Vangjush SARO/ Letrat shqipe, në hall…

681
Sigal

Duke parë se çfarë ndodh dita-ditës në Shqipëri dhe në përgjithësi atje ku shqiptarët përpiqen të krijojnë letërsi dhe art, të bëhet se e gjithë kjo është një punë në… erë. Me të vërtetë, letrat shqipe sot janë në një gjendje të tillë, që vështirë se mund të pozohen ose paraqiten në një dimension bindës. Për hir të së vërtetës, herë pas here janë duke u botuar disa antologji, po organizohet ndonjë konkurs, jepen ca çmime (gjithnjë të përcjella me indiferencë nga publiku dhe pakënaqësi nga krijuesit); po ashtu, një pjesë e letrarëve iu gëzohen librave që botojnë me lekët e tyre, gjithaq recensioneve të shkruara nga miqtë, madje disa përpiqen t’i botojnë librat (gjithnjë vetë) edhe në ndonjë gjuhë të huaj. (Ata që botohen në gjuhë të huaj të përzgjedhur nga vetë entet e njohura, janë ende shumë pak). Por ndërkaq, mendimi (tra-la-la zura një galë) për letërsinë, vlon në çdo portal e në çdo faqe ueb-i vetjak! Ngrihet dikush dhe bën një renditje me të preferuarit e tij, një tjetër bën renditjen e vet, e kështu me radhë. Renditjet dhe cilësimet, deri në folklorizëm, bëhen si nga diletantë, ashtu edhe, e për fat të keq, nga njerëz që kanë njëlloj karriere në këtë profesion. Gjithsesi, kemi përpara një pamje qesharake; s’ merr vesh i pari të dytin. Letrat shqipe janë me të vërtetë në hall. Masivizimi, që ia kaloi si dukuri rendit i cili e krijoi atë, i ka bërë ato “letra pa vlerë”. Ani! Në këtë shkrim nuk kemi ndërmend të ndjekim pas snobët dhe as delirantët… Na duhet të themi, me shumë seriozitet e përkushtim, se çdo vend duhet të ketë, ka institucione, organizma dhe pastaj edhe zyra e individë të certifikuar që hedhin dritë me paanësi mbi dukuritë letrare dhe dinamikën e letërsisë. Pra, duhet të kërkojmë një prononcim dhe një përgjegjësi zyrtare e në rang kombëtar, që do të thotë përfshirje e institucioneve kryesore, organizmave shoqërore dhe individëve të certifikuar gjithashtu. Po çfarë kemi në vend të aktorëve që u përmendën më lart? Në pyetshim se cili është institucioni që përgjigjet për krijimin e tablosë letrare, të trashëgimisë letrare, ku ka një mishmash të vërtetë dhe po bëjnë “festë” amatorë dhe ekstremistë gjithfarë – me siguri, pyetja do të cilësohet si retorike. Po ashtu do të ndodhte nëse do të kërkonim informacion në lidhje me kritikën letrare dhe veprimtarinë studimore në tërësi. Dhe prapë e njëjta gjë do të thuhej nëse do të donim të dinim se cilës antologji (nga shumë e shumë që botohen) do të duhej t’i referoheshim. Kjo e gjitha, në një kuptim, është njëlloj anarkie. Le të përpiqemi ta kufizojmë apo më mirë ta “përkufizojmë” përgjegjësinë. Dy prej ministrive që mund të luanin një rol të rëndësishëm në këtë panoramë plot mungesa e “vetëgjyqësi”, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës, deri më sot kanë folur shumë pak kësaj teme. Nuk është e re: sa herë që ndërrohen pushtetet, dukuritë dhe parimet merren nëpër këmbë. Dhe kështu, panorama e letrave mbetet gjithnjë hedhur në një skenografi të vjetër, mbushur plot pikëpyetje. Disa të ashtuquajtura “risi”, si konkursi evropian dhe ai ballkanik i letërsisë, si dhe vlerësimet e panairit më të fundit, bie fjala, mendjet e ndritura prapë nuk gjetën prurje sa i takonte letërsisë për fëmijë e të rinj, lanë sërish shijen e hidhur të mbështetjes në klan dhe të shpërblimeve në klan. (Megjithatë, dërgimin e çmimeve nga më të rëndësishmit në diasporë, më parë në Itali e tani në Greqi edhe pse tek autorë të panjohur, çka s’do të thotë se mund t’i paragjykojmë apo pasgjykojmë, personalisht e shoh si një ndryshim dhe si një qasje sado e vonuar në emrat që shkruajnë larg vendit të tyre). Dhe tani, të vijmë edhe më në temë, duke kërkuar