INTERVISTA me Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Votimi i Shqipërisë kundër SHBA ishte i paqëndrueshëm dhe dritëshkurtër...

Jakup B. GJOÇA

Votimi i Shqipërisë kundër SHBA ishte i paqëndrueshëm dhe dritëshkurtër, jo parimor dhe aspak pragmatik

Vendimmarrja për votën kundër SHBA u bë jashtë parimit gjithëpërfshirës dhe duke mos konsideruar në konsultim institucionet kushtetuese për politikën e jashtme të vendit. Pra, edhe strategjikisht edhe proceduarialisht nuk u veprua drejt në rastin e votimit kundër SHBA për zhvendosjen e ambasadës së tyre në Jerusalem.

Vota kundër e qeverisë shqiptare ne OKB ndaj Rezolutës të Presidentit të SHBA për Jerusalemin, ka ngjallur shumë debat dhe kundërshti në Shqipëri. Prof. Dr. Lisen Bashkurti, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shprehet qartë: Vota e Shqipërisë në OKB kundër Rezolutës së Presidentit Tramp është dritëshkurtër, jo pragmatiste dhe ka dy gabime serioze: Rreshton Shqipërinë kundër aleatit strategjik SHBA dhe gabimi i dytë ka të bëjë me procedurën e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes në politikën e jashtme në Shqipëri. Kjo procedurë nuk respektoi parimin e gjithë përfshirjes dhe as normat institucionale kushtetuese të vendit. Prof. Bashkurti shprehet se Letra e Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta Presidentit Tramp shpreh një shqetësim publik dhe kombëtar. Ndërsa për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, dhe se Kryeministri Rama nuk duhet të fajësojë BE-në, por të kërkojë përgjegjësinë te vetvetja. Prof. Bashkurti fajëson Shqipërinë, që ende nuk ka plotësuar 5 kushtet e BE-së. Prof. Bashkurti në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se zgjidhja e problemit të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri rrëzon një mal paragjykimesh. Si i tillë, lehtëson miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe përshpejton integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Prof. Bashkurti, ju si e interpretoni votën e Shqipërisë në OKB kundër Rezolutës së SHBA?
Në organizatat ndërkombëtare procesi i votimit është një nga momentet më të matshme të politikës së jashtme të çdo shteti. Si i tillë, votimi kërkon një përkujdesje të madhe. Në mënyrë të veçantë, kur votimi lidhet me çështje me sensibilitet të lartë, kur ka të bëjë me partnerë strategjikë, apo përbën një dilemë midis presioneve, apo përplasjeve të mëdha ndërkombëtare, votimi kërkon shumë përllogaritje të qarta, të qëndrueshme dhe afatgjate, pragmatike dhe parimore. Rasti i votimit të rezolutës së AP të OKB kundër vendimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump për zhvendosjen e ambasadës Amerika nga Tel Avivi në Jerusalem është tipik i tillë. Mendoj se votimi i Shqipërisë ishte jo i përllogaritur mirë, i paqëndrueshëm dhe dritëshkurtër, jo parimor dhe aspak pragmatik. Akoma më i gabuar ishte arsyetimi sipas të cilit “Shqipëria i qëndroj koherente votës së vitit 1968…”. Kur gjithë realitetet politike të brendshme dhe ndërkombëtare kanë ndryshuar, nuk mund të ketë koherencë as në politikën e jashtme. Të deklarohet koherencë midis 1968 dhe 2017, do të thotë kthim prapa i strategjisë së politikës së jashtme të Shqipërisë drejt koncepteve të Luftës së Ftohtë, të vetizolimit dhe të anti-Perëndimit. Votimi kundër vendimit të Presidentit të SHBA pati dy gabime serioze. 

Së pari, gabimi kishte të bënte me radhitjen e Shqipërisë përkundër aleatit më strategjik, më të rëndësishëm, më të qëndrueshëm dhe më afatgjatë të Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë shqiptarëve. Aleati strategjik lypët mbështetur me çdo çmim dhe me çdo sakrificë, përndryshe nuk mund të quhet më aleat strategjik. Me aleatin strategjik ndahen edhe arritjet edhe sfidat, edhe sukseset edhe problemet, edhe fitoret edhe humbjet, edhe krizat edhe prosperiteti. 

Së dyti, mendoj se gabimi i dytë ka të bëjë me procedurën e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes në politikën e jashtme në Shqipëri. Kjo procedurë nuk respektoi parimin gjithëpërfshirës dhe as normat institucionale kushtetuese të vendit. Parimi i gjithëpërfshirës është parimi qeverisjes demokratike Evropiane. Ndërsa normat institucionale kushtetuese kërkojnë që në vendimmarrje me rëndësi publike dhe mbarëkombëtare të politikës së jashtme është e domosdoshme të konsultohen Qeveria, ministria e Punëve të Jashtme, komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme dhe Presidenti i Republikës. Vendim-marrja për votën kundër SHBA u bë jashtë parimit gjithëpërfshirës dhe duke mos konsideruar në konsultim institucionet kushtetuese për politikën e jashtme të vendit. Pra, edhe strategjikisht edhe proceduarialisht nuk u veprua drejt në rastin e votimit kundër SHBA për zhvendosjen e ambasadës së tyre në Jerusalem. 

