Vetingu, shpresa e fundit për shqiptarët e varfër

622
Bardhyl BERBERI 

Me hir a me pahir Vetingu u miratua. “E futën me lugën e këpucëve me zor të madh, tha një i moshuar nga Pogradeci. Por a do të zbatohet dhe si do të zbatohet, a do të kalojnë të gjithë në këtë sitë? Ky është vendi i hajdutëve. Dhe me ‘hajdutë’ nuk i referohem vetëm atyre që abuzojnë me detyrën apo me tenderë dhe koncesione, por dhe ata dredharakë të paaftë dhe të pashkolluar rregullisht, me diploma të blera apo të falsifikuara që qëndrojnë në krye të punëve të rëndësishme të shtetit. Ata ngjitin shkallët e karrierës jo me djersën e ballit, por me servilizëm ndaj shefave apo eprorëve të tyre, duke shkëmbyer burrërinë me privilegjet, integritetin me favoret. Kjo është ajo armata e rrezikshme që hap çdo derë, që nga parlamenti ku ulen si përfaqësues të popullit, deri tek postet e tjera më të larta që marrin nga beniaminët e tyre që drejtojnë partitë. Në çdo derë që trokasim gjejmë një këta gjysmë intelektualë që ndonëse kanë qenë ngelës që në shkollën 8 vjeçare, por kanë marrë medalje ari si sahan lëpirës. Ata gjenden në çdo zyrë, pranë çdo ministri, çdo drejtori, mund të jenë dhe vetë drejtorë. Ata gjendet në parlament, biznes privat, spital, shkollë dhe, padyshim, në çdo pallat. Ata i njohin të gjithë, pasi kanë më shumë vetura luksoze,vila dhe llogari bankare se sa vite shkolle. Madje dihet publikisht se kujt kodoshi i shërbejnë dhe nga ju rrjedhin shumat marramendëse. Ata ngrihen në mëngjes dhe shikojnë veten në pasqyrë, dhe çuditërisht duken të pastër si ujë burimi… 

-Vetigu, pëshpërisnin me njëri tjetrin, na çanë kokën me këtë vetingun, por çfarë do të na bëjnë!… Eh ka ligje, por ka dhe shtigje, ku ne mund të rrëshqasim si ato ngjalat. 

-Ne jemi të virgjër, thotë me qesëndi një tjetër, do të na marrin lekët që kemi vënë por si? Po aq budallenj jemi ne, të mos i kemi siguruar me emra të tjerë…jashtë vendit… Shijojeni luksin, krekosuni vëlla, ata duan të na nxjerrin nga dera, ne do të futemi nga dritarja në parlament… Po ky Blushi ëndrra shikon kur kërkonte të pakësojë numrin e deputetëve nga 140 në 100 deputetë ..Shkurtojeni numrin sa të doni, ne aty do të jemi! Ju, të zotët, profesorët do të ngeleni prapa liste, si Lipe Shtogu… 

I gjen në gjirin e partisë apo në krye të organizatave joqeveritare, ku me paratë e destinuara për të varfrit, pleqtë kënaqin grykësinë e tyre dhe të atyre që i kanë vënë në ato organizata.

Natyrshëm lind pyetja: Po ku janë ata?
Ata janë ish pushtetarë dhe pushtetarë aktualë që i kanë bërë duart pis. Por ata gjenden në universitete ku kërkojnë para nga studentët për të kaluar provimet. Prindërit e shkretë të studentëve marrin kredi nëpër banka për të paguar profesorët. Ato gjenden në administratën shtetërore, ku për çdo shërbim kërkojnë zarfin nën tavolinë. Ato gjenden në gjykata ku ngopin zorrët me gjakun e të pafajshmit. Ata i gjejmë në spitale, farmaci, madje edhe furra buke ku përziejnë miellin me bojë. Ata e kanë mendjen të vjedhin: Të vjedhin tek nafta, të shesin fruta e perime me hormone, të vjedhin vota që i blejnë me thasë me miell. Dhe pasi marrin karrigen pas zgjedhjeve kërkojnë 3-5 mijë euro për një vend pune, kërkojnë favor seksual për një rrogë të ulët shteti. Ata fitojnë tenderë që janë copa të mëdha të mitmarrjes. Ata na dalin në televizor dhe na flasin për shpresën, të ardhmen e ndritur dhe reformat. Me një mal abuzimesh ata qëndrojnë gjithmonë jashtë burgut, nuk iu dridhet kurrë qerpiku dhe gjumin e bëjnë të qetë … Por me miratimin e Vetingut një zë i brendshëm ka filluar t’ua prishi gjumin, ndonjëri që ka bërë shumë zullume ka filluar të flerë me valium . Një ditë njëri syresh prej tyre po blinte valiume në farmaci, ndërsa dy fakir fukarenj po diskutonin për Vetingun me shpresën e madhe që gjërat do të vihen në vend …- E more, iu hakërrua ai dy bashkëbiseduesve …Na çate kokën me këtë Vetingun ju, apo mendoni se Vetingu do të jetë si ato gjyqet partizane…! 
Sigal