Viron Bezhani*/Politikanë, në çfarë rruge po e drejtoni rininë shqiptare?

613
Sigal

*Nënkryetari i LSI për Tiranë

Lojërat e fatit po marrin përmasa të mëdha në Shqipëri dhe shpesh ato konsiderohen si “sëmundja e shekullit”, për shkak të varësisë që kanë njerëzit nga këto lojëra. Këto qendra apo kazino ku njerëzit kërkojnë dëshpërimisht fatin e tyre po mbijnë dita-ditës si kërpudha në çdo cep të vendit, madje përveç qyteteve, tashmë edhe fshatrat janë duke u mbushur me këto lojëra, që është kthyer në biznes për pronarët, të cilët po e zgjerojnë këtë fushë në të gjitha hapësirat e vendit dhe në një ves për frekuentuesit. Në qytete tashmë ato i gjen në çdo lagje, në çdo rrugicë, duke qenë gjithnjë e më shumë të dukshme për syrin e njeriut, që tundohet nga kjo mënyrë e re e “provës së fatit” dhe e pasurisë së rreme. Këto kazino dhe lojëra fati po frekuentohen nga të gjithë njerëzit, madje kohët e fundit ky fenomen po përhapet mjaft edhe te femrat, e cila nuk ka qenë realitet disa kohë më parë. Ka nga ata persona të cilët nuk merren me asgjë tjetër, përveçse me baste. Por a është kjo mënyra më e mirë për të kërkuar fatin, apo tashmë ky është kthyer në një ves për frekuentuesit, më së shumti të rinj? Askush nuk e kundërshton faktin se është kthyer në një plagë sociale, e cila për fat të keq po degjeneron në krim, madje edhe brenda familjes. Mjafton të shohësh ditët e fundit rastet e shumta të krimit të ndodhura si pasojë e borxheve të krijuara, apo nga paratë e shumta që njerëzit kanë lënë në baste. “Një drejtor vjedh bankën e tij prej borxhit në baste”, “Një kryefamiljar hidhet nga kati i 4, pasi nuk ka mundësi të shlyejë lekët e lëna në kazino”, “Një familje e shkatërruar për shkak se bashkëshorti i ka lënë lekët në baste”, etj. Shumë raste negative, që shtohen dita-ditës dhe që rëndojnë jetën e shqiptarëve. Dhe çfarë bëhet për të ndalur këtë katrahurë? Asgjë, ose shumë pak. Politikanë, duhet menduar që njerëzit të gjejnë rrugën e duhur, rinia t’i lërë këto vese e të shohë diçka më të mirë, një të ardhme më të mirë e jo me vese. Politikanë, duhet menduar që të ulet kriminaliteti, të minimizohen këto lojëra fati e kazino “vrastare” dhe të mendoheni më shumë për një rrugë më të mirë, veçanërisht për rininë. Një rini të shëndetshme, aktive dhe sportive. Pikërisht rinia është ajo që ndihet më e varur, një rini e cila duhet të shohë dhe të kërkojë një rrugë tjetër, atë të një jete më të shëndetshme dhe pa vese. Por kjo moshë, duke mos pasur rrugëdalje tjetër për të përmirësuar situatën ekonomike, shpreson dhe kërkon zgjidhje në lojërat e fatit apo kazino. Sipas rregullores, në këto lojëra nuk lejohet të hyjnë persona nën moshën 18 vjeç, por kjo gjë nuk zbatohet nga thuajse asnjë prej pikave në vendin tonë. Pse nuk zbatohet ligji dhe pse lejohen që këta të rinj të jenë pjesë e kësaj loje të rrezikshme, që po i gropos çdo ditë e më thellë? Shifrat flasin vetë më mirë se fjalët, pasi në vitet e fundit janë sekuestruar rreth 2800 makina elektronike pa leje dhe pothuajse u eliminua puna në të zezë kur ne krye te drejtorisë së lojërave të fatit ishte AVDI MATA. Por kjo gjë nuk u pëlqeu shumë “Maliqëve” dhe menjëherë e hoqën dhe për 8 muaj,  numri i sallave me leje u pakësua, kurse sallat pa leje kapin një shifër të frikshme (mbi pesëmijë makina). Pra, politikanët shohin më shumë interesat e tyre dhe jo atë të popullit e veçanërisht të rinisë. Një rini që shpenzon shumë për baste dhe harron të shohë se përpara ka një të ardhme edhe më të mirë. Pikërisht sporti është një nga rrugët që kjo rini duhet të ndjekë dhe të zgjedhë, jo vetëm për të hequr dorë nga lojërat e fatit dhe bastet, por edhe për të qenë më e shëndetshme fizikisht. Para të harxhuara dhe asgjë e fituar në baste e lojëra të trukuara, apo fitime të gënjeshtërta, që të nesërmen kthehen në borxhe marramendëse, që krijojnë strese e zhgënjime për një moshë që humbet shpresat.

