Vangjush SARO / Daullja e demagogjisë

622
Sigal

Në Tiranë, daullja e demagogjisë nuk pushon për asnjë çast. Ky është një “mësim” nga kohët e vjetra,       kur me gjithë problemet jetike që kishte populli, qeveria dhe institucionet pranë saj, prodhonin pareshtur demagogji. Për fat të keq, edhe demagogjia e (pa)kamufluar e këtyre kohëve – midis të tjerave, me modele të lumtura dhe me snobë që mahniten nga hiret e tyre – nuk po e ndihmon dot vendin të mbijetojë; ai po përjeton një varfërim të shpejtë dhe të egër. Nga njëra anë, në Tiranë bëhen festa e ceremoni gjithfarë, thuhen fjalë plot shkëlqim, ka një lustër të pështirë, që megjithatë nuk e fsheh dot mjerimin. Por nga ana tjetër, në periferi dhe në disa rrethe është vënë në pikëpyetje mbijetesa. Fakte të shumta na tregojnë se termi mbijetesë nuk është thjesht një fjalë në informacionin më të parë nga rrethet, por një realitet i hidhur.

Kemi ndjekur me shqetësim atë që po ndodh në Fier, ku Këshilli i Qarkut gjendet i bllokuar; ka muaj që zhvillohet kjo komedi, ndërkohë që e gjithë harta “e rretheve” është kaq e cenuar sa më s’bëhet. Ditë më parë, banorë të komunës Kolsh në Lezhë kanë zhvilluar protesta për mungesën e energjisë elektrike. CEZ kishte ndërprerë furnizimin me energji elektrike për këtë fshat. Drejtues të protestës do të deklaronin se kompania duhet të “bëjë ndërprerje individuale për familjet që nuk e paguajnë”. Banorët të fshatrave të Kukësit gjithashtu janë hedhur në një protestë, pasi kompania CEZ iu ka shkëputur energjinë elektrike. Mediat thoshin se banorët kanë tentuar “të pushtojnë nënstacionin elektrik”…dhe për të shmangur incidentet, CEZ ka stakuar energjinë. Njerëzit pretendonin se nuk kanë para për të shlyer detyrimet ndaj CEZ, sepse shumica janë me asistencë. Sipas banorëve, nuk janë dëmshpërblyer ende “për dëmet nga përmbytjet e dimrit”, ndërkohë që tokat bujqësore “nuk kanë dhënë prodhim për të nxjerrë fitime”.

Le të zbresim në Jug dhe të kujtojmë se në Tepelenë 1 në 4 familje trajtohet me ndihmë ekonomike prej bashkisë së qytetit. Kërkesat për t’u regjistruar në skemë, kanë qenë vazhdimisht në rritje për shkak të numrit të madh të të papunëve që enden nëpër qytet pa asnjë mundësi punësimi. Banorët thonë se kjo është gjendja më e keqe që po jeton qyteti në 20 vitet e fundit. Dhjetëra biznese janë mbyllur ndërsa mbyllja ose zhvendosja e kompanive të ndërtimit atyre të asfaltimit të rrugëve dhe veprave, la pa punë mbi 1500 kryefamiljarë vetëm këto 2-3 vitet e fundit. Kjo pamje nuk është më e mirë në shumë rrethe të tjerë. Në media mund të lexosh se si në Vlorë, bie fjala, listave të gjata të të papunëve iu shtohen “edhe qindra të tjerë, që kthehen nga emigracioni, me shpresë se do të gjejnë hapësirat për t’u punësuar”.

Kështu, panoramës aspak për t’u vetëkënaqur, po i shtohet drama e familjeve të kthyera nga vende të ndryshme të Evropës për shkak të problematikave ekonomike që janë shfaqur tashmë edhe atje. Vetëm në Tepelenë, 50 familje të kthyera këtë vit nga emigracioni në Greqi, nuk shohin asnjë mundësi punësimi. Kryefamiljarët janë regjistruar gjithashtu në skemën e të papunëve, ndërkohë që ky kontigjent nuk ka çelur asnjë biznes për t’u vetëpunësuar. Muajt e verës sollën në Shqipëri mijëra emigrantë, por shumë prej tyre nuk po kthehen më atje ku punonin prej vitesh. Kriza ekonomike në Greqi, situata e lëkundur në Itali, shkurtimet e vendeve të punës në shumë shtete të tjera, janë arsyet pse këta ish-emigrantë janë kthyer përfundimisht në qytetet e tyre të lindjes, bashkë me familjet.

Në rrethe, ka probleme mbijetese edhe arsimi. Në Kolonjë, (dhe se mos vetëm atje) vendi i traditave më të mira patriotioke e kulturore, gjendja e një sërë shkollave është si në mesjetë. Në një reportazh të një medie vendase, zbulohen disa prej këtyre të mjerave shkolla, që vetëm kështu s’mund të quhen.

E përballë një gjendjeje të tillë, që mund të vizatohet me shembuj pa fund, qeveria dhe institucionet e saj bëjnë show, përmes vizitave që bën kryeministri në aktivitete të dorës së tretë, si mund të jetë një ekspozitë fotografike…modelesh. Dhe disa media shkruajnë se këtu dikush na i thënka kryeministrit se…krenohet me të. Në krah të kryeministrit delirant, janë edhe shumica e institucioneve që mbahen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por që i rrinë shumë larg realitetit. Bie fjala, ja ç’na rrëfen INSTAT: “Gjatë tremujorit të dytë 2012, forca e punës është 1.076.391 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.30%.” (!) Ka dhjetë vjet që jep të njëjtën shifër ky megafon i qeverisë; për më tepër, askush nuk shqetësohet dhe nuk kërkon së paku uljen e toneve të daulles demagogjike. (Më e pakta, Instituti për Studime Ekonomike i Vjenës na thotë se për vitin 2012, papunësia është 15 %.)

Le të dalë tani ndonjë nga ato modelet – me të cilat krenohet kryeministri, sikundër edhe ndonjë prej tyre krenohet me të – dhe të na tregojnë “lakuriq” përse…është katandisur kështu mirëqenia, arsimi, siguria, punësimi, etj., gjëra të vogla krahasuar me një ekspozitë të bujshme, ku krerët e qeverisë dhe të shtetit zbardhin dhëmbët së koti, duke u shtirur njerëz trendi. Nga mënyra se si po zhvillohen ngjarjet, duket se kemi mësuar shumë pak nga e shkuara, një gjë tejet e gabuar kjo, që e kemi bërë në çdo kohë. Dhe që përherë na kushton.