Vili Minarolli/ Me sa e merr një votë, zotëri?!

711
Hekuran Sana kishte mbi dy orë që priste jashtë derës së madhe të Kuvendit dhe sytë nuk ia shqiste një dere të vogël, nga e cila hynin apo dilnin njerëzit në godinën hijerëndë. Kishte ardhur edhe një javë më parë, kështu si sot, por së bashku me djalin dhe priste të takonte të njëjtin person, që ishte deputeti i zonës. Para disa ditësh i ishte kthyer djali nga jashtë vendit, nga këmbëngulja e të atit, sepse kishte marrë premtimin e deputetit për ta rregulluar në një vend pune, “që do ia kishin zili” të gjithë moshatarët e tij. Ishin ditët e entuziazmit pas fitores të deputetit dhe të forcës të tij politike dhe ai i kishte premtuar Hekuranit se djalin do e rregullonte në një vend sipas diplomës që kishte. Hekurani ishte kryetari i partisë të fshatit dhe në takimin e parë me kandidatin për deputet nga partia e tij i kishte treguar se veç dy fëmijëve të tjerë, një djalë dhe një vajzë, kishte edhe një djalë më të rritur që kishte studiuar jashtë dhe sapo ishte diplomuar. Në këto e sipër kandidati i kishte thënë:” Po ti djalin e rrite dhe e shkollove që të mbetej andej?” Duket se kjo pyetje e kishte ngacmuar Hekuranin. 

“E kush është ai prind që nuk e do evlatin pranë?Puna është se ja erdhi, a do mund të gjej një punë për shkollën që ka mbaruar?” Kandidati i ishte përgjigjur menjëherë:” E kush nuk e merr atë me shkollën që ka bërë? Ja po ta them unë dhe mbaje mend. Po qe se fitoj unë dhe partia jonë, të jap fjalën se do e rregulloj djalin në një vend pune, që do ta mbushë shtëpinë me para. Me këto fjalë, pas fitores, Hekurani filloi t’i mbushte mendjen të birit që të kthehej dhe të fillonte punë në vendin e tij” . Po ku do të punoj, baba?- e kishte pyetur i biri. Hekurani i kishte përmendur deputetin dhe premtimin e tij” . Deputeti ynë është njeri me shumë peshë dhe me siguri do të rregulloj në një vend shumë të mirë. Ndoshta edhe në qeveri, pranë ndonjë të madhi. “I biri pas diplomimit kishte bërë rreth gjashtë muaj stazh në një kompani dhe tani po përpiqej mos rregullohej edhe me punë po aty. Mirëpo deri tani premtimet kishin mbetur vetëm fjalë dhe në këtë kohë i erdhi propozimi i të atit. “ Babi unë do vi, por po nuk isha i kënaqur me punën që do më japin, do të kthehem përsëri, se një gjysmë llafi e kam marrë nga këta” . Dhe ja një javë më parë, të dy at e bir kishin zënë vend po aty ku po rrinte Hekurani edhe sot. Si duket nga dera e vogël e godinës filluan të dalin njerëz, disa prej të cilëve ai i njohu se ishin deputetë të partisë të tij. Pastaj doli edhe ai që priste, por për një çast iu duk se do të futej përsëri brenda. Në të vërtetë ai u kthye nga dera dhe po bisedonte me dikë brenda saj, duke e pritur që të dilte. Pastaj të dy morën nga dera e madhe e hekurt, që tashmë ishte e hapur aq sa mund të kalonin dy njerëz. Hekurani i doli përpara deputetit të tij, por ky ia bëri me shenjë që të priste dhe Hekurani e kuptoi se duhej të mbaronte bisedën me kolegun. 

-Po zotëri, përse je munduar?
Hekuranit iu duk e çuditshme kjo pyetje. 
-Nuk më njeh, zoti deputet? Jam Hekurani që erdha para një jave me djalin për punë…
-A, po tani mu kujtua! Ai donte shofer në ndonjë ambasadë, po e di ti se është e vështirë? Unë…
-Jo deputet, më ngatërron me ndonjë tjetër. Djali im ka mbaruar jashtë për informatikë dhe …
-Ju erdhët para disa ditësh, kështu? Hekurani i kishte ngulur sytë në heshtje-Më duket se të thashë të shkonte të takonte…
-Shkoi zoti deputet, e takoi dhe…
-Dhe? Filloi?
