Vangjush SARO/Ndryshimi i modelit (politik)

606
Sigal

Çdo ditë që shkon, i shohim politikanët shqiptarë të bërtasin edhe më shumë, të mburren gjithaq, të shahen; gjithë kohës duke tundur si flamur frazën e vjetër të Meri Uorthi Montegut, thënë këtu e dy shekuj të shkuar: “Shqiptarët nuk janë të stërvitur për diskutime”. Një nga arsyet kryesore pse qasemi përherë e më këtej hapësirave ku nuk ka siguri, është të qëndruarit në vend, ngecja në rrjetat e përvojave të pasigurta, në modelet e vjetra e të papërshtatshme. Modeli qeverisës aktual nuk i ndihmon dot shqiptarët të performojnë ndryshe në një botë që tenton të bëhet gjithnjë e më demokratike. Modeli i politikanit të sotëm shqiptar, gjithashtu është shumë larg burokratit që drejton në vendet më të përparuara të Evropës.

Kam lexuar para disa kohësh se si kryeministri britanik, David Cameron, rastësisht, kishte qëndruar në radhë për disa minuta për një kafe. Gruaja që shërbente në banak, do të thoshte më pas se nuk e kishte njohur menjëherë, por as ai nuk kishte mëtuar ndonjë shërbim para të tjerëve. Në dukje, ishte një lajm pa peshë të madhe, më tepër një episod që ngjall njëlloj habie. Por në këtë shkrim, ne do të aludojmë fort për këtë ngjarje interesante, sepse në ajër të tillë si të thuash, gjendet pjesërisht përgjigjja e asaj që na brengos vazhdimisht. As që mund të përfytyrohet dot një skenë pak a shumë si kjo te ne. Prania e politikanëve të njohur në një kafene a diku gjetkë, në publik të palajmëruar, s’mund të kalonte pa skena euforike dhe shtirje. Të kthehet diku, bie fjala, Sali Berisha dhe të rrijë në radhë për të marrë diçka…E para e punës, përveç bashkëpunëtorëve, ai ndiqet në të gjitha krahët dhe distancat nga një numër i madh badigardësh, të cilët nganjëherë janë më të bezdisur e më delirantë se vetë padroni. E dyta, do të gjendeshin sakaq njerëz të krahut të tij politik që do të suleshin për ta takuar, kushedi edhe hallexhinj që papritur do të përfytyronin zgjidhjen e problemeve të tyre, mbase edhe qytetarë të tjerë të paanë, që për kortezi do t’i jepnin dorën, do të tregonin afeksion…Në të njëjtën skenë, nuk mund ta shikosh dot as një si Jozefina Topalli. Është aq vanitoze. Njerëzit do të reagonin menjëherë, sepse kështu është modeli; ajo vetë ka kontribuar mjaftueshëm për ta sajuar këtë model, duke bërë herë pas here interesanten (në ca takime gjithë limonti) me gratë, me gjimnazistët, me fëmijët; show dhe asgjë tjetër. Edhe kreu i opozitës, Edi Rama, nuk do të mund të përfytyrohej në një skenë të tillë i patrazuar nga të tjerët. Diku te modeli i vjetër vërtitet edhe ai.

Por le të kthehemi te thelbi. Cili model drejtuesi shteti a qeverie do t’iu duhej shqiptarëve? Cili model qeverisës do t’iu kishte kursyer të paktën një dekadë kohë, në tjetër rrafsh më përpara…Modeli i Britanisë së Madhe, pra; ku kryeministri është sigurisht një njeri shumë i rëndësishëm, por fundja një nëpunës i lartë në shërbim të qytetarëve. (Jo të kastës së tij, jo të familjes së tij, jo të parisë së partisë së tij.) Modeli i Amerikës Veriore. SHBA. Kanada. Atje, mediat  ua vënë “sinorin te thana” politikanëve; edhe kryeministrit. Kjo do të thotë: jo më shumë se 1 minutë e gjysmë në ekran…S’ka se si një qytetar kanadez të rrijë e të durojë fraza të pambyllura asnjëherë, lëvdata, kunja, kërcënime, grimasa palaçoje, të qeshura e të ngërdheshura pa fund, rrëfime për vegime, e ku di çfarë tjetër…gjëra që në Shqipëri janë të përdorshme.

