Viron Bezhani/Mjediset sportive, alternativa më e mirë për të luftuar ndotjen ambientale

612
Sigal

Mjedisi shqiptar po degradon dita-ditës, teksa ndotjet e shumta urbane dhe më gjerë po i lënë shumë pak hapësirë gjelbërimit, rritjes së një njeriu të shëndetshëm dhe energjik. Nivelet e ndotjes janë nga më alarmantet në Shqipëri, gjendja e mjedisit dhe e natyrës është tepër shqetësuese dhe me problematika që sa vijnë e agravohen. Gjithë kjo ndotje përbën një rrezik serioz për shëndetin e shqiptarëve e veçanërisht të fëmijëve e rinisë. Ky rrezik shtohet edhe më shumë kur sheh se mjediset e gjelbra dhe këndet sportive, ku njerëzit e veçanërisht rinia që kërkon të kalojë kohën e lirë, janë të pakta. Mjedise këto të nevojshme për të rritur një brez të shëndetshëm, mjedise që mungojnë dhe që detyrojnë rininë të kalojë kohën mes kafeneve dhe pluhurave të ndotjes urbane. Kësaj ndotje i shtohet edhe ajo e ujërave sipërfaqësore pranë zonave urbane prej lëndëve organike, të cilat japin ndotje bakteriale të lartë. Statistikat flasin qartë, për një ndotje mikrobiologjike 3-4 herë më të lartë se normat e lejuara. Për fat të keq, në kryeqytetin shqiptar ka një ulje katastrofike të sipërfaqes së gjelbër për frymë. Në Shqipëri kemi një sipërfaqe të gjelbër 2.7 metra katrorë për frymë, kur norma e Bashkimit Europian është 12 metra katrorë për frymë. Shifra alarmante, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë sëmundjet dhe ulin imunitetin e njeriut, që ndihet i pambrojtur në këtë kaos mjedisor. Kjo edhe për faktin se zonat e mbrojtura janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të ndërtimeve pa leje dhe ku nuk mendohet për një mjedis sportiv për rininë, e cila të kalojë shëndetshëm kohën e saj dhe larg ndotjes ambientale. Ky anashkalim që i bëhet sot rinisë shqiptare, që ka pak alternativa për të kaluar kohën e lirë dhe që endet në këtë kaos mjedisor, është një vetë-vrasje për të ardhmen tonë, pasi nuk po rritim si duhet atë që nesër do të jetë forca kryesore e Shqipërisë. Mungesa e një vizioni të qartë për ndërtimin e një Shqipërie të gjelbër dhe edukative po e dëmton gjithnjë e më shumë vendin tonë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duhet të bashkëveprojë më mirë me Ministrinë e Mjedisit dhe Bashkitë përkatëse për ndërtimin jo vetëm të pallateve, por edhe të këndeve sportive si dhe mjediseve të gjelbra, në mënyrë që krahas progresit të mendohet edhe për mjedisin se ku do të rritet rinia e sotme. Ky problem sot është shumë emergjent, pasi ndotja mjedisore nga gazrat dhe uji i pistë po rrezikon shumë jetën e shqiptarëve, që nuk shohin shumë alternativa apo ndryshime. Mjediset e gjelbra, këndet dhe sallat sportive apo edhe palestrat e fitnesit, janë një alternativë e mirë për të luftuar këtë kaos mjedisor, një kaos që nuk po gjen rrugëzgjidhje. Ne duhet të orientojmë gjithnjë e më shumë rininë që të luftojë këtë ndotje duke jetuar shëndetshëm, duke u marrë me sport dhe duke gjetur një mënyrë alternative më të mirë se sa të qëndrojë në kafene, duke kaluar kohën kot. Sporti është arma më e mirë për të luftuar çdo sëmundje, për të qenë gjithnjë i fortë. Natyrisht që mjediset e gjelbra dhe këndet sportive janë të pakta, ndaj duhet vizion për çdo ndryshim urbanistik që bëhet nga qeveria po bashkia, në mënyrë që krahas zhvillimit të mendohet edhe për një mjedis të pastër e sportiv. Pa sport nuk ka zhvillim të mendjes dhe fizikut të njeriut dhe vetëm me sport e me mjedise të shumta sportive mund t’i bëjmë ballë kësaj ndotje urbane, që po na pushton gjithnjë e më shumë.