-E takoi dhe ai i kërkoi pesë mijë euro që ta rregullonte hë për hë provizor në një zyrë…
-Po si kështu hapur ia kërkoi eurot?Mos nuk e keni dëgjuar mirë?
-Ja kështu si ta thashë unë. M’i jep paratë që të të marr në punë…
Deputeti e largoi shikimin nga bashkëbiseduesi i tij dhe po shikonte diku midis pemëve përballë. 
-Në fakt janë bërë shumë shpenzime për fushatën, ja unë akoma jam në borxh, se nuk qenë pak ato që pagova për votat…
-Po ne t’i dhamë votat pa pagesë, zoti deputet. 
-Nuk e kam fjalën për ju, se ju jeni të partisë dhe sigurisht për ne do të votonit. Po ata të tjerët që e mbanin një votë sa frëngu pulën. 
-Zoti deputet, ka ndonjë shpresë për djalin, se ti u bërë shkak që ai la punën andej ku ishte dhe erdhi me fjalën tënde. 
-Po dhe unë për mirë u përpoqa, po ti e kupton sa vështirë është!…Pastaj janë edhe ato partitë e koalicionit që duan pjesën e tyre…
-Pra shkurt muhabeti, të mos mbaj asnjë shpresë se mund të më bësh gjë?
-Vështirë është miku im…
Hekuranit desh i shpëtoi të thoshte: “Miku i sat ëme. “ I ktheu kurrizin dhe u largua, duke e lënë tjetrin pa fjalë. Iu kujtua i biri që do të nisej të nesërmen. Pas takimit me zyrtarin që i rekomandoi deputeti, kishte takuar të atin që e priste jashtë dhe nuk e kishte lënë të fliste:” Këtu o baba ka marrë fund çdo gjë. Më kërkoi pesë mijë euro të më gjente një vend në një zyrë. Se kisha një diplomë dhe një profesion, as që më pyeti fare. E ndava mendjen, javën tjetër do të nisem dhe ç’punë të gjej andej do jem më mirë se këtu”. 
Hekurani nuk dinte çfarë t’i thoshte. Kërkoi ta pyeste edhe një herë se mos i biri nuk e kishte kuptuar tjetrin, por u kujtua se kishte dëgjuar edhen nga të tjerë që e kishin blerë me para vendin e punës. “ Si u bëmë kështu, xhanëm?- mendoi dhe ndoqi të birin që po largohej nga godina, para së cilës kishin qëndruar. 
Tre orë pasi ishte ndarë nga deputeti, Hekurani trokiti tek zyra e kryetarit të komunës dhe hapi derën pa pritur që të njoftonin të hynte brenda. 
-Zoti kryeplak, ti e sheh që jam i zënë dhe të lutem prit sa të mbaroj – i foli kryetari i komunës me një ton që shprehte pakënaqësi. 
-Nuk do ju pengoj, kryetar, vetëm se erdha të dorëzoj vulën. Nga sot nuk jam as kryeplak dhe as kryetar i partisë i fshatit, – dhe la një letër të mbështjellë që mbante në dorë. 
-Dale, dale, zoti Hekuran, e paske marrë me të përpjekur. Vulën mund ta lësh këtu dhe zgjedhim një tjetër në vendin tënd në qoftë se nuk do, po kryetarllëkun e partisë nuk e lë dot kështu, se ka rregulla për këtë punë. 
-E cilat na qenkan këto rregulla?
