Viron Bezhani/ Shtet me dy standarde, qan qindarkat e fal milionat

541
Sigal

Në një krah kërkohet penalizmi i shkeljeve të vogla dhe në anën tjetër harrohen abuzimet disa milionëshe të drejtorit Çobaj

 Arsyeja që e nisa këtë shkrim ishte një njoftim publik i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) për kallëzimin penal që i ka bërë disa punonjësve të QSUT-së, në lidhje me një hetim për “shpërdorim detyre”, pasi ishin punësuar mbi organikën mbi 100 persona. Shumë mirë që KLSH ka kryer detyrën e saj në këtë institucion të rëndësishëm, por nuk mund të thuhet se ajo ka pasur të njëjtin metër matës kur ka kryer kontrollin e saj pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NjMLF). E them këtë pasi vërej një trajtim me dy standarde nga ana e shtetit i problemeve të hasura në administratën publike. Rasti i QSUT-së është një përpjekje për të goditur në ditët më të nxehta të fushatës një institucion të rëndësishëm si shëndetësia e për të thënë se punohet. Në këtë kallëzim penal flitet për një dëm që i është bërë buxhetit të shtetit nga QSUT-ja, një shkelje e disiplinës financiare ndonëse ky nuk është një dëm ekonomik. Nëse vërtet do të flasim për një dëm ekonomik, madje me përmasa të mëdha, atëherë le të shkojmë pranë Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, aty ku KLSH-ja çuditërisht nuk nxori asnjë shkelje! Them çuditërisht, pasi këtu shkeljet e ligjit dhe dëmi financiar që i është bërë buxhetit të shtetit nga drejtori i përgjithshëm Besnik Çobaj është shumë herë më i madh se ai i QSUT-së. Madje do të ishte sikur në peshore të vinim në një anë miun dhe në tjetrin elefantin…

Për këtë arsye them se kemi një shtet me dy standarde, që ankohet se po i ikin disa qindarka nga QSUT-ja dhe bën sikur nuk sheh që është duke humbur milionat, madje miliardat e lekëve nga NjMLF. Janë me dhjetëra shkresat që unë, si një ish-drejtues i Njësisë së Certifikimit pranë këtij institucioni, kam bërë karshi z.Çobaj për qarkullimin në treg të mijërave makina të pacertifikuara. Po sqaroj diçka për lexuesin e mbi të gjitha për atë që luajnë në kazinotë e Tiranës dhe që, për fat të keq, humbasin lekët në ato makina elektronike. Procesi i certifikimit të pajisjeve të lojërave të fatit është proces thelbësor, pasi nëpërmjet tij konfirmohet siguria, rregullshmëria dhe garancia që këto duhet të kenë, në mënyrë që lojtarët të jenë sa më shumë të mbrojtur nga manipulimet që makinerive mund t’u bëhet nga personat që i kanë ato në përdorim. E thënë më qartë, një makinë e pacertifikuar është një pajisje e hapur ndaj manipulimeve nga më të ndryshmet dhe lojtarët janë shumë të cenueshëm kur luajnë, pasi ai vidhet në lojë. Këto makineri janë të jashtëligjshme.

Këtë gjë drejtori Besnik Çobaj e di mjaft mirë, pasi janë me dhjetëra shkresat që unë kam dërguar në adresë të tij, për të cilat është vënë në dijeni edhe Ministri Bode e Kryeministri Berisha. Me anë të këtyre shkresave (nr.prot 743; nr.prot 760 e mjaft të tjera në muajt në vijim) kam kërkuar zbatimin e ligjit për sa i përket certifikimit të pajisjeve të lojërave të fatit. Në ato shkresa ka informacion të detajuar për gjendjen e konstatuar të pajisjeve të lojërave të fatit që kanë në përdorim disa nga shoqëritë organizatore të kategorisë “kazino elektronike” dhe që përdorin makineri të pacertifikuara. Kjo ndalohet me ligj ndaj dhe ju z.Çobaj nuk mund të qëndroni indiferent, duke mos marrë përsipër zbatimin e ligjit. Por çuditërisht këto shkelje të panumërta e shkresa zyrtare Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk i sheh, ose bën sikur nuk i sheh, pasi ashtu i intereson asaj. Për KLSH këto nuk janë shkelje dhe dëm ekonomik. Turp!!!

Dhe ju z.Çobaj heshtni dhe bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërkohë që vetëm në Tiranë janë mbi 8000 makina lojërash fati të pacertifikuara. Dhe të mos harrojmë se secila prej tyre ka një taksë prej 100 mijë lekësh të reja në muaj. Pra, imagjinoni se sa shkon në total humbja që kjo drejtori i bën shtetit, nëse shumëzon mbi 8000 makina të paligjshme me taksën e secilës. Shifra është marramendëse dhe për fat të keq nuk vilet asnjë qindarkë. Kjo po, të dashur drejtues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që është abuzim, madje tepër i rëndë dhe që i kushton shumë jo vetëm buxhetit të shtetit por edhe qytetarit të thjeshtë.