Politikat e sportit duhet të jenë të studiuara mirë dhe të mbështetura nga të gjithë, jo vetëm qeveritarët por edhe nga komuniteti apo familja. Palestrat e sportit, këndet sportive apo qendrat e fitnesit ku rinia të kalojë kohën e saj me një aktivitet sportiv duhet të jenë ato që të mbijnë në çdo lagje e rrugicë, në mënyrë që rinia të hedhë sytë nga një mënyrë më edukative e të rriturit dhe të largohet nga vesi. E jo vetëm rinia, por edhe fëmijët duhet të edukohen me frymën pozitive që sporti vetëm të ndihmon dhe të jep një shëndet më të mirë dhe, për këtë arsye prindërit duhet të dinë të zgjedhin se çfarë është më e mirë për fëmijët e tyre. Bashkia duhet të dijë të promovojë vlerat e sportit, duke ndihmuar ata që hapin mjedise apo palestra sportive, të cilat i shërbejnë një komuniteti. Të krijojë sa më shumë hapësira për sportin, në mënyrë që rinia dhe fëmijët të kthejnë sytë nga një mënyrë më e mire e të edukuarit, më e shëndetshme. Basketbolli, volejbolli, noti, mundja, atletika e shumë sporte të tjera, që Shqipëria i ka pasur apo krenohej, duhet të jenë ato që të promovohen nga të gjithë. Me sport harrohet stresi dhe rilind një njeri më i shëndetshëm, që nesër i shërben më mirë komunitetit. Ndaj, politikanë në parlament e jashtë tij, kartonat mos i ngrini kot kur bëhet fjalë për rininë dhe sportin, pa ditur se për çfarë votoni, pasi rinia e sporti janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Jeni ju politikanë që duhet të orientoni rininë në rrugën e duhur, duke ndërtuar politika sociale përkrahëse, duke e drejtuar drejt sportit rininë, që të jetë sa më e shëndetshme. Për sportin mos u mendoni vetëm kur shkoni në stadium apo shkoni vetë në palestër, por çdo ditë, pasi ajo u përket të gjithëve, edhe fëmijëve tuaj dhe nuk bëjmë dot pa të. Sot harxhohen miliona lekë për baste e lojëra fati dhe shumë pak për sportin, për ta promovuar, për ta mbështetur dhe përhapur atë, një sport që na krenon e na ndihmon. Përmasat e kësaj plage janë vërtet dramatike, pasi njerëzit që frekuentojnë lojërat e fatit kalojnë depresione të ndryshme, dëshpërime të thella, frikë për të ardhmen si dhe mbeten ndër personat më të padëshiruar në shoqëri. Rinia dhe adoleshentët janë bërë viktimat më të shpeshta të këtij “sporti”, që në fakt vetëm i tillë nuk është. Këto fenomene negative nuk duhet të përhapen në shoqërinë tonë e sidomos te rinia. Prindër, të afërm dhe dashamirës, sot ka ardhur koha që sporti të bashkojë të gjithë, pasi falë tij lihet mënjanë droga, alkooli e mjaft vese të tjera. LRI po bëhet gjithnjë e më shumë aktive në promovimin e vlerave të sportit në vendit tonë, duke afruar të rinj të ndjekin një rrugë të drejtë, larg veseve dhe sjelljeve të gabuara. Pikat e basteve, kazinotë apo lojërat e fatit janë një element shumë i rrezikshëm për shoqërinë, pasi krijojnë pasivitet te popullata, te rinia shqiptare, e cila duhet të jetë aktive dhe sa më e shëndetshme e për këtë arsye duhet të kthejë sytë nga një aktivitet sportiv. Politikanë, mos e lini rininë mënjanë, por përkraheni atë, udhëzojeni si duhet, drejtojeni në një rrugë të drejtë e plot shëndet, të merret me aktivitete sportive, për të krijuar një njeri të denjë për të ardhmen.