Vangjush Saro: Karroca shqiptare xhiron në baltë

610
Jo shumë kohë më parë, një gazetar i huaj, ndër “bukuritë” e tjera nga Shqipëria e viteve të fundit të Socializmit, ofronte për publikun një foto, ku dukej një karrocë e mbushur plot me njerëz. E kam bërë njëherë, por po e përsëris pyetjen: Sa realiste ishte kjo foto dhe nëse jo, përse e publikonte atë gazetari i huaj? Në fakt, Shqipëria kishte hekurudhë; transporti bëhej gjithashtu me autobusë; kishte taksi, përdoreshin edhe karroceritë e zbuluara të makinave; ndoshta, më në fund, përdoreshin edhe këso karrocash, si ajo që kishte qëmtuar gazetari i huaj, për t’i dhënë ngjyra groteske reportazhit të tij. Ani. Mirë e bëri edhe ai. Aq kishte në dorë; e ndoshta kishte menduar se po ndihmonte vendin të përmbyste rendin e të ndërtonte një tjetër, më të mirë(!) Problemi është se ne, herë pas here, jemi gjithë në këtë gjendje e në këtë pamje: një karrocë plot me të mjerë, që xhiron në baltë. Kështu i shikojmë të gjitha episodet e jetës së djeshme e të sotme. Ka disa kohë, që e gjithë shoqëria shqiptare është përfshirë sërish (dhe për të disatën herë) në temën e vështirë të vlerësimit të së shkuarës. Ne shqiptarëve, si rrallëkujt në rajon, na ka mbetur koka prapa, nuk ndahemi dot nga ajo, kështu që herë pas here, çelim debate dhe hedhim shashka. (Kohë më parë, po në këtë temë, ka qenë edhe shashka kundër basorelievit te Muzeu Kombëtar.) Tani po flitet shumë për filmat dhe gjithë krijimtarinë e kohës tjetër. (Parapëlqej ta quaj “koha tjetër” apo “rendi tjetër”, sepse konfondimi me Komunizmin, me Enverin, me Stalinin dhe me këdo tjetër që pëlqejnë dhe s’e shkulin dot nga zemra arrivistët (e çdo kohe) e shpie bisedën në rrjedha të gabuara. Sado që termat dhe emrat e përmendur nuk mund të përjashtohen nga vështrimi, ato cënojnë termat dhe emrat e tjerë, fyejnë gjithë sa mund të kenë pasur rezervat dhe pikëpyetjet e tyre për temën në fjalë.) Sot, koha po na tregon gjithnjë e më mirë çfarë është vlerë dhe çfarë është plehrë. Koha do ta skedojë si duhet gjithë atë prodhimtari, duke vënë të drejtën e gjithkujt në vend. Pse do të ndodhë kjo? Sepse censorët e rinj po vënë “pulla të kuqe”?… Mendoj që jo. Sepse foli një shkrimtar shumë i njohur, i njohur gjithaq edhe për amplitudat e tij politike, morale dhe estetike në kohëra? Them se jo. Sepse një sërë të prapë nuk menaxhojnë dot urrejtjet e tyre dhe duan të marrin përpara gjithçka, përfshi gjuhën letrare dhe artet, pa kritere, pa asnjëlloj alternative dhe pa dallim vlerash e veçorish? Kam bindjen që jo. E megjithatë, karroca po xhiron në baltë. Është mjaft i gjetur proverbi popullor: “Ti thua mendimin tënd, unë tund kokën time.” Me këtë rast, doja të shtoja se pjesa më e moderuar e intelektualëve dhe e krijuesve shqiptarë, që njeh ekuilibër dhe drejtpeshim, që vjen nga e shkuara pa komplekse e mëkate, na thotë se koha po e bën të vetën… Pra, ç’është për t’u harruar e zbehur, drejt asaj po shkon, nuk ka nevojë për një diktaturë të re; produktet letrare e artistike të zhytura keq në ideologji e urrejtje, që kanë në thelb një luftë klasash e cila shkoi gjer në marrëzi dhe kanë gjithashtu… pak ose aspak vlerë artistike, ato pra, po mbarojnë do të harrohen. Mund të përmendja shumë