Vangjush Saro: Sistemi “Falstaf” dhe falsiteti ynë

601
Nuk ka asgjë të re; sistemi për të cilin folëm më lart dhe që deri tani ka zëvendësuar shtetin ligjor dhe parimet kushtetuese të këtij vendi, pa marrë parasysh hallet e mëdha të tij, vazhdon të prodhojë vuajtje; për vendin dhe për qytetarët, jo për njëlloj elite, e cila realisht nuk duhet të quhet kështu, sepse nuk drejton a frymëzon për mirë, por për keq.
Zhvillimet e këtyre ditëve, me lista (deputetësh) tejet të diskutuara, me “grupe armiqësore” apo përkëdheli politike gjithfarë, me retorikë gjoja konfliktuale, me çmime (letrare) të përfolura dhe mungesë transparence nga ente të ndryshme, flasin sërish e në vazhdim për problemet e rënda të politikës, të shoqërisë, të kulturës e të letrave shqip, etj. Zgjidhja e këtyre problemeve duket disi larg. Kjo ndodh për shkak se tashmë dukuritë e panatyrshme, të sforcuara, prodhim i jetës klanore, janë shndërruar në sistem; dhe ky sistem nuk është thjesht e vetëm produkt i tranzicionit, por ka veshur e mbrohet, me sa shohim, me qyrkun e kohëve të shkuara. Sistemi në fjalë, i krijuar mbi bazën e interesave periferike dhe përfitimeve e lojërave me tarafe, ushtrohet prej kohësh si një pushtet në të gjitha fushat. Prirja për t’iu ikur parimeve dhe transparencës, përpjekja për të fituar diçka a shumëçka, me apo pa hak, zelli për të rënë në sy me doemos, vlen apo nuk vlen subjekti në fjalë, ka përfshirë për fat të keq edhe një pjesë të mirë të inteligjencës. Ky sistem, si një rrjetë zinxhirësh që veç shtrëngohen, po i merr frymën vendit. Rregulla të çuditshme, ndonjëherë të shkruara e të sajuara enkas për abuzime në mjegull – por shumë herë të pashkruara, megjithatë me veprim të fuqishëm – po vazhdojnë të diktojnë në jetën e qytetarëve dhe në politikat që praktikohen në këtë vend. Këto rregulla, shkruhen e fshihen, rishkruhen, kopjohen, transformohen, duke lënë gjithnjë shumë hapësirë për interpretime. Për këtë gjë, flasin akte e ndodhi nga më të çuditshmet, që trazojnë pareshtur jetën e qytetarëve shqiptarë, kaherë në një skenë plot recitime dhe emfazë. Lideri i opozitës, L. Basha, i bën thirrje kryetarit të qeverisë, E. Ramës, të vijë në një debat televiziv. Jo shumë kohë më parë, ishte ky i fundit që grishte kryeministrin e atëhershëm, S. Berisha, për debat të hapur, ndërkohë që tjetri nuk përgjigjej. Ose, pa u harruar ende përvoja apo precedenti i deputetit K. Islami, që pas disa roleve të rëndësishme në PS, hyri në skenë krah PD-së, një ish-deputet shumë aktiv i kësaj të fundit, bëhet tani protagonist, sepse… papritur është “adhnuar” me kryetarin e vet dhe do të rreshtohet pranë PS-së. Ç’thotë Kushtetuta dhe a ka parime të qëndrueshme për të mënjanuar dukuri të tilla më shumë se qesharake? Nuk do të mbarohej asnjëherë reshti dhe fjalia, nëse do të vijonim me fakte e dukuri të mbështetura në falsitet, siç u duk këto ditë edhe nga prezantimi i një zonje, kandidate për deputete, që u quajt “profesoreshë”, por na paskej edhe klinikë private e tani na kërkuaka protagonizëm edhe në politikë, duke i “bërë copë” kundërshtarët, pa hyrë mirë; e kështu me radhë. Nuk ka asgjë të re; sistemi për të cilin folëm më lart dhe që deri tani ka zëvendësuar shtetin ligjor dhe parimet kushtetuese të këtij vendi, pa marrë parasysh hallet e mëdha të tij, vazhdon të prodhojë vuajtje; për vendin dhe për qytetarët, jo për njëlloj elite, e cila realisht nuk duhet të quhet kështu, sepse nuk drejton a frymëzon për mirë, por për keq. Prej kohësh, është deformuar frikshëm gjithë çka mund të quhet institucion i vlerësimit: përzgjedhje, merita, dekorime, nderime, çmime, fletë-lavdërimi, dinstiktiva “sulmues” (në parti a në grafomani) etj. Çdokush bën si i duket më mirë, përtej të gjitha normave, edhe pse në përballje me publikun duhet të kihen parasysh disa parime. Bie fjala, pothuaj u fshehën organizatorët e çmimit letrar “Kadare”, duke iu shmangur detyrimeve për informacion dhe transparence; për më keq, duke mos iu dhënë mundësi krijuesve për një konkurrim të denjë. Ose, ngrihet dikush dhe quan mjeshtër një krijues modest, vetëm e vetëm, pse ky është apo ishte miku i tij. Por ky dikush shkon te ky “mjeshtër” duke shkelur mbi shumë, së paku mbi disa mjeshtër të tjerë, të harruar ose që s’janë në vëmendjen e shkruesit në fjalë, thjesht sepse ai aq e ka dylbinë apo ashtu i intereson. Konflikti midis interesit publik dhe atij të personave të veçantë, përfshirë ose jo në “klube” a klane, është më i dukshëm se kurrë. Sistemi e nxit këtë situatë. Le ta zgjerojmë edhe pak argumentin. Flasim për rregulla e, në të kundërt, për precedentë, që një Zot e di pse thyen dhe pse krijohen e rikrijohen pareshtur në mënyrë informale. Të vjen gaz kur shikon media që qajnë me lot – dhe shtyjnë edhe publikun të ngashërejë – sepse ka ndërruar modën e flokëve një këngëtar kabareje – që, natyrisht, edhe ai mund të ketë vendin e tij në publik, por kurrsesi të jetë në qendër të vëmendjes – e, për më tepër, në rrethana të mjera, kur askujt s’i hyn në punë krijimtaria dhe jeta (jo flokët) e një piktori a shkrimtari serioz. Dhe kjo bëhet një me sistemin, kur dikush apo ndoca, i fyejnë këta artistë e shkrimtarë, duke fshehur edhe aktivitete të rëndësishme, për t’iu dhënë mundësi a përkëdheli vetëm atyre që kanë më afër (apo që, fundja, janë më të shkathët dhe më të “abdejtuar” në mjedise e zemra organizatorësh).Të gjitha këto dukuri e të gjithë këta personazhe të politikës, të mediave, të kulturës, të zyrave, kaq të çuditshëm dhe në roje të interesave anësore, na kujtojnë zotërinë e tij Falstaf. John Falstaf është një personazh i njohur i Shekspirit. Gjendet së paku në dy nga veprat e tij: “Gratë gazmore të Windsorit” dhe “Henriku VI”. Ai është një njeri mburravec e vanitoz… Në komedinë e përmendur më lart, ai bënte çmos t’i binte në sy zonjës së tij, e cila nuk e duronte dot fare. Falstaf, me çorape të verdha, veshje që zonja e tij e urrente, i shfaqet asaj plot pathos, shpresë, duke i ofruar dashurinë e tij, doemos, së bashku me gjithë hajvanërinë që mbart. Me pak abstragim, por sidomos me shumë kujdes, mund të lidhim këtë figurë me ata që i përmenda më lart, dhe të tjerë, të sjellë në këto radhë me emër apo si precedent. Do të ishte një kombinim interesant. Duke u rikthyer te këto sjellje, gjeste, personazhe ala Falstaf, bllof, gënjeshtarë, vanitozë, abuzivë, vetiu pyesim nëse kjo gjë mbart posaçërisht vulën tonë, të vendit, të historisë, të psikofizikës sonë. Doemos që jo; dhe nuk ka shkak për teprime. Edhe në vende te tjera ndodhin; kanë ndodhur dhe ndodhin. Por tek ne, siç u tha më lart, janë shndërruar në sistem. Duhet shumë kohë dhe vullnet për ta çmontuar atë. Rrethana të ndryshme bëjnë që sistemi të hapet ndonjëherë, të tronditet, sidomos kur ne pësojmë, siç ka qenë rasti i vitit ‘97, kur mali polli vullkanin, por edhe raste të tjera, si 21 janari, apo kur na shtrëngojnë partnerët, si në episodin e fundit, kur pas një konflikti të gjatë dhe absurd, palët erdhën në marrëveshje si me magji. Këto kanë qenë zgjidhje të detyruara dhe informale; sistemi prapë është i fortë, kjo fushatë që sa vjen do të “vaposet”, po e tregon këtë gjë. Çmontimi i sistemit, është njëfarësoj ikja nga tranzicioni.
Sigal