Vazhdimësia e stabilitetit politik dhe ekonomik në Gjermani

925
Qemal LAME

Gjermania votoi dhe i dha votën në shumicë Unionit Kristiandemokrat. Me meritë fitoi të drejtën për një mandat të katërt kancelaria Angela Merkel, e njohur si “politikania më e suksesshme evropiane”. Gjermania realizoi zgjedhjet parlamentare me standarde të larta e të pa kundërshtueshme. OSBE i certifikoi ato menjëherë. U verifikuan dhe rezultuan të padrejta pretendimet e të djathtës ekstreme për ndërhyrjen ruse dhe krahasimet me zgjedhjet presidenciale në SHBA. Rezultatet e zgjedhjeve ishin surpizuese. Parlamenti do të formohet nga deputetët e shtatë partive politike. Partitë e qendrës, Unioni Kristiandemokrat arriti 33 për qind, ndërsa Socialdemokratët vetëm 20,5 për qind. Demokracia e njohur gjermane për stabilitetin politik, mori tronditje të fortë me fitoren e të djathtës ekstreme AfD, e cila arriti 13 për qind, hyri për herë të parë dhe u bë partia e tretë më e fuqishme në Parlament. Fituese ishin edhe Partia Liberale, të Gjelbërit dhe Partia Komuniste Demokrate. Dy partitë më të mëdha patën mbështetjen e elektoratit të tyre në rajonet tradicionale mbështetëse. Unioni Kristian Demokrat u mbështet dhe mori më shumë vota në Perëndim dhe në Jug të Gjermanisë. SPD mori votat më të shumta në Niedersachsen, Hessen dhe Nord Westen. Situatë krejt e ndryshme është në Lindje. Të majtët komunistë si përherë ishin dominues. Por kësaj radhe papritur edhe AfD, arriti nivelin e lartë me 26 për qind, duke u bërë partia e dytë me madhe. Mbështetje më të madhe ju dha asaj nga votuesit burra. Spektakolare ishte fitorja me 47,4 për qind, në Dorfschemnitz, ku një në dy persona votoi për AfD. Në asnjë njësi tjetër administrative në Gjermani, nuk u arrit ky rezultat i lartë. Me të drejtë u shtrua pyetja, se përse ndodhi ky ndryshim dhe si u arrit kjo situatë jubilare? 

Përse në masë u votua për AfD-në? 
E djathta populiste arriti të tërheqë më shumë zgjedhës të pakënaqur dhe që nuk merrnin pjesë në votime. Rezultatet më të mira i pati në Lindje, ku ka akoma dallime me Perëndimin në zhvillimin ekonomik, mirëqenien, punësimin, largimin e të rinjve etj. Koalicioni qeverisës CDU/CSU dhe PSD arritën humbjen më të madhe në historinë e tyre që nga viti 1949. Shkaqet e kësaj humbjeje drastike janë kryesisht koniukturat politike ndërkombëtare me të cilat është përballur ekonomia dhe politika gjermane.

Së pari, masat për mënjanimin e pasojave të krizës financiare të vitit 2008, të cilat kushtëzuan dhënien e ndihmave për Greqinë që të shpëtojë nga falimentimi shtetëror, kishin edhe koston financiare të paguar nga taksapaguesit gjermanë. Gjermania dihet se është financuesja kryesore e buxhetit të Bashkimit Evropian dhe dha ndihmën më të madhe për Greqinë, Portugalinë, Spanjën, Italinë etj. Në Gjermani u ul në përmasa të mëdha numri i të papunëve, por pagat dhe pensionet e ulëta, shkaktuan pakënaqësi për rënien e nivelit të jetesës, megjithëse standardet mbeten më të larta se në shtetet e tjera të zhvilluara të Evropës Perëndimore. 

Së dyti, krizat politike në rajonet e tjera si në Ukrainë, aneksimi i Krimesë nga Rusia, Lufta në Siri, marrëdhëniet me Turqinë etj., imponuan angazhimin konkret të politikës gjermane, në aleancë me partnerët strategjikë si SHBA, Francë, Angli etj.

