Vangjush SARO/ Çmontimi i korrupsionit!

560
Sigal

Protagonistët e politikës së sotme dhe një pjesë e mediave bëjnë si shpirt i keq kur vjen fjala për panoramën që na la e shkuara. E bëjnë atë “fërtele”. Zero. Në ato dhjetëra vjet të mbushura me vuajtje, megjithatë, dallohej qartë vija politike dhe drejtimi shtetëror, sido që ishte ai në raport me shtresa të ndryshme të shoqërisë. As në kohën e Ahmet Zogut dhe as në atë të monizmit, nuk ka pasur një vit të mbiquajtur ‘97 dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që për ditë të tëra të ketë vrasje dhe shpërthime me tritol. As që na merr malli për njërën apo tjetrën epokë dhe nuk duam të shpërndajmë sadopak nostalgji, por duhet të pranojmë se ky vend asnjëherë nuk ka qenë kaq i çoroditur dhe në hall dhe institucionet e tij, përfshi këto paqartësitë e pasiguritë me SHISH dhe me KLKP (si është më tej kjo që kontrollon pasuritë e zyrtarëve të lartë!) asnjëherë nuk kanë qenë kaq larg detyrës dhe lartësisë së dinjitetit. Gjithandej, prodhohen drogë dhe bomba e përdoret tritol, kurse institucionet përgjegjëse nuk janë në dijeni ose ngrenë supet. Thelbi i gjithë kësaj, është mosfunksionimi i shtetit; ndër arsyet pse “na duhet” kjo mjegull, është “nevoja” për korrupsion. Ky i fundit, nuk është veçse një marrëveshje mes dy palëve. Gati një çerek shekulli në një tjetër rend, nën presionin e partnerëve dhe duke parë se si një popull i tërë nuk është i qetë, protagonistët politikë vazhdojnë të jenë po në tragën e vet secili: “Të fitoj unë, klani im, partia ime, pa bota le të përmbyset”. Korrupsioni galopant, si dhe mosndëshkimi i protagonistëve të tij, një nga detyrimet kryesore që mbetet ende pa u përmbushur nga shtetit shqiptar, tashmë prej shumë kohe në dyert e mbyllura të BE-së, mbeten termat më problematikë për Shqipërinë. Për hir të së vërtetës, korrupsioni është një mekanizëm i kurdisur që në fillim të viteve ‘90, kur bashkë me përpjekjet për ndryshimin e rendit shoqëror e politik, njerëz dhe grupe të caktuara kuptuan se kishte ardhur dita të bënin para dhe pushtet. Krahët e politikës, sadoqë së jashtmi në konflikt dhe mosmarrëveshje të përhershme më njëri-tjetrin, në këtë temë pothuaj janë marrë vesh si jo më mirë. Rasti i firmave piramidale dhe më pas tragjedia e Gërdecit, mbijetesa e “republikës” së Lazaratit, ndërtimet pa kriter dhe shitja e shumë apartamenteve nga dy e tre herë, po ashtu një sërë privatizime dhe blerje, por edhe koncensione, kanë treguar njëlloj pajtimi në vijimësi të protagonistëve të politikës dhe drejtuesve të shtetit me këtë fenomen dhe me protagonizmin e njëri-tjetrit. Interesat e klaneve dhe të individëve të caktuar, kanë shtyrë tej çdo thirrje apo dëshirë të qytetarëve të këtij vendi për drejtësi dhe zhvillim normal. Duke zbritur nga lart poshtë dhe duke u përhapur nga qendra drejt skajeve, në këto dy dekada korrupsioni përfshiu gjithë jetën dhe struktura të mëdha e të vogla të saj. Të gjithë e dimë që në gjyqe e për vende pune a në spitale, jepet bakshish sheshit. Por rrallë e tek bëhet e dukshme ndonjë vepër e këtij lloji. Shumat që paguhen në gjykata për të lehtësuar dënimet dhe për të “manovruar” ndër parime e ligje, janë të mëdha, të turpshme. Por shumë e shumë rrallë dëgjojmë apo lexojmë denoncime. Koha ka ardhur që në këtë vend të ndërrohen disa rregulla. Dhe kjo fillon nga rregulli numër një: më së pari, të gjejë vendin ai që e ka për detyrë të bëjë shtet, është zgjedhur për këtë dhe nuk e bën. Deri edhe në universitete e shkolla, diplomat shpesh merren me bakshish, madje synohet që edhe përmes blerjeve apo ekskursioneve me fëmijët, të përfitohet ndonjë gjë. Për të mos bërë vetëm “hesapet” e të tjerëve, për autorin e këtyre radhëve, në Dhomën e Tregtisë ku ai punoi vitin e fundit përpara se të merrte statusin “i papunë”, ky vit, 2009-a, rezulton me sigurime