Vangjush Saro / Sjellje të trasha ‘elektorale’

610
Sigal

Krahas klimës agresive e të ndezur, si dhe premtimeve që janë tejet poshtëruese, shtirja vjen si një nga episodet më qesharake e të ulëta të fushatës elektorale në zhvillim e sipër. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë gjithë karrierës “së dytë” politike, këtë herë si demokrat apo antikomunist, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë takim të shënuar – në kuptimin që të jetë i njohur, me reflekse zgjidhjeje – me atë komunitet që padrejtësisht titullohet ish-pronarët e Shqipërisë. Kryetari i Shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Rapo Danushi dhe eksponentë të tjerë të kësaj shoqate, këto ditë kanë pasur një polemikë me përfaqësuesen e Bankës Botërore. Përmidis ka shumë probleme, tash u bënë 23 vjet me të tilla. Faktet tregojnë se në Shqipëri parimet e mbrojtjes së pronës private – mbi të cilat ndërtohet ekonomia e tregut dhe demokracia – nuk janë respektuar. Mjaft të përmendim një sërë gjyqe të fituara nga pronarët në Strasburg, ndërkohë që qeveria shqiptare është e detyruar të paguajë shuma të mëdha, midis të tjerave edhe për shkak të kokëfortësisë së saj.

Po ashtu, kryeministri aktual i Shqipërisë, gjatë gjithë karrierës “së dytë” politike, këtë herë si demokrat apo antikomunist, nuk ka pasur ndonjë takim të shënuar me të persekutuarit politikë dhe ekonomikë të vendit. Përkundrazi, marrëdhëniet e tij e të qeverisë së tij me këto komunitete – të cilëve Shqipëria e djeshme dhe e sotme iu ka shumë borxhe – aktualisht mbeten mjaft të acaruara. Greva më e fundit e ish-të përndjekurve politikë, që përfundoi edhe me viktima, na tregoi se ish-komunisti i konvertuar në demokrat sa për sy e faqe, nuk është i prirur të vështrojë me realizëm mbi jetën dhe problemet e kësaj shtrese. Mund të thuhet ndërkaq, se edhe me komunitete a individë të tjerë, që kanë sjellë vlera, nuk ka pasur ndonjë afrim delikat.

Por ndërkaq, drejtuesit e shtetit shqiptar, përfshi kryeministrin Berisha, e kanë gjetur gjithnjë kohën të zhvillojnë takime me futbollistët e Ekipit Kombëtar. Kryeministri ka bërë edhe humor të trashë madje, duke marrë shkas nga disa mbiemra përkatës atje. Një shembull tjetër i trashësisë – gjithë në këtë linjë sjelljesh të shtirura – ishte pritja që iu bë këngëtarit italian Rikardo Koçante dhe këngëtares së re Elhaida Dani, fituese e “The Voice of Italy”. Me sa u duk, ajo vajzë ishte mjaft e sojme, e edukuar dhe modeste, me këmbë në tokë; gati i tha kryeministrit se ishte e tepruar ajo çka po bëhej për Koçanten dhe për atë. Por kryeministri ngulte këmbë që ajo e meritonte…

Sigurisht, Ekipet Kombëtare, shkencëtarët, shkrimtarët, kineastët apo edhe këngëtarët që tregojnë vlera më shumë se lokale, meritojnë të gjitha nderet. Problemi është që drejtuesit e shtetit shqiptar, në veçanti kryeministri aktual, përpiqen që përmes këtyre takimeve të shfaqin “anët e tyre më pozitive”. Të fitojnë ‘pikë’. Të mbulojnë ca halle. Kështu, Berisha shtiret sikur merr vesh mirë nga futbolli; kurse e ecura e tij dëshmon se vështirë të ketë lozur ndonjëherë futboll. Ai shtiret mjaft i dhënë pas notit dhe, sigurisht, me atë vullnetin e paepur që ka, çatis edhe noton për një kohë të gjatë, sigurisht në mënyrën më qesharake. Po kështu, ai shtiret sikur merr vesh nga muzika dhe artet; mund të thuhet se për të lexuar ka lexuar mjaft; por sa i takon muzikës, mënyra se si ai flet, gropa-gropa, dëshmon që është “out” në këtë art. Fundja kujt i duhen të gjitha këto, teksa njerëzit me pushtet fusin hundët gjithandej, për të zhvatur diçka nga arritjet e të tjerëve!

Shtirja është një ves i vjetër sa bota. Vështirë që përmes saj të performohet në mënyrë pozitive dhe me përfitim. Megjithatë, zotëria veshhollë rregullisht takohet me ekipe kombëtare apo këngëtare e modele që kanë bërë emër, me qëllim që të duket inkurajues, vlerësues, largpamës. Për fat të keq, edhe në këto zgjedhje, kjo sjellje e shtirur prej lideri komunist, i ka ulur edhe më tej aksionet e tij politike, edhe kështu mjaft në krizë. (Në Shqipëri, gjithçka përsëritet si në një komedi. Edhe ish-kryeministri Fatos Nano, që tani ka humbur si sëpata pa bisht, i ka bërë shpesh këto lojëra me lojtarë dhe këngëtarë, për të fituar sadopak aksionet në rënie. Kryetari i opozitës, Edi Rama, sa kohë ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, gjithashtu e ngrinte në këmbë administratën dhe krejt mjetet e rekuizitën e Bashkisë dhe i degdiste në ndihmë të takimeve elektorale të Partisë Socialiste. Hileja është vetja e dytë e tyre.)

Gjithsesi, pjesa më e rënduar dhe më e trashë, edhe në këtë fushatë, mbetet përfshirja me dhunë e administratës, çka bie në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi. Nuk dimë se deri ku mund të shkohet edhe këto pak javë që na ndajnë nga zgjedhjet, por është e dukshme që njerëzit po pushohen nga puna padrejtësisht, po detyrohen të dalin nëpër mitingje, përndryshe kërcënohen se do të pushohen nga puna; po ashtu, iu bëhet presion në mënyrë të vazhdueshme për të dhënë garanci për votën pro qeverisë aktuale, madje iu kërkohet të sigurojnë edhe disa vota të tjera. Kulmi i hipokrizisë politike dhe i ‘pastërtisë’ së këtyre zgjedhjeve, është poshtërimi për ta shpallur votën, madje për ta filmuar…Më tej, në këtë fushatë sërish po përdoren fëmijët, që për fat të keq lënë mësimin, braktisin shkollën, duke e kuptuar jetën si një sherrnajë pa fund midis politikanësh. Është për të ardhur keq.

Nga një vështrim i shpejtë vetëm rreth disa sjelljeve posaçërisht ‘elektorale’, shenjat janë që edhe këto zgjedhje do të njollosen, paçka se partnerët e duruar dhe organizmat monitoruese mund të flasin sërish për përmirësime dhe…hapa para. Një histori që vazhdon të ‘shugurojë’ tranzicionin e zgjatur të vendit.