Së treti, politika e emigracionit nuk u mbështet gjerësisht nga partitë politike dhe nga populli. Pritjet entuziaste të emigrantëve në vitin 2015, u zëvendësuan, në vitin 2016, me kundërshtime, debate të fuqishme dhe masa shtetërore jo të unifikuara nga Qeveria Federale dhe Landet. Distancime më të mëdha pati midis vetë unionit CDU me CSU. Landi i Bavarisë kundërshtoi politikën qeveritare të dyerve të hapura për emigrantët, vlerësoi e mori si shembull Hungarinë që mbylli kufijtë e ndërtoi klonin hekurt, si dhe vendoi kontrollin kufitar me Austrinë, nga ku vinin refugjatët nga Turqia nëpërmjet Ballkanit. 
Koalicionin qeverisës nuk arriti të dëshmojë vitalitetin e nevojshëm për parandalimin e këtyre shkaqeve. Unioni CDU/CSU humbi rreth 5 për qind të elektoratit. PSD ishte humbësi më i madh në këto zgjedhje, me afro 10 për qind.Rënia historike e mbështetësve të PSD, shkaktoi me të drejtë tronditje të thellë në këtë parti. Programi politik i bazuar në parullën: “Es ist die Zeit für Gerechtigkeit” (koha për barazi e drejtësi), si dhe kandidati për Kancelar, Martin Schulz, nuk arritën të bindin dhe të garantojnë fitoren. Në debatin midis Merkel dhe Shulz rreth 30 minuta iu kushtuan qendrimeve të ndryshme ndaj politikës së Erdoganit dhe marrëdhënieve me Turqinë. Kjo ndikoi që të mos përqendrohej vëmendja ndaj problemeve aktuale për ekonominë, punësimin, barazinë e propaganduar etj. Nga pyetjet e zgjedhësve, doli se 66 për qind e tyre, thanë se PSD nuk tha konkretisht se çfarë do të bënte për barazinë e qytetarëve. 61 për qind mendojnë, se në PSD mungon tema kryesore dhe nuk arrin të kënaqë kërkesat e mbështetësve të saj, 66 për qind mbështesin mendimin se socialdemkratët u pozicionuan pak kundër politikës së Merkel. Të anketuarit nuk arrinin të argumentonin se çfarë kërkohet të bëjë një parti qeverisëse për të pasur sukses dhe të mënjanohet rënia e mbështetjes nga populli. Marrëveshja midis partive për krijimin e koalicionit qeverisës pritet të realizohet me shumë vështirësi dhe lëshime reciproke, deri në fund të muajit dhjetor 2017. Dy alternativa të mundshme janë: koalicioni i gjerë midis CDU/CSU dhe PSD, si dhe koalicioni CDU/CSU me FDP (liberalët) dhe Bundis 90 (të gjelbërit), cili njihet me emërtimi Koalicioni Xhamajka, për shkak të tri ngjyrave që identifikon partitë. Vazhdimësia e koalicionit aktual qeverisës, kushtëzohet nga qëndrimi i Socialdemokratëve. Menjëherë, pas njoftimit të rezultatit të zgjedhjeve, Martin Shulz pranoi humbjen dhe deklaroi se PSD do të kalojë në opozicion të fortë kundër Qeverisë, si dhe nuk do të bëhet pjesë e koalicionit të ri qeverisës. Edhe në tryezën politike të shtatë partive që fituan zgjedhjet, ai i tha Merkelit: Kënaqu me fitoren, por PSD nuk do të bëhet bashkë qeverisëse. Do të qëndrojmë në opozitë. Parlamenti ka nevojë për një opozitë të fortë.” Merkel theksoi dobinë e koalicionit midis CDU/CSU dhe PSD. Ajo theksoi se ne jemi fitues të zgjedhjeve dhe mbetemi dy partitë kryesore. nuk duhet gjykuar emocionalisht. Nuk mund të jetë qëndrim përfundimtar një vendim i marrë pas 5 minutave nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Interesat madhore të vendit kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga neve për çështjet kombëtare. Kemi qeverisur bashkërisht për katër vjet dhe kemi arritur rezultate të mira. Humbja e PSD është më e rëndë se e jona, por zgjidhja nuk është refuzimi i koalicionit. Në ditët në vazhdim, mendojmë se si do të veprojmë për tu ftuar për bisedime për mundësinë e koalicionit qeveritar. Po të analizohen me kujdes qëndrimet e Merkel