-Po ato që i di dhe ti, se je i vjetër në këtë detyrë. Duhet të mblidhet organizata dhe…
-Dëgjo o kryetar, vërtet jam i vjetër në këtë punë, po mua deri tani nuk më ka zgjedhur ndonjë organizatë. Kryetar ishte im atë si ish partizan, kryetar mbeta edhe unë pasi ai u plak dhe nuk di që të jenë mbledhur ndonjëherë e të më kenë zgjedhur si kryetar. E kam bërë këtë punë me ndershmëri, po që sot nuk më keni më- dhe duke i lënë të tjerët me gojë gjysmë të hapur nga habia, doli jashtë. Atë pasdite i gjithë fshati e kishte marrë vesh se ç’kishte ndodhur me Hekuranin në zyrën e Komunës. Si zakonisht edhe atë mbrëmje burrat e fshatit ishin në klubin në qendër të fshatit. Hekurani mendoi njëherë të mos shkonte dhe do e justifikonte mungesën me darkën e përcjelljes të djalit, por një zë nga brenda vetes e nxiti të shkonte të dëgjonte si ishte pritur dorëheqja e tij. Hyri brenda në klub dhe i bëri përshtypje qetësia që mbretëronte. Zakonisht bisedat në klub bëheshin me zë të lartë, e sidomos kur ndizej debate midis dy grupeve që përfaqësonin dy forcat kryesore politike. Hekurani zuri vend në një nga tavolinat ku ishin ulur edhe tre të tjerë dhe i zoti i klubit i solli një shishe birrë. Sapo e vuri shishen në gojë u hap dera dhe hyri Sabriu, një fqinj i Hekuranit. 
– Erdhi kryeplaku i ri- foli njëri me zë të lartë- 
Sabri, duhet të na qerasësh. 
Sabriu nuk iu përgjigj, po vetëm hodhi një vështrim në sallë dhe u drejtua tek një vend i lirë. 
-Urime Sabri për detyrën!- i foli një i dytë- do lagur se sikur nuk shkon urimi në të thatë. 
Ra një heshtje dhe të gjithë po prisnin ç’do thoshte i sapo ardhuri. 
-Ju po të doni ndonjë gjë nga unë nuk ua kursej, po urim nuk kam…
-Si nuk ke, po a të kishin thirrur për të caktuar kryeplak?
-Për atë punë më thirrën, po unë nuk e pranova dhe u thashë që këtë radhë kryeplakun do e zgjedhë vetë fshati. 
-Po ata ç’thanë, e pranuan këtë që u the?
-Nuk u erdhi mirë, madje nënkryetari tha se nga na dilni ju me këto rregulla? Kryeplakun –tha ai- sipas ligjit e cakton kryetari i Komunës dhe është nga ajo parti që ka fituar zgjedhjet. 
-Po ti ç’u the?
-Ç’u thashë? Ja u thashë atë që duhet t’ua kishim thënë me kohë…Për punën e votave që shumë nga ne i shitën. 
-Po mirë u ke thënë, o Sabri. 
Pothuaj të gjithë kthyen kokat andej nga erdhi ky zë. E kishin njohur zëri i kujt ishte. Ai zakonisht nuk merrte pjesë në debatet e përnatshme për politikën në kryeqytet, sepse nuk bënte pjesë në asnjë parti. Fliste në të rrallë, por për ato që thoshte nuk i dilte njeri kundra. Edhe tani që foli, të tjerët po prisnin se e mendonin që patjetër do thoshte edhe diçka tjetër. 
-Sot Hekurani hoqi dorë nga detyrat që kishte se mbeti i ofenduar që deputeti e gënjeu. Po cilin nga ne nuk e ka gënjyer deputeti, ky që është tani apo ata që shkuan? Të gjithë na premtonin kur donin të na merrnin votën dhe ju të partive kërkonit të na mbushnin mendjen ne të tjerëve, se kandidati i njërës palë ishte më i mirë se i palës tjetër. Është kështu apo jo?
Asnjë nuk iu përgjigj pyetjes, ndërkohë sytë e tyre ishin ngulur tek ai që fliste. 
– Tani doli edhe një marifet tjetër, për ta blerë votën. 
Dhe kush e shiti? Ai që nuk ishte në asnjë parti, se të tjerët bënë atë që u tha partia. E kush doli më i fituar?
Ai heshti dhe vështroi shumë nga ata që po e dëgjonin. Asnjë nuk foli. 
