Vangjush Saro: Kultura kombëtare si Hirushja…

736
Shikoj, me raste, që Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, poston ndonjë fjali në përvjetore të njerëzve të shquar të kombit. Mirë është edhe kjo, anipse ka institucione që mund të shtjellojnë më mirë një sërë çështje të trashëgimisë sonë. Por mendoj se një kryeministër, më së pari, ka për detyrë dhe duhet të prodhojë e orientojë politika që të mbështesin kulturën kombëtare; ai duhet të luftojë që zëri i Kulturës në buxhetin e qeverisë të jetë i konsiderueshëm. Ka ikur koha e të bërit thjesht propagandë, falë dhe mjeteve të shumta të të sotmes, rrjeteve sociale dhe mediave, që s’pushojnë asnjë çast. Po ashtu, Kryeministri, disa herë gjatë fushatës së fundit elektorale, trajtoi çështje të arsimit e të programeve të shkollave. Ajo çka pashë dhe shoh ende në prononcimet e tij, sërish më duket agjitative; fundja, më sjell në mendje se qëndrimet ekstremiste janë sikur njëlloj ushqimi për ne, përfshi qeveritë dhe institucionet tona. Duke kritikuar e përqeshur (!) altertekstin – ndoshta me të drejtë, sepse nuk mbeti pensionist pa e provuar këtë punë – Kryeministri tregonte se si qeveria e tij solli Oksfordin… Është e vlerësueshme çdo përpjekje për ta profesionalizuar edhe këtë segment të kulturës e të arsimit, sepse me të dyja këto ka lidhje, sikundër qasja në përvojat më të mira të Botës. Por mbyllja e syve dhe përmendja e Oksfordit apo ndonjë shkolle tjetër, me shumë emër, si fillimi dhe fundi i jetës në Tokë, si A-ja dhe Z-ja e programeve mësimore e gjithçkaje tjetër, që i takon arsimit dhe kulturës, më duken sërish një propagandë e keqe. Tekstet tona mësimore e kanë një zanafillë te N. Frashëri, A. Z. Çajupi, Gj. Fishta, etj. Historia dhe kultura e Shqipërisë, janë mjaft të pasura, për të qenë një bazë e përhershme dhe e panegociueshme e lëndëve që duhet të jepen në shkolla. Nuk mund të mbetemi peng i mediokritetit të lloj-lloj nëpunësve, që ikin e vijnë sipas ngjyrave të qeverive, duke bërë “shkencën” e madhe në kurriz të stabilitetit dhe mbrothësisë së kulturës kombëtare. Natyrisht, historia, kultura dhe letërsia, janë duke u rikonceptuar dhe në këtë mes, nuk duhen toleruar as nënvleftësimet dhe as miklimet pa vend e pa sens. Por në të njëjtën kohë, është e domosdoshme që përzgjedhja (e teksteve dhe autorëve) të mos bëhet nga snobë. Ndonjëherë, një i tillë duket edhe vetë Kryeministri, të cilit, përpara disa viteve, do të na i dilte koha të përkthente një autore shqiptare por që shkruajtka në frëngjisht… Të njëjtën histori “prekëse” lexojmë në ligjërimet e shumë snobëve të tjerë, të shkollave të larta apo të zyrave qeveritare e të partive, individë që të japin përshtypjen se kanë lexuar vetëm letërsi të 30 apo 50 viteve të fundit. Përzgjedhja dhe hartimi i teksteve duhet bërë nga ekspertë që e njohin trashëgiminë dhe bëjnë vlerësime serioze e të qendrueshme.Lexova këto ditë në shtyp një prononcim të shkrimtarit Sazan Goliku (pseudonim i Pandeli Koçit) në lidhje me botimin e përfaqësuesve të njohur të kulturës shqiptare, botime që bëhen kryesisht nga familjarë të tyre. Mendoj se kjo është e pafalshme. Askush nuk kërkon të rivijë çdo autor; sigurisht, kohës i duhen vlera të qendrueshme. Por është fakt që nga insitucionet bëhet shumë pak kujdes për përfaqësuesit e periudhave të ndryshme, përfshi emra shumë të njohur të letrave shqip, si Migjeni, por edhe