Vangjush SARO/Pse ‘dridhemi’ ne shqiptarët…

548
Sigal

Këto ditë, një numër mbështetësish të Partisë Demokratike në Dibër, i janë bashkuar lëvizjes së ashtuquajtur “Rilindje”, të dirigjuar nga Partia Socialiste. Po ashtu, në Kosovë, kryetari dhe kryesia e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Rahovec, kanë kaluar në Partinë Demokratike të Kosovës. E gjithë historia e këtyre 22 vjet pluralizëm dhe ekonomi tregu, është karakterizuar nga një anarki totale në lëmin e politikës (dhe jo vetëm). Dukuri të tilla janë të rënduara sa nga përvojat historike – me ngjashmëri që të trembin – aq edhe nga shpalosja e një krize ekonomike e morale, që me një fjalë të vetme mund ta emërtonim anarshi. Një kryeministër në dëlir dhe në frikë njëherësh; gjendje e çuditshme. Një tufë politikanësh që tundin si të marrë frazën e Meri Uorthi Montegut, thënë këtu e dy shekuj të shkuar: “Shqiptarët nuk janë të stërvitur për diskutime”.

 Pak retrospektivë. Po ju tregoj shkurtazi vetëm “dridhjet” dhe të “dredhurat” që kanë ndodhur në njërën prej partive të krijuara pas vendosjes së pluralizmit, në Partinë Socialdemokrate (PSD). Në vitin 1994, Referendumi për Kushtetutën, i iniciuar nga Sali Berisha dhe PD, u kthye në bumerang për këta të fundit. Midis lëvizjeve të tjera që u bënë me këtë rast – në kushtet kur PSD e drejtuar nga Gjinushi po shkëputej nga koalicioni qeverisës dhe po performonte më në të majtë – nga PSD u shkëput një grup drejtuesish dhe aktivistësh që i udhëhiqnin Teodor Laço dhe Arian Starova. Ata krijuan Partinë Liberale Demokrate. Më pas, po nga kjo parti, u shkëput një grup i drejtuar (në atë kohë) nga Dhori Kule dhe Bahri Myftari, por që pati jetë të shkurtër. Po nga PSD, shkëputet një tjetër grup i drejtuar nga Paskal Milo; ky i fundit krijoi partinë Demokracia Sociale. Më vonë akoma, një grup i drejtuar nga Gaqo Apostoli krijoi një tjetër parti…

Nuk them ndonjë gjë të re po të kujtoj që po kështu, nga PD u shkëputën një sërë degëzime dhe parti politike, të cilat në fakt nuk mbijetuan ose u rikthyen dikur në PD. (Disi më gjatë rezistoi një formacion i drejtuar nga Dashamir Shehi.) Po ashtu, të gjithë e dimë se si janë ndarë partitë historike, Balli Kombëtar dhe Legaliteti në degë e parti të tjera, disa duke u cilësuar ‘demokrate’ a ‘demokratike’, a thua kjo mjafton për të qenë këso…I njëjti fenomen ka ndodhur në Partinë Demokristiane. Së fundi, po kjo këngë po këndohet edhe në lëvizjen Çame. Është edhe më komike akoma, kur lëvizjet bëhen brendapërbrenda Parlamentit, kur X deputet e ka marrë mandatin nga njëra parti dhe shkon e rreshtohet te partia tjetër. Të tilla palaçollëqe, mund të ndodhin vetëm në një vend ku nuk ka rregulla, por ka vetëm anarshi.

Ani. Pyetjet që shtrohen në këtë temë, janë të thjeshta. E para: Pse dridhemi dhe pse e dredhim ne shqiptarët? Nuk po themi se në vende të tjera dhe në histori të tjera nuk ka episode të tilla. Problemi është që  te ne, këto marifete janë të përditshme, të përnatshme, të përjavshme, të përmuajshme…Çfarë mbeti tjetër pa u thënë? Ky është një zanat tipik shqiptar. E di. E thashë troç, pa doreza. Dhe jo me fjalë të bukura. Por nuk ka se si të përzgjedhësh fjalët dhe të mendohesh gjatë, kur gjëra të tilla kanë ndodhur e ndodhin në një shpeshtësi të frikshme. (Në periudhat e errëta të sundimit osman, kjo dukuri ishte thelbi i epokës, por edhe fitili i dinamitit që e shkatërroi vendin. Dhe e ndau nga Evropa, në mos edhe nga Ballkani.)

Pyetja e dytë është: Përse e bëjmë ne shqiptarët këtë? Përgjigjet mund të jenë variuese, por mendoj se në themel të tyre mund të vendosen pa shumë droje disa elemente që pëlcasin nga prakticizmi: paqëndrueshmëria shpirtërore, që nuk e di ku e ka burimin, (varfëria mund të jetë një prej shpjegimeve); prirja e hershme për të mëtuar, për të përfituar, pse jo edhe për të nxjerrë inate kushedi çfarë; raportet e dobëta civile, çka nënkupton mungesën e idealizmit, rendjen pas ‘thelave’. Në bashkim të këtyre elementëve, gjithsesi, kemi një barrikadë të vetme, që në fakt është prapambetja, mangësitë e theksuara në qytetërim. Kjo prapambetje përfshin edhe ata që hidhen nga një parti në tjetrën, nga një kolltuk në tjetrin, edhe ata që krijojnë kushte për të realizuar kësoj skenarësh. Te ne, në disa parti dhe zyra të rëndësishme të shtetit, janë ulur këmbëkryq tiranët. Ata janë mes të mirave, kanë siguruar veten dhe familjet, kanë parashikuar edhe sigurimin e brezave që vijnë; ata, si të thuash, kanë qenë të parët që janë marrë me prostitucion; prostituta që ata kanë përdorur, është vetë Shqipëria. E teprova? Po a ka turp më të madh se sa të vrasësh 26 njerëz për hir të fitimeve të tua e të klanit tënd (gjëma e Gërdecit) dhe pastaj të mos ndodhë asgjë? Ku ngjet kjo? Në cilin vend…demokratik në botë?

Mekanizmat e rënda e të ndryshkura të politikëbërjes (për dy dekada u ndryshkën këto dreq?) ka pak gjasa të garantojnë prosperitet e zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Nuk është e mundur, sepse tiranët nuk duan, tirani që drejton qeverinë nuk do. Dhe që të thyesh tiranët, duhet të kesh me vete popullin. Por ai është i fragmentarizuar. Tiranët iu ka dhënë nga një kockë. (Në tokat pa lejë të të tjerëve. Në zyrat e shtetit, që i bëjnë si duan vetë. Në privatizimet e pasurisë kombëtare, që nuk paskan të sosur…)

Më në fund, puna është që sedrën e qytetërimit dhe të prosperitetit, ne e kemi të lënduar, e kemi të kompromentuar. Ëndërroj…brezat që vijnë, jo në këto zgjedhje, as në të tjerat, edhe më tej mbase, do të marrin në dorë fatet e vendit dhe do të thonë: Tiranë, zbythuni! Popull, zgjohu, je ende në Evropë. Rregulla të vjetra, kyçuni në sirtarët e komunizmit dhe të neokomunizmit! Po hapim një faqe të re. Shikoni se një pjesë e ëndrrave realizohen…