Vangjush Saro/ Qendra e Fëmijëve si “Ferma e kafshëve”

580
Nuk është fjala për romanin e njohur, sado që analogjia shkon edhe më përtej. Por këto ditë, në media, pashë rastësisht disa pamje përçudnuese e të errëta të asaj që quhet sot “Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve”. Nuk po zgjatem me atë se çfarë ofrojnë pamjet apo cilët janë individët që kanë drejtuar dhe drejtojnë këto (gjoja) institucione në këto kohë tranzicioni grotesk. Nuk do të zgjatem gjithaq të kërkoj se qysh…I kërkojnë me qiri këto drejtoresha e këta drejtorë… Ata janë mëtonjës të vegjël. Do të flas me zyrtarët e lartë, me njerëzit e pandjeshëm që (bëjnë sikur) e drejtojnë atë vend; (prej shumë kohësh). Nuk ka anë e fund mizerabiliteti që ka prodhuar dhe prodhon kakofonia ku mbetet e zhytur kjo skotë; nuk ka radhë e shtyp të shpërfaqë budallallëqet që krijojnë e pompojnë orë e çast, vit pas viti, kohë pas kohe. Mënyra se si ata drejtojnë, me demagogji, me mbetje të theksuara nga koha dhe rendi i shkuar, me fanatizëm dhe autoritarizëm, patjetër që nuk do të lejojë asnjë diell të duket andej pari sadopak. 
Na ishte një herë Pallati i Pionierëve
Duke lutur lexuesin të më falë për mungesën e modestisë, po kujtoj se këtë temë e kam trajtuar në disa shkrime dhe intervista të publikuara në shtyp apo të shfaqura nga TV të ndryshme, kohë pas kohe; (“Shekulli”, “Telegraf”, “Ballkan”, TVSH, News 24, etj.) Në ato intervista e shkrime kam vënë në dukje gjendjen e papranueshme të institucioneve ku pretendohet se “edukohen” dhe “argëtohen” fëmijët. Kjo drejtori ka qenë për disa kohë te ish-Pallati i Pionerëve. Atje mjediset ishin të pranueshme.Për më tepër, në bibliotekën e qendrës punonte Tatiana Nuri, një mësuese, masovike dhe organizatore që nuk vjen më. Ishin të shumta aktivitetet që zhvillonte Qendra, midis të cilave edhe takime me shkrimtarë të njohur. Kemi qenë disa herë mysafirë të Qendrës dhe të zonjësTatiana Nuri, së bashku me kolegë si B. Xhama, V.Canosinaj, Sh. Vreto, etj. Fëmijët dhe punonjësit ishin dashamirës dhe të interesuar për takime. Edhe kur “u ngjit” në katin e fundit të Piramidës, ani pse në një hapësirë të ngushtë e të pavend, Qendra vazhdoi të funksiononte dhe zhvilloi një sërë veprimtari. Fotot e publikuara së fundi, katandisja e kësaj qendre në një mizerje të vërtetë, nuk ka si të mos brengosë çdo qytetar, ca më tepër shkrimtarët për fëmijë e të rinj.

Indiferenca e politikës

Është e habitshme se si funksionon ai shtet. Të gjithë zyrtarët dhe politikanët (“e spikatur”) janë të rregulluar; vetë dhe fëmijët e tyre. Nuk kanë probleme shtëpie, orendish, zyrash. Nuk kanë pasur asnjëherë. Kështu, mund të kujtojmë se si kryeministrat dhe ministrat kanë rinovuar dhe rinovojnë dhe prapë e prapë rinovojnë, pareshtur, gjer në maraz, pa pikën e përgjegjësisë qytetare, mjediset ku zotërinjtë e tyre punojnë dhe sidomos banjot për të cilat, veçanërisht, kujdesen me një përparësi prej të marrësh. Le të mos shkojmë pastaj te shtëpitë e tyre, te vilat e tyre, te “Qendrat” e tyre të pushimit e të çlodhjes. Çdokush që ndjek këtë realitet, pyet si naiv: A kanë qenë ndonjëherë fëmijë ata njerëz? A kanë fëmijë? A e kuptojnë çfarë është një fëmijë? Më tej, a e dinë ata sa fëmijë ka Tirana, sa fëmijë (bëjnë sikur) jetojnë në rrethinat e “metropolit”? Më në fund, kanë ata ndonjë të dhënë se me çfarë merren këta fëmijë pas shkolle? (Termi i fundit është një vuajtje më vete).