H. Stërmilli, F. Postoli, A. Asllani, etj., gjithaq emra si P. Marko, J. Xoxa, etj. Mendoj që pakgjë ka lëvizur për mirë, me gjithë disa nuanca ndryshimi e, sadoqë duke përdorur vend e pa vend termin në modë “projekt-e”. Në tekste, pse jo edhe në përkthime që kushtojnë jo pak, ka autorë të rastësishëm, episodikë, që nuk kanë një veprimtari letrare bindëse; ndonjëherë, kjo ndodh për shkak të njohjeve e të qënit në klane, ndonjëherë ngase autori ka qenë i “persekutuar”, histori që tashmë duhen kapërcyer. Ekspertët shumë mirë mund të synojnë kontekstin historik, por më së pari lipset të “gjejnë” në tekst… gjetjet, përkryerjen artistike, gjuhën e bukur dhe të përshtatshme për moshën së cilës i drejtohen. Në tekste, ka naivitete, në mos gafa, që të habisin; ka episode të shkruara me një gjuhë të rëndomtë, deri banale, çka tashmë është vënë në dukje kohë pas kohe: nga media, nga prindër, por edhe nga krijues me përvojë.Një episod më vete i kësaj teme të gjerë, është puna me librin. Mendoj se këtu jemi përpara një kaosi, që sa vjen e bërtet më tepër. Sistemi që ngërthen librin, botimet dhe kulturën në tërësi, duhet ndryshuar. Le t’i lëmë mënjanë justifikimet për tregun. Koha është që të kthejmë sytë më mirë nga kultura kombëtare. Çfarë ndodh rëndom? Nëpër TV, pothuaj asgjë për fëmijë, asgjë shqiptare; mandej, iu jepet një përparësi e paparë prodhimeve filmike të huaja (sidomos telenovelave) dhe gjithaq titujve të letërsisë së huaj; minuta të tëra duke folur për vlera që janë edhe s’janë, gjithnjë duke e shtyrë tutje, pa kurfarë impenjimi, letërsinë kombëtare, artin dhe protagonistin kombëtar. Gazetat mbushen me politikë dhe fjalëkryqe. Orientohet publiku në disa spektakle, ku çdo gjë “shkruhet” nga vetë interpretuesit, ku nuk dëgjon një herë të vetme të flitet për kulturë, për film a libër, për histori a edukatë, por vetëm banalitete, në mos perversitete. Kurse insitucionet, rrinë e bëjnë sehir këtë situatë absurde. 
Është rasti gjithashtu, t’i kujtojmë Kryeministrit, z. Edi Rama, që në vend të postimeve jubilare, të orientojë drejtuesit e kulturës dhe të arsimit të reformojnë botimet. Kjo mund të bëhet nëse shtëpitë botuese ndjejnë njëlloj kujdesi të shtetit (kur ato të marrin përsipër botimin e letërsisë kombëtare). Nuk po ndalem te përrallat me çmime dhe nderime, se këtu jemi në një zabel ku s’merr vesh i pari të dytin. Por së paku, sistemi i sotëm i botimit mund të përmbyset, duke mos pranuar çdolloj dorëshkrimi për hir të lekëve dhe duke botuar autorë e tekste, që edhe në këtë lëmë, gjithashtu, mund të përzgjidhen nga ekspertë, agjentë të librit e të tregut. Hallka tjetër, ajo e shpërndarjes dhe publicitetit, është gjithashtu për t’u rikrijuar. Rrjeti i librarive, me përjashtime të pakta, është në gjendje skandaloze dhe krejt i papërshtatshëm për ekspozimin e vlerave. Doemos, duke u përzgjedhur ato, krijohen mundësi të tjera për autorët dhe lexuesit. Ky sistem i papëpshtatshëm, që si të thuash persekuton kulturën kombëtare, lipset te ndryshojë në të gjitha hapësirat shqipfolëse, për të parë më tej edhe në diasporë. Edhe pse tradicionalisht, shteti dhe qeveritë nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë përparësi këtë fushë, ka ardhur koha që të ndryshojë diçka; apo edhe më shumë se kaq. Këtu, pra, ishte fjala për praninë e shtetit e të qeverisë, përkundër njoftimeve jubilare, që kanë rëndësinë e tyre edhe ato… 
Sigal