shoqërore të papaguara! Kjo është një pikë uji në det me ç’ dëgjojmë dhe lexojmë përditë, por e sjell në këto radhë vetëm për të shtuar se këtu të gjithë përpiqen të ta hedhin sy për sy. Një arsye më shumë për të ndryshuar rregullat e kësaj shoqërie, duke kërkuar nga krerët poshtë. Korrupsioni krijoi që në fillimet e vitit ‘90 sindikata gojëmbyllur, për shkak se këtyre të fundit iu ndanë disa prona, që edhe sot e kësaj dite janë një praktikë morale dhe gjyqësore tejet qesharake. Për vite e vite me radhë, BSPSH nuk u ndje ose bënte sikur protestonte ndonjëherë (formalisht) kundër qeverisë së spektrit të djathtë (aq sa mund të quhej ajo e tillë). Çuditërisht, me ardhjen në pushtet të të majtëve, kjo sindikatë e politizuar këtu e një çerek shekulli më parë, sikundër edhe vazhdon të jetë, është bërë shumë aktive; (rasti i protestës së furgonave 8 plus 1). Të njëjtat episode janë regjistruar në veprimet e Konfederatës së Sindikatave, të cilat gjithnjë “e kanë mbajtur mirë” me të majtën, duke u gjendur në ndonjë protestë vetëm kundër qeverive të krahut të djathtë. (Edhe kur ka ndonjë përpjekje për të konverguar në veprimet në mbrojtje të punonjësve, si ka ndodhur me sindikatat e arsimit, krerët e njërës palë (të Konfederatës) kanë krijuar menjëherë… struktura të tjera paralele. Koha është që rregullat të rishikohen edhe për këto organizma të cilat shumë pak ndihmesë i kanë dhënë zhvillimit të vendit dhe jetës normale të qytetarëve të këtij vendi. Sigurisht, korrupsion i llojit jo më pak të rrezikshëm është ai politik: blerja e votave, blerja e institucioneve, blerja e drejtuesve të institucioneve. Këtu shpesh herë pazaret kanë shkuar gjer në Kuvend, ku palët akuzojnë dhe mallkojnë pareshtur njëri-tjetrin. Nuk e besoj se ndokund gjetkë janë kaq të dukshme lëvizjet politike të deputetëve nga njëri krah te tjetri, si këtu te ne. Ka madje politikanë që i kanë ndërruar disa herë krahët e portat, edhe pasi njerëzit i kanë votuar duke pasur parasysh spektrin që ata ndiqnin ndërsa ofroheshin në fushatë elektorale. Ndërkaq, mbajtja nën sqetull e institucioneve, është pjesa më e turpshme e këtij korrupsioni asnjëherë në dobësim, teksa shikon se si mosmarrëveshjet për KLD-në, SHISH, etj, bëhen jo thjesht mollë sherri, por tashmë pengesë për të hedhur qoftë edhe një hap përpara. Lufta për të kontrolluar institucionet e pavarura, është korrupsioni më i madh dhe njëherësh mjerimi më i dukshëm i këtij vendi në përpjekje groteske për të kapur trenin evropian. Është e turpshme që edhe në parimet kryesore të demokracisë dhe pluralizmit, Shqipëria shënon kohë pas kohe ngecje në vend dhe, në ndonjë piketë, edhe kthim prapa. Raporti më i fundit i Transperancy International në të dhënat e Indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2013, tregonte se vendi ynë kishte shënuar regres, duke zbritur tre vende më poshtë se një vit më parë. Fakti që krahët e politikës vazhdojnë të qëllojnë mbi njëri-tjetrin pa marrë parasysh asgjë, ndërkohë që nuk ka shenja se korrupsioni po luftohet, duhet të na bëjë të mendohemi. “Mjegulla” duket se nuk hapërdahet as duke ndryshuar partinë që drejton vendin. Shteti që na duhet, nuk po ndërtohet dot as nga të djathtë e as nga të majtë. Dita ditës po konstatojmë se në gjykata, në arsim, në zyrat e shtetit ku rekrutohen punonjës, etj., korrupsioni vazhdon. Ndër shkrimet dhe analizat e shumta me të cilat përcillet ky fenomen në media të huaja dhe në zyra të partnerëve, mund të qëmtosh lehtazi idenë se në këtë “ndeshje”, ku protagonistët shqiptarë bëjnë sikur luajnë, duhet të përfshihen miqtë, të huajt. Sa vjen edhe më shumë theksohet kjo nevojë e domosdoshme e jetike. Por pyetjet që shtrohen, janë së paku dy. E para: Ku t’i kemi më parë këta partnerë e miq, në cilën fushë? Dhe e dyta: E pranojnë (më mire, e duan) institucionet tona këtë zgjidhje?