Vangjush SARO/ Universitetet dhe testimet

570
Sigal

Ishim të pranishëm kur “Kwantlen Polytechnic University” organizonte një paraqitje të gamës së programeve dhe mundësive që iu ofron studentëve. (Përndryshe, një Open House.) Universiteti ndodhet në qytetin Surrey, brenda perimetrit të Metro-Vankuver, me kampuse edhe në disa qytete të tjera, megjithatë, nuk është ai më i miri në këto anë. (“Simon Fraser University” dhe “University of British Columbia” janë më të mëdhenj, më të njohur.) Ani! Në këtë ditë me diell, në të dyja kampuset e “Kwantlen Polytechnic University”, që shtrihen në një territor të konsiderueshëm, në mjediset e jashtme dhe të brendshme, kishte një gjallëri të pazakontë. Organizatorë, pedagogë, specialistë, studentë, ishin hedhur të gjithë në një fushatë publiciteti që zgjati gjatë gjithë një paraditeje plot aktivitete dhe demonstrime. Në hollët brenda ndërtesave, në sheshet kryesore të kampuseve, në një sërë laboratorësh, në studiot fotografike, në dhomat e printimit, në punishten e porcelanit, kudo, iu tregohej të ftuarve se çfarë mund të bëjë një universitet. Të ftuarit ishin kategori të ndryshme qytetarësh, studentë që aspirojnë shkollim tjetër, prindër, të rinj që mbarojnë gjimnazet dhe duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre, gazetarë, kureshtarë, madje edhe fëmijë, (nuk ka paragjykime dhe shfaqje të sëmura intelektualizmi e snobizmi.) Diku luante një orkestër… Meqë ra fjala për universitetet, pa cenuar disa arritje, mund të themi pa droje se Tirana e teproi, shumë madje, me këtë term të shenjtë, se me të vërtetë, shkolla, sidomos shkolla e lartë, është e shenjtë. Nuk mund të jetojë dhe të begatojë një vend vetëm me diploma false që s’i hyjnë në punë as poseduesit. Ja një nga argumentet që do të mbështeste këtë mendim. Sipas INSTAT, Shqipëria ka humbur përgjatë çerekshekullit të fundit një të tretën e popullsisë së vet. E thënë ndryshe, ajo është rrudhur për shkak të emigrimit në masë,(me dhe pa dokumente). Duke pasur parasysh këtë, edhe më e papranueshme dhe abuzive shfaqet dukuria e sajimit të universiteteve private. Ato lulëzuan si dikur piramidat, alias firmat rentiere. E ndoshta për shkak të këtij teprimi, më e pakta edhe për hir të tij, lindi kjo fjalë e madhe dhe e frikshme “testim”. Vërtet, një nga temat më të rëndësishme të këtyre kohëve në Tiranë, edhe pse gjithnjë “kryeson” politika, është edhe testimi i punonjësve, më parë ai në sektorin e Policisë, më pas në Arsim dhe tani në Shëndetësi. Kjo fushatë ka rrëmbyer dhe shqetësuar njerëzit, mediat, politikën, tani po trazon edhe gjyqet, drejtësinë. A është vërtet kaq e madhe, kaq e papërballueshme tema “testim” dhe gjithë ç’detyrohen të bëjnë shteti dhe shtetarët rreth saj? Në parim, është gabim të testosh dikë që ka mbaruar një universitet, ka një diplomë dhe punon diku prej disa kohësh. Por meqë jemi gjithnjë te universitetet, pa denigruar asnjë emër universiteti a studenti,(sepse firo e probleme ka në çdo vend të botës) “ngrehina” që kemi parë, nuk ka themele dhe as materialin e duhur për të mbijetuar. Qoftë edhe në një vështrim nga jashtë, si dhe duke bërë krahasim me çfarë tjetër kemi parë dikur dhe tani, në Shqipëri dhe në vende të tjera, duhet thënë se nuk mund të ketë universitet me disa hyrje (me qira a të blera) në një ndërtesë diku, madje, as edhe me një ndërtesë qoftë. Hapësira është gjëja e parë që mund të ofrojë një universitet; hapësira jo si qëllim në vetvete, por në funksion të mjediseve shkollore, për biblioteka, për laboratorë, për salla leksionesh, për kohën e lirë të studentëve, më në fund pse jo, edhe për parkim. Programi dhe serioziteti në aspektin mësimor, janë dy elemente të tjera të rëndësishme, që do të ndihmonin për t’i vënë “notën” një universiteti. Sa i takon programeve, këto, të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, gjenden, përkthehen, përshtaten, këtu nuk vuan njeri për teori dhe fjalë pa fund. Serioziteti apo profesionalizmi… Këtu diskutimi bëhet i vështirë. Le të ikim një çast nga biseda në parim dhe le të flasim tani për disa episode konkrete. Nuk mund ta shterojmë dot temën duke krijuar alarm, në fakt ai ka kohë që është dhënë, por vetë pedagogë të këtyre universiteteve kanë pohuar në formate të ndryshme se kanë parë studentë që nuk të japin përshtypjen se e kanë bërë një shkollë të mesme, kanë parë studentë që kanë shkëmbyer vitet e punës