Viktor BAKILLARI: Samiti i Diasporës shqiptare- Një emërtim qesharak

81

Gazeta Telegraf/


Nga Viktor BAKILLARI

 

SAMITI I DIASPORËS SHQIPTARE – NJË EMËRTIM
QESHARAK

(Kundrim gjuhësor)

 

Nga data 18 – 20 nëntor 2016, lajmi kryesor
në Republikën e Shqipërisë, në kryeqytetin e saj –
 Tiranë, ishte “Samiti i Diasporës”.

Si nismë, është e shkëlqyer, madje e vonuar, madje –
madje jo për të përdorur shprehjen e famshme “
doni më për Belulin”; sepse “zani im asht nji za n’shkreti”, por,
për një  çështje të tillë, unë edhe kam shkruar…

***

Thjesht,
më bëri përshtypje emërtimi “
SAMITI I
DIASPORËS
”.

Vini re këto dy fjalë. Le t’i kundrojmë nga ana
gjuhësore.
Çfarë do të thotë fjala “
Samit”.
Mos hapni fjalorët normativë të shqipes, se nuk keni për të gjetur gjë. Dhe,
shumë mirë kanë bërë gjuhëtarët që nuk e kanë futur këtë fjalë, të futur në
terminologjinë diplomatike e politike shqiptare këto vitet e fundit, sepse
Shqipja ka gjegjësit e vetë për termin “
Summit
(shqiptohet
 SAMIT), si:
takim i nivelit të lartë, konferencë, kongres, tubim,  kuvend (sipas
rastit).

***

Se cila ka qenë ajo “mendje gjeniale” që ka
vendosur që “Kuvendi” të quhet “Samit”, eja merre vesh… Nisur nga këta terma,
të jepet përshtypja se ky tubim shqiptarësh u zhvillua (vetëm) sa për sy e
faqe, vetëm për ta marrë vesh bota nëpërmjet titujve se edhe Tirana “po zien”,
dhe, jo për të parë, analizuar e zgjidhur
 hallet dhe shqetësimet tona. Ky tubim është më tepër problem i
brendshëm sesa i jashtëm, edhe pse të jashtmit mund t’i mbajnë veshët pipëz e
mund t’i zgjatin si hinkë për të dëgjuar e marrë vesh gjithçka që bëhet në
Shqipëri.

***

Fjala “Samit” jo vetëm
që është e tepërt, jo vetëm që tregon mendjemadhësi, diturizëm akademik
qesharak; por, kryesorja,  nuk shpreh aspak kuptimin e një takimi të
tillë. Fjala anglo – amerikane “Samit” do të thotë “majë (mali)”, ndërsa në
kontekstin tonë “
Summit
Conference
” është VETËM e lëmit politik (nuk e di nëse
një takim i tillë ishte pastërtisht politik!) dhe do të thotë “konferencë e
nivelit të lartë e kryetarëve të shteteve”, “mbledhje, konferencë ndërkombëtare
e udhëheqësve / drejtuesve më të lartë të shteteve”. E pra, ne nuk patëm
kryetarë shtetesh në këtë përbashkim shqiptarësh…
Pra, siç shihet, kjo fjalë është jashtë teme. Për mua, e pamenduar mirë, e
pagjetur mirë dhe ata, të cilët e kanë futur këtë term në këtë rast, tregojnë
se nuk njohin mirë as gjuhën shqipe, as edhe atë angleze.

***

Kalojmë te fjala “DIASPORË”.

Fjala “Diasporë” është
vërtet interesante. Aq sa është e tepërt, aq edhe nuk është. Është e tepërt,
sepse nuk gjendet në fjalorët normative të shqipes dhe se shqipja ka fjalën e
vetë të brumit truallësor, amtar edhe për këtë fjalë.
 

Nga ana tjetër, shqipja është gjuhë e hapur dhe, për
rrjedhim, nuk është e tepërt sepse është një ndërkombëtarizëm i lashtë dhe
shqipja edhe mund ta regjistrojë në fjalor, nëse ai do të ribotohet.
 

