Vangjush SARO/ “Skenari” tjetër për 100-vjetorin

554
Sigal

Pjesa e qytetëruar e shqiptarëve, kudo që ata janë, në Tiranë, në Vlorë, në Kamzë, në Dhërmi, në Burrel, në Skrapar, në Itali e Greqi, në SHBA e Kanada, kanë kuptuar se diçka nuk shkon në festimet e jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ka shumë demagogji e bujë, ka një dëshirë të hapur për të përfituar politikisht, ka edhe prirje revanshi. E pra, në vend të këtyre prirjeve, mund të bëhej fjalë për më shumë paqe, zbutje konfliktesh (të vjetra e të reja), mirëkuptim për gjërat kryesore që kanë të bëjnë me jetën e kombit, me të djeshmen dhe të sotmen e tij, por sidomos me të ardhmen. Pra, 100-vjetori duhej të ishte trajtuar si një rast kur shqiptarët nderojnë të parët e tyre, nderojnë dëshmorët e çdo kohe, shikojnë çfarë i bashkon këtej e tutje në një botë sa të afërt, aq edhe të largët e të vështirë. Ky duhej të ishte “skenari” i këtij jubileu, që realisht është shndërruar në një sebep për të pozuar forcën e njërës apo tjetrës palë, për të trajtuar ideologjikisht problemet e vjetra dhe gjithaq konfliktet e reja.

Kemi shkruar në mediat e nderuara “Telegraf” dhe “Zemra Shqiptare” për revanshizëm; dhe ai po ndodh. Po përmendim vetëm ndërrimin e emrave në disa rrugë e sheshe. Përplasjet janë nga më të padëshiruarat. Bie fjala, ç’lidhje ka kujtimi i të nderuarit Ibrahim Rugova me konfliktet mes shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore? Ka mendje që i sajojnë me shumë dhelpëri e djallëzi “rastësi” të tilla, kurse mund t’i kalonim shumë paqartësi e konflikte (të djeshme e të sotme) duke qenë tolerantë e mirëkuptues për rrethana e qasje që duhen vështruar me njerëzi, me qytetari.

Unë jam shprehur në disa raste për njëlloj sjelljeje të hapur nga ana e politikanit Pandeli Majko. Po ashtu, nuk bëj pjesë ndër ata që mund të kenë simpati për Lulzim Bashën, por duhet ta vlerësoj faktin që më 17 nëntor, ai ishte në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut; e sidomos që u shpreh: “Ata që bien për atdheun nuk vdesin kurrë. Shpresoj që në këtë 100- vjetor, të shërbejë si një burim për bashkim dhe jo përçarje. Detyra jonë është të mos përsërisim gabimet e të shkuarës, por të bashkohemi të gjithë për t’i dhënë vendit atë që meriton”. Megjithatë, në këtë temë, një pjesë e protagonistëve janë…nuk di (në) se ku. Më është dukur krejt pa vend sidomos një deklaratë – ideologjike dhe e mbushur plot urrejtje – e njërit prej drejtuesve të Ballit Kombëtar. I pyetur për 17 nëntorin, tha pak a shumë se nuk i bëhej vonë, se këto nuk janë data të çlirimit të Shqipërisë, por të pushtimit prej komunistëve(!)

Dy gjëra mund të thuhen: E para, në emër të kujt flet ai, ç’përfaqëson, sa deputetë ka në Kuvendin e Shqipërisë tani dhe prej 22 vitesh? Asnjë; ose ka pasur ndonjë të falur nga PD-ja. Ani. Kështu është kur parti tradicionale bien në duar mëtonjësish të rëndomtë. E dyta, gjithë Evropa Lindore u “pushtua” nga komunistët; mos duhet ta mohojnë të gjithë pjesëmarrjen në Luftën e Dytë Botërore dhe fitoren mbi nazi-fashizmin?

Nganjëherë, duket sikur dirigjimin e tollovisë e bëjnë Kryeministri Sali Berisha dhe klani përqark tij; edhe në prag të këtij jubileu, ata vazhdojnë të sillen në mënyrën më të keqe të mundshme. Nuk bie më poshtë edhe opozita e pakthjellët. Janë duke bërë gabime të rënda, teksa përpiqen t’i përçajnë shqiptarët. Mendojnë se mund të fitojnë kredi politike duke provokuar dasi e sherre, duke rihapur e inkurajuar konflikte të vjetra. Kryeministri duhej të kishte ardhur me tjetër skenar në këtë 100 vjetor. Kështu, është trajtuar tashmë – me vështrime nga më të kundërtat – çështja e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut. Nuk ka asgjë për t’u acaruar pse vijnë të pushojnë në Shqipëri, përkundrazi; por dita e rivarrimit mund të ishte cilado, 17 nëntori jo; qoftë edhe në aspektin më teknik, atë të organizimit të dy gjërave të ndryshme. Nuk po themi “të kundërta”. (Koha shëron çdolloj konflikti, sado i ashpër të ketë qenë ai; ekstremistët le të ulërasin, dikur shqiptarët do të kuptojnë se “Rozafa” nuk duhet shembur pambarimisht.)

