Vangjush SARO/Shteti-amë si shembull i keq

556
Sigal

Në disa media, shkrues të ndryshëm përpiqen t’iu japin lexuesve pamje të idealizuara të jetës në trojet shqiptare. Dhe çështjen e bashkimit të shqiptarëve e paraqesin si një realitet në ngjizje. Ne jetojmë në një kohë kur mendja njerëzore është përgjithësisht e lirë; gjithkush ka dritën e vet se si i vështron ngjarjet dhe pamjet e jetës. Për autorin e këtyre radhëve, gjërat po shkojnë keq dhe kjo për shkak të lajmeve aspak të mira nga shteti-amë; kjo është një arsye më shumë për të folur me kujdes për bashkimin e shqiptarëve. Më së pari, Shqipëria administrative duhet t’i iki për vete tranzicionit dhe prapambetjes së thellë, duhet të ndryshojë me fakte, jo me fjalë. Kjo gjë mund të ishte një tregues pozitiv sa i takon së ardhmes dhe bashkimit të shqiptarëve.

Por duke vënë në dukje disa arritje, zbatimi i pluralizmit politik dhe praktika e ekonomisë së tregut, si dhe ndërtimi i rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën – pavarësisht kostos së diskutueshme – vërejmë se ai që quajmë shteti-amë, ka probleme të rënda, për të cilat nuk duhet heshtur. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, ata të Malit të Zi, të Preshevës, një milion shqiptarët e diasporës, etj., me të drejtë kthejnë sytë hera-herës nga Shqipëria administrative, me shpresë se ajo po i udhëheq për diku, me shpresë se ajo po ndryshon, po i qaset Perëndimit…Në këtë temë, bërja e Shqipërisë, Shqipëria e Madhe, Shqipëria Natyrale për disa, bashkimi i trojeve shqiptare për disa të tjerë, pak rëndësi ka termi, mbetet një çështje e hapur. Por ndërkaq, kjo është fusha ku shumë politikanë, shkrues të rrëmbyer, qejflinj muhabetesh, etj., sulen me furi dhe bërtasin me të madhe, sepse e dinë që…mund të marrin lëvdata apo do të shihen me simpati prej shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Asesi, edhe ata më “patriotët” (kupto: ata që shtiren si të tillë) e kanë të qartë se bërja e Shqipërisë kalon nëpër korridoret e Perëndimit; që do të thotë se askush nuk toleron sot njëlloj nacionalizmi “sy për sy”, me debate kufijsh e sundimesh. Rruga nëpër të cilën shqiptarët do të mund të bashkohen, është ajo e integrimit në BE dhe, përgjithësisht, në komunitetin perëndimor. Nga ana tjetër, ne duhet të flasim për bashkimin e shqiptarëve, por jo sa për sy e faqe e për demagogji dhe duke lënë në errësirë fakte të rënda e pengesa që duhen parë në sy: varfëria, papunësia, pasiguria, klientelizmi në biznes, konfliktualiteti i skajshëm politik, mungesa e shpirtit idealist, demagogjia enveriane që më së koti përpiqet të mbulojë halle të mëdha e të vogla të vendit, të shqiptarëve në tërësi.

Ndërkohë që mbetet t’i thërrasim mendjes e të ftillohemi ç’po kemi e ç’po ndodh në shtetin-amë, pse ai jeton në këtë lloj pështjellimi, ka shumë mundësi për të bashkuar gjithë shqiptarët në radhë të parë shpirtërisht, për të pranëvënë interesat e tyre afatgjata, tekstet e shkollave, problemet e gjuhës standarde, ato të historisë, bashkëjetesën kulturore, segmente të ekonomisë dhe tregtisë, vështrimin qetësisht mbi tradita më të mira, duke mos iu lënë hapësirë për abuzime as nostalgjikëve të kohëve të shkuara, as ekstremistëve të kohëve të sotme. Në këtë sens, Shqipëria, si shteti-amë, do të duhej të luante një rol parësor dhe të vendosur për bashkimin e shqiptarëve. Por kjo nuk është çështje palaçosh politikë e dritëshkurtërish. Kjo nuk bëhet përmes thirrjesh nacionaliste për interesa partitiste dhe (ca më keq) të karrierës personale.

Shikoni si përleshen deputetët, zëdhënësit e partive dhe drejtuesit kryesorë të vendit, kush ka vjedhur më shumë. Vështroni ç’po ndodh me kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, z. Sali Berisha! Për hir të zgjedhjeve të ardhshme e të pushtetit që s’e lëshon dot nga duart, ai zotëri i ardhur nga ish-perandoria komuniste, “harroi” papritur një sërë episode të turpshme, për të cilat mbase duhet të japë shpjegime: furnizmi me naftë i ushtrive të Milosheviçit; qëndrimet e çuditshme kundër Konferencës së Rambujesë; lulëzimi i fajdeve, viti ‘97 dhe pasojat e tij; tragjedia e Gërdecit; masakrimi i biznesmenit Remzi Hoxha; shuarja e lëvizjes sindikale në Shqipëri; sjellja e paprecedent me ish-të burgosurit politikë dhe ish-pronarët; shitja e detit, 21 janari i turpshëm, etj. Dhe sot, po…kalëron nacionalizmin, si Nastradini që harroi të numëronte veten: Në fillim, me një deklaratë të drejtpërdrejtë për bashkim; pastaj duke i “zgjidhur” fët e fët problemet e nënshtetësisë dhe të pasaportave; më pas, iu kthye Ligës Futbollistike…Deri sa të përfundojë fushata për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, nuk dihet ç’tjetër do të shpikë.

Gjojanacionalistëve dhe gjojapatriotëve iu duhet thënë se shqiptarëve më së pari iu duhet një shtet-amë që të drejtohet jo sipas modeleve të Koresë së Veriut apo Bjellorusisë, por me standardet demokratike perëndimore; shqiptarëve iu duhet një shtet që të bëjë dikur zgjedhje të lira e të ndershme; duhet një shtet ku administrata të mos jetë pronë e militantëve të verbër, por e teknikëve të studiuar dhe të talentuar; një shtet ku familja e kryeministrit apo ato të ministrave, të mos jenë kaq të panginjura për të vënë pasuri; një shtet ku njerëzit të mos hidhen në rrugë si të ishin të askujt apo armiq, vetëm e vetëm pse mendojnë ndryshe nga klani Berisha apo ngase nuk dinë të recitojnë dogmat e tij; një shtet ku dikush të kthejë sytë nga rrethet dhe krahinat e lëna pas dore e në të cilat nuk paguhen as edhe invalidët.

Ka edhe më. Indeksi i korrupsionit i Transparency International, për vitin 2012, tregoi se Shqipëria ishte një prej vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë. Global Financial Integrity, një grup avokat i anti-korrupsionit me seli në Uashington, na tregoi se elita e korruptuar e vendit nxori 1.3 miliardë nga Shqipëria, në periudhën e viteve 2005-2010. Ç’mësime e ç’mbështetje jep kështu shteti-amë?

Po të lexosh gazetat më serioze të vendit, kupton se ekonomia dhe gjithçka tjetër po drejtohen në mënyrë çaveziane. Kujtojmë ç’po i ndodh CEZ-it, (gjoba dhe vendime të rrëzuara në gjykata). Tri kompani greke gjithashtu janë larguar këto kohë, si “Hellenic Petroleum”; (kishte disa pika të shitjes së karburanteve, sipas standardeve të larta të BE-së). Dy nga këto kompani, kanë hedhur shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit, duke kërkuar dëmshpërblim, në shifra disa dhjetëra milionë euro për mosrespektim të kontratave. Një tjetër shoqëri, “Sky Petroleum”, u largua nga vendi dhe tashmë kërkon edhe ajo dëmshpërblim 1 miliard dollarë. ENEL-i, kompania e njohur italiane, u tërhoq nga dy sipërmarrje private: e para, me privatizimin e OSSH-së (në çastet e fundit), e dyta me investimin 2 miliardë euro për ndërtimin e TEC-it 800 MË në Porto Romano, Durrës. Grupi austriak DCM operon prej disa vitesh në vend në zonën e Bulqizës dhe në fabrika të përpunimit të mineralit krom, por sot ata po shkojnë drejt shitjes së degës së tyre në Shqipëri, ACR-së. Shoqëria sllovene e rrjetit të supermaketeve “Mercator”, gjithashtu nuk do të operojë në tregun tonë prej janarit 2013. Të njëjtin fat, pati edhe grupi gjerman “Praktiker” (pajisje pune, shtëpie, etj.), i cili erdhi me jehonë të madhe në Shqipëri, por nuk zgjati shumë për shkak të “zhgënjimit”. Grupi belg “Delhaize” që zotëron “Euromax”-in, kërkon ta shesë aktivitetin. Francezët e “Club Med” u tërhoqën nga investimi në Kakome, për shkak të problemeve me pronën dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria shqiptare. Etj.

Qeveria shqiptare dhe klani Berisha përpiqen të fajësojnë për dështimet dhe vjedhjet, edhe opozitën; natyrisht, kjo e fundit ka disa përgjegjësi në këto tema. Por asgjë propagandistike dhe që ka të bëjë me mosmenaxhimin e urrejtjes, nuk mund të justifikojë paaftësinë e qeverisë aktuale dhe të kryeministrit Berisha për një qeverisje të drejtë dhe në përputhje me standardet e përparuara demokratike. Më në fund, e gjithë kjo, vjen edhe për shkak të mungesës së këtyre standardeve në vetë partitë politike. Në PD, ka 22 vjet që dikton, zgjidhet, rizgjidhet, bën ç’të dojë vetëm një individ, Sali Berisha. Publiku nuk dëgjon asnjëherë për mbledhje të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar, por vetëm delirin e padurueshëm të këtij individi në mbledhjet e Grupit Parlamentar, ku pjesa tjetër e partisë hesht si mace e trembur. Nuk është e trëndafiltë gjendja edhe në partitë e tjera politike. Dhe pa u demokratizuar ato, nuk mund të ikë Shqipëria nga prapambetja dhe as nuk mund ta fshehë dot pamjen e saj hibrid, përftuar së paku prej vitit 2000. Një e tillë Shqipëri, është shumë pak për të bërë propagandë për bashkim, çka nuk do të thotë se ky proces nuk është në rendin e ditës; jo për pseudot.

Së fundi, të shpresojmë se pamja do të ndryshojë në këtë vit zgjedhjesh e sfidash përfundimtare. Nuk ka rëndësi ç’parti a ç’grupim do të fitojë, por largimi i megalomanëve dhe gjojanacionalistëve, që gjer më sot më shumë i kanë prishur punë se sa i kanë ndrequr bashkimit të shqiptarëve. Po e mbyllim këtë shtjellim me dy fjalë të urta të shqiptarëve. E para thotë: “Mjerë peshkatari që ka frikë nga lumi.” Por tjetra: “Hidhu përtej hendekut, pastaj thuaj hopa”.