Gjatë kohës që kam qenë drejtori i Njësisë së Certifikimit kam evidentuar disa raste të shkeljes së ligjit nga kompani të ndryshme që operojnë në treg dhe ia kam bërë me dije drejtori të përgjithshëm, z.Çobaj. Por deri më sot nuk është marrë asnjë masë administrative apo nuk është kryer asnjë veprim, këto të detyrueshme me ligj nga ana e tij, ndaj këtyre subjekteve që shkelin ligjin me dy këmbë. Jo vetëm kaq, por në rastet kur unë nuk firmosja, pasi makineritë ishin me probleme, ka qenë z. Çobaj ai që ka firmosur nën emrin tim, duke lejuar hapjen e sallave të reja apo përdorimin e makinerive të jashtëligjshme. Për fat të keq, sot nuk merret më as firma e institucionit për certifikimin e makinave, ose certifikohen makina elektronike enigmë.

Për këtë arsye them se KLSH vepron me dy standarde, që kënaqet se ka zbuluar vjedhjen e disa qindarkave dhe fsheh vjedhjen e milionave, më falni sërish, miliardave. Kryerja apo moskryerja me qëllim e veprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij apo personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta dhe kanë dëmtuar interesat e shtetit përbën një vepër penale të dashur drejtues të KLSH-së. Sot në treg janë mijëra makina të pacertifikuara, prej të cilave do të kishim marrë të ardhura kolosale për buxhetin e shtetit, shumë herë më tepër se ajo shumë që KLSH pretendon të marrë nga QSUT-ja dhe që i paska shkaktuar qeverisë “dëm ekonomik”.

Z.Çobaj, ju kujtoj sërish se institucioni që ju drejtoni nuk është pronë private e juaja, pasi ka filluar të marrë një pamje të tillë duke parë sjelljen tuaj edhe me punonjësit. Detyrat për secilin prej tyre janë të përcaktuara me ligj dhe zbatimi i tyre nuk varet vetëm nga një person i vetëm, ju. Z.Çobaj, ju duhet të bëni zbatimin e detyrave që ju ka ngarkuar ligji, për të cilat ju keni marrë përsipër përgjegjësinë për t’i realizuar, duke zbatuar ligjet në fuqi dhe jo ta shkelni atë. Nëse për vite me radhë ato miliona lekë do të kishin hyrë çdo muaj në arkën e shtetit, atëherë situata ekonomike në vend do të ishte më e mirë, pasi më shumë të ardhura do të thotë më shumë mirëqenie. Por ju vazhdoni të heshtni dhe të mos veproni, ndërkohë që lojërat e fatit tashmë i gjen kudo, në çdo rrugicë, madje edhe brenda një ushqimore! Ky është një turp, por kështu ndodh kur ju e keni katandisur këtë drejtoni në një institucion ku komandoni vetëm ju. Gjatë punës që unë si drejtor i Drejtorisë së Certifikimit, në lidhje me verifikimin e dokumentacionit të shoqërive të ndryshme që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit, më janë krijuar shumë pengesa të paligjshme nga ana juaj. Ju z.Çobaj nuk keni dashur që të dalin shkeljet tuaja dhe keni harruar se ka edhe nga ata që punojnë sipas ligjeve të shtetit. Ju keni harruar se ka edhe nga ata që kanë paguar taksa dhe kanë trokitur në derën tuaj për të kërkuar zbatimin e ligjit nga pala tjetër dhe ju keni heshtur. Ju z.drejtor keni konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Këto janë problematika që shumë njerëz lart në Ministrinë e Financave apo edhe më lart, në Kryeministri, i dinë mjaft mirë, por edhe ata heshtin. E ndoshta edhe pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit heshtin për këto shkelje, që shkatërrojnë çdo ditë qytetarin, pasi ato janë lekë që duhet të shkojnë në arkën e shtetit dhe që më pas kalojnë në investime për qytetarin. Por kjo gjë nuk ndodh dhe kjo situatë në kundërshtim me ligjin nga ane e NjKLF vazhdon prej kohësh. Dhe në këtë rast KLSH kënaqet se ka kapur miun duke vjedhur dhe nuk sheh elefantin që plaçkit. Dhe në këtë rast është me vend shprehja “ruhuni nga ujku, por është çakalli ai që bën kërdinë”.