Vangjush SARO/ Të djathtët, lëmsh…

604
Sigal

E djathta vazhdon të bëjë hijen në Shqipëri. E djathta shqiptare është komike. Që të mos themi se nuk ekziston. Nuk ka ekzistuar asnjëherë, askund, në këto dekada. Në vitin ‘91, ish-komunistët përmbysën baballarët e tyre. Shumica e drejtuesve të PD-së ishin të tillë, baballarët e tyre kishin qenë deputetë, prokurorë, ushtarakë të lartë, më e pakta fshatarë e punëtorë të majtë. Familjet e djathta të persekutuara nga regjimi komunist, vetëm formalisht u përkrahën nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Partia Republikane ka 22 vjet që bën sikur thërret për pronat dhe vetëm kaq. Legalistët, ballistët, formacione krejt të parëndësishme (për faj të tyre) kanë qenë dhe janë gjithashtu tërë kohës në hijen e PD-së, e cila për vete është katandisur sot në një çetë të shpartalluar, që kërcënohet e kuis si dreq. Dhe ende nuk ka një deklaratë apo fjalë që t’iu tregojë njerëzve se ka mësuar nga humbja dhe e ndjen që duhet të reformohet.

Ku ishte e djathta kur për 22 vjet nuk e gjend asnjë ditë e drejta e pronës në këtë vend? PD ka përfaqësuar dhe përfaqëson interesa të një klani të gjerë dhe vetëm kaq. Çfarë ka në sjelljen e saj prej partie të djathtë, pasi që ka humbur në mënyrë të turpshme zgjedhjet e fundit? Kryetar i së djathtës i bie që të jetë sot Lulzim Basha. Çfarë përfaqëson ky individ, që të mund të jetë, të quhet e djathtë? Le të mos bëjmë biografinë e njerëzve si dikur, po çfarë ka thënë deri më sot ky individ që të jetë, të quhet “djathtas”. E “djathta” shqiptare thjesht i hedh lotët përpjetë, siç thotë një shprehje kosovare. Shtiret. Ajo është e tillë sepse që në fillim u zaptua nga ish-komunistë dhe spiunë; që ende e mbajnë për gryke.

Një parti e djathtë e moderne nuk flet si e ëma e Zeqos majë thanës, nuk lodron në fb. Një parti e djathtë e moderne riorganizohet, duke ndjekur parime demokratike: në sjellje, në organizim dhe në praktikë. Ajo zbaton (duhej të zbatonte) përvojën më të mirë të partive të djathta evropiane, parti autoritare dhe me vizion, që kur humbasin nuk qajnë dhe as i kërkojnë shkaqet e humbjes së tyre te sjellja apo “marifetet” e fituesit, ndërkohë që vetë ende s’ka dorëzuar pushtetin. Një fjalë e urtë popullore, nga këto që s’i kemi shumë në sy – se tani ne jemi bërë të gjithë shkrues, filozofë dhe aforizmabërës – thotë: “Kalliri plot e mban kokën ulur.” Me sa duket, e djathta shqiptare, ashtu si ajo paraqitet, është kalli bosh.

Një parti e djathtë e moderne i mëshon vendit aq sa ta ketë në parlament e në institucione dhe fillon e bën opozitë të ndershme. Lërini të tjerët të drejtojnë njëherë, siç bëtë ju tetë vjet dhe, më parë, po aq; pastaj, në punë e sipër, kërkoni më të mirën…Nuk thonë drejtuesit e një formacioni të djathtë: Ah, ç’na bëre ore maskara, na more pushtetin, prit se shpejt do të të përmbysim…Në një vend demokratik, si rregull, e di sovrani se si dhe kur “përmbyset” një qeveri. Po të qe për të përmbysur një qeveri, pas tragjedisë së Gërdecit, qeveria e “djathtë” e të majtëve shqiptarë duhej të ishte përmbysur. Por ne, modestisht jemi një vend demokratik. Duke u bërë, le të themi…

Sot, tani, në këtë çast, Partia e djathtë të na thotë nëse qeveria e saj e ka lënë arkën e shtetit bosh; të na argumentojë çne gjithë këto ministri dhe tërë ky pompozitet nga ata që sapo u zgjodhën të drejtojnë; për se, për një vend kaq të vogël, me 3 milionë banorë. Këtu fillon opozita dhe jo te psherëtimat e drejtuesve dhe deputetëve të saj, ose ekstremistë e gojëçthurrur ose tuhafë e servilë. Mendoj, mbase gabohem, që bërja e mbledhjes së parë të qeverisë në ardhje në Vlorë, është butafori, përkëdhelje; një skemë që na e përplasi dikur fytyrës gjithë mburrje edhe Berisha. Nuk them se simbolikat nuk përdoren në politikë. Por shqiptarët kanë parë mjaft filma patriotikë dhe me lektisje atdhetare. Ata nuk duan skena dhe as skema, por thjesht qeverisje të mirë. Këtë pikërisht të kërkojë edhe opozita e ardhshme.

Më në fund, “djathta” që qeverisi gjer më sot, ka gjyqe hapur me të djathtët e Shqipërisë, këtu dhe në Strazburg. Ajo përgatitet të hapë gjyqe edhe me qeverisjen në ardhje, për shkak se kjo e fundit do të bëjë disa spastrime; dhe nuk ka se si. Kemi parë drejtues e të zgjedhur që nuk janë as zyrtarë dhe as qytetarë, por fishekë…Kur e ka dashur puna, janë zbrazur. E djathta duhet të ribëhet; dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse ende vegjeton në batak paragjykimesh e urrejtjesh pa sens, që dikur, edhe te ne, duhet të gjejnë vendin. Njerëzit janë lodhur me shtirje, me ideologji dhe lojëra klasore. Një personazh i Alfred Kamy-së thotë: “Ngaqë s’kam ndonjë gjë të madhe për të thënë, prandaj hesht.” Njerëzit duan një politikë serioze dhe që të dominojë prapambetjen në tërësi. E djathta është thirrur ta bëjë këtë; pasi të bëhet vetë…