– Hekurani, miku ynë sot u mërzit se e gënjeu 
deputeti. Ai që e shiti votën nuk ka se ç’ti kërkojë deputetit apo kryetarit të Komunës. Dhe unë kisha një propozim si fshat…
Ai priti deri sa fjalët e tij të fundit të ishin dëgjuar mirë. 
-E pra unë do thosha që ne si fshat ta shesim të gjithë votën…Ai heshti përsëri dhe e kuptoi se fjalët e tij kishin shkaktuar turbullim tek të tjerët. I vështroi përsëri me radhë një për një. E kuptoi se dikush donte të thoshte diçka. 
-Fol Riza, si mendon për këtë që thashë?
-Po ja si të them…se ti e ke kollaj, po ne që jemi anëtarë partie…sikur nuk vete…E kupton?
U dëgjuan psherëtima në sallë. Si duket edhe të tjerë mendonin si Rizai. 
-E kuptoj atë që do të thuash ti Riza, po këtu është ndryshimi me atë që kam unë në mendje. Ja të marrim Hekuranin…Hekuran mos të ngelet qejfi që të marr si shembull- iu drejtua tjetrit dhe kur nuk mori përgjigje prej tij, vazhdoi- A nuk votonte Hekurani për partinë e tij dhe na thoshte edhe ne të tjerëve të bënim si ai? Tani a do të votojë më Hekurani për…
-Kurrë më!- të gjithë si me komandë kthyen kokat nga u dëgjuan këto dy fjalë të thëna me shumë inat. Ishte Hekurani. -Kurrë më dhe nuk dua të dëgjoj më për partitë se të gjithë mashtrues janë. Pasoi një heshtje. Pastaj filloi të flasë ai që e kishte ndërprerë ndërhyrja e tjetrit:
-T’i bie shkurt. Asnjë nga ata që janë në partitë nuk mund të thotë më se partia ime është më e mirë se e tjetrit, se deputeti im është më pak gënjeshtar se tjetri… Tani më thoni ju, a kemi parë ndonjë të mirë prej tyre për fshatin në këto vite? Na kanë bërë vetëm premtime dhe gurë në trastë. Atëherë pse ne si fshat të mos e shesim votën, kur të vinë të na e kërkojnë…Dhe kujt t’ia shesim do thoni ju? Atij që paguan më shumë. Të paktën me këtë rast nuk na bëjnë për budallenj dhe diçka shpiem edhe në shtëpitë tona. Hë, si thoni? Se këtë punë ose e bëjmë si fshat ose secili pastaj sipas mendjes të tij. 
Ai priti, ndërkohë njerëzit filluan të flasin me njëri tjetrin me zë. Pastaj u ngrit në këmbë dhe po i vështronte me radhë njërin pas tjetrit. 
-Dëgjoni, këtu jemi një pjesë e mirë e kryefamiljarëve të fshatit. Ka edhe të tjerë që sonte nuk kanë ardhur, kanë patur punët e tyre. Unë them të njihen edhe ata me propozimin dhe pastaj ta vendosim një ditë tjetër. Si thoni?
-Unë për vete jam dakord që sonte- foli njëri me zë të lartë dhe u ngrit në këmbë. 
-Edhe unë dakord jam- foli një i dytë. Pastaj u dëgjuan shumë zëra njëherësh. 
-Unë them të mblidhemi nesër mbrëma dhe e pleqërojmë më mirë para se ta vendosim- foli një i tretë që me zërin e lartë u dëgjua nga të gjithë megjithë zhurmën që po bëhej. 
Dhe kështu e lanë për ditën tjetër. 
Tërë atë ditë në fshat nuk kishte bisedë tjetër veç vendimit për të shitur votat si fshat. Në mbrëmje kur pothuaj u mblodhën nga një për çdo shtëpi, u kuptua se të gjithë ishin me një mendje. Dhe kur u mendua se gjithçka ishte kryer, u ngrit Halili, më i moshuari dhe foli pasi u vendos qetësia. 