tituj (filmash e librash) që askush nuk i ka më në sy, madje po t’i shikosh a lexosh, të bëjnë për të qeshur. Por po e kapërcej me kaq, sepse nuk dua të fyej asnjë krijues, cilido qoftë dhe çfarëdo që të ketë përcjellë në publik. Por ndërkaq, ky episod, nuk ka pse të bëhet pistë, ku krijues të vjetër e të rinj, të njohur e të panjohur, mësojnë të vallëzojnë ritmet e kohës së sotme, që pastaj, të na shfaqen elegantë, antikomunistë, me “vizione” demokratike; (që më në fund, prodhojnë ndonjë përfitim për protagonistin). Siç është vënë në dukje tashmë nga shumë krijues, dhe nga dashamirës të artit gjithashtu – sepse nuk mund të jetojmë gjatë pa praninë dhe mendimin e lexuesit – në këtë prodhimtari, në vite, ka edhe letërsi e filma që po mbijetojnë dhe do të mbijetojnë; sepse kanë një gjetje, sepse kanë një brengë, sepse krijuesit ua kanë krijuar një kornizë artistike. Por tjetri nuk e do këtë gjë, nuk e vlerëson qoftë edhe kaq pak arritje; ai shikon vetëm karrocën me mjeranë sipër dhe që xhiron në baltë. Krillovi shkruante diku: “Ai kishte parë zogj e breshka, por elefantin jo.” Natyrisht, mund të ketë shumë njerëz, edhe krijues, që nuk mendojnë këso. Shprehja e opinioneve nuk është më e diktuar dhe e orientuar. Por pse të mos rrëfejmë ca më tepër grintë… Hipokritët, ndoshta edhe të njollosur me episodet e dhimbshme të së shkuarës, shtiren tani më të egër se i pari i fisit të tyre; luajnë rolin e të dëshpëruarit, të atij që e ndjen më shumë se të tjerët mizorinë e kohës, (sikundër ndjenin dhe përcillnin dikur edhe detyrimet ndaj PPSH-së). A nuk kemi parë familjarë të viktimave të kohës, por edhe viktima të kohës, të kujtojnë me dinjitet vuajtjet, njerëzit e tyre të lënduar e të vrarë nga diktatura, t’i nderojnë me shpirt ata, të kërkojnë drejtësi pa lënë të kuptohet se duan hakmarrje (të llojeve të ndryshme) apo revansh? E jo! Hipokritët… qepën në sy dhe derdhin lot më shumë se vetë të dëmtuarit(!) Karroca duhet të xhirojë në baltë. Të përfitosh kështu e nga drama të tilla, është e turpshme. Sikundër jam shprehur edhe në një shënim tjetër, zotërinjtë zhurmues i çelin dhe i ushqejnë këto tema e këto debate jo aq për të vënë në vend ndonjë padrejtësi apo për të bërë drejtësi, sesa për të rrëfyer kahen e tyre tani, përkushtimin, devocionin, fundja edhe trimërinë (pas beteje). Më katolikë se Papa, këta zotërinj klithin kundër së shkuarës pa konsideruar asgjë, shtiren të mërzitur, të revoltuar, përpiqen të duken sa më të devotshëm… për ato klane që e duan të shkuarën zero. Mendoj se këtij momenti i shkon thënia e njohur e Oskar Uajld: “Debatojnë vazhdimisht ata të cilëve u ka shteruar inteligjenca.” Është e lodhshme të merresh me llafazanë të pandreqshëm dhe me hileqarë që nuk iu mbyllet goja. Dhe sikundër thotë Ernesto Sabato: “T’i thuash të gjitha, është e pamundur.” Jam i bindur se grafomanët do të vazhdojnë me sulme e debate të mërzitshme, duke i rimarrë temat e “nxehta”, jo për të zgjidhur ndonjë gjë, por për të përfituar ndonjë gjë. Dhe kështu, karroca shqiptare, me njerëz të mjerë sipër, do të vazhdojë të xhirojë në baltë. Vit pas viti, dekadë pas dekade. Dikça do të ndryshojë, kur të kenë në dorë peshën e opinioneve, të mendimeve dhe të vendimeve, brezat që vijnë…
Sigal