Vangjush SARO/ Na duhet një frymë tjetër…

98

Edhe pse shumë përpjekje në këtë vend shkojnë dëm, midis tyre edhe të shkruarat, prapë i’a vlen të ndalemi në ndonjë temë të vështirë dhe ku kolegët shkelin rrallëherë. Është fjala për sjelljen gjithnjë të vjetëruar dhe në kundërshtim me parimet e kohëve moderne, kur ndryshe nga bota, politikanët shqiptarë mbeten përherë, orë e çast, vend e pa vend, në fokus. Patjetër, të ndihmuar nga mediat, nga departamente të caktuara të tyre, me frymëzime të çuditshme, a thua jetojnë në hënë. Po bëj një retrospektivë të vogël, sado letrare në dukje, për të ftilluar edhe më tej atë që dua të kumtoj. Një ndër imazhet e shumta dhe të paharruara të fëmijërisë sime është ai i një gruaje të bukur, por fatkeqe, burri i saj qe vazhdimisht i sëmurë. Njerëzit, rrugicave të fjetura shpesh të zbardhura bore, pëshpëritnin: “Po kjo, për kë pispilloset?…” Sigurisht, do të shkonte shumë kohë që unë ta kuptoja këtë; të kuptoja e të pranoja gjithashtu se, çdokush, në njëfarë mënyre, ka jetën dhe ndjesitë e veta.

Më erdhi ky subjekt i hershëm ndërsa ndiqja për pak kohë në një TV të njohur, një panel plot me snobë që diskutonin për veshjen e njerëzve që bien më shumë në sy!. Kohët e fundit, politikanët kanë pushtuar të gjitha pistat. Ata pushtuan krejt papritur atë të letërsisë. Në TV, i pashë të pushtonin edhe modën. Dhe kështu, ndërmenda atë grua që mbase për dekada s’e kisha kujtuar. Por ndërkohë, çuditërisht mendova edhe për Angela Merkel, së cilës i kanë bërë ndonjë kritikë për veshjen dhe për dy udhëtimet e mia në Gjermani. Në Koblenc, një qytet buzë Rinit, krejt në gjelbërim e në lule Dhoma e Artizanatit ku ne ishim të ftuar, kishte zyra, kishte shkollë (profesionale), mjedise për kurse (kualifikimi) nga më të ndryshmet, sallon ekspozitash dhe ndërkaq botonte nja dhjetë gazeta, revista e buletine. (Dhomat tona të Tregtisë rrinë me qira andej-këndej dhe s’iu ndihet zëri i gojës…) Mendoj se, analogjia është e qartë. Po kur, kur do ta kuptojmë ne se duhet të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin?

Politikanët shqiptarë janë të kredhur në luks dhe kjo vjen ndesh me gjendjen e shumicës së njerëzve në Shqipëri; gjithëkaq me hallet institucionale e të reformimit të vendit. Pyetja shtrohet: Kujt ia tregojnë ata rrobat e bukura dhe të shtrenjta? Mua më pëlqen që njerëzit e sidomos femrat, të mbahen sa më bukur dhe as njerëzve me pushtet nuk kam ndërmend t’iu mbaj pishën. Por ka disa episode që nuk mund të gëlltiten. Një minutë e gjysmë është e shumta e kohës që mund të shohësh në TV Kryeministrin e Kanadasë. Këtu të mbijnë në sy këta që nuk di si t’i quaj. Tani edhe për mënyrën se si vishen(!) Ky tangërllik është tepër; po na gremis. Gjysmë ngritur e gjysmë rrëzuar, kokën nga Perëndimi, ndjesitë dhe zakonet nga Lindja, për ne, kërleshja, tritoli dhe kallashi janë “metaforat” më të dashura. E ndërkaq, në një sërë dyqane, listat e ushqimit janë po aty. Dhe në çdo katër-pesë metra, një pllakë (trotuari) ngrihet përpjetë të të gostitë me cërka uji e balte. Pamja urbanistike e Tiranës, për të qarë hallin, trafiku një stërmundim, kultura jashtë orbite. (Konkursi kombëtar letrar ishte një turp,  kujdesi ndaj trashëgimisë më të mirë – po kujtoj se si po bie shtëpia e Gjergj Fishtës – edhe më përtej turpit.) Dhe njerëzit ngado, kanë në fytyrë njëlloj nervoziteti.

Me të vërtetë, kujt ia tregojnë ata (dhe mediat e tyre) veshjet e bukura e të shtrenjta, në një kohë që nuk kanë pikën e vullnetit për të biseduar si njerëz të qytetëruar, për të krijuar një klimë mirëkuptimi e bashkëpunimi? Vë re, që në rrugë nuk ecën dot krah gruas a një miku, por rresht për një. Aq kaos është nga makinat, tezgat, njerëzit, për të mos shkuar më tej. Në ekran, s’guxon t’i hedhësh sytë, se shumë zyrtarë e partiakë mallkojnë vend e pa vend dhe një pjesë janë gati t’i lëshohen tjetrit me hu në dorë. Kjo ngushtësi e kjo mungesë ajri e hapësire, fizike dhe morale, po e vë shoqërinë shqiptare në pozita të mjera e qesharake. Pse jemi kaq të sertë, “trima” e të trembur njëkohësisht, vanitozë dhe gjithaq të mbytur në komplekse; të lodhur më në fund?  Përse mediat tona (të panumërta) merren kaq ngeshëm me veshjet e politikanëve dhe me tekat e Miss-eve, përse ato performojnë si buletine (tejet) zyrtare e të kulturës së nudos dhe nuk investigojnë (për t’i dhënë kuptim misionit të tyre)? Për një sërë problemesh në zgjidhje të të cilëve thuren fraza pa fund,  hamendje, të vërteta, shpifje a trillime, është koha të investigohet dhe të sillen fakte dhe argumente.

Nga të gjitha krahët bëhet fjalë e hidhen përpjetë slogane për ndryshim. Por ndryshim pak vërehet. P.sh., mënyra më e mirë për të qeverisur ende është ajo e spektaklit përballë masave e veprimeve korrekte e konkrete. Në një nga shkrimet e mëparshme, kisha preferuar titullin “Nga duhet t’ia fillojmë?” Ka shumë përgjigje. Njëra prej këtyre përgjigjeve, është: Nga ajri, nga fryma. Na duhet një tjetër frymë, që do të thotë se duhet të kuptojmë thellësisht nevojën e ndryshimit. Duhet të dalim nga vetja. Të harrojmë për një çast origjinën tonë feudale. La postin e Kryeministrit një zyrtar në një nga vendet e Beneluksit dhe shkonte në punën e re me biçikletë, ndërsa ne jemi akoma te frëngjitë e te urrejtja e te fotografitë në pëqi të xhaxhi Enverit. Nuk ka ku të shkojë më keq, pra hajde…t’ia fillojmë duke ikur nga frëngjitë e duke imituar jo merhumin, por atë zyrtarin me biçikletë, por nuk na ndjekin dot pushtetarët dhe ish-pushtetarët, sepse ata janë të rënduar nga pasuritë e vëna në mënyrë të padrejtë. Duhet të presim atëherë…të zgjohen institucionet. Por për një frymë tjetër kanë nevojë edhe ata. Prisni dhe shpresoni. (A. Dyma)