Vangjush SARO: Specialistët, mbetjet, Teatri Kombëtar

181

Specialistët, mbetjet, Teatri Kombëtar


Gazeta Telegraf/ 


Vangjush Saro

 

Ajo (që në mënyrë
kakofonike e kam vënë në kllapa) ka shumë e shumë kohë që ngjet në Shqipëri.
Politika dhe krerët e saj, klanet që sundojnë për momentin, marrin përsipër biznese,
ndryshime, nisma, prishje dhe ndreqje, si t’ua thotë mendja atyre, duke  i bërë ato shpejt e shpejt fakt të kryer, pa
përfillur askënd. Doemos, as specialistët. Fjala e qëmotshme është: “Vetë Ali,
vetë Kadi”. Kurse profesori i njohur i ekonomisë, Milton Friedman, (specialist)
thotë: “Kërcënimi më i madh i lirisë, është përqendrimi i pushtetit…”. Po
ndalem vetëm në dy nga temat e fundit, ndër më të mprehtat e shoqërisë shqiptare
për momentin. E para, riciklimi i mbetjeve, plehrat, vetë industria e
riciklimit, çarku ku jemi futur të gjithë, ku është futur sot krejt bota. Dhe e
dyta, por jo e fundit, çështja e Teatrit Kombëtar. Ka disa kohë, që zien debati,
nëse duhet mbajtur apo duhet prishur a ribërë kjo godinë. Ministrja e Kulturës,
Mirela Kumbaro, jo më larg se dje, na e përsëriti që është një mjedis, ndërtesë
mediokre, e ndërtuar nga italianët, nga ushtria italiane, për qëllime kulturore
e demagogjike dhe si e tillë, sado që e përshtatur dhe me një histori të gjatë,
të dhimbshme, nuk e përball dot kohën. (Nënvizim. Për mbetjet, personalisht jam
kundër; për teatrin, ndjehem më dyshas. Sidoqoftë, ndaj diçka kërkoj në këto radhë.)


Në vështrimin tim,
thelbi i problemit, është (sh)përfillja e specialistëve. Në këto çështje, mirë është
të flasin të parët dhe të fundit specialistët. Ata e dine më mirë, bie fjala, çfarë
po ndodh, çfarë janë ato mbetje, cili është raporti i vërtetë mes këtij
“eksporti” të çuditshëm dhe industrisë së riciklimit, fundja çfarë mund të lejohet,
pranohet, e çfarë jo. Mirëpo, specialistët flasin të fundit ose nuk flasin fare.
Shumë prej tyre, kanë hyrë në lojën e politikës, përdoren si marioneta. Atëherë,
ec e kupto çfarë është duke ndodhur. Debate. Sherr. Propozime. Kaos. Një pjesë vënë
kujën, një pjesë tjetër e paraqesin problemin thjesht si një hallkë ekonomike,
një hap në ekonomi. Specialistët shpërfillen ose disa prej atyre vetë iu vjen për
mbarë ky trajtim jashtë kohe. E njëjta histori edhe me teatrin. Fillohet me
përcaktime teknike dhe vijohet me episode sentimentale…I ka ikur koha, thuhet. Nuk është më funksional. Këtu prapë hapen disa
diskutime, si puna e atyre kullave të Stadiumi Kombëtar dhe në qendër të Korçës,
ndërtime të cilat një pjesë e qytetarëve, edhe specialistëve, i kanë përcjellë
me shumë kritika. Një paralele veç do të duhej hequr ndërkaq për sa i takon teatrit.
Kam qenë te ai “teatrin” i ri, ai zgëqi që i thonë “metropol”, nëse nuk gabohem.
E krahasoj me “Teatrin e Estradës”, që kishte një sallë të pranueshme, një holl
shumë funksional dhe të tjera anekse gjithaq në funksion. Ndërkaq, teatri i ndërtuar
apo i sajuar ngjet me ish-Teatrin e Estradës, është estradë. Atëherë të rimarrim
termat. Nuk thashë për të parën estradë, por Teatri i Estradës. Kurse për të dytën,
mund të themi me plot gojën “Estradë”. Atje të merret fryma. Por ja, zgjidhjet
i bëjnë politikanët, zyrtarët; specialistët janë të fundit që pyeten.


Por le të
ndalemi e të shohim më në fund, se çfarë ndodh ndërkaq edhe me specialistët. Ky
argument është trajtuar edhe më parë në disa nga shkrimet e mia, kur kam theksuar
që vendit i duhen më së pari teknikë, drejtues e zyrtarë teknikë, që të njohin profesione
të rëndësishme, inxhinierë, ekonomistë, juristë, të cilët mund të ofrojnë zgjidhjet
më racionale dhe më të pranueshme. Specialistët, teknikët, janë në gjendje të na
zbardhin disa të vërteta, duke argumentuar një ndryshim, një hap përpara apo prapa,
një lëvizje që i ndih ekonomisë, artit dhe vetë jetës së qytetarëve pa pasoja të
dukshme, apo përkundrazi prodhohet ajo thënia “prish kusi e bëj kanoçe…”.


Situatë e
vështirë. Në kohën tonë, edhe specialistët kanë hallet e tyre. Kujtojmë. Kjo ka
ndodhur me shoqëritë rentiere, që i zuri goje sërish këto ditë ish-kryeministri
i vendit, një autoritarist, një nga protagonistët kryesorë të ndërtimit të mentalitetit
që nuk përfill specialistët; kjo kanë ndodhur gjithashtu me një sërë rrugë,
shumë prej të cilave janë bërë shkel e shko; kjo kandodhur dhe po ndodh me
Hekurudhën Shqiptare, që pas vitit 1990 ka marrë tatëpjetën dhe s’po di ku të frenojë;
kjo ndodhi me floririn dhe me Gërdecin… Klanet nuk i duan specialistët. Nga ana
tjetër, një pjesë e këtyre të fundit, shiten e blihen, kështu që bëhen të pabesueshëm,
ndonjëherë komikë. Atëherë, dalin në plan të parë ministrat, kryeministrat, të cilët
i dinë të gjitha, marrin përsipër t’i bëjnë të gjitha. Kështu e bënë me një sërë
institucione e ndërtesa publike, me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve,
ndjesë pastë, me ish-Kinostudion, që është ndarë ngastra-ngastra, me Qendrën Kulturore
Kombëtare të Fëmijëve, e të tjera e të tjera. Çfarë mund të thuhet më tej, kur specialistët
rrinë gojëmbyllur! Ata nuk kanë autoritet, mes tyre nuk ka… autoritete. Që të flasin
dhe të dëgjohen. Kështu, llomotisin vetëm zyrtarët. Por kur dalin më pas
probleme, këta të shumëditur shkojnë e fshihen ose përdorin taktikën e sulmit si
“mbrojtja më e mirë”, slogane të vjetra, por që ata i dinë mirë, sepse nga kohë
të vjetra vijnë…Shoqëria shqiptare gjendet në udhëkryq. Profesori i njohur Xhejms
Gustave Speth (specialist) thotë: “Problemet kryesore janë: egoizmi, babëzia
dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe
kulturor”. Dhe për të bërë a filluar së paku këtë, prapë na duhen specialistët.
Ku janë, more aman!…