafina, e barazon tërë historinë me ditët e sotme dhe vetëm me fitore, kurse prirja tjetër e nxin tërë rrugën e përshkuar, duke fshehur, shtrembëruar të vërtetën historike dhe shkaqet e humbjeve, gabimeve, disfatave se të tilla dukuri i përkasin jo vetëm së kaluarës, por edhe të sotmes; e kam fjalën për të nxjerrë ca mësime prej historisë, për të mos përsëritur gabime të rënda që kanë ndodhur e ndodhin. Unë kam parasysh edhe marrëdhëniet midis komunitetit arbëresh (italo-shqiptar), për bashkëpunimin midis tyre nuk ka interesim të mjaftueshëm jo nga individë të veçantë, por sidomos nga institucione politike, ekonomike, kulturore, që kanë për detyrë funksionale e mundësi reale të ndihmojnë këtë bashkëpunim. Mosinteresimi justifikohet ndonjë herë me faktin se tani ka një numër të madh emigrantësh shqiptarë në Itali; por kjo s’është e vërtetë se edhe ndihma që jepet për grupin e ri të emigrantëve është e pamjaftueshme, edhe këtej, edhe andej dhe s’ka përse të dëmtojë lidhjet tona tradicionale e të lashta me arbëreshët. Do të kujtoj edhe një aspekt tjetër. Është absurde të pohojmë se Shqipëria, Kosova e sotme, por edhe Italia nuk i kanë mundësitë objektive, që të kenë një qendër televizive, gazetareske e kulturore të sigurojë shkëmbim informativ të përhershme, një herë në javë, ose edhe më shumë. Tregohet vëmendje e madhe tek ne që të mësohet italishtja e s’ka asnjë pengesë të dëgjohen stacionet televizive italiane dhe kjo është punë e mirë, por nuk më vjen aspak mirë kur kushtetuta italiane, që ia njeh të drejtat edhe pakicave linguistike, pra edhe arbëreshëve të mësojnë e ta përdorin gjuhën amtare, por po kalojnë vitet njëri pas tjetrit dhe nuk zbatohet kjo e drejtë në shkolla shtetërore të bashkësive arbëreshe, përveç nja dy rasteve. Prandaj, takimi ynë i sotëm le të jetë edhe një rast që të na shtyjë të ndikojmë të përmirësohet brenda mundësive reale bashkëpunimi i shumanshëm i “Lisit të Arbërit”, që është një lis i madh, i lashtë, me trung të pathyeshëm ky lisi ynë shqiptar me degë të shumta, të shtrira në dherat më të largëta. Duam që ky Lis, me gjithë degët, të selitet, të ushqehet e të forcohet me përpjekjet e ndërgjegjshme të gjithë atdhetarëve shqiptarë, kudo ku ndodhen dhe ku e ndjejnë veten pjesë të tij, që duan lumturinë e jetës së tyre aty ku janë, ku punojnë e jetojnë me nder, duke ruajtuar me dinjitet respektin ndaj Atdheut Amë, por edhe të vendndodhjes dhe që duan të japë fruta të ëmbla, të vitalizohet e të rritë energjitë krijuese të gjithë degëve të saj. Prandaj shoqata jofitimprurëse “Lisi i Arbrit” përsërit mesazhin e saj drejt gjithë filizave të këtij lisi, duke ua kujtuar zbulimin e De Radës “Erdh dita e Arbrit!”, betimin e Naimit: “Ti Shqipëri me jep nder, më jep emrin shqipëtar, /zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr!!” dhe fjalët e guximit të rilindësit tjetër P.Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!”

Konferencë italo-shqiptare
Në kuadrin e veprimtarive Itineraret Gramshiane, On.Mario Brunetti, President i Institutit Mezzogiorno Mediterraneo (MeMe,Cosenza,Itali), Prof. Anastas Angjeli, Rektor i Universitetit të Mesdheut dhe prof. Alfred Uçi, Kryetar i shoqatës “Lisi i Arbërit”, organizojnë sot më 28 korrik Konferencën shkencore të përbashkët shqiptaro-arbëreshe, kushtuar 140 vjetorit të Unitetit shtetëror të Italisë dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Konferenca do të mbahet në ora 10 në Godinën e Universitetit të Mesdheut, Bulevardi “Gjergj Fishta”, Nr.52, Tiranë. Për të pranishmit në fund, në rezidencën e ambasadës italiane në Tiranë, do të jepet një koncert me muzikë popullore shqiptare nga Antonio Gramsci Jr. Po në kuadrin e Itinerareve Gramshiane, para një jave, në 21 korrik, në Plataci të Italisë u zhvillua një konferencë e ngjashme me pjesëmarrjen e shumë studiuesve të shquar nga të dy vendet. Para dy ditësh, grupi i studiuesve italianë që ka mbërritur në Shqipëri, udhëtoi për në Gramsh, vendorigjina e revolucionarit të shquar italian, Antonio Gramshi.