dhe Shulz, kuptohet se është me e arsyeshme dhe në interes të Socialdemokratëve pjesëmarrja në koalicionin e madh. Ky koalicion garanton më mirë vazhdimësinë e stabilitetit politik e ekonomik dhe të marrëdhënieve tradicionale ndërkombëtare. Duke qenë në Qeveri, Socialdemokratët do të kenë më shumë mundësi për të sqaruar dhe realizuar idetë e tyre politike për barazi dhe drejtësi. Koalicioni i madh është dhe mbetet zgjidhja më e dobishme politike. Pritet se si do reagojnë strukturat partiake të PSD, pas qëndrimit të vendosur të drejtuesve për të kaluar në opozitë. Në opinionin publik ka rënë mbështetja për koalicionin e madh, të arritur pas zgjedhjeve të vitit 2013. Aktualisht afro 39 për qind kërkojnë koalicionin e madh, ndërsa 23 për qind mbështesin Jamaika-Koalition. Realizimi i koalicionit është sfida që qëndron para Unionit Kristiandemokrat. Partitë që kanë shprehur mendimin për koalicion, duan të ruajnë programet dhe identitetin e tyre. Përjashtohen edhe zgjedhje të reja, pasi zgjedhësit do të ndëshkonin rreptë parti fituese që nuk arritën të realizojnë në kohë koalicionin e domosdoshëm. Merkel si përherë është optimiste dhe shumë e kujdesshme për krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm për kartë vitet e ardhshme. Pas refuzimit të Socialdemokratëve, mbetet koalicioni schwarz-gelb-grünen. Diskutimet janë të shumta dhe paralajmërohen reagimet e forta për koalicionin e tri partive CDU/CSU, FDP dhe Bundis 90. Dihet se CSU është kundër koalicionit me të gjelbërit, për shkak të programeve të ndryshme. Interesante pritet të jenë qëndrimet e liberalëve e të gjelbërve, pasi në fushatën elektorale premtuan rritjen e numrit të punonjësve të rinj nga studimet dhe shkollat teknike, të ardhura më të mëdha nga puna dhe pa probleme të mëdha ekonomike. CDU ka humbur shumë elektorat në Lindje, ku ka përfituar AfD. Edhe FDP dhe të Gjelbërit kanë humbur shumë në strukturat e tyre në Lindje. Të Gjelbrit është e domosdoshme të sqarojnë pyetjen në se dëshirojnë një Qeveri të udhëhequr nga Angela Merkel, e cila kritikohet se me qëndrimin e saj të fortë, ndikoi që shumë zgjedhës të kalojnë në duart e AfD-së. Problem qendror mbetet reagimi për emigracionin për numrin më të lartë të refugjatëve e emigrantëve. CDU nuk pranon të caktohet kufizimi i kërkuar nga CSU. Edhe liberalët e të gjelbrit, nuk kërkojnë dhe janë skeptikë për vendosjen e kufirit maksimal për azilkërkuesit. Pranohet diskutimi për detyrimet humane dhe masat për integrimin e azilkërkuesve. Deri në muajin nëntor 2017 që mbahet Kongresi i SCU, do të përcaktohet qëndrimi i kësaj partie për kufirin e kërkuar për emigracionin. CSU këmbëngul për kufirin deri 200 000 persona që kërkojnë azil politik, si dhe bashkimin familjar. Kjo shifër nuk është bindëse. Me gjithë kontrollet e rrepta, në këtë vit kanë hyrë në Gjermani nëpërmjet rrugës së Ballkanit afro 15 000 persona që kanë kërkuar azil. Mendohet për afro 180 000 persona që do të kërkojnë azil. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Ministria e Jashtme numëron 60 000 kërkesa për bashkim familjeje, për të cilët është dhënë viza. Standardi dhe kultura politike gjermane për zgjedhjet dhe marrëveshjet me rëndësi kombëtare, janë një shembull edhe për politikanët shqiptar. Me rëndësi mbeten programet e partive politike, komunikimi korrekt me elektoratin, kritika e rreptë pa denigruar kundërshtarët politikë, arritja e marrëveshjeve, përkushtimi për stabilitetin politik, zhvillimin perspektiv të vendit dhe kujdesin për mirëqenien e popullit me anë të zhvillimit të barabartë rajonal.
Sigal