Së treti, do të thosha se krahas votimit kundër dhe pro ka edhe abstenim. Në raste ballafaqimesh të mëdha, kur ka edhe dilema mbi konsekuencat e votimit pro dhe kundër, kur shteti i dhënë është në presione mbi aftësitë e veta përballuese, kur është në një situatë konjukturale delikate midis partnerëve seriozë, ose, kur vetë partnerët më të mëdhenj të tij ndahen për çështje të caktuara, atëherë është i rekomandueshëm abstenimi. Abstenimi shpreh një pozicion mosveprues, as pro dhe as kundra. Si tillë, është relativisht më i arsyetuar edhe nga partnerët strategjikë. Abstenimi është më shumë bartës i konjukturës dhe më pak bartës i qëndrimeve substanciale në politikën e jashtme. 

A duhej qeveria shqiptare në këtë kohë të pranonte ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri në 1940?
Zgjidhja e problemit të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri në vitin 1940 është një çështje që ka tensionuar pa nevojë dy vendet. Është një problem i trashëgimisë të së kaluarës. Në botë ka modele dhe përvoja të ndryshme. Kjo që ndoqëm neve me zgjidhjen e fundit është një prej këtyre modeleve dhe përvojave. E gjykoj që u gjet një zgjidhje pa të humbur. Është një çlirim nga një brengë e së kaluarës. Është një ngritje mbi paragjykimet e vjetra. Është vështrim përpara. I hap rrugë përmirësimit të marrëdhënieve edhe në qasjet historike. Shqipëria hodhi një hap përpara në zgjidhjet e çështjeve historike. Le të presim çfarë hapi do hedhë Greqia ndaj zgjidhjeve të problemeve të trashëgimisë historike me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nëse ky vendim i qeverisë së Shqipërisë është në kuadrin e kompromiseve diplomatike me qeverinë greke për të marrë përkrahjen e saj për votën në BE për hapjen e negociatave, a ia vlen? 
Në rrugën drejt integrimit në BE, çdo hap që i shërben politikës së fqinjësisë së mirë është pozitiv. Në mënyrë të veçantë, vendet e Ballkanit kanë një mal me paragjykime midis tyre. Kanë mure të vjetra ksenofobie. Këto mure duhen rrëzuar me çdo lloj sakrifice. Mendoj se zgjidhja e problemit të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri rrëzon një mal paragjykimesh. Si i tillë, lehtëson miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe përshpejton integrimin e Shqipërisë drejt BE. 

Ju si diplomat, si e komentoni heshtjen e qeverisë shqiptare dhe të diplomacisë sonë për vrasjen e shtetasit shqiptar në Francë nga keqtrajtimi i policisë franceze?
Është një rast i dhimbshëm, por jo i pari dhe as i vetmi. Përkujdesja e Shtetit Shqiptar për shqiptarët kudo në botë është detyrim kushtetues. Mirëpo Shqipëria ka jashtëzakonisht shumë emigracion dhe vazhdon të ketë sërish emigrim aktiv edhe sot e kësaj ditë për shkaqe social-ekonomike. Mesa duket problemi emigrantëve është më i madh, sesa kapaciteti ynë shtetëror për të adresuar sfidat e saj. Nevojiten përmirësime të mëdha institucionale, infrastrukturore, diplomatike e konsullore, logjistike dhe financiare për t’u marrë më seriozisht me sfidat e emigrantëve shqiptarë kudo në botë. Edhe struktura aktualë, ndonëse e pamjaftueshme mund dhe duhet të bëjë më shumë për emigrantët shqiptar. Është një prej çështjeve më sensitive të qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Mendoj se ambasadat dhe konsullata tona punojnë jo mjaftueshëm, jo me shpejtësi dhe jo në mënyrë dinamike për çështjet e emigrantëve. Edhe rasti që ju pyetni reflekton avashllëk të diplomacisë tonë në Francë. Gjithsesi, tani nevojitet të presim ekspertizën mjeko-ligjore të Francës përpara se të analizojmë rastin në fjalë dhe përgjegjësitë e palës franceze apo shqiptare në këtë ngjarje tragjike. 

Cili është faktori kryesor që ende Shqipëria nuk mund të hapë negociata me BE për pranimin e saj në BE?
Janë pesë prioritete të stërpërsëritura nga Komisioni i BE për Shqipërinë, por akoma të pa realizuara plotësisht nga Shqipëri: reforma administrative; reforma në drejtësi; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar; respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën e pronës dhe atë të komunitetit rome. Janë pesë prioritete, por kërkojnë një mal me punë për t’u realizuar plotësisht, ose në masën më të madhe të tyre. Aktualisht, në krye të prioriteteve ka dalë reforma në drejtësi. Shanset për hapjen e negociatave janë të mëdha. Por, gjithë skenarët janë të hapur…Nevojitet më shumë punë dhe më pak propagandë, më shumë efikasitet dhe më pak retorike, më shumë realizime dhe më pak reklamime, më shumë modesti dhe më pak eufori. Reformat i kemi për veten tonë dhe jo për t’i shitur në BE. 

