Vangjush Saro: Politika e urrejtjeve dhe politika e fakteve

623
Sigal

Me të filluar viti i ri,
politik dhe ai i vetë jetës, në këtë dimër të paparë, skena shqiptare u mbush
sakaq me personazhet e njohura e tashmë pothuaj komikë; gjithaq me fërshëllima
e urrejtje, me stuhi e komedi kuvendore, e kështu më tej. Ka kohë, ka shumë kohë
që në Shqipëri mbisundon politika e urrejtjeve ndaj asaj të fakteve. Fjalë,
sulme, përbaltje, demagogji, mjegull. Në po këtë tragë urrejtjeje e vreri,
shkojnë, për fat të keq, çuditërisht të pandreqshëm, një sërë media, grupe njerëzish,
me dhe pa angazhime partiake, si dhe militantët e rrjedhur, që asgjë nuk kanë mësuar
dot nga 45 vjet jetë e vështirë, nën frikë e demagogji, sa edhe nga një çerek
shekulli tranzicion, me një liri formale dhe ca pak arritje në lëmin privat,
por me një mori tragjedish e precedentësh të një jete e përvoje gjithë
peripeci.


mënyrë të veçantë, edhe në këtë fillimviti, disa nga njerëzit e politikës,
bashkë me përkrahësit e tyre, po hedhin pareshtur akuza e shashka mbi
institucionet e shtetit të sotëm, posaçërisht mbi qeverinë shqiptare dhe
drejtuesit e saj, veçmas mbi kryeministrin Edi Rama. Askush, asnjëherë nuk është
i përjashtuar nga gabimet, pra edhe nga kritikat. Por ka shkuar puna gjer atje,
sa amatorë të trashë të politikës e të letrave, bëjnë aludime me Hitlerin, për
punë të karrierës në pikturë të kryeministrit të sotëm, apo krahasojnë vendin e
tyre (me shumë halle, jam i një mendjeje deri këtu) me Sirinë e mjerë e në një
gjendje tejet çdo përfytyrimi a fantazie prej bishe. Një nga drejtuesit e PD-së,
na deklaroi këto ditë se ata nuk shkojnë në zgjedhje (në zgjedhjet e ardhshme)
me Edi Ramën, ndërkohë që, siç shprehen edhe disa të marrë të tjerë, pritet që
vendi të tundet e të shkundet e do të bëhet edhe “qameti”.

Duke
pasur parasysh këtë luftë të paprecedent mes vedi, këtë urrejtje të
pakuptueshme, le të shtjellojmë, siç na mëson ky profesion (i gazetarit) fakte
dhe të dhëna, që tashmë janë publike. Kush do të harrojë, le të harrojë se si…
shoqërohej ish-Kryeministri i vendit, më parë Presidenti, z. Sali Berisha, nga
një numër i madh rojesh, që e shoqëronin në çdo hap dhe që, madje, ca kohë, i
dhanë veshjet e tyre antiplumba, t’i mbante për çdo rast. Le të kujtojmë
vjedhjen hapur të zgjedhjeve të vitit ‘96 dhe rrahjen barbare të deputetëve e të
kundërshtarëve politikë më 26 maj, në sheshin qendror të Tiranës, por edhe nëpër
rrugë e rrugica, ditën për diell dhe natën. Le të kujtojmë se rrahjet dhe kërcënimet
ndaj mediave, kanë vazhduar gjatë gjithë kohës: Edi Rama, Ndre Legisi, Teodor Keko,
djegia e gazetës “Koha jonë”, etj. Pas kësaj tabloje, le të vijnë fanatikët në
këto ditë dhe le të flasin për Hitlerin dhe për gabimet e mëdha të qeverisë
shqiptare. Jam i një mendjeje që këto të fundit janë. Por vetëm kaq. Për çfarë
na duhen klithmat e tjera ogurzeza?!