Modeli i Suedisë, gjithashtu do të më pëlqente të imitohej në vendin tim. Pse jo ai i Norvegjisë, i Danimarkës; shumë pranë tyre, është modeli qeverisës i Holandës, ai i Belgjikës. Njëherë kam lexuar që ish-kryeministri i kësaj të fundit (ndoshta i një prej regjioneve, s’më kujtohet mirë) ishte parë të shkonte në zyrën e re, në punën e re, me biçikletë…E dini pse? Sepse e merr detyrën e lartë pa daulle; (këto janë që nga koha e osmanëve?). Është një zgjedhje e aksh partie dhe e një shumice qytetarësh për një mandat të caktuar. Nuk është “shpëtimtari”, “dritëshpërndarësi”, “ai që shemb malet dhe…muret e Bllokut”, ku është marrë me analizat e urinës së bllokmenëve. Në modelin evropian, ky politikan karriere punon, drejton, jep llogari; nuk pushton ai të gjitha institucionet, të gjitha televizionet, të gjitha komunat; nuk gënjen ditën për diell. Se nuk e lënë të gënjejë…

Kush nuk e lë të gënjejë? Modeli. Ç’fjalë magjike! Nga vendet e ish-Lindjes, do të përzgjidhja Slloveninë dhe Çekinë. Për të parën, kam komentuar njëherë kur tregova që ishte një vend i qetë dhe që s’i ndihej “pallma”, si ne këtej (domethënë në shqiptarëve apo edhe atyre grekëve.) Ndokush nga lexuesit e nderuar mund të pyesë: Po pse këto? Dhe, meqë ra fjala, pse jo Greqia? Pse jo Italia? Mbase nuk jemi në gjendje të argumentojmë në gjerësi të gjitha pse-të. Por e sigurojmë lexuesin e nderuar për një gjë: që në Britani, nuk do ta duronin dot as edhe një mandat, jo më t’i bënin vend të kthehej sërish, njëqind herë i diskretituar, një palaçoje si Berluskoni. Por mund të thuhet ndërkaq se ka edhe më keq; ka edhe modele bjelloruse, moldave, kubane…

Çështja është që ne shqiptarët kemi vuajtur nga sisteme të ndërtuara e të sajuara për t’i shërbyer një klani, një individi, (të fortë në dukje). Pra, është e çuditshme se si një popull që ka parë lemerinë nga sisteme të tilla, nga individë të tillë (të fortë në dukje), rri dhe pret në qetësi tash prej 22 vitesh, t’ia prishin sërish ëndrrën, ta mbajnë sërish peng…të një klani apo të Beogradit (kush dreqin i lidh fijet) të Athinës, kërko në hartë, kërko… Modeli është fataliteti ynë. Modeli i individit drejtues. Modeli i qeverisjes gjithaq. Modeli i lektisjes pas udhëheqësve…(Ou, ç’vjetërsirë!) Kjo do të thotë se na duhet një ndryshim rrënjësor. Institucione dhe një administratë e përzgjedhur, njerëz të aftë, të paanë, asnjëherë pre e dialekteve, që të mos heshtin dhe të përtypin pras kur ndodhin Gërdec-ë dhe vriten 26 njerëz, për të cilët asnjëherë askush nuk përgjigjet…

Ndërrimi i modelit është thelbi i daljes nga tranzicioni. Nëse nuk duan ta kuptojnë ata që janë në pushtet dhe ata që mëtojnë të vijnë në pushtet, kjo do të na kushtojë edhe më shumë.