-Mirë e vendosëm këtë punë dhe mirë bëmë. Po unë them se tani që nuk kemi as kryeplak, na duhet të kemi një që të flasë në emrin tonë…Se ju e kuptoni, kjo që vendosëm është si të thuash të nxjerrësh një mall në pazar për ta shitur. Po ky malli ynë nuk ka një çmim fiks, e kuptoni, duhet të vëmë një që të bëj pazar me atë që do e blej…
-Drejt e ka Halili, fjalë me vend. Unë them të vëmë Aqifin, se në fund të fundit atij i vajti mendja për këtë që vendosëm. 
-Dakord, Aqifin!- u dëgjuan disa zëra njëherësh. 
Një pasdite nga pranvera e vitit tjetër, kur Hekurani po pinte kafen me të shoqen në verandën e shtëpisë, pa që po vinin drejt tyre kryetarin e komunës dhe një tjetër. E kuptoi përse po vinin se kështu kishte ndodhur edhe katër vite më parë. 
-A do miq, o i zoti i shtëpisë?
-Urdhëroni, si në shtëpinë tuaj-Hekurani u doli përpara dhe takoi duart me ta. Pasi u ulën në krye të divanit, kryetari i komunës, bëri prezantimin e tjetrit. 
-Ti e kupton se zotëria është kandidati për deputet në zonën tonë. Ai që ishte këto katër vite partia nuk e kandidoi më se ti Hekuran e di që vetëm llafe kishte po dy pare punë nuk bënte…Kurse zoti Spiro është krejt ndryshe…
-E di si është puna, o kryetar?- e ndërpreu Hekurani- ti e di se unë kam dhënë dorëheqje edhe nga partia dhe ne si fshat ia kemi lënë në dorë Aqifit këtë punën e votimeve. Si të thotë ai do të bëjmë edhe ne të tjerët. Ti e njeh vetë Aqifin, o kryetar, shkoni takohuni me të dhe ai do ju thotë si do bëhet kjo punë…
-Po Aqifi nuk është i partisë tonë…
-Aqifi asnjëherë nuk ka qenë me ndonjë parti, por ne si fshat atë kemi ngarkuar për të biseduar. 
Të dy të ardhurit e kuptuan se ishte e kotë të zgjateshin më shumë dhe pyetën për shtëpinë e Aqifit. 
-Në këtë orë e gjeni në klub- u tha Hekurani dhe ata morën për nga qendra e fshatit. 
Kur hynë në klub panë shumë fshatarë dhe atë që kërkonin e gjetën në një nga tavolinat në bisedë me të tjerët. 
-Zoti Aqif, Hekurani na tha se duhet të bisedojmë me ty për një punë që kemi ardhur. 
Në sallë u vendos qetësi dhe dy prej atyre që ishin në tavolinë me Aqifin u ngritën për t’u lëruar vendin të sapoardhurve. 
-Urdhëroni, përse është fjala?
-Zotëria është kandidati i partisë tonë për deputet dhe ne kemi ardhur sot të bisedojmë për fushatën…
-Ju mirë se keni ardhur, por për fushatë s’kemi pse bisedojmë se i kemi dhënë karar kësaj pune…
-Si, pa fushatë nuk mund të mendohet një proces zgjedhor se partitë do të shpalosin programet e tyre dhe votuesit…
-Zotëri, se nuk ta mësova emrin…
-Spiro ma thonë, po do të njihemi më mirë…
-Ta gëzosh! Ato programe që thua ti kemi vite që i dëgjojmë dhe nuk na bëjnë ndonjë përshtypje, se njëlloj kanë bënë sa herë janë bërë zgjedhje…Që thua ti zoti Spiro, ty të interesojnë votat dhe ne si fshat do ia japim të gjitha vetëm njërit nga kandidatët, sa vota kemi si fshat dhe bëhen dyqind e tridhjetë e shtatë, …
-Po si ka mundësi zoti Aqif, këtu në mos gaboj janë tre apo katër parti veç atyre që nuk janë në asnjë parti…
-Jo kryetar, këtë radhë ne kemi vetëm një parti, që është partia e fshatit…Ju zotëri me sa e merrni një votë- këtë radhë iu drejtua kandidatit. 
-Nuk ju kuptova !
-Ju a sqaron kryetari i komunës, se e di ai si bëhet kjo punë. E bëri radhën që u zgjodh me disa nga ne, por tani e kemi vendosur të gjithë ta shesim votën dhe t’ia japim si fshat vetëm njëri…
-E kujt do ia jepni?