Duke
mos harruar, gjithsesi, le të themi se një shenjë tjetër e sjelljes tejet të egër
në politikë, nga opozita e sotme, ishte qëndrimi ndaj vetë kundërshtarëve të
asaj partie, nga P. Kalakula te E. Selami, nga G. Pashko te A. Hajdari, e kështu
më tej, pa harruar urrejtjet dhe akuzat ndaj tyre, për tradhëti, për shërbime
ndaj ish-Sigurimit Shqiptar, për shitje te PS-ja e te… komunistët, e kështu pa
mbarim, kurse sot na iu hykërkan në punë shërbimet e “çmuara” të z. Kastriot Islamaj;
e gjithë kjo, një demagogji e denjë për kohën e shkuar dhe për rendin e shkuar.
Dhe prapë, pas kësaj, të interesuarit le të vijnë te tema Ben Blushi, ku me
plot të drejtë mund të kritikojnë PS-në dhe kryeministrin, për të gjitha
denigrimet dhe sjelljet kundër normave të shkruara. Pa pikë dyshimi, ka shumë të
vërteta në ato që thonë; le të diskutohen, por gjithnjë si fakte, jo si inate a
urrejtje të pamenaxhuara.


na çojë kujtesa te viti ‘97, kur zotërinjtë që duken kaq të përvëluar për fatet
e popullit dhe për ndonjë tragjedi aksidentale, shkaktuan pothuaj një luftë
civile, për të shkuar më pas në eksode lemerisëse dhe në vrasje të panumërta, që
askush nuk i ka ende në llogari. Le të na çojnë faktet në Gërdec dhe të na
kujtojnë pjesëmarrjen – në atë biznes e në atë tragjedi – të pjestarëve të
familjes së z. Berisha; të familjes biologjike dhe asaj politike. Pas kësaj, politikanët
dhe militantët e egërsuar le të flasin (jam i një mendjeje) për dimrin e egër të
këtij viti dhe pazotësinë e qeverisë për të menaxhuar hallet e mëdha të
krahinave e të vendit.

Le
të kujtojmë 21 janarin, aktin e shëmtuar të vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm
në bulevard; mandej, akuzat qesharake për armë… stilolapsa e
çadra. Në atë ngjarje, na ishte Ministër i Brendshëm oratori i mbaruar i
opozitës së sotme, drejtuesi formal i saj, z. Lulëzim Basha, që na krahason
(goja plot) Shqipërinë me Sirinë, problemet reale të qytetarëve shqiptarë, me
pamjet (siç thashë edhe më lart) apokaliptike të atij vendi dhe tmerret që po përjeton
ai popull i mjerë… Kur teprimi bëhet mal, kur faktet dhe të vërtetat nuk janë këso,
kur urrejtja t’i zë sytë, je i pabesueshëm.


Kështu pra, pasi të kujtojmë dhe të analizojmë me qetësi gjithë këto fakte,
mbase edhe të tjera, le të kthehemi sërish e sërish, patjetër që po, edhe te krahasimet,
edhe te emocionet, pse jo edhe te urrejtjet në daçi. Urrejtjet janë një
profesion më vete i politikanëve shqiptarë dhe i bartësve të inateve e
bizneseve të tyre, domethënë i fanatikëve e puthadorëve të partive, që nuk lënë
rrjet e mjet pa përdorur, për të denigruar dikë që nuk e ndjekin dot prapa, për
njëqind arsye, ndër të cilat, ato ekonomike janë të fundit. Urrejtja po përvëlon
e po tjetërson, pra, edhe ata që s’kanë të tilla arsye fare, që
s’e dinë ç’janë hallet; dhe kjo s’është përveçse një betejë
për të mbuluar turpet dhe gabimet e shkuara, sa edhe për ca pushtet; ose
thjesht, është një skeç me ADN, përndryshe historia e njohur e Rozafës; që ne bëjmë
sikur e ndërtojmë dhe prapë e shembim.

Edhe dy radhë. Si edhe në shënime të tjera, prapë mendoj dhe shpresoj se do
të jetë një brez tjetër politikanësh e intelektualësh, ai që do të lërë pas
urrejtjet idiote, për t’iu kthyer kursit perëndimor; që natyrisht nuk është përsosmëria
vetë, por gjithsesi, një përvojë krejt tjetër, me shumë arritje.