Disa herë kryeministri Rama përgjegjësinë e ka adresuar tek udhëheqja e BE, për mospërkrahje të integrimit të Shqipërisë në BE. Sa të drejtë ka kryeministri Rama?
Historia e marrëdhënieve midis Shqipërisë me Evropën nuk ka qenë gjithmonë histori suksesi. Kjo histori ka lënë gjurmë në ndërgjegjen e të dy palëve. Këto gjurmë herë herë marrin trajta fobie të të dy palëve ndaj njëra-tjetrës. Por, duke lënë pas historinë, mund të themi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Evropën nuk kanë qenë kurrë më të afërta se në kohën tonë. Asnjëherë interesat dhe vlerat ndërmjet Shqipërisë dhe Evropës nuk kanë qenë kaq pranë e në mjaft aspekte të përputhura. Në këtë situatë të mrekullueshme e gjykoj se është e panevojshme të anatemojmë Evropën në filozofinë dhe frymën e së kaluarës dhe, aq më pak, kur problemet janë midis nesh dhe përgjegjësia për t’i adresuar ato është e jona. Do ishte më realiste, më e dobishme dhe më e drejtë t’i vëmë gishtin vetvetes, përpara se t’ua drejtojmë të tjerëve. Koha, kur për fajet tona fajësonim të tjerët, ka kaluar, për të mos u kthyer më. 

Letra e Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta Presidentit Tramp shpreh një shqetësim publik dhe kombëtar
- Sipas Jush, çfarë shpreh letra që Presidenti Meta i drejtoi Presidentit Tramp?
- Letra e Presidentit të Republikës, Ilir Meta drejtuar Presidentit të SHBA lidhur me votimin e Shqipërisë kundër vendimit të Tij mbi zhvendosjen e ambasadës së ShBA në Jerusalem shpreh shqetësimin e Kryetarit të Shtetit për këtë votim në përmbajtjen e tij si dhe në procedurën sesi është marrë vendimi nga Qeveria Shqiptare. Letra e Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta shpreh një shqetësim publik dhe kombëtar. Në thelb letra dëshmon se politikëbërja dhe vendimmarrja në politikën e jashtme të Shqipërisë në këtë votim kundër SHBA nuk pasqyron gjithëpërfshirjen dhe as konsultimin institucional të organeve kushtetuese të vendit, siç janë krahas Ministrisë së Punëve Evropianë dhe të Jashtme, edhe Parlamenti dhe Presidenti. Për konsekuencë, letra do të thotë se votimi i Qeverisë Shqiptare kundër SHBA nuk reflekton vullnetin e gjerë politik publik dhe mbarëkombëtar shqiptar. Së fundi, mendoj se letra e Presidentit Meta vë në dukje faktin se edhe në çështje shumë të mëdha ndërkombëtare politika shqiptare është akoma e ndarë. Këtë ndasi e krijon mungesa e filozofisë së konsensusit për çështje me rëndësi publike dhe kombëtare.

1. Mendoj se votimi i Shqipërisë ishte jo i përllogaritur mirë, i paqëndrueshëm dhe dritëshkurtër, jo parimor dhe aspak pragmatik. Akoma më i gabuar ishte arsyetimi sipas të cilit “Shqipëria i qëndroi koherente votës së vitit 1968…”

2. Votimi kundër vendimit të Presidentit të SHBA pati dy gabime serioze. Së pari, gabimi kishte të bënte me radhitjen e Shqipërisë përkundër aleatit më strategjik, më të rëndësishëm, më të qëndrueshëm dhe më afatgjatë të Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë shqiptarëve.

3. Së dyti, mendoj se gabimi i dytë ka të bëjë me procedurën e politikë-bërjes dhe vendimmarrjes në politikën e jashtme në Shqipëri. Kjo procedurë nuk respektoi parimin gjithëpërfshirës dhe as normat institucionale kushtetuese të vendit

4. Faktori kryesor që ende Shqipëria nuk mund të hapë negociata me BE për pranimin e saj në BE janë pesë prioritete të stërpërsëritura nga Komisioni i BE për Shqipërinë, por akoma të pa realizuara plotësisht nga Shqipëri

5. Përkujdesja e Shtetit Shqiptar për shqiptarët kudo në botë është detyrim kushtetues. Mesa duket problemi emigrantëve është më i madh, sesa kapaciteti ynë shtetëror për të adresuar sfidat e saj. Nevojiten përmirësime të mëdha institucionale, infrastrukturore, diplomatike e konsullore, logjistike dhe financiare për t’u marrë më seriozisht me sfidat e emigrantëve shqiptarë kudo në botë

6. Mendoj se zgjidhja e problemit të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri rrëzon një mal paragjykimesh. Si i tillë, lehtëson miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe përshpejton integrimin e Shqipërisë drejt BE