-Thjesht, ai që paguan më shumë. Prandaj ju pyeta ju me sa e merrni një votë? Gjithsej kemi dyqind e tridhjetë e shtatë. Do pyesim edhe të tjerë që do na vinë si puna juaj dhe do të vendosim. U kuptuam?
-Të them të drejtën nuk kam dëgjuar ndonjëherë këtë që dëgjova këtu. Unë është hera e parë që jam kandidat për deputet, jam biznesmen, merrem me ndërtime dhe mund të merrja përsipër të ndërtoja ndonjë rrugë apo shkollën e fshatit…
-Na i kanë ndërtuar të tjerët para teje. Të gjithë që janë zgjedhur kështu na kanë thënë, po vetëm fjalë, kështu…Hë si thoni, do e jepni një çmim për një votë?
Kryetari i komunës kërkoi leje të dilnin jashtë për të biseduar veçan me kandidatin e tij. 
-Po ti e dije këtë që na thanë këta?
-Diçka kisha dëgjuar po nuk e kisha marrë për të vërtetë. Po tani si mendon?
-Si mendoj unë? Po ku marr vesh unë nga fushata dhe nga votat…
-E di si them unë…ti pastaj bëj si di vetë…Po të marrim këtu të gjitha votat, rregullojmë edhe humbjet që do kemi në fshatrat e tjera dhe e rregullojmë disi situatën. 
-Po si thua ti, se ke edhe eksperiencën tënde, sa dhe ti për një votë?
-Ishte tjetër kur u zgjodha unë, nuk bëra pazar po dikujt i dhashë më shumë e dikujt më pak, sipas gjendjes të secilit. Ai që kishte nevojë e dha votën edhe për njëmijë lekë ose për gjysmë thesi miell, tjetri dy mijë,,, sipas rastit. Në këtë rast ndryshon puna se do futet konkurrenca ose vota do të shitet si në ankand, e fiton ai që jep më shumë…
-Po kundërshtari im kryesor nga biznesi vjen?
-Jo, kam marrë vesh se është doktor, kështu që ti je më i favorizuar, më kupton?
-Atëherë me sa t’u themi?
-Nuk e di po unë them me tremijë…
-Të reja?
-Sigurisht të reja…
Tjetri u duk që po bënte me mend një llogari. Pastaj nxori celularin dhe filloi të llogariste në të. 
-Vete shumë, o kryetar. Po sikur ta bëjmë dy mijë apo dymijë e pesëqind?
-E bëjmë ore sa të duash, po puna është se mos na e merr tjetri…Pastaj po u zgjodhe dhe mundësitë janë, i nxjerr ato që do të shpenzosh me dy tendera rrugësh, apo e kam gabim. Ti i di më mirë se unë këto punë. 
Tjetri dukej se po mendohej. 
-Mirë atëherë, po e lëmë me tremijë dhe besoj ta marrim ne, apo jo?
-Besoj edhe unë. 
Hynë brenda dhe i dhanë shifrën Aqifit. 
-Dhe dëgjoni, po qe se do jeni ju ata që do merrni votat e fshatit, paratë i duam një natë para votimit. Po nuk i morët të gjitha votat për të cilat do paguani, do ju kthejmë paratë për votat që nuk do jenë tuajat, dakord?
Kandidati tha një dakord me zë të ulët dhe me kaq biseda mori fund. U la që përgjigjen do vinte kryetari i komunës ta merrte pas një jave pasi të ishte biseduar edhe me kandidatin tjetër. 
Ai erdhi pas tre ditësh i shoqëruar nga dy drejtues të partisë nga rrethi dhe si me të parin biseda u bë në klubin e fshatit. Aqifi i njohu bashkëbiseduesit me vendimin e fshatit dhe në fund e pyeti kandidatin:
-Sa jep për një votë ti, zotëri?
Tjetri u duk disi i hutuar nga pyetja. 
-Pse mall është vota për ju, zotëri?
