Vangjush Saro: “Hidheni” me votë, në qershor…

628
Shumë zhurmë për asgjë. 

-Sa për luftë e për të djegur e për të vrarë, kemi mjaft përvoja të hidhura, nuk duam të shtojmë zinë. Unë mendoj se në ditët tona, në kohën tonë, nuk është mirë të flitet me këtë gjuhë.

-T’i lëmë pas fjalët e bukura dhe të pabesë, ca më tepër luftën; të ndjekim rregullat e Perëndimit; ato rregulla e kanë çuar atë komunitet përpara, anipse nuk ka në botë vend a hemisferë pa probleme dhe halle.
Shumë zhurmë për asgjë. Doni ta “hidhni”, ta rrëzoni këtë qeveri, këtë kryeministër? E thjeshtë. Duroni edhe 3 muaj, të vijë qershori, të bëhen zgjedhjet; rrëzojeni me votë. Kjo është ajo çfarë i duhet sot Shqipërisë. Sa për luftë e për të djegur e për të vrarë, kemi mjaft përvoja të hidhura, nuk duam të shtojmë zinë. Unë mendoj se në ditët tona, në kohën tonë, nuk është mirë të flitet me këtë gjuhë. Ta hedhim, ta rrëzojmë, ta përmbysim… Ndoshta në thelb e drejta është me ju. Edhe ekonomisti i njohur Milton Friedman na pyet: “Si mund ta kontrollojmë qeverinë të mos shndërrohet në Frankeshtain që shkatërron vetë lirinë në mbrojtje të së cilës e kemi krijuar atë?” (“Kapitalizmi dhe liria”) Veç kjo do menduar, a qëndron dhe sa qëndron? E fundja, sa zhurmë duhet bërë? Tmerruat fëmijët. Latë gojëhapur gjithë aktorët e politikës perëndimore. Thirrini mendjes! E di. Nuk e doni këtë qeveri, këtë kryeministër. Është e dukshme. “Sikush priret nga dëshira e tij.” Këtë e thoshte Virgjili, që në kohë që s’mbahen mend. Kështu, siç pritej (apo siç priret edhe analisti në fjalë) qeverinë dhe kryeministrin nuk i do as Fatos Lubonja, i cili, në fakt, që kur e mbaj mend nëpër studio e nëpër shkrime, gërr-mërr me Edi Ramën. Punë e tyre. Kur të bëhen zgjedhjet, ndahet shapi nga sheqeri. Por, se ç’kini shtënë kaq merak në këto përmbysje, një Zot e di. Jo për gjë. Pashë në shtyp që e kishte këtë merak edhe Berat Buzhala nga Kosova. (Me sa duket, janë mbaruar temat dhe hallet andej; tani çështja është si ta ndreqim edhe Shqipërinë apo më mirë si ta menderosim edhe njëherë tjetër, si shumë herë të tjera.) Iu kërkoj ndjesë lexuesve të nderuar për një fjalë aty më lart, nuk është në natyrën time, por ashtu shkoi… Ani. Kini zënë bulevardin. Ç’flisni njëherë, nuk flisni herën tjetër. Për një rast të tillë, mund të citohej Shekspiri, një personazh i të cilit thotë diku: “Ky djalë s’dika pikat se ku vihen…” Thoni se do të bëni luftë(!) Më kujtohet, përpara disa vitesh, bashkëpunova për një revistë biznesi që e bënte një ish-drejtues i Dhomës së Tregtisë (ku unë kam punuar mjaft kohë, si gazetar dhe zëdhënës). Zotëria në fjalë, atëherë deputet i PD-së, kur socialistët zunë sheshin me çadra, nuk dinte si t’i nëmte ata. Qelbësirat! Më mbinë mua këtu përpara zyrës!… Ai e kishte zyrën në një nga kullat në krah të ndërtesës së Kuvendit. Mirëpo tani kanë mbirë aty të vetët. Dhe duan ta rrëzojnë këtë qeveri. More, kollaj fare. Vetëm tre muaj durim. Kështu, zotërinj. Me sa shohim, për bisedime nuk bëhet fjalë. “Shqiptarët nuk janë stërvitur për diskutime.” E ka thënë Meri Uorthi Montegu (1716). Nuk e di si i ka rënë në të aq herët. Por, ndërkaq, mendoj, ka ikur koha kur qytetarët, më së shumti të ardhurit nga rrethinat e kryeqytetit, të frymëzuar nga drejtues pa ndërgjegje politike e shoqërore – që për vete ishin dhe janë gjithnjë në majë të fikut – i vërsuleshin Tiranës ta shkatërronin, të merrnin përpara institucionet; dhe i sulmonin ato, i pushtonin me egërsi: Ministrinë e Punëve të Jashtme, TV Shqiptar, ATSH-në etj. (Viti 1998) Pastaj dilte partneri nga Perëndimi dhe iu thoshte: “Çfarë po bëni? Nuk do ta njohim një pushtet të marrë me dhunë…” Për më tej, mendoj se ka ikur gjithaq edhe koha kur ne shqiptarët bënim “të fortin”, më të “fortin e botës” (që ndërtonte i vetëm socializmin fitimtar). Jo më larg se dy dekada e gjysmë më parë, kur u përmbys sistemi monist, u gëzuam; dhe në fakt, mezi kishim pritur, që të kuvendonim me Perëndimin, të na ndihmonte e të na jepte një dorë, të na jepte një mendje… Ja që nuk e duam prapë(!) Mirë edhe kjo. Por të presim qershorin, të votojnë njerëzit, qytetarët, të pakënaqurit, të kënaqurit; pastaj si të marrë rrjedha e historisë. Ç’është ky bolshevizëm, ky ngut për të marrë pushtetin që tani? Po ju këshillojnë ndërkombëtarët, partnerët, si e doni ta themi termin, që nuk bëhen punët në rrugë, me revolta dhe me revolucione, që punët zgjidhen në kuvend dhe me zgjedhje. Ju thoni jo(!) Unë përsëri mendoj se nuk kemi interes për luftë tjetër, nuk duam ta djegim edhe njëherë Shqipërinë, as të vritemi… Jemi a s’jemi 3 milionë. Pra, të presim edhe tre muaj ose diçka më shumë se 3 muaj. Gjatë kësaj kohe, bëjeni “luftën” në Kuvend, me fjalë dhe me argumente. Ndërkaq, s’ju pengon askush të bëni agjitacion. Tregojini popullit me shifra dhe me fakte – t’ju ndihmojnë për këtë edhe ekspertët vendas e të botës, si dhe partnerët – se sa keq po qeverisin këta; ose çfarë kanë përlarë këta; por i thoni edhe çfarë kini përlarë ju. Pastaj prisni verdiktin. Nëse mendoni që këta duhen rrëzuar doemos, rrëzojini; por me votë. T’i lëmë pas fjalët e bukura dhe të pabesë, ca më tepër luftën; të ndjekim rregullat e Perëndimit; ato rregulla e kanë çuar atë komunitet përpara, anipse nuk ka në botë vend a hemisferë pa probleme dhe halle.
Sigal