studentore me bakshishe, kanë parë studentë që në provime shkruanin (gjithë tekstin që mund të formulonin dot) vetëm me shkronja të mëdha (kapitale). Është folur për diploma false. Duam s’duam, vijmë sërish te ai termi i frikshëm. Testimi mund të ketë prapavijë politike dhe përgjatë tij, mund të ndodhin edhe padrejtësi. Por në një kuptim të gjerë, testimi nuk është frikë. Ja çfarë ndodh. Vajza e një mikut tim, intelektual, përkthyes, edhe pse kishte mbaruar me dhjeta (të merituara), nuk e gjeti dot veten pas përfundimit të Fakultetit Histori-Filologji dhe u shkollua nga e para për Infermieri. Ashtu si edhe te shkolla tjetër, i përfundoi studimet me nota të shkëlqyera. Me shumë mund, u punësua në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Vajza tregonte se si kryeinfermierja, krejt e pazonja në profesion dhe që fliste në dialekt dhe ishte tejet e pasjellshme, merrte ryshfete haptazi. Për më tepër, ajo kishte krijuar klan dhe nuk ia prishte askush në rrethin e infermiereve të tjera, që peshkonin ç’të mundnin edhe ato. Sa për disa nga shkollat private që “furnizojnë” universitetet, një ish-kolegu im, mësues, më tregonte se është e vështirë. Jo, jo për rrogën që mezi e marrim, edhe kjo sigurisht, por… pronari do 10-ta, nxënësit në vend të librave, mbajnë mbi banka kanoçe me pije dhe celularë, e të tjera këto… Mjedise të tilla, plot pikëpyetje e abuzime, ka në çdo sektor dhe jo pak. Nuk është vendi as për përgjithësime, as për të besuar se të gjithë ata që punojnë në polici, në mjekësi, në arsim, drejtësi e gjetkë, duhen shkuar në sitë. Por në të njëjtën kohë, punonjësit vetë nuk ka pse t’i druhen një testimi të përgjithshëm, nga ku, ata që nuk dinë “nga lidhet gomari”, duhet të rigjejnë veten. Për më tepër, çështja nuk ka pse të marrë shkallët e drejtësisë, pa dale se ku shkojmë… Retrospektivë. Meqë ishte fjala për universitetet… Në fillim të viteve ‘70, në vitin e dytë të Fakultetit Histori – Filologji, në lëndën Morfologji, më kujtohet, pedagogu ynë mbeti për në vjeshtë një të tretën e kursit, rreth 25 studentë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk u kthyen më në ato auditorë… Mund të kujtojmë gjithashtu që përpara shumë vitesh, në arsim, bëhej një rimarrje e njohurive, por që atëherë e quanin atestim. Në fillim, pesë vjet pasi kishe filluar punë, hapi i dytë pas dhjetë vjet të tjera… Të bësh një shkollë të tillë dhe prapë të shkruash e të flasësh me gabime apo të vuash nga mungesa e koncepteve-bazë, kjo do të thotë se zotëron një diplomë të pamerituar, false. Ja pse mund të ketë një testim. Çështja, megjithatë, nuk është e lehtë. Tani, në këtë mes ka hyrë edhe politika. Për fat të keq, ajo pjesë e politikës që zotëronte pushtetin në vitet kur këto universitete u bënë një barrë për arsimin shqiptar; ajo pjesë e politikës që inkurajoi një batërdi të tillë, ku nuk mbeti qytet e qytezë pa universitet dhe pa filiale, sikur ne të ishim sërish një vend në eksperimentim e sipër… Politika i ka fort për zemër eksperimentet me shqiptarët. Një i tillë ishte edhe ky me arsimin e lartë dhe testimet, ku me të drejtë shumica protestojnë dhe pyesin: “Përse Qeveria nuk ka besim dhe kërkon të na marrë në provim?” Telashe, sepse universitetet janë private, kurse testuesit janë shtetërorë, të qeverisë. Kontradikta është në themel të kësaj batërdie. I nisëm këto radhë me një ngjarje promovuese në një universitet të Vankuverit, provinca British Columbia në Kanada. Nuk kam informacion të plotë se çfarë ndodh në vende të tjera, por këtu janë të pakta shkollat private, edhe pse këta e kanë gjetur kapitalizmin përpara nesh. Shumica dërmuese e institucioneve arsimore (madje edhe në sektorë të tjerë si shëndetësi e gjetkë) janë publike. Ka rregulla dhe parime të tjera, me sa duket. Shteti ka autoritet, ka kompetenca, ka edhe pasuri. Ndërkaq, praktika e universiteteve private te ne dha fryte të pashëndetshme. Në atë lëmsh që ishte krijuar, duket se testimi, në parim, është i drejtë. Por duhet gjetur raporti i besimit mes punonjësve dhe testuesve të tyre. Një shtet i dobët, një qeveri që i merren këmbët, doemos e ka të vështirë të bindë punonjësit që ky testim është i domosdoshëm dhe do të jetë i drejtë. Po. Duhet bërë dhe duhet të jetë i drejtë. Dhe këtu mbaron kjo histori. Sa për fillimet e saj, ashtu si për shumë dukuri të tjera tipike shqiptare, nuk ka informacion, nuk ka përgjegjës, fajtorë po ashtu…