– Mall është sigurisht, pse nuk është për ju? Ai shoku yt para katër vjetësh i bleu disa vota, por nuk fitoi. I duheshin më shumë, po atë vit jo të gjithë i shisnin. Tani po dhe po dhe më shumë se ai tjetri, i ke të tuat dyqind e tridhjetë e shtatë vota…
-Dëgjo mik, se shqip flasim dhe nuk po merremi vesh. Për ty vota qenka mall, si të blesh të themi një bostan apo një lakër. Për mua jo dhe ta them sinqerisht se ndjehem i ofenduar nga kjo bisedë…Vota është një mjet në duart e qytetarit për të zgjedhur qeverinë që do të administrojë vendin në katër vitet e ardhshme. Po ç’do të administrojë qeveria, do pyesni ju? Paratë tuaja, ato që paguani si taksa. Po zgjodhët njerëz të mirë do të keni edhe qeveri të mirë, do të thotë nuk do ju vjedhin taksat tuaja, por do i shpenzojë në të mirën e qytetarëve. Ju tani po më thonë që të blej votën tuaj. E pse ta blej, që të bëhem deputet me vota të blera? Unë kam zgjedhur të bëhem deputet që t’i shërbej komunitetit dhe vendit. Po i bleva votat, gjë që nuk e çoj as në mendje, do të thotë që më pas unë të punoj për veten time që të mbledh ato që do të shpenzoj dhe juve të mos u shoh më bojën. Jo zotëri, unë jam mjek dhe gjithë jetën ia kam kushtuar të shëroj njerëz dhe jo të pasurohem. Unë nuk kam para të blej votat tuaja, sado lirë t’i shisni, po edhe po të kisha, nuk do e bëja një gjë të tillë. Me sa duket jam adresuar gabim dhe unë po e mbyll me kaq këtë bisedë. Ai nxori të hollat për të paguar ato që kishte shpenzuar së bashku me ata që e shoqëronin dhe u largua pa i dhënë dorën as atyre që ishin me ta në të njëjtën tavolinë. Por bisedën e kishin dëgjuar edhe të tjerët që ishin në klub atë kohë. Pas largimit të të ardhurve, në sallë ra një heshtje sikur edhe ata që ishin të kishin ndaluar së marrë frymë. Pastaj dy tre u afruan tek tavolina ku qëndronte ulur dhe pa fjalë, Aqifi. 
-Aqif, sikur nuk na vajti mirë kjo bisedë. 
Tjetri nuk foli. Ai e kishte ngulur shikimin e tij në një pikë në dysheme dhe dukej sikur do të bënte një vrimë me atë shikim. 
-Si thua Aqif, do ngelemi me të parin që na dha tremijë për votë?
Të tjerët po prisnin ç’do thoshte Aqifi. 
-Meqenëse vendimin e kemi marrë bashkë, edhe këtë vendim do e marrim përsëri bashkë. Prandaj unë them ta lemë për nesër në darkë dhe aty e vendosim. 
-Po ti Aqif, me cilin variant je?
-Edhe unë bashkë me ju nesër dhe sipas mendimit të shumicës. 
Të nesërmen kur u mblodhën, u duk që njerëzit ishin të ndarë në mendimet e tyre dhe u vendos që të hidheshin në votë. Votimin e drejtoi Aqifi. 
-Do i hedhim të dy mendimet në votë sipas radhës. – Ai heshti dhe hodhi vështrimin në sallë- Atëherë kush është me variantin e parë, që një votë ta shesim me tre mijë lekë copën, të ngrejë dorën? Të gjithë po prisnin të shikonin duart e ngritura, por nuk ishte e papritur për ata që ishin në sallë ajo që panë. Vetëm tre duar të ngritura dhe një buzëqeshje kënaqësie në fytyrat e të tjerëve. 
-Tani të vijmë tek variant i dytë: Kush është…Po nuk e mbaroi fjalën se u panë shumë duar të ngriheshin menjëherë lart. Pastaj një duartrokitje dhe takime duarsh. 
Kur erdhi të nesërmen kryetari i komunës të merrte përgjigje Aqifi i tha se fshati do ia jepte votat njeriut të mirë se për atë kishin nevojë më shumë. 
Sigal