Vangjush Saro/ Projekte ekonomike apo demagogjike (!)

509
Sigal

Këto ditë, disa media po përcjellin në publikun e gjerë një lajm, më saktë një program, të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që bën fjalë për një numër të madh projektesh, 65 të tilla, për realizimin e të cilave do të ftohen të marrin pjesë biznese vendase dhe të huaja. Në njoftim, a thua autorët i kanë parashikuar pyetjet dhe moskuptimet, thuhet gjithashtu se projektet janë sjellë “nga ministritë e linjës dhe institucionet” (!) Nuk thuhet dhe nuk kuptohet se cilat janë këto projekte, për çfarë bëhet fjalë konkretisht, kur janë kompozuar, ç’përfaqësojnë dhe kur mbyllen… Lajmet e mira janë të mirëpritura. Por na duket se kështu dhe kaq, jemi thjesht në një lojë përvojash dhe termash demagogjike.

Nuk ka gjë më të përgjithshme dhe më të përciptë njëherësh, sesa të ngresh një stuhi në gotë, duke mos marrë përsipër asnjëlloj shpjegimi në tema kaq të rëndësishme. Të hedhësh në publik një lajm kaq “të kushtueshëm”, më së pari si politikë zhvillimi – 65 projekte të rëndësishme – por jo më pak edhe në shifra, 375.6 miliardë lekë, por pa shpjegime konkrete dhe pa detaje, është, më e pakta, jo profesionale. Disa nga pyetjet që vijnë përpara autorëve të këtij programi, mund të ishin edhe këto: Këto projekte janë punë të mbetura përgjysmë nga qeveria e mëparshme, nga qeveritë e mëparshme? Janë punë të reja, që vijnë nga zyrat dhe administrata e kësaj qeverie? Apo janë hibride, që asnjëherë nuk merret vesh ç’pamje kanë, ç’vlerë kanë veç e veç, çfarë përfaqësojnë, si do të ndikojnë në ekonominë e vendit, për sa kohë do të zgjasin, etj. etj.

Po qasemi edhe më mirë në temë. Ajo që përpiqemi të kuptojmë dhe që pastaj duam t’ua përcjellim edhe të tjerëve, është se në ç’masë dhe me çfarë përgjegjësie pushtetet lënë në duar të njëri-tjetrit projektet, arritjet dhe mosarritjet e tyre. E vlen të ndalemi në këtë argument, sepse tashmë kaloi çerek shekulli nga shpërfaqja në mënyrë brutale e mërive dhe urrejtjeve të trashëguara. Prej vitit ‘91 e deri më sot, dy formacionet kryesore politike PD e PS dhe aleatët e tyre i kanë shkëmbyer portat dhe rolet disa herë; më së shumti, duke ia lënë njëri-tjetrit faturat për dështimet apo gjërat e bëra keq e për faqe të zezë. A nuk ka ardhur koha për një qëndrim serioz ndaj pushtetit, përfshirë trashëgimitë dhe problemet?

Ani. Le të kthehemi edhe njëherë te lajmi i rëndësishëm. Me të vërtetë, çfarë janë këto projekte e këto punë, të lajmëruara me kaq bujë dhe në formën e një pakete. 65 projekte! Të thuash ti, po luan vendi vendit… Më kujtohet, para disa viteve, pati një stuhi lajmërimesh për projekte e punë, të rëndësishme dhe të parëndësishme; dhe tenderat e tyre do të zhvilloheshin… më 31 dhjetor. (Komuna Katund i Ri, Durrës, tender për një rrugë, “Rikonstruksion Sukth-Lapidar”, me një fond limit prej 11.666.666. lekësh. Bashkia Vorë zhvillon tenderin “Rikonstruksion dhe asfaltim i rrugëve të brendshme të qytetit Vorë”, me një fond limit prej 58.619.614 lekësh. Bashkia Rrogozhinë, Drejtoria Zonale Gjirokastër, etj. Lista ishte e gjatë, punë e madhe. Ajo vazhdonte me tendera e “aksione” të tjera, qendrore e zonale; dhe shkonte gjer te… emërimi i një roje. Të gjitha këto, disa orë përpara ndërrimit të viteve!)

Çfarë kujtova këtu më sipër, ka edhe disa doza humori, sado që lista e pafund ishte krejt e vërtetë. Por mund të kujtojmë tani një listë tjetër, shumë më të gjatë e më të rëndësishme. Është fjala për një prej projekteve më të lançuara të pushtetit që sot është në opozitë, ndërtimi i një numri të madh hidrocentralesh të vogla, digat e të cilave do të ngriheshin përgjatë lumenjve kryesorë të vendit, në zona disi të larguara nga qendra dhe nga qytetet më të njohur të vendit. (Kjo bëhej për të “balancuar problemet energjitike”.) Atëherë, përndryshe vetëm disa vjet më parë, në gazetat kryesore, botoheshin thuajse përditë ftesa për projekte dhe lajme për fillimin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve. Po të flasim me gjuhën e vjetër, e gjithë kjo ishte pothuaj një aksion. Nuk mbeti zyrtar e biznesmen pa u përfshirë në këtë “aksion”, me shpresën se do të fitonin mirë.

Po bëhet një kohë e gjatë që nuk kemi dëgjuar e parë të ndodhë gjë më tutje me këto hidrocentrale, me këto projekte, për të cilët, si e thamë më lart, ka pasur jo shumë kohë më parë, zhurmë e bujë pa masë. Ndoshta disa prej tyre u ndërtuan apo po ndërtohen dhe nuk kemi sa duhet informacion, për çka do të kërkonim ndjesë. Por për një gjë jemi të sigurt: Nuk ka 250 apo 280 hidrocentrale të vegjël. Ai projekt, më mirë ato projekte, dështuan. Mbase e gjithë kjo ishte një çështje mediatike, e trajtimit mediatik. Mbase kështu është edhe me 65 projektet “e reja” në fjalë, sot. Në njoftim (çuditërisht) thuhet më tutje se bizneset vendase dhe të huaja duhet… “të paraqesin projekte konkrete për t’u bërë pjesë e partneritetit publik-privat, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.”

Pra, projektet edhe janë, edhe s’janë. Por janë 65 projekte. Nga ana tjetër, bizneset të paraqesin… projektet e tyre. Kërkojmë ndjesë nëse me të vërtetë kemi të bëjmë me një çështje mediatike. Kurrsesi nëse çështja është demagogjike. Politike për më tepër. Në fakt, të vetmet gjëra (të njoftimit) për të cilat ka njëlloj transparence, janë “ndërtimi i segmentit të rrugës së Arbrit dhe projekti i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Morinë.” Edhe këtu, nuk dihet çfarë është bërë më parë e çfarë po bëhet sot, mandej çfarë do të bëhet më tej…

Mendojmë se administrata ka pasur mjaft kohë për të folur me vete e për të medituar. Tani le të jetë ca më e qartë dhe me këmbë në tokë. Akte demagogjie nuk i duhen askujt. Çdo projekt, çdo punë e saj, duhet të ketë një emër, si dhe një çertifikatë që t’i tregojë publikut dhe specialistëve çfarë është, si e ka emrin, kur ka filluar, kush e ka filluar, sa lekë ka “gëlltitur” më parë, kur do të përfundojë… projekti. Më vjen ndër mend një frazë e A. Kamy: “Ja fytyra e këtij procesi. Gjithçka është e vërtetë dhe asgjë s’është e vërtetë.” (“I huaji”.) Mbase (urojmë) përtej një lajmi ka më shumë se zhurmë.