Vangjush SARO/Shkatërrues institucionesh

63

Skota e pangopur në ikje e “Berishëve”, po zapton së fundmi edhe Shtëpinë e Ushtarakëve, në fakt një territor i paanë dhe një pasuri e paanë (e të gjithëve?) në mes të kryeqytetit. Ish-SHQUP. Kështu i thoshin dikur. Nuk mjaftoi hedhja në rrugë kohë pas kohe e shumicës së ushtarakëve; edhe një pasuri që tjetërkush ua la, duan ta bëjnë të partisë. Të partisë që na “ndriti”; sidomos në këtë mandatin e fundit. Ani. Duke e vështruar ftohtë këtë fakt të ri, me të cilin duhet të merret drejtësia, nuk ka si të mos sjellësh ndër mend një sërë vjedhje e shkatërrime të tjera që mbajnë po këtë firmë. Lajmet e këqija nuk kanë të mbaruar, edhe pse skota i ka ditët të numëruara. Ajo, me të vërtetë që po e bën baltë.

Tani na duhet të përdorim numeracionin, (një figurë e marrë hua nga letërsia.) Është kjo skotë që shkatërroi institucionin e Presidentit, duke ia hequr krejt kompetencat, për ta shndërruar në një ent më shumë se honorifik. Kjo skotë mori nëpër këmbë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe godinën  e këtij institucioni, që e shndërroi në Ministri të Kulturës, enti që prodhon më pak ose aspak në Shqipëri, ministria më e turpshme dhe më e qullët, në jetë të jetëve në Shqipëri. Po kjo skotë i dha arsimit një pamje qesharake, tejet të politizuar; shkolla e lartë veçmas u bë një lodër, që mund të merret sikur je në piknik apo duke pirë një krikëll birrë. Po ashtu, u zhveshën nga funksionet dhe u shkatërruan e janë bërë inekzistente Dhomat e Tregtisë e të Industrisë, të cilave nuk iu ndihet zëri fare, sikur të mos ishin. Institucionet e drejtësisë skota i ka mbushur me ish-badigardë e militantë që e kanë bërë shkollën “natën”, por vjedhin në mes të ditës; kështu është sjellë edhe me policinë, që ka treguar dhe po tregon një mefshtësi sikur të ishim në vendin më të humbur të botës.

Skota në fjalë shkatërroi sindikalizmin, duke iu hedhur drejtuesve (të përhershëm) të sindikatave nga një kockë (kupto pronë) dhe duke ua mbyllur kështu gojën për jetë e mot. Ecë e thuaj që jetojmë në demokraci dhe njerëzit e punës mund të organizohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, si kudo në botë. Skota shkatërroi gjithë partitë e djathta tradicionale, duke përfituar edhe nga zelli i disa prej drejtuesve të rinj të tyre për pushtet, por  pse jo krejt të djathtën, e cila humbi lidhjet me bazën e vërtetë, pronarët dhe të përndjekurit. Akademia e Shkencave mori të politizohej edhe ajo. Iu vërsulën mandej gjuhës standarde, duke bërë çmos ta dialektalizojnë, duke abuzuar me dëshirën e njerëzve për t’u pasqyruar në këtë standard e gjithë pasuria leksikore, frazeologjike dhe shprehëse e shqipes. (Shpresojmë të mos ia arrijnë dot qëllimit, sepse tashmë gjuha standarde është prevaluese dhe mbijeton në krejt median dhe artet, po ashtu në një sërë revista, portale e televizione në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali i Zi, sa edhe në krejt diasporën.)

