Viron Bezhani:Vllahët, historia e një populli krenar që nuk ishte kurrë një shtet

1323
Sigal

Pa një shtet zyrtar, ata si një nga popujt më të vjetër në Europë, kanë arritur të mbijetojnë brez pas brezi

Edhe pse pa një shtet zyrtar të tyre, një nga popujt më të vjetër në Europë, vllahet, kanë arritur të mbijetojnë brez pas brezi, shekull pas shekulli, për të mbërritur deri në ditët e sotme, ashtu, fisnikë dhe kokë lartë, duke i bërë ballë çdo vështirësie. Lufta e vllehve për mbijetesë ndër shekuj për të drejtat e tyre kombëtare, për ruajtjen e traditave dhe besimit të tyre, është padyshim një fakt shumë domethënës dhe që vlen për t’u admiruar. Një popull që është nëpërkëmbur me brutalitet dhe egërsi, në kërkim të lirisë dhe të drejtës. Ata edhe pse në vështirësi të mëdha, kanë arritur të lënë gjurmë kudo që kanë jetuar, kryesisht në vendet e Ballkanit, si në Greqi, Maqedoni, Rumani, Bullgari, ish-Jugosllavinë dhe natyrisht në Shqipëri. Pikërisht kjo shpërndarje e tyre në disa vende të Ballkanit i bën ata të veçantë, pasi nuk kanë një shtet të tyren dhe për të ruajtur zakonet e tyre ata kanë dashur të luftojnë kudo që kanë qenë. Megjithëse vllahët nuk kanë patur një unitet kombëtar, pasi qendrat e tyre të banimit kanë qenë të veçuara e të largëta, ata kanë patur ndër shekujsh marrëdhënie të caktuara mes tyre. Tradita e marrëdhënie që nuk u prekën dhe kur Ballkani u pushtua nga turqit. Ekzistenca e vllehve në Ballkan daton që në shekullin e 6-të të erës sonë, me ndërtimin e një numri të madh fortesash dhe vendesh strategjike, të cilat ekzistojnë ende edhe sot. Ata kanë gjuhën e tyre, një dialekt i veçantë i rumanishtes, po ata flasin edhe gjuhën e vendit ku jetojnë. Por studime të ndryshme thonë se ata kanë ekzistuar në gadishullin ballkanik kohë më parë. Fakt është se ata janë një popull me histori të lashtë, madje ka edhe nga ata studiues që thonë se vllehët kanë origjinë ilire. Gjithsesi, vllahët janë sot të shpërndarë në një territor shumë të gjerë në Ballkan dhe mendohet se kanë një popullsi që i kalon 1 milion banorë. Vllehët edhe pse të shpërndarë në zona të ndryshme të Ballkanit kanë arritur të ruajnë traditat e zakonet e tyre, veçanërisht në veshje e dialektin e gjuhës së tyre. Ata kanë mbijetuar edhe pse kanë bërë luftëra të ashpra e të vazhdueshme për t’i shkombëtarizuar. Duke qenë se ata kanë qenë të shpërndarë në territore të ndryshme në Ballkan ata nuk kanë mundur dot kurrë që të realizonin ëndrrën e tyre për një bashkim kombëtar. Grupet e ndryshme vllehe, sipas vendit ku jetojnë kanë edhe emrat e tyre që njihen nga të gjithë. Sot në Shqipëri i gjen në fshatrat e Gramozit, në Korçë, në Përmet, në rrethinat e liqenit të Ohrit dhe atij të Prespës, në Resnjë i dhanë disa qytete kosovare si: Prizren, Pejë apo edhe në Shkup të Maqedonisë. Ata janë një popull që kanë lëvizur gjithnjë, ndaj dhe sot vendbanimet e tyre janë të shumta. Në Shqipëri ata janë vendosur fillimisht në jug-lindje të vendit, për të lëvizur më pas në Shqipërinë e Mesme dhe atë Perëndimore. Marrëdhëniet e vllehve me Shqipërinë gjithnjë janë konsideruar të mira dhe për këtë ka dokumentacione e fakte, që kryesisht datojnë në kohën kur në jugun e Shqipërisë sundonte Ali Pashë Tepelena. Qëndrimi i tij ndaj vllehve ka qenë i favorshëm dhe i ka përkrahur gjithnjë në betejat e shumta që ata kanë bërë, në luftërat e tyre për liri dhe të drejtat e tyre. Vllahët janë një popullsi që kryesisht jetonin në zonat malore ndaj dhe puna e tyre ka qenë kryesisht blegtoria e bujqësia. Për pasojë, famë të madhe kanë prodhimet e tyre të qilimave, batanijeve e velenxave. Që në kohët e hershme, një numër i madh i fiseve vllahe në vendin tonë janë strehuar në krahinën e Zagorisë, në Leshnicë, Llaka, Suli, Baisa, Grebenisht, Makrini etj.. Gjatë viteve të komunizmit edhe vllahët u përfshinë në vorbullën e politikave socialiste, ku u sekuestruan kopetë e tyre dhe pronat e tyre u bënë pjesë e kolektivizimit. Gjithsesi, politika ndaj vllehve nuk ishte armiqësore, pasi ata u mbështetën nga shteti i atëhershëm dhe iu nën shtruan programeve shtetërore për jetën e tyre sedentare. Ndërkohë që, me ardhjen e demokracisë edhe për ta janë krijuar mundësi të reja për të ardhmen. Sot ata janë qytetarë të barabartë të Shqipërisë dhe megjithëse në një pjesë të tyre ka harruar traditat shumica vijon ende të të ruajë doket e zakonet e lashta, duke i transformuar disi për t’iu përshtatur kushteve. Ata kanë ruajtur traditën e kostumeve kombëtare, si kostume të jetës së përditshme apo të festave kombëtare. Por me kalimin e shekujve edhe traditat e tyre kanë pësuar një sërë transformimesh dhe veshjet e tyre sot shihen gjithnjë e më rrallë. Duke qenë se popujt e Ballkanit kanë pak a shumë zakone të ngjashme edhe ato të vllehve kanë ngjashmëri me popujt e tjerë të Gadishullit, ndonëse me kalimin e viteve zakonet e tyre kanë patur edhe influenca nga jashtë. Vllahet shqiptare kanë ruajtur shumë besëtytni nga zakonet e vjetra të trashëguara, të cilat edhe pse kanë ardhur drejt zhdukjes kanë mbetur të gjalla ende edhe sot. Zakone që u kanë bërë ballë luftërave të shumta për mbijetesë, ngjarje që kanë tronditur e ndryshuar rrjedhën e historisë së Europës e ku natyrisht të përfshirë ka qenë edhe populli vllah, ndonëse i ndarë në vende të ndryshme të rajonit. Është pikërisht kjo histori plot ngjarje, këto zakone e tradita të ruajtura edhe sot brez pas brezi që e bëjnë këtë popull kaq fisnik dhe që tregon e konfirmon pasurinë e tyre të madhe shpirtërore. Vllehët kanë kaluar shumë vështirësi e drama në jetën e tyre, por ata kanë ditur të ecin përpara dhe të tregojnë se janë krenar në këtë rrugëtim të gjatë disa shekullor dhe sot janë pjesë e qytetërimit europian.