sidomos në terrenin e letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Shkolla është pjesa më e ndjeshme sa i takon librit; ka nevojë të drejtpërdrejtë dhe gjatë gjithë kohës për informacionin dhe lëndën e munguar. Për rëndësinë e librit, jemi shprehur edhe herë tjetër: në disa shkrime, si “Të shpëtojmë fëmijët”, “Të fala nga Zecchino d’ Oro”, në intervista në disa gazeta të përditshme, por edhe në biseda në TV. Në këto radhë, fjala është thjesht për qëndrimin zyrtar ndaj letrave, pse jo për tekstet mësimore, antologjitë në ndihmë të tyre dhe gjithë botimet e tjera që mund të shfrytëzohen për biseda dhe veprimtari letrare. Përpara disa vitesh, Ministria e Arsimit kishte certifikuar një bord apo komision, të përbërë nga shkrimtarë të njohur dhe drejtues arsimi, të cilët përzgjidhnin krijimet letrare që mund të përdoreshin për lexime jashtë klase në shkolla. Kjo ishte gjëja më e mirë për momentin, duke menduar që gjithsesi, kishte një seleksionim të librave që botoheshin, për të mos i bërë “baltë” të ashtuquajturat orë e biseda letrare. E vërteta është që një kohë ky komision u përpoq ta kryente sa më mirë detyrën; por dalëngadalë, “lista” u zgjerua dhe u fry shumë, aq sa nuk kishte ku të shkonte më. Drejtuesit e atij komisioni e përfshinin sakaq çdo libër që iu paraqitej, pothuaj pa e lexuar fare. Si rrjedhim, në shkolla, mediokriteti u bë me brirë. Kështu, siç e kemi nënvizuar edhe njëherë tjetër pa kurrfarë paragjykimi për profesionet dhe statusin civil të njërit e të tjetrit, nuk mbeti pensionist e arsimtar pa botuar një libër. Shkollat, sidomos ato nëntëvjeçare, u vunë nën presionin e këtyre shkruesve, që ishin aksidentalisht në letërsi. Nga koha në kohë, komisioni në fjalë u rifreskua disa herë, por gjithnjë duke punuar me hope dhe si të thuash, gropa-gropa. Megjithatë, më e keqja do të vinte më vonë. Ai pushoi së ekzistuari, në programin e shkollave u mënjanuan krejt bisedat letrare, i ashtuquajturi altertekst sfidoi çdolloj rregulli e përvoje. Nuk pretendojmë se themi ndonjë gjë të re duke kujtuar që leximin e librave, më së pari të librave artistikë, të letërsisë më të mirë që të informon, të edukon, të vë në mendime, të zgjon fantazinë, më së fundi edhe të çlodh, nuk e zëvendëson dot asnjë term apo vendim arbitrar. Por ja që klane dhe drejtues abuzivë e gjejnë gjithnjë mënyrën për të bërë më të keqen. Deri para pak muajsh, kanale të habitshme vazhdonin të furnizonin shkollat me libra. Në mënyrë të heshtur. Me përzgjedhje që të habisin. Pra, si gjithmonë, ne ikim nga njëri ekstrem dhe shkojmë te ekstremi tjetër; në këtë rast, kishim ikur nga tabloja kur librat shiteshin në shkolla pa kurrfarë kontrolli e klasi dhe kështu s’mbeti njeri pa e provuar profesionin e shkrimtarit, për t’u vërvitur në pamjen tjetër, pa letërsi, pa libra; ose thjesht me libra të porositur dhe të blerë nga klanet. (Një kakofoni e paparë). Një kolege shkruante para disa kohësh për këto porosi e tendera dhe thoshte që nuk e kuptonte se si autorë shumë të njohur shqiptarë nuk iu bie të lexohen nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare e as adoleshentët e gjimnazeve… Por përkundër kësaj, po e përmbledh, fëmijët e shkollave 9-vjeçare mund… të lexonin librin “Historitë e Pyllit”? “Historia Botërore dhe e qytetërimit”, “Leksione dhe konferenca” (?) dhe nga ana tjetër “Ciu-Ciu”, madje edhe “Libri i Bebes”! Përkime këso kaq komike mund të ndodhin vetëm në jetën tonë, në institucionet tona, në qeveritë tona shpesh të zhytura në banalitet. (Dua të theksoj ndërkaq për këdo se në këto opinione nuk nisem assesi nga ndonjë interes vetjak, sepse librat e mi nuk kanë munguar në literaturën shkollore. Fjala është që rregullat të mos bëhen temë për skeç.)