***

Pra, siç shihet lart: llak, lustër, shkëlqim vetëm me
fjalë të huaja.
 

Kush dhe pse dreqin ka(në) fikë nga FJALA SHQIPE?!

Përse nuk i mbush dhe përse nuk i ngop FJALA SHQIPE?!

***

Po çfarë mund të shkruhej, mund të pyesë
shumëkush?

Thjesht, bukur dhe 100 % shqip: “KUVENDI I MËRGATËS
SHQIPTARE
”, do të thosha unë.

***

Fjala: MËRGATË, sipas
Fjalorit të Gjuhës Shqipe, do të thotë:
 Njerëzit e
mërguar në dhe të huaj, mërgimtarët
. Ndërsa fjala (folja)
“mërgohem” do të thotë:
 largohem nga atdheu im për shkaqe politike,
ekonomike etj. dhe vendosem përkohësisht a përgjithmonë në një vend të huaj
.

Më shqip se kaq nuk ka, çka do të thotë se emërtimi me
fjalë të huaja, jo duket, por është krejt  pa vend.
 

Dhe kulmi, ne duhet t’i porositim mërgimtarët që të
ruajnë e të përçojnë nga brezi në brez gjuhën shqipe!!!

***

Edhe diçka, madje edhe më të rëndësishme:

Si në banderolat përgjatë bulevardit, si në
hyrje të ndërtesës ku u zhvilluan punimet, pra te ndërtesa e njohur me emrin
“Pallati i Kongreseve” (atje zhvillohet përvitshëm edhe Panairi i Librit)
shkruhej:
“DIASPORA SHQIPTARE

TË PANDARË PËR SHQIPËRINË”

Unë nuk mëtoj kurrsesi që ato zonja, ata
zotërinj, ai komision, kushdo qoftë që është marrë me këto punë të presin hollë
apo të bluajnë gjuhësisht imët; por, sipas meje, thënia “TË PANDARË PËR
SHQIPËRINË” nuk qëndron, madje aspak. Për të mos thënë, është gafë e madhe, po
mjaftohem duke përdorur fjalën lajthitje (gabim pa dashje).

Fjala “TË PANDARË”, çalon shumë.

Kësaj fjale, fare lehtë mund t’i shtohet para ose prapa
ndajfolja “ende” dhe ju e merrni me mend se ç’mund të dalë…

Po çfarë mund të shkruhej, vjen natyrshëm pyetja.

Sigurisht, atë që qëndron dhe që normalisht duhet
shkruar.

Në vend të saj, sipas meje duhej të ishte shkruar “TË
PANDASHËM”. Provoni në këtë rast të futni diku fjalën “ende”. Është krejt e
pamundur.
Diçka që është e pandarë sot, edhe mund të ndahet nesër, ndërsa diçka e
pandashme tregon se është e pamundur të ndahet, nuk ka asnjë mundësi ndarjeje.
Dhe, Diaspora (Mërgata) jonë nuk është e pandarë nga Shqipëria, por E
PANDASHME.

Ka dallim shumë të madh, apo jo?

***

Tjetër, për ta mbyllur:

Gjithë ata zotërinj e zonja erdhën në Shqipëri, nga të
katra anët e Dheut me një qëllim të caktuar, në  një farë mënyre, u
(për)bashkuan rreth simbolit tonë kombëtar, rreth flamurit kombëtar.

Po si shpjegohet që në ato banderola mungonte stampimi i
Flamurit Kombëtar Shqiptar, i shqiponjës sonë dykrenore; por ishte një glob i
kuq dhe diçka tjetër e bardhë që unë nuk mundem dot ta interpretoj?
Shpresoj se këto vërejtje kryefund dashamirëse të merren parasysh për kuvendin
e ardhshëm të mërgatës shqiptare.

U bëftë!