Vangjush SARO/ Qeveria dhe “3 zarfet”

531
Sigal

U bënë tashmë disa muaj që, qeveria e zgjedhur nga shumica e qytetarëve shqiptarë, po rreket të tregojë më të mirën e vet, gjë që për fat të keq, ende është apo më mirë ka mbetur në nivelin e deklaratave dhe të konstatimeve. Këto të fundit po mbushin mediat dhe krejt botën e zyrave e më tej, edhe atë të qytetarëve në pritje. Kjo sjellje, më kujton një barsoletë të hershme të titulluar “3 zarfet” dhe që në pjesën e parë bën fjalë për një drejtor të porsaemëruar, i cili këshillohet t’ia hedhë të gjitha fajet paraardhësit të vet… Kështu, edhe ne dëgjojmë përditë të thuhet se, ministrat e qeverisë së shkuar kanë abuzuar. Thuhet se, ka kompani e subjekte që punojnë pa licenca në shfrytëzimin e minierave. Nafta është importuar për punime të rëndomta, por iu shitet qytetarëve. Ka pasur abuzime në Tatime e dogana. Nuk është punuar mirë në këtë aspekt apo në atë aspekt.

Në disa nga aktet e fundit të qeverisë, që po drejton vendin aktualisht, bie në sy qartazi shfajësimi për hapat e ngadalshëm të saj në përmbushjen e zotimeve të marra. Takim me biznesmenët. Histori. Është bërë ashtu dhe kështu. Ka pasur abuzime atje dhe këtu. S’do ketë më… Në analiza të drejtorive të policisë, i njëjti skenar. Krimi ka qenë pjesë e së shkuarës, edhe e qeverisjes së shkuar. Ai do të marrë ndëshkimin e merituar. Por në realitet nuk ka një limitim të dukurive këso. Përkundrazi. E pra, kjo frymë pohimesh pa sens dhe pa gjetje alternative, është bërë tashmë e lodhshme. Deklaratavizmi nuk mjafton për të ndryshuar vendin dhe për të realizuar premtimet e shumta, dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Në përgjithësi, nuk mund të shtyhet më duke atakuar – për gjithë sa nuk shkon mbroth – kabinetet e shkuara qeveritare. Në vend të fjalëve, abuzuesit duhet të përballen me drejtësinë. Opozita s’i takon më së majtës, por dikujt tjetër; (edhe pse ky dikush tjetër nuk po performon si do të duhej).

Është një prirje e hershme në politikën shqiptare përcjellja e përgjegjësive te të tjerët, hedhja dhe pritja e batutave, dalja e atyre që janë në pushtet si…opozitë e rikthyer për të ndarë “fajet”. Fakti që pakgjë po ndryshon – mbase po ndërrohet me shpejtësi e më së pari vetëm administrata – bie në sy më së shumti në kryeqendrën e vendit, në Tiranë. Sado që këtu pushteti është një “top” që palët ia hedhin njëra-tjetrës, mund të konstatohet me lehtësi se jeta është po aq e vështirë dhe e pamundur, sa edhe më parë…Ajo çka mund të shohë çdokush, pa hyrë ende si duhet në brendësitë e jetës së këtij qyteti, është më së pari pasiguria (nga plumba të ndonjë prite për tjetërkënd apo nga makinat) dhe gjithaq kaosi i vazhdueshëm në trafik; më tej, pikat e errëta, të pista e të turpshme, që nga Piramida – kufomë që qelbet deri në skaje; pastaj pellgjet me ujë të ndotur, në brendësi të lagjeve, në qendër dhe në rrethina; më tutje, lehjet e qenve, natë e ditë, në afërsi dhe larg; dhe më në fund, kontraste të padurueshme, luks e snobizëm nga njëra anë dhe varfëri e prapambetje në anën tjetër. Uji është me dhe pa orar. Zhurma pa orar.

Tirana merr frymë si një njeri që lëngon. Tregjet e saj janë krejt jashtë kontrollit. Ajri i papastër. Nuk ka gjelbërim; edhe lulishtet më të fundit po betonizohen. Në institucione nuk ka vendparkime. Makinat rrinë në rrugë, tani edhe të dubluara. Shumica e këtyre rrugëve janë të ngushta dhe gjatë gjithë kohës plot me kalimtarë e çertexhinj; (të gjithë shesin, të gjithë blejnë…) Shtesat pa lejë dhe praktika e tezgave, klubeve e dyqankave – mizë lisi në çdo cep a xhep rruge – i blatojnë qytetit një dinamizëm fals. Por ai pothuaj nuk është i gjallë. Ai thjesht përpëlitet të mbijetojë. Dhe…të shitet si metropol. Aktualisht nuk vërehen ndërhyrje energjike të administratës në pushtet për të stabilizuar rendin dhe për t’iu hapur rrugën investimeve të huaja apo edhe zgjerimit të atyre vendase. Edhe po të kalojmë në pamjen tjetër, në atë të biznesit të palicencuar, ai është gjithë në rrugë, ku gëlon anarkia; frika për humbjen e elektoratit ka qenë përherë një barrikadë në zbatimin e ligjit dhe në thellimin e reformave. Për fat të keq, kjo mbetet kështu sot e gjithë ditën. Është koha që qeveria aktuale të kuptojë se duhet lëvizur përtej deklaratave, shfajësimeve apo edhe fajësimit të të tjerëve. Është momenti që, kryeministri E.Rama të dijë se nuk bëjnë më efekt vetëm frazat e tij të mirëartikuluara; duhen ndërmarrë veprime konkrete. Nëse gjendja qenka e rëndë, nëse punët qenkan të vështira, nëse më në fund, për të ndryshuar shumë a pak Status-Quo-në, duhet të përplasesh me njerëzit, këto opozita e djeshme i di shumë mirë. Ajo i mori në sy të gjitha përpara se të kërkonte pushtetin. Duhet të ushtrojë autoritetin e vet për të ndëshkuar abuzimet jo me fjalë, por me vepra (që do të thotë se më e pakta duhet të gatisë dosjet a deponimet); për të ndryshuar “tallavanë” me udhëzime, ligje e monitorim serioz; për të bërë të mundur ikjen nga tranzicioni i stërgjatë, midis të tjerave, duke iu besuar më në fund ekspertëve e teknikëve dhe jo si përherë militantëve që presin pas dere…