Vangjush SARO/ Ikja nga grevat apo nga skemat(!)

547
Sigal

Ndërkohë që vazhdon greva e urisë, e disa qytetarëve të pushuar nga puna, sipas tyre, padrejtësisht, një komunitet tjetër paralajmëroi se mund të fillojë një tjetër grevë urie. Bëhet fjalë për punonjës të artit këtë herë. Është Teatri i Operës dhe Baletit që gjendet në mospajtim me Ministrinë e Kulturës, me sa duket për shkak të përpjekjeve të kësaj të fundit për të futur në përdorim kontrata pune të një lloji të paparë ndonjëherë. (Historia e trishtë e “reformave”, që realisht janë shpikje të përkohshme pushtetesh dhe individësh në delir, vazhdon në të gjitha fushat.) Gjithsesi, ka edhe një histori grevash urie, natyrale apo të sajuara, që shkojnë thuajse në akord me këto të ashtuquajtura reforma. Kjo është tashmë pothuaj fytyra e tranzicioni të gjatë e pa sens të këtij vendi.

Askush nuk mund të thotë fjalën e fundit për këto dukuri, tepër të politizuara në Shqipëri; (ka kaq shumë gjëra të rastit e të paparashikuara, që partitë politike sakaq i “privatizojnë” dhe i përdorin për interesat e tyre). Po ashtu, askush nuk mund të parashikojë përfundimet që mund të kemi nga këto greva aktualisht. Çështja shtrohet më thjesht: pse këto shfaqje a vuajtje përsëriten dhe, sidomos, pse ato fetishizohen? Na duket se në vendin tonë, për fat të keq, jeta vazhdon të endet nëpër skema. Këto skema i porosit politika; ka ndodhur që në fillim të viteve ‘90. Mjaft të analizojmë shkaqet dhe zhvillimin e grevës më të fundit, për të kuptuar se skema mbijeton, vret dhe nuk ka të ndalur, edhe pse po jetojmë prej gati një çerek shekulli në një rend që… duhej të ishte ai i demokracisë dhe i shoqërisë së hapur (!)

Pak po të kthehemi prapa në kohë, mund të kujtojmë se të njëjtat episode groteske ka ofruar në opozitën e saj edhe maxhoranca që sot drejton vendin. Mospajtime në të gjitha fushat, fyej dhe bilbila në Kuvend, prishje ose braktisje e punimeve në seancat e këtij Kuvendi, greva urie, etj. Konfliktualiteti në dukje politik, në të vërtetë është ai i interesave të klaneve e të grupeve të ndryshme që diktojnë në ekonominë dhe në jetën shqiptare në tërësi. Përveç shfaqjeve të ndryshme të prapambetjes politike dhe sociale, nivelit qytetar që lë për të dëshiruar, fakti që politika e mbiluan rolin e saj, është fatkeqësia më e madhe dhe prapambetja më e dukshme, gjithsesi. Politika ka pushtuar kaq shumë hapësirë në jetën e qytetarëve e të vendit. Ajo gjendet kudo – në shkarkime, në emërime, në tendera, në justifikimin e kriminalitetit, etj., – ajo drejton, ndreq e prish gjithçka. Është me të vërtetë episodi më i dhimbshëm i kësaj prapambetjeje, është njëherësh skema më e dukshme.

Vendi drejtohet prej kohësh sipas këtyre skemave. Ato vijnë e përsëriten. Skemë është pushimi i njerëzve nga puna dhe rekrutimi i të tjerëve sipas “listave” të partisë dhe bindjeve partiake. Skemë është hedhja në rrugë edhe e individëve për shkollimin e të cilëve ka financuar deri edhe Bashkimi Europian. Skemë është marrja e drejtuesve partiakë lokalë të niveleve të ndryshme nga rrethet dhe katapultimi i tyre në poste drejtuese apo zyra gjithfarë në Tiranë, një gjë krejt pa sens. Ekonomisti dhe filozofi i njohur austriak Ludwig von Mises, thotë: “Ata që kënaqin dëshirat e një numri të vogël njerëzish, mund të mbledhin vetëm disa vota, dukshëm në krahasim me ata që plotësojnë dëshirat e më shumë njerëzve”. Në fushata, partitë dhe drejtuesit e tyre bëjnë pikërisht këtë gjë, çojnë në ngasje shumicën; mandej, iu kthehen sërish klaneve. Kjo skemë e shëmtuar, duhet përmbysur njëherë e mirë; por nuk ka gjasa të ndodhë tani shpejt. Për fat të keq.

Një problem më vete, është edhe protagonizmi i krijuesve të skemave; apo edhe i përfituesve të tyre në rangje të larta. Politikanët shqiptarë të cekur në këtë temë, disa veçmas, si ish-kryeministri Sali Berisha apo “deputeti” Kastriot Islami, (Gerebi i socialistëve, ish-kryetar Kuvendi dhe mbase dy herë ish-ministër i tyre) janë tejet të lodhur. Po ata nuk e kuptojnë këtë. Ose më mirë, klanet kanë nevojë ende për shërbimet e tyre. Mirëpo ndërkaq, ata po mërzitin veten e tyre dhe të tjerët; si të thuash, ata rrinë në mes të rrugës dhe s’bëjnë as përpara as prapa. Idetë e tyre janë të vjetruara. Inatet e tyre nuk kanë më vend ndër shqiptarë. Këto inate “në reformë” t’i shohë mirë edhe kryeministri aktual, Edi Rama, që ende qëndron hipur mbi malin e premtimeve. Skemat që ata të gjithë kanë shpikur dhe që, për fat të keq, ende funksionojnë, duhen flakur tej.

Sidoqoftë, fjala është që të kuptohet se edhe grevat e urisë janë njëlloj skeme; e përdorur tashmë nga të dyja palët, kohë e pa kohë, vend e pa vend. Por sot, në prag të një vendimi të rëndësishëm për Shqipërinë, ato janë një gjë krejt jashtë kohës, më pa vend se asnjëherë tjetër. (E habitshme, si rrjedhin ngjarjet, si në ndonjë dramë absurde; ne, sikur të ishim bijtë e anarshisë e të dreqit.) Dikush duhet t’i këshillojë politikanët shqiptarë, në mënyrë të veçantë ata të opozitës, që të bëjnë durim së paku një muaj, dy javë, kohë gjatë së cilës Shqipëria ka për të kapërcyer një provim të vështirë, ku ka ngelur, është rrëzuar disa herë; më e fundit, ka ndodhur kur vendin e drejtonin ata dhe, opozita e atëhershme, gjithashtu zbatonte pak a shumë të njëjtat skema. Si në këto ditë që sa vijnë e nxehen…