Duke iu kthyer këtyre thyerjeve pa sens, po kujtojmë se në muajin që shkoi, “lista” e parë kaloi në grotesk të vërtetë, me komisionerë që kanë shkruar gjithë jetën për soc-realizmin apo që u kujdesën të siguronin më parë librat e tyre! E në këto e sipër, pyetjet më të freskëta janë: Përse tallemi ne kështu me fatin e letrave dhe të publikut? Përse institucionet janë kaq të brishta dhe të ndjeshme ndaj ndryshimeve politike (apo orekseve të gjojaspecialistëve), saqë nuk arrihet asnjëherë një model i qëndrueshëm dhe i dobishëm për një kohë sa më të gjatë? Pa e tërkuzur edhe më tej këtë lojë tekash, shijesh dhe përzgjedhjesh abuzive, mund të kujtojmë thjeshtësi se në Shqipëri dhe në mjediset ku flitet e shkruhet shqip, ka jo pak specialistë e intelektualë, shkrimtarë dhe publicistë të aftë, të cilët shumë mirë do të mund të ndihmonin për t’i korrigjuar këto deformime provinciale. Po ri them gjithashtu, e kemi vënë në dukje edhe herë tjetër, se në Shqipëri (dhe në të gjitha hapësirat ku flitet e shkruhet shqip) vepron një shoqatë e shkrimtarëve për fëmijë dhe të rinj, e themeluar nga të nderuarit Bedri Dede e Odise Grillo, shoqatë në të cilën mblidhen e kontribuojnë emra nga më të njohurit e letërsisë aktuale për fëmijë e të rinj; kjo është Shoqata Mbarëkombëtare e Letërsisë për Fëmijë dhe të rinj, që prej disa kohësh drejtohet nga shkrimtari Pandeli Koçi. Nuk do të ishte e tepërt që krahas institucioneve dhe organizmave që kanë prodhuar shumë kakofoni, të merreshin në konsideratë edhe mendimet dhe sugjerimet e drejtuesve të kësaj shoqate. Të qasesh në zgjidhje të vërteta si ato që u përpoqëm të paraqesim më lart, kjo kërkon disa bisedime, pastaj hartimin e një marrëveshjeje, ndërtimin e një rruge, platforme bashkëpunimi, sidomos në kushtet kur ndër shqipfolës njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Nuk e kuptojmë çfarë e pengon Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës të shtojnë një apo disa “karrige” në mbledhjet dhe komisionet që deri më sot kanë marrë edhe vendime të gabuara, kanë bërë edhe tendera për të qeshur, kanë luajtur me fatin e letrave e të publikut; e të gjitha këto, për të krijuar pikërisht mjegullën në të cilën zyrtarë dhe ente botuese abuzuese kanë përfituar dhe përfitojnë në kurriz të legjitimitetit, profesionalizmit dhe harmonisë letrare. Dikur çdo gjë vendosej nga “lart”, në mënyrë arbitrare; duhet të ikim nga ky model që la pas kujtime e përvoja shumë të hidhura për këtë vend.