Kjo gjë iu duhet thënë edhe politikanëve e një sërë intelektualëve nga Kosova. Një pjesë e tyre, nxituan të flasin me mllef për Ahmet Zogun; punë e tyre, por nuk ka pse bëjnë presion mbi qytetarët e tjerë dhe mbi të rinjtë në Shqipëri e në Kosovë. Fjalët e njerëzve publikë peshojnë. Kurse historia duhet të përcillet në mënyrë realiste dhe pa interpretime të huazuara në skuta gjithfarë. Po ashtu, shkrimtari e studiuesi Rexhep Qose e tepron me disa paravoli, sikur praktika e komunizmit në Shqipëri ka qenë pothuaj njësoj si në Jugosllavi e vende të tjera të Evropës Lindore. Nuk është e vërtetë. Dhe ca më pak, për represionin ndaj popullit dhe për krimet që kanë ndodhur në ato vende, nuk mund të bëhen krahasime, sepse askush, përveç Shqipërisë, nuk ndoqi atëherë rrugën e Revolucionit Kulturor të Kinës së Mao Ce Dunit. Më mirë ta mbyllim atë kapitull, se për nder, (përkundrejt ca hekurishteve e ndihmave), gjithsesi ka qenë më i turpshmi.

Diskutimet e sajuara, që shpeshherë prodhohen si pjesë e agjendave të drejtuesve partiakë, lënë në hije problematika të rëndësishme, si (pa)siguria e qytetarëve, papunësia, korrupsioni, më në fund edhe ngecja sa i takon statusit të vendit kandidat për në BE. Por ato nxisin edhe tensione të kota e mediokre. Po tërheqim vëmendjen e lexuesit në një fakt që shumëkush e anashkalon. Në të gjitha gazetat, revistat dhe portalet në internet, ka një hapësirë në të cilën lexues të ndryshëm japin mendimet e tyre për ngjarje e individë. Shpesh, këto komente janë të turpshme, të marrësh kujën; kaq pa takt, kaq me urrejtje, kaq të papërmbajtur dialogojnë e replikojnë shkruesit e shumtë, saqë thua me vete: “Mos vallë këta jemi ne? Nëse këta jemi, ta qepim gojën dhe t’i nënshtrohemi fatit…” Por nuk mendoj se jemi këta…Mëtues interesash të dukshme e të padukshme duan të ketë gjithnjë një konflikt në Shqipëri e ndër shqiptarët; duan të ketë disa konflikte, përgjakje, përndjekje, sofistikime episodesh që mund të sillen pa ekses. Të gjitha këto ndodhin për shkak se rregullat i prishin vetë politikanët dhe shtetarët e ngatërruar me gjithfarëlloj interesash e biznesesh anonime. Thelbi i reformave dhe i demokracisë në tërësi, është marrja përsipër dhe përmbushja e përgjegjësive apo në një vështrim të fundit,  shpjegimi i tyre. Kjo gjë e thjeshtë, shumë prej politikanëve dhe shtetarëve të këtij vendi, iu hyn nga njëri vesh dhe iu del nga tjetri. Kështu, rrugëtimi i shqiptarëve prej 100 vjetësh, tash prej 22 vjetësh, për fat të keq, mbetet i pasigurt, konfliktual.

Pjesa më e qytetëruar e shqiptarëve nuk duan që edhe më tej jeta e tyre, për më keq, e fëmijëve të tyre, të rrjedhë kërcënueshëm midis përleshjeve politike pothuaj të pashmangshme dhe kërkimit (zhgënjyes) për ditë më të mira. Kjo mund të arrihet vetëm duke i shkelur me këmbë ideologjitë, për të mbajtur në duar busullën e zhvillimit ekonomik e shoqëror sipas parimeve të ekonomisë së tregut dhe demokracisë. Më në fund, meqë kam bindjen se të tjerë njerëz të penës e të mendjes kanë lënë mjaft përvojë e mësime, sa për të mos u kufizuar vetëm në argumentet tona, si përherë po citoj (sado i largët të duket) njërin prej tyre, Fjodor Dostojevskin, që përmes një prej personazheve të tij, thotë: “Le të jemi në radhë të parë dhe mbi të gjitha zemërmirë, pastaj të ndershëm, të mos harrojmë kurrë njëri-tjetrin.”

Duhej thënë vetëm “No coment!”, për ta përmbyllur me urimin e thjeshtë: “Gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë dhe të shtetit shqiptar!” dhe vargun naiv të Naim Frashërit: “Ditë më të mira paskëtaj vijnë…”