Përvoja perëndimore

Po e zgjeroj pak këndvështrimin. Jo për karshillëk dhe as për të trishtuar ndokënd, thjesht për të kqyrur se ku ndodhemi, do të doja të tregoja për lexuesit e interesuar se çfarë është dhe çfarë ofron vetëm një shkollë e thjeshtë fillore këtu në Delta/Vankuver (Kanada): Një fushë futbolli, një tjetër volejbolli ose basketbolli, një park me lodra për fëmijët, një mjedis të jashtëm të mbuluar, për çdo episod në shi e kohë të keqe, oborre të mjaftueshëm në të dy krahët e shkollës dhe më në fund dy parkingje. Këto nuk janë fantazi as gjëra të sajuar, por të para me sy ditën për diell, shumë herë, ndoshta çdo ditë, duke ndjekur edhe aktivitete, duke parë se me sa kujdes shtet I trajton asetet e veta publike. Lexuesit, jam i bindur, do të mund të sillnin gjithashtu shembuj dhe pamje nga vende të tjera, që nuk se janë parajsa vetë; por ka atje një lloj sedre në qeverisje; ka disa rregulla që zbatohen; ka një minimum korrektësie zyrtare, qeveritare, shtetërore. Kjo ka munguar dhe mungon te ne. Po kujtoj se ndërtimi ka qenë këto kohë industria që ka kryesuar lëmin e industrisë dhe të ekonomisë shqiptare. Me shifra të verifikuara. Nuk mbeti njeri pa ndërtuar pallate në Tiranë. Nuk mbeti njeri pa sajuar shtesa kati. Nuk mbeti njeri pa e bërë një vilë në periferi. Mirëpo ja, për fëmijët e Tiranës, për fëmijët e Shqipërisë, nuk u gjend asnjë ministër, asnjë kryeministër, asnjë president, askush… që të vinte dorën në zemër. Këto të fundit, zemrat, i ka kapluar krejt paraja, interesi, thirrjet e klanit, frika për humbjen e pushtetit, asgjëja. Sot do të duhej të flisnim se çfarë bën një qendër kombëtare kulturore e fëmijëve; cilat janë aktivitetet e saj në dobi të rritjes së shëndetshme e të kulturuar të fëmijëve; si përzgjidhen e sugjerohen tekstet, librat dhe antologjitë letrare (temë kusërish, kakofonia dhe papërgjegjshmëria janë evidente). Do të duhej… 

Fondet e munguara

Kurse ne jemi ende duke folur për mjedise, për fonde që nuk jepen asnjëherë ose që shpërdorohen; jemi duke folur për mungesë vendi dhe dëshire që fëmijët të kenë një qendër për të qenë. Kjo është një farsë e vërtetë. Është një turp.Edhe pas një çerek shekulli, një sërë atje janë duke sharrë ende komunistët dhe komunizmin, iu ka mbetur ora në vitin‘90, kur ne të gjithë i kërkuam atij rendi dhe zyrtarëve të atij rendi “të hapnin krahun”. Mendoj, herët a vonë, por duket që është vonë, zyrtarët shqiptarë, mediat, qytetarët pse jo, duhet të kuptojnë se nu kshtyhet me farsa dhe fanfara. Nuk shtyhet me demagogji dhe ideologji, me urrejtje që mbulojnë dobiçllëqet. Skandali i gjëndjes së Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve (shikoni ç’emër i madh e ç’kolibe qesharake) është në radhën e një sërë skandaleve që ai vend i prodhon në vazhdimësi. Është folur për stadiume, për rrrugë, për mole; ndoshta disa janë ndërtuar. Ka ardhur koha të flitet edhe për një qendër të vërtetë kulturore për fëmijët. Është aq vonë, saqë edhe në u ndërtoftë dikur kjo qendër, e në funksionoftë sidomos, prapë do të jenë të dukshme gjurmët dhe pasojat e kësaj sjelljeje brutale me breza të tërë fëmijësh. Ata që “përleshen” përlloj-lloj temash deri banale, në politikë, në art, në sport, le të qëndrojnë një hop në këtë temë të brishtë, si përpara një pasqyre, ku do të shohin sa të pështirë janë, sa pa mend, sa pa dashuri, më në fund, sa komikë në një skenë që kullon trishtim…
Sigal