Enumeracioni është një figurë e lodhshme paksa. Ka qenë dikur një institucion që quhej Qendra Kulturore e Fëmijëve. E morën dhe e degdisën në katin e fundit të Piramidës; tash nuk i dihen fare gjurmët dhe a zhvillon dot ndonjë veprimtari. Se çfarë mund të bëjnë fëmijët e një qyteti me gati 1 milion banorë, këtë e di skota; (duan t’ua rrëmbejnë edhe 7 Xhuxhat dhe për çudi, na paska firmosur për këtë edhe kolegu ynë i dashur z.Zhiti, të cilin e përshëndeta kur u bë ministër dhe i kujtova se për çfarë po e ngrinin aq vonë aq lart…) Koha të cilën Berisha dhe të vetët e shajnë me ulërima, pa duruar ta shajnë ata që vuajtën vërtet dhe jo komunistët 20-vjeçarë e miqtë e Bllokut, kishte një sërë biblioteka lagjeje; kishte një sërë të ashtuquajtura shtëpi rinie; shkollave nuk guxoje t’iu aviteshe, jo më t’iu merrje territore për të ndërtuar pallate-monstra mbi kokat e fëmijëve. U zhdukën të gjitha, me ndihmën edhe të ushtrisë së sahanlëpirësve, shumë prej të cilëve mercenarë në media karagjoze apo të tilla që s’janë më e që s’lehin më…

Skotës i kanë pëlqyer shumë krahasimet, për shembull ato me Gjermaninë, me Perëndimin në tërësi…Po, bie fjala, si është dhe çfarë ka një Dhomë Tregtie në Gjermani? Po marr vetëm Dhomën e Artizanatit të Koblencit, që e kam vizituar dy herë. Ka anëtarësi të siguruar. Ka prona, zyra, shkolla profesionale, përmes të cilave garantohen bizneset e vogla kudo. Ka salla të mëdha ekspozitash, disa prej, të cilave rrinë hapur përherë. Boton disa gazeta e buletine. I dëgjohet zëri për taksat, për dhënien e kredive, për administrimin e territoreve të qytetit. Me shtetin i ka hesapet një dhe një bëjnë dy. Po se mos do t’ia dijë skota që dhomat shqiptare janë hije, sepse ashtu duhej…që të diktonte skota. Duhej t’i bënte ajo të gjitha, regjistrimin e biznesit, licencat, taksat, tenderat. Dhomat shqiptare të mbajnë derën…

Se mos harroj. Sa nxënës ka një klasë në shkollat e Suedisë? Si nja 15-20. (Kurse në klasat e shkollave tona, dyfish.) Si është dhe çfarë ka një shkollë në Kanada?…Një shkollë e vogël fillore në BC (British Columbia) ka veten e vet, me aq shumë territor e pajisje, sa nuk kanë të gjitha universitetet shtetërore të marra së bashku në Shqipëri. Ka palestër. Ka dy ose tre fusha futbolli dhe basketbolli. Ka kënd lojërash për më të vegjlit. Ka një territor të veçantë ngjitur me ndërtesën e shkollës, të mbuluar, mjaft të konsiderueshëm dhe ku mund të zhvillohet ora e fizkulturës në kohë me shi. Ka dy vendparkime. Ka mjek. Ka asistente. Ka sekretare. Ka edhe dy pastrues. Dhe gjelbërim pa fund përqark. Mjetet mësimore në dorë të mësuesit dhe nxënësve, janë vetë larmia dhe nuk mungojnë asnjëherë. M’u kujtua kjo ashtu rastësisht, teksa një miku im, drejtor shkolle i shkarkuar, më shkruante se jo që nuk bëhet fjalë për mjete e laboratore, por nuk iu jep kush as letra formati e lapsa. Por sa për mitingje, vuuu…

E di, realisht krahasimet ende nuk janë të kollajshme për ne; megjithëse skota i kishte për zemër, i bënte për demagogji. Edhe duke ikur, skota veç vazhdon të kërcënohet e të krekoset e të shpërndajë lajme të këqija në Shqipëri. Pardje lejoi importin e plehrave. Sot i vërsulet Shtëpisë së Ushtarakëve. Nesër nuk dihet çfarë mund të bëjë. I vetmi ngushëllim (dhe lajm i mirë) për qytetarët e këtij vendi dhe për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, është fakti kokëfortë që skota po ikën. Duke dhënë garanci se nuk do t’i kalojë me indiferentizëm dhe pa reaguar vjedhjet dhe shkatërrimet e institucioneve, sa edhe vendimet antishqiptare si ai i importit të plehrave, qeveria e ardhshme duhet të lexojë mirë lajmet e deritanishme. A do të nxjerrë mësime apo jo dhe si do të sillet me këto që u thanë më lart dhe në tema të tjera, njerëzit presin ta shikojnë këtë qëndrim; kanë dhënë